Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Aleanca ruso-kineze e krizës në Ballkan

Rusia dhe Kina kanë rritur presionin mbi partnerët evropianë në përshkallëzimin e krizës rreth Bosnjë-Hercegovinës (BeH), me aktivitetet e shtuara të Pekinit në këtë front që vihen re për herë të parë që prej përfundimit të luftës në vitet ’90. Përderisa BE-ja dhe SHBA-ja po përpiqen t’i bindin serbët e Bosnjës që t’i japin fund bllokadës së autoriteteve qeveritare, Moska dhe Pekini po kërkojnë përfundimin e hershëm të administratës ndërkombëtare, e cila është e veshur me pushtete të veçanta. Kushtet për t’i dhënë fund punës së saj nuk janë përmbushur, por Rusia dhe Kina këmbëngulin që mbikëqyrja e jashtme nuk është më e nevojshme ngase vendi është mjaftueshëm stabil.

Moska dhe Pekini bërë të ditur se nuk do të pranojnë administratorin e ri ndërkombëtar në BeH. Sidoqoftë, është e paqartë se a e kanë ndër mend të bllokojnë apo jo operacionin e forcave të EUFOR-it në Këshillin e Sigurimit të KB-së. Ndërkohë, ‘aleanca ruse-kineze’ në rajonin e pas-konflikteve nuk ka prospekte të qarta. Ndryshe nga Moska, Pekini nuk kundërshton zgjerimin e NATO-s dhe BE-së. Interesat e tij lidhen më shumë me projektet ekonomike. Për më tepër, Kina vazhdon ta heqë Rusinë nga lista e partnerëve të rëndësishëm të vendeve të Ballkanit.

Vendimi i Moskës dhe Pekinit për të refuzuar bashkëpunimin me Përfaqësuesin e Lartë (administratorin ndërkombëtar) për Bosnjë-Hercegovinën, Christian Schmidt, i cili nisi mandatin më 1 gusht, është hapi i parë publik i këtij lloji në gjithë periudhën 25-vjeçare të pasluftës në Ballkan. Rusia dhe Kina u pajtuan që ta përkrahin kandidaturën e Schmidtit vetëm në shkëmbim të mbylljes së hershme të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) që në vitin 2022. Në të njëjtën kohë ata kërkuan që administratorit ndërkombëtar t’i hiqen pushtetet e veçanta, të cilat i mundësojnë të marrë vendime detyruese dhe të shkarkojë zyrtarë e gjykatës pa të drejtë apeli. Ndërkohë, partnerët evropianë besojnë se është shumë herët që të mbyllet OHR-ja, meqë vendi ka dështuar t’i përmbushë kushtet e njohura si plani 5+2.

Ndonëse u pajtua me këtë plan në vitin 2008, diplomacia ruse tash beson se frazat sikur ‘fuqizimi i sundimit të ligjit’ dhe ‘vlerësimi pozitiv i situatës në BeH’ janë shumë të mjegullta dhe janë ‘abuzuar’ nga vendet e Perëndimit. Moska beson se Zyra e Përfaqësuesit të Lartë po shfrytëzohet për të kryer misione të cilat nuk kanë lidhje me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit (1995). Rusia nuk është e kënaqur me parullën e promovuar “më pak Dejton, më shumë Bruksel,’ apo me listën e prioriteteve që kanë të bëjnë me aplikimin për anëtarësim në BE. Moska pretendon se një pjesë e ‘prioriteteve’ që kanë të bëjnë me dy njësitë territoriale të vendit (Republika Srpska dhe Federata e BeH) janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit.

Rezolutë pa përkrahje

Një përpjekje e Rusisë dhe Kinës për ta shtyrë Këshillin e Sigurimit që të kthejë mbrapsht administratën ndërkombëtare në BeH dështoi këtë verë sepse rezoluta e tyre e përbashkët nuk u përkrah. Megjithatë, Moska dhe Pekini kanë fuqi ndikimi në procesin e paqes si në KS ashtu dhe drejtpërdrejt në rajon.

Moska gjithnjë nuk është pajtuar me partnerët e saj perëndimorë për kërcënimet në Bosjnë dhe interpretimet e Marrëveshjes së Dejtonit. Kurse Pekini deri më tash nuk ka qenë i përfshirë në mosmarrëveshjet e paqeruajtjes në atë vend. Përderisa Rusia ka kërkuar mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë për gati një dekadë, Kina ka parapëlqyer të përmbahet nga vërejtjet kritike në atë drejtim. Tash, toni i deklaratave kineze ka ndryshuar. Sipas ambasadorit kinez në KB, emërimi i Christian Schmidtit që anashkaloi Këshillin e Sigurimit “mund të ketë pasoja negative.”

Pretendimi i dy fuqive me ndikim – si Rusia dhe Kina – se përfaqësuesi i ngarkuar me mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes së paqes pas konfliktit më të përgjakshëm në Evropë në dekadat e fundit është përçapje diplomatike që ka për synim diskreditimin e përpjekjeve të Uashingtonit si arkitekt i paqes së Dejtonit. Është shumë e qartë që Bosnja është vend me influencë kyçe të SHBA-së dhe BE-së, ku të dyja janë kontribuuese të mëdha të marrëveshjes dhe rindërtimit të paqes. Kontribuuesit kryesorë financiarë janë BE, SHBA-ja dhe Japonia, të cilat kanë ofruar ndihmë me vlerë prej 6 miliardë eurosh përgjatë 20 vjetëve. Në anën tjetër, është i panjohur kontributi ruso-kinez në aspektin e ndihmës financiare pas luftës.

Duke ndihmuar Dodikun, separatistin?

Schmidti nuk është njohur nga tre lojtarë: përveç Kinës dhe Rusisë, ai nuk është njohur as nga lideri serb i Bosnjës, Milorad Dodik, i cili gëzon përkrahjen e Kremlinit dhe rregullisht shpall plane për pavarësinë e Republika Srpskas (një prej dy njësive territoriale të BeH), edhe pse Marrëveshja e Dejtonit dhe kushtetuta e vendit nuk parashohin ndarjen. Serbët e Bosnjës janë kritikët më të shpeshtë të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë, të cilat hyjnë në fuqi menjëherë dhe nuk mund të apelohen. Që prej themelimit të saj, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë ka pushuar nga puna 140 zyrtarë, përfshirë gjykatës, ministra, shërbyes civilë dhe deputetë. Me raste, këto pushime, të cilat kanë ndodhur kryesisht në vitet 1990 dhe në film të viteve 2000, janë shoqëruar me ngrirjen e llogarive të tyre bankare.

Në muajt e fundit, Dodiku ka njoftuar se do të ndërpresë pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e nivelit shtetëror dhe filloi përgatitjet për t’u tërhequr nga një sërë marrëveshjesh të arritura pas luftës civile, përfshirë atë për ushtrinë e bashkuar dhe shërbimet e inteligjencës. Ai ka kërcënuar me shfuqizimin e 140 ligjeve të mbivendosura nga administrate ndërkombëtare në territorin e Republika Srpskas dhe me përjashtimin e gjykatësve dhe prokurorëve boshnjakë.

Arsyeja formale pas zemërimit të Dodikut është miratimi i një ligji, të frymëzuar nga paraardhësi i Schmidtit, Valentin Inzko, që kriminalizon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës. Ky ligj ka të bëjë posaçërisht me masakrën e myslimanëve në Srebrenicë më 1995, të cilën Gjykata Ndërkombëtare e ka shpallur gjenocid më 2007 (vetë Dodiku e quante “të diskutueshëm” faktin se çfarë kishte ngjarë në Srebrenicë mund të quhej gjenocid, por me kohë ai braktisi atë pozicion dhe bëri thirrje për një hetim të ri.

Për kundërshtarët politikë të Dodikut në kampin serb, thirrjet e tij separatiste përfaqësojnë një rrugë drejt së panjohurës që kërcënon paqen dhe stabilitetin. Megjithatë, Dodiku ndjehet mjaft i sigurt: në fund të fundit, përpjekjeve të kahershme të Moskës për ta margjinalizuar administratën ndërkombëtare tash i bashkohet “lojtarja numër dy e botës,” d.m.th. Kina.

Pa pjesëmarrje kineze

Republika Popullore e Kinës ka rritur praninë e saj në Ballkan në vitet e fundit përmes projekteve të mëdha ekonomike dhe diplomacisë së vaksinave, por influenca e saj mbi marrëveshjen e paqes në vendin më të ndërlikuar të rajonit nuk ka qenë e dukshme deri më tash. Kina nuk ka qenë e përfshirë në hartimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe nuk është anëtare e Këshillit për Zbatimin e Paqes (të cilin e braktisi më 2000), që përfshin 55 vende dhe organizata që përkrahin procesin e paqes përmes financimit ose ofrimit të trupave ushtarakë.

Kina nuk ka marrë pjesë asnjëherë në punën e Bordit Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes, që përveç Rusisë përfshin vendet si Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, MB-ja dhe SHBA-ja, si dhe vendin që aktualisht udhëheq me Bashkimin Evropian, Komisionin Evropian dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, të përfaqësuar nga Turqia. Është Bordi Drejtues ai që diskuton të gjitha çështjet madhore që lidhjen me marrëveshjen e paqes dhe miraton Përfaqësuesin e Lartë (administratorin ndërkombëtar). Meqë ra fjala, Rusia qe i vetmi vend në Bord që nuk mbështeti kandidaturën e Schmidtit dhe vetëm Kina mbajti këtë pozicion bashkë me të në KB.

Është interesante që Moska nuk ka mbështetur as edhe një deklaratë të përbashkët të Bordit Drejtues në vitet e fundit, pavarësisht nga fakti se secila prej tyre ripohon sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH dhe dënon retorikën separatiste dhe nacionaliste. Shembulli më i fundit është refuzimi i Moskës që të përkrahë komunikatën mbi detyrimin e përfaqësuesve të zgjedhur që të marrin pjesë në të gjitha organet qeverisëse.

Mandati i EUFOR-it, forcat evropiane

Është e qartë se goditja diplomatike që pësoi Schmidti nga Moska dhe Pekini që në fillim nuk do ta përmirësojë mundësitë e zgjidhjes së krizës akute politike. Mbetet të shihet se çfarë planesh kanë Moska dhe Pekini dhe sa e fortë do të jetë “aleanca e krizës” në Ballkan. A janë të gatshme të vazhdojnë konfrontimin e Këshillit të Sigurimit dhe të bllokojnë (në nëntor a më vonë) zgjatjen e mandatit të EUFOR-it evropian që është i përfshirë në paqeruajtjen dhe deminimin e BeH?

Nuk mund të përjashtohet skenari, posaçërisht duke ditur që më 2014 gjatë krizës rreth aneksimit të Krimesë, Moska nuk mbështeti zgjatjen e mandatit të EUFOR-it, thua se për t’u dërguar sinjale kundërshtarëve të saj se nuk është më e sigurt nëse është i nevojshëm misioni i paqeruajtjes. Ndonëse një veto e mundshme në Këshillin e Sigurimit nuk do të shkaktonte vakum të sigurisë në Bosnjë (BE-ja dhe NATO kanë pohuar vazhdimisht zotimet e tyre afatgjate ndaj vendit), një intensifikim i krizës së brendshme në vend do të ishte i pashmangshëm.

EUFOR-i ka zbarkuar më 2004 pas vendimit të NATO-s që t’i japë fund operacionit SFOR, i cili kishte nisur më 1995. Operacioni evropian kryhet duke shfrytëzuar asetet dhe aftësitë ushtarake të NATO-s, ndërsa fokusi i tij në vitet e fundit është zhvendosur në trajnimin e Forcave të Armatosura të BeH. Ndonëse batalioni shumëkombësh për momentin përbëhet vetëm nga disa qindra ushtarë, EUFOR-i është në gjendje që të zbarkojë shumë shpejt forcat rezervë.

Impakti në situatën përreth Kosovës

Përveç Bosnjës, Moska dhe Pekini vazhdojnë të ndikojnë në situatën përreth Kosovës duke kundërshtuar Perëndimin dhe duke kundërshtuar integrimin e Kosovës në komunitetin global. Në nivelin diplomatik, Rusia dhe Kina janë më aktive sesa vendet e tjera në mbrojtjen e integritetit territorial të Serbisë dhe pengimin e përpjekjeve të Kosovës për t’u bërë shtet me të drejtat e plota pas shpalljes së pavarësisë më 2008. Është e qartë se anëtarësimi në KB është i mundshëm vetëm me pëlqimin e Moskës dhe Pekinit. Nuk do të jetë e lehtë për autoritetet e Kosovës që ta arrijnë këtë, pa marrë parasysh rezultatet e procesit të normalizimit mes Beogradit dhe Prishtinës, të nisura më 2011.

Një zgjidhje e mundshme e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën në vitet e ardhshme nuk do të nënkuptonte përfundimin e konfrontimeve mes Moskës dhe Pekinit në një anë dhe Uashingtonit dhe përkrahësve të tjerë të pavarësisë së Kosovës në anën tjetër.

Ashtu si me Bosnjën, Kina parapëlqen një retorikë më të butë në rastin e Kosovës. Kjo është e kundërt me atë të Moskës, e cila shpesh akuzon shqiptarët e Kosovës për provokime dhe angazhohet aktivisht në diskreditimin e elitës politike kosovare. Gjatë krizë së shtatorit në marrëdhëniet Beograd-Prishtinë në lidhje me targat e automjeteve, ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, inspektoi njësitë ushtarake serbe që ishin vënë në gatishmëri. Prania e tij si përfaqësues i një fuqie nukleare pranë Kosovës ka pasur për qëllim t’i vërë në siklet kundërshtarët e Serbisë. Diplomatët kinezë nuk marrin pjesë në veprime të tilla.

Ekonomia triumfon

Afërsia e vlerësimeve politike të gjendjes rreth Bosnjës dhe Kosovës akoma nuk i bën aleatë Moskën dhe Pekinin. Në anën tjetër, rritja e aktiviteteve të Kinës në raport me çështjen e Bosnjës në Këshillin e Sigurimit ka treguar se ky vend po përpiqet të mbajë një qëndrim më konfrontues karshi Perëndimit dhe në këtë kuptim mbështetet në bashkëpunimin me Rusinë, e cila është për shumë vite është sjellë në atë mënyrë në rajon. Në anën tjetër, Kina nuk provon të ndikojë në marrëdhëniet ndëretnike në rajon apo të pengojë proceset e integrimit në asnjë mënyrë që vlen të përmendet. Përkundrazi, Moska është duke manipuluar shumë hapur dallimet dhe frikët e grupeve të ndryshme kombëtare dhe është duke shpalosur propagandën kundër NATO-s dhe BE-së.

Deri më tash, interesat e Pekinit kanë qenë kryesisht të lidhur me projektet ekonomike. Përmes nismës Një Rrip, Një Rrugë, Kina ka zgjeruar partneritetin e saj me Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Pekini është i gatshëm të investojë miliarda në projekte të infrastrukturës, ndërkaq Moska nuk ka mundësi të investojë në projekte aq të mëdha. Dallimi në rëndësinë ekonomike është i dukshëm posaçërisht në Serbi, e cila është partnere strategjike edhe e Rusisë edhe e Kinës.

Vlera e projekteve infrastrukturore serbo-kineze tashmë ka arritur vlerën e 15 miliardë eurove. Në marrëdhëniet e jashtme ekonomike të Serbisë, Kina momentalisht radhitet e treta (pas Gjermanisë dhe Italisë) me tregti të ndërsjellë prej 3.7 miliardë dollarësh. Rusia mban vendin e katërt (2.5 miliardë dollarë), pak përpara vendeve si Hungaria dhe Rumania. Vlera e investimeve ruse në Serbi vlerësohet te jetë 3 miliardë dollarë.

Rritja e aktiviteteve të Rusisë dhe Kinës në Ballkan shpesh lidhet me largimin e vëmendjes së SHBA-së dhe BE-së, si dhe me ngadalësimin e integrimit evropian. Në të njëjtën kohë, paqartësia e politikave të Moskës dhe Pekinit do të thotë se shumë ekspertë janë të shqetësuar për përparimin e të dy vendeve në rajon. Aspiratat e Rusisë dhe Kinës për të luajtur rol më të spikatur në rajonin e Ballkanit ende nuk kanë ndikuar në gjendjen e sigurisë.

Megjithatë, në sensin politik, përpjekjet e tyre për të përshpejtuar shpërbërjen e pranisë ndërkombëtare në Bosnje në prapavijë të rritjes së proceseve të dezintegrimit kanë pasur pasoja negative. Muajt në vazhdim do të tregojnë se a janë të gatshëm Moska dhe Pekini që ta thellojnë edhe më tej konfrontimin politik me Uashingtonin dhe garantuesit e tjerë të paqes në Ballkan. Sidoqoftë, BE-ja dhe NATO kanë mjaft për të ofruar në mënyrë që të ndryshojnë kursin e trendëve negativë.

***

Artikulli origjinal botuar në Riddle, më 21 tetor 2021.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.