Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Britania e Madhe dhe Dialogu

Që nga fillimi i luftës në Kosovë më 1998, Britania e Madhe ka qenë një nga mbështetëset kryesore të Kosovës në secilin proces. Në kohën e bombardimeve, Britania e Madhe dha një kontribut të pazëvendësueshëm në misionin e NATO-s. Në operacionet e NATO-s morën pjesë 48 aeroplanë luftarakë britanikë, me një kosto prej 192 milionë funteve. Pas luftës, në kuadër të KFOR-it, Britania e Madhe angazhoi 10.500 ushtarë për të ofruar paqe dhe stabilitet në Kosovë. Me t’u vendosur në Kosovë, Britania e Madhe ofroi qindra miliona euro për kthimin e refugjatëve në shtëpitë e tyre dhe për rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar. Vetëm në vitin 1999 Britania dhuroi 110 milionë funte për ushqime, shëndetësi, çmontimin e minave dhe për bizneset e vogla e të mesme.

Sa i përket çështjes së Kosovës, në Britani gjatë kësaj kohe ka pasur konsensus. Kjo mbështetje ka vazhduar edhe në kohën kur filluan negociatat për statusin final të Kosovës në Vienë. Madje, më 2005 Britania u bë vendi i parë i madh që tha se “pavarësia e plotë është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për Kosovën”. Pasi Kosova shpalli pavarësinë, Britania ishte ndër njohëset më të shpejta të saj. Për më tepër, ajo luajti rol kyç në sigurimin e njohjeve për Kosovën. Pas kësaj, Britania ndihmoi Kosovën në anëtarësimin e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë FMN-në, BB-në, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komitetin Ndërkombëtar Olimpik, etj. Dialogu për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi që filloi në Bruksel fillimisht u ndërmjetësua nga dy diplomatë të njohur britanikë, Robert Cooper dhe Baronesha Catherine Ashton. Mirëpo, lobimi në favor të Kosovës ka rënë viteve të fundit dhe kjo për disa arsye.

E para, Britania ka vërejtur se ajo që ka qenë e mundur të arrihet është arritur. Në fjalët e një diplomati britanik, “fruti që ka qenë i kapshëm është mbërrirë”. Kosova ka prekur limitet e unilateralizmit dhe diplomacia britanike konsideron se përpjekjet për t’ua ndërruar mendjen shteteve që refuzojnë ta njohin Kosovën dëmton kredibilitetin e Britanisë. Siç pohon James Ker Lindsay, shtetet që nuk e njohin Kosovën përkasin në katër kategori të mëdha. Kategoria e parë janë shtetet që kundërshtojnë pavarësitë e shpallura në mënyrë të njëanshme. Kategoria e dytë janë shtetet që e kundërshtojnë Kosovën në baza ideologjike, duke e parë këtë të fundit si projekt imperialist amerikan. Kategoria e tretë janë shtetet që e presin një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë dhe në bazë të saj edhe të veprojnë më pas. Kategoria e katërt dhe e fundit është ajo e shteteve të largëta që as dinë dhe interesohen shumë pak për Kosovën. Në situatën ku është Kosova, mendja mund t’u ndërrohet vetëm shteteve që bien në kategorinë e katërt, por që është edhe kategoria më jorelevante.

Në qarqe të caktuara britanike flitet se ngërçet dhe tensionet politike të shoqëruara me dhunë në institucionet e Kosovës gjatë viteve të fundit kanë vështirësuar gjetjen e argumenteve se Kosova është shtet stabil dhe funksional. Kjo është arsyeja e dytë. Arsyeja e tretë është se shteti britanik vlerëson se tani Kosova duhet të marrë më shumë përgjegjësi në konsolidimin e shtetësisë së saj. E katërta arsye është më pesimistja në këtë mes. Në analizën e tij “Shthurja e politikës së jashtme të Kosovës”, Marc Weller thotë që në Britani dhe në Francë për ditë e më shumë po forcohet pozicioni pro-serb dhe që llogaritë se intervenimi në Kosovë ka prishur marrëdhëniet e mira mes Britanisë dhe Serbisë. Lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, duket të jetë politikani më skeptik i NATO-s dhe që kritikon politikat “imperialiste” të Perëndimit. Forcimi i kësaj linje do të ishte një humbje e madhe për Kosovën.

Por arsyeja e pestë shpjegon më së miri uljen e aktivitetit britanik në Kosovë. Ajo është BREXIT-i. Gjatë kohës së saj në BE, Britania e Madhe ka qenë njëra nga përkrahëset më të mëdha të politikave të zgjerimit të BE-së. Disa shkollarë e interpretojnë këtë përkushtim të Britanisë në zgjerim të BE-së si përpjekje strategjike për të shtyrë thellimin e integrimit të BE-së së brendshmi. Sidoqoftë, kjo përkrahje për zgjerim është përkthyer në një vëmendje të saj për Ballkanin. Për këtë arsye, Britania ka qenë e interesuar në stabilizimin e Ballkanit. Ajo ka qenë vazhdimisht një mbështetëse e Kosovës dhe kushtëzuese e Serbisë në aspiratat e saj për anëtarësim. Për Britaninë, Serbia do të mund të anëtarësohej në BE vetëm nëse ajo do të pranonte realitetin në Kosovë. Dalja e Britanisë nga BE-ja do ta privojë Kosovën nga një mbështetje solide.

Në diskutimet për dialog, nga shtetet që pritet të luajnë rol vendimtar në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, roli i Britanisë nuk është shumë i qartë në bazë të informacionit që qarkullon. Britania e Madhe, sikur krejt shtetet e tjera, u nënshtrohen dinamikave, trendeve e proceseve të jashtme, të brendshme e të ndërmjetme. Kjo do të thotë se logjika që përpilon strategjitë e tyre nacionale është në fluks të vazhdueshëm. Ajo dizajnohet në përputhje me ndryshimet dhe kristalizimet që merr vendi. Profili dhe ambiciet e liderëve gjithashtu kanë hisen e vet në përmbajtjen e strategjive. Nuk ka ndonjë trend konstant që është imun përballë proceseve politike.

Ndonjëherë këto ndryshime mund të prodhojnë thyerje të mëdha politike. Në raste të caktuara, ndërrimi i kursit mund të jetë radikal. Kështu ka ndodhur me BREXIT-in në Angli. Me të dalë nga BE-ja, Britania e Madhe ka pësuar ndryshime drastike. Përpjekjet për të siguruar një marrëveshje të leverdishme me BE-në po i konsumojnë masivisht energjitë politike që dikur kanalizoheshin në mënyrë më shqendërzuar brenda dhe jashtë Britanisë. Në Britani tani dominon një klimë solipsiste, që i preokupon politikanët vetëm me fatin britanik. Divorci nga BE-ja nënkupton edhe divorcim nga brengosja për procese gjeografikisht larg. Forcat politike në Britani tani janë të orientuara drejt konsolidimit të brendshëm pas traumës së BREXIT-it.

Klima e krijuar në Britani rrit trysninë për të “revitalizuar forcat e vyshkura gjatë qëndrimit në BE” dhe për të mos çarë kokën për çështje si Kosova, Ukraina e Bosnja. Ky momentum e ngushton jashtëzakonisht shumë kompasin diplomatik britanik. Ka disa vite që fokusi i Britanisë së Madhe në Kosovë është në zbehje. BREXIT-i vetëm e ka rritur topin e borës. Roli periferik i Britanisë ndihmohet edhe nga fakti që përveç Rita Oras e Dua Lipas, Kosova nuk ka ndonjë lidhje të fortë me Britaninë. Sipas censusit të vitit 2011, në Britani jetojnë vetëm 28 mijë shqiptarë të lindur në Kosovë. Ky numër është shumë i vogël kur krahasohet me 600 mijë polakët që jetojnë atje. Me daljen nga BE-ja, ky numër i shqiptarëve nuk pritet të rritet substancialisht.

Lidhjet ekonomike janë njashtu të vobekta. Shifrat e fundit tregojnë se Kosova rangohet e 177-ta në listën e importuesve në Britani dhe e 179-ta në atë të destinacioneve ku eksporton Britania e Madhe. Vëmendja e Britanisë është e orientuar drejt ndërtimit të relacioneve ekonomike me ShBA-në dhe Kinën për të zëvendësuar raportet e dëmtuara me BE-në. Poashtu, Britania e Madhe, tani më e izoluar, ka filluar t’i kthehet “lavdisë” së saj koloniale dhe të rindërtojë lidhjet me shtetet e Commonwealth-it. Në këtë aspekt, Britania e Madhe është në një proces të riorganizimit që prioritizon raportet e saj vertikale me të kaluarën e vet dhe që lë anash proceset periferike ndërkombëtare. Kosova zë vend të rëndësishëm për Britaninë vetëm si zonë e (pa)sigurisë, sidomos sa i përket terrorizmit. Por edhe këtu Kosova është temë për shkak të karakterit global dhe të deterritorializuar të terrorizmit e jo për arsye ekskluzive të lidhura me Kosovën.

Me gjithë faktin që Ambasada Britanike në Kosovë ka deklaruar që “ndryshimi i kufijve mund të jetë destabilizues”, momentumi i saj historik pritet ta rreshtojë Britaninë e Madhe me ShBA-në e jo me Gjermaninë në raport me çështjen e kufijve. Britania nuk e ka as forcën e as interesin diplomatik për të luajtur rol të madh në këtë dialog. BREXIT-i po ia shteron forcat për të draftuar një plan koherent për Kosovën dhe çështje tjera ndërkombëtare. Një gjë që mund ta shtyjë Britaninë e Madhe të dalë kundër kufijve është rihapja e temave nacionale në Irlandë të Veriut dhe Skoci pas daljes nga BE-ja. Mirëpo kjo ende nuk dihet sesi mund të ndikojë kufijtë në Britani dhe gjetiu, kështu që mbetet temë e hapur. Megjithatë, shenjat janë se lodhja do ta detyrojë Britaninë e Madhe që në fund të pranojë zgjidhjet e propozuara nga faktorët kyçë në çështjen e Kosovës. Roli i Britanisë pritet të jetë periferik, me Gjermaninë, Rusinë dhe ShBA-në në krye të procesit.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.