Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Çfarë duhet të dimë rreth marrëveshjes mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut?

Të premten që lamë pas, Korea e Veriut dhe Korea Jugore adoptuan “Deklaratën e Panumnjomit për Paqe” që ndalon luftën dhe që premton “një epokë të re të paqes” dhe “denuklearizim të plotë”. Lideri Suprem i Koresë së Veriut, Kim Jong dhe Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae, shtrënguan duart dhe u përqafuan në dy anët e kufirit mes dy shteteve në fjalë. Takimi në dukje shumë emocional përçoi një mesazh pozitiv në përpjekjet për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemin e atij regjioni dhe më gjerë. Deklarata parasheh edhe bashkëpunim ekonomik midis dy vendeve.

Kjo marrëveshje ka edhe rëndësi ndërkombëtare. Evitimi i një lufte mes tyre është shmangie e një kataklizme bërthamore. Në këtë regjion pleksen shumë interesa strategjikë të fuqive regjionale, si Japonia dhe të super-fuqive botërore, si ShBA, Kina e Rusia. Edhe pse një kërcënim i tillë nuk ishte realisht gjithnjë iminent, testet e kohëpaskohshme bërthamore të Koresë së Veriut mjaftonin sa për të pasur kujdes të shtuar rreth problemit në fjalë. Megjithatë, nuk duhet entuziazmuar edhe aq shumë për ato përqafime. Përkundër faktit që kjo ngjarje është shumë pozitive, duhet të kemi rezerva për efektin afatgjatë.

Historiku dhe gjeopolitika e problemit

Programi i saj bërthamor ishte ideuar në vitet ‘60 të shek. të kaluar. Puna efektive për prodhimin e armëve nukleare kishte filluar në vitet ’80. Me rënien e Bashkimit Sovjetik (BS), Korea e Veriut humbi një aleat të fortë. Në vend se t’i nënshtrohej një tranzicioni të thellë politiko-ekonomik, regjimi i Koresë së Veriut zgjodhi të mbetej diktaturë komuniste.

Në vitin 1990 Rusia normalizoi marrëdhëniet me Korenë e Jugut. Më 1992 këtë e bëri Kina. Kjo rënie e mbështetjes e shtyri Korenë e Veriut që të frikësohej më shumë nga një invazion i mundshëm amerikan. Kjo për shkak që ShBA-ja ka prani të theksuar ushtarake në atë pjesë të botës. Bazuar në të dhënat e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore (LDB), ShBA-ja në Japoni ka stacionuar 39.345 ushtarë në 112 baza. Nuk ka asnjë vend tjetër në botë ku ShBA-ja ka dërguar një numër të tillë të trupave. Më tej, pas Gjermanisë që mban 34.805 ushtarë amerikanë, Korea e Jugut është mikpritësi i tretë më i madh i ushtarëve amerikanë, me 23.468 sosh, në 83 baza ushtarake. Aty ka edhe arsenal të rëndë ushtarak. Poashtu, nga aty mund të kryhen sulme bërthamore. Bazat janë të përqendruara në ishujt afër Koresë së Veriut dhe janë të gatshme t’u përgjigjen sulmeve eventuale të saj ndaj Japonisë dhe Koresë së Jugut. Trupa dhe baza tjera amerikane ka edhe në Tailandë, Filipine, Singapor dhe Guam, një ishull në oqeanin paqësor, rreth 2000 milje larg Koresë së Veriut, që shërben si stacion për avionët luftarakë amerikanë.

Raportet e Koresë së Veriut me SHBA-në

Më 1993, Korea e Veriut kërcënoi se do të braktiste “Traktatin për Mos-Zgjerimin Nuklear” dhe përshpejtoi punën e prodhimit të armëve bërthamore. Kjo sjellje agresive e Koresë e Veriut e alarmoi ShBA-në për një luftë potenciale. Për të shmangur rrezikun, më 1994 ShBA-ja nënshkroi një marrëveshje me Korenë e Veriut për të mos braktisur traktatin dhe për të ndërprerë planet bërthamore në këmbim të sasive të mëdha të naftës dhe ndërtimit të dy reaktorëve bërthamorë për përdorime civile. Në anën tjetër, Korea e Jugut në përpjekje për të zbutur vrazhdësinë e veriorëve, ndihmoi programet për zhvillim ekonomik në Korenë e Veriut me më shumë se 8 miliardë dollarë. Korea e Veriut përmes kësaj marrëveshje thithi resurset e nevojshme për të zhvilluar më shumë ekonominë e saj. Presidenti i atëhershëm jug-korean, Kim Dae, kishte fituar Çmimin Nobel për Paqe për shkak të përpjekjeve të tij pozitive për të ulur nivelin e kanosjes.

Përderisa dukej se shkonte mirë bashkëpunimi, në vitin 2002, George Bush e kuptoi që Korea e Veriut po e mashtronte ShBA-në sepse kapacitetet nukleare i kishte kanalizuar në drejtim të sektorit militar. Më pas, Bush e futi Korenë e Veriut në mesin e shteteve që bënin pjesë në “Boshtin e së Ligës”. Kjo është periudha kur fillon të implementohet narrativi i sekuritizimit të Koresë së Veriut. Kjo doktrinë konsideron që shtetet jodemokratike janë vatra konstante të rreziqeve dhe e vetmja mënyrë efikase për të eliminuar riskun është riorganizimi i brendshëm shtetëror në linja të demokracisë liberale. Kjo kredo ishte përpiluar kryesisht nga ideologë neo-konservativë si Dick Cheney, Donald Rumsfeld, Paul Wolfowitz, Richard Perle e John Bolton, që kishin kritikuar ashpër marrëveshjen që Clinton e bëri në vitin 1994.

Kjo shkollë e mendimit vlerëson se Korea e Veriut nuk duhet të pranohet si palë legjitime negociuese, por duhet trajtuar si shtet risk që duhet të ridizajnohet në tërësi përmes përdorimit të forcës dhe përmes ndërtimit të një regjimi të ri kushtetues. Formula e tyre thotë se problemi i “shteteve të boshtit të së ligës” mund të zgjidhet vetëm nëse ka ndërrim të regjimit e jo thjesht përmes konservimit të rrezikut regjional e ndërkombëtar. Kjo teori e ashpër diplomatike e trembi Korenë e Veriut dhe disa shkollarë e kanë kritikuar atë duke thënë se kjo qasje ka përkeqësuar gjërat dhe ka pamundësuar dialog efektiv për të zgjidhur mosmarrëveshjen. Van Jackson, ekspert në marrëdhënie ndërkombëtare, thotë se kjo qasje e ka bërë gjithnjë e më jorealistik denuklearizimin e Koresë së Veriut, duke çuar tensionet në maksimum. Kështu edhe kishte ndodhur. Kjo strategji strikte dogji urat e komunikimit mes dy shteteve dhe intensifikoi përpjekjet e Koresë së Veriut në planet e saj bërthamore. Kjo qasje, sipas Jackson, i solli Korenë e Veriut dhe ShBA-të në një pikë ku kanë konflikt të pareduktueshëm të interesit.

Sanksionet

Në vitin 2006 Korea e Veriut kreu testin e saj të parë bërthamor. Nga ai moment, ShBA-ja dhe një numër i aleatëve të saj vendosën sanksione kundër Koresë së Veriut. Poashtu, OKB-ja kaloi 9 runde të sanksioneve kundër Koresë së Veriut, shumica e tyre të propozuara nga ShBA-ja. Më 2012, Korea e Veriut dhe ShBA-ja arritën prapë një marrëveshje për të ndaluar programet për armë bërthamore. Në këmbim, amerikanët do të vazhdonin me ndihmë ekonomike për koreano-veriorët. Vetëm 6 javë më vonë, Korea e Veriut e prishi marrëveshjen.

Sanksionet e para të vendosura në vitin 2006, bllokuan furnizimin e Koresë së Veriut me armatim të rëndë, teknologji raketore dhe të mira tjera. Me kalimin e kohës sanksionet u bënë më të rënda. Nga viti 2017, sanksionet e OKB-së i ndalonin Koresë së Veriut importin e ujit, metalit, produkteve të agrikulturës dhe kërkonin deportimin e punëtorëve koreano-veriorë që punonin në shtete të ndryshme të botës. Megjithëse këto sanksione ishin iniciativa të administratës Trump, ishte roli i rritur i Kinës në këto sanksione ai që goditi më së rëndi ekonominë e Koresë së Veriut. Kina është partneri më i madh i Koresë së Veriut. Më shumë se 90% e totalit të importeve të Koresë së Veriut vjen nga Kina. Para vitit 2017, Kina edhe pse nuk kishte bllokuar me veto rezolutat për sanksionet kundër Koresë së Veriut, nuk kishte respektuar ato rezoluta dhe kishte vazhduar eksportin në Kore të Veriut. Relacionet e mira me Kinën ishin infuzion për Korenë e Veriut të ngujuar në embargo. Megjithatë, që nga viti 2017, Kina kishte zbatuar sanksionet. Kjo ndodhi edhe pse Kina ka qenë historikisht aleati më i madh i Koresë së Veriut.

Raportet historike të Koresë së Veriut me Kinën

Pas grusht-shtetit të suksesshëm të 16 majit të vitit 1961 në Kore të Jugut, lideri i ri i Koresë Jugut, Park Chung-Hee, rriti shpenzimet ushtarake dhe kërcënonte me luftë Korenë e Veriut. Në këtë situatë, Korea e Veriut kërkoi ndihmë nga Kina dhe po atë vit dy vendet nënshkruan “Traktatin për Ndihmë të Ndërsjellë dhe Bashkëpunim Miqësor”. Traktati forconte jo vetëm relacionet ekonomike, por edhe parashihte që dy vendet të mbronin njëra-tjetrën “në rast të agresionit të paprovokuar nga jashtë”. Traktati është ende në fuqi dhe automatikisht përditësohet çdo 20 vite, siç ka ndodhur më 1981 dhe 2001, dhe sikur që pritet të ripërtërihet në vitin 2021. Mao, pas këtij traktati, duke lirikizuar raportet mes dy vendeve, pati thënë se “Kina dhe Korea e Veriut janë të bashkuara si buzët dhe dhëmbët”.

Përgjatë këtyre dekadave Kina ka qenë e vetmja fuqi që përkrahte Korenë e Veriut në ambiciet e veta për armë nukleare. Kina ka qenë huazuesi më i madh financiar i saj, duke i huazuar fonde për të ndërtuar rrugë e hekurudha. Poashtu, Kina është furnizuesi i saj kryesor me naftë dhe armë. Kina gjithashtu ka trajnuar hakerët koreano-veriorë për të forcuar Korenë e Veriut në luftën kibernetike. Këta hakerë janë bërë kërcënim për komunitetin ndërkombëtar, përfshirë vetë Kinën. Kjo ushtri kibernetike kishte kryer sulme në sistemet kompjuterike në 17 shtete të botës, si në ShBA, Britani të Madhe, Gjermani, Japoni, Turqi e Rusi, duke shkaktuar dëme që kushtuan me miliarda dollarë. Këto sulme në cak kishin serverët që rregullojnë infrastrukturën, spitalet, bankat, si dhe organizata të ndryshme financiare në këto vende. Në këmbim, Kina gjatë kësaj kohe shfrytëzonte fuqinë e lirë punëtore nga Korea e Veriut.

Presioni i Kinës

Por ngadalë Kina ia ktheu shpinën “motrës së vogël”. Viteve të fundit, Partia Komuniste Kineze ka qenë më pak e interesuar në shpërndarjen e komunizmit nëpër botë dhe më shumë në konsolidimin e saj si fuqi globale në ekonomi dhe politikë. Bashkëpunimi i ngushtë me Korenë e Veriut ishte shndërruar në pengesë për ta realizuar këtë projekt. Kur në shkurt të vitit 2017 Korea e Veriut kreu një tjetër test bërthamor, u kritikua ashpër nga Kina. Ndryshimin e qasjes së Kinës e kishte ndihmuar edhe interesimi që të thellojë bashkëpunimin me SHBA-të, sidomos për të zbutur tensionet me administratën e Trumpit. Në këtë mjedis, Kina tha që “do të bashkëpunonte me imperialistët që t’i jepte fund krizës koreano-veriore”. Korea e Veriut u kundërpërgjigj duke thënë që “Kina duhet të ketë kujdes që të mos e rrënojë shtyllën e miqësisë së tyre”, por Kina reagoi me kërcënim se “mund t’i jepte fund traktatit të bashkëpunimit mes dy vendeve”.

Sanksionet, sidomos ato të Kinës, e kanë zhytur Korenë e Veriut në një krizë humanitare. 2 në 5 koreano-veriorë vuajnë nga ushqimi i pamjaftueshëm. Situata alarmante e dobësoi pozicionin negociues të Koresë së Veriut dhe kështu u detyrua të kërkojë zgjidhje për krizën ekonomike, duke nënshkruar këtë marrëveshje me Korenë e Jugut. Duke shfrytëzuar vakumin e krijuar mes Kinës dhe Koresë, Rusia ndërhyri si mbështetëse e Koresë së Veriut, duke furnizuar këtë të fundit me vaj për avionë, gjë të cilën Kina e kishte bërë më herët. Por përpjekjet e Rusisë për të krijuar raporte solide diplomatike me Korenë e Veriut morën fund kur kjo e fundit kreu një test militar në afërsi të kufirit rus.

Sa u përket arsyeve ushtarako-politike të Kinës për të ushtruar trysni mbi Korenë e Veriut në krye të tyre është efekti regjional dhe global i armëve nukleare të cilat i posedon Korea e Veriut. Korea e Veriut qysh tash ka kapacitet që të godasë me armë nukleare Japoninë e Korenë e Jugut. Kjo i ka shtyrë këto të fundit që të intensifikojnë programet e militarizimit të rëndë, përfshirë atë nuklear, që të jenë në gjendje të mbrohen nga ndonjë sulm eventual koreano-verior. Kjo garë e armatimit do t’i forconte ushtarakisht rivalët e Kinës, diçka jo shumë e dëshirueshme në Pekin. Gjithashtu, Korea e Veriut tashmë ka zhvilluar armë bërthamore që mund të mbërrijnë edhe bregun lindor të ShBA-së dhe veçse është bërë fuqi e plotë nukleare. Rreziku i Koresë Veriore nënkupton më shumë prani agresive amerikane në regjion, kurse Kina nuk është e interesuar që të ketë ushtrinë amerikane afër kufirit të vet dhe kërkon të evitohet konflikti.

Megjithëse Kina e ka përkrahur Korenë e Veriut në programin e saj bërthamor për të kundërbalancuar ndikimin amerikan në regjion, ajo nuk mund të rrezikojë që të lejojë një Kore të Veriut shumë të rrezikshme. Përveç arsyeve ushtarake, arsyet ekonomike janë poashtu të rëndësishme për të kuptuar presionin e Kinës mbi Korenë e Veriut. Eskalimi i situatës nuk u shërben përpjekjeve të saj për të rritur edhe më shumë fuqinë e saj globale. Efektet e luftës do të ndjeheshin shumë në Kinë, që ka një rrjet të madh tregtar në atë pjesë të botës. Gary Haufbauer, ekspert ekonomik, mendon se çfarëdo lloj lufte në atë pjesë të botës do të prodhojë pasoja afatgjate ekonomike. Ai thotë se shumë kompani do të largoheshin nga ai regjion dhe disa prej tyre do të synonin Meksikën, që të transportonin më lehtë produktet në ShBA. Sipas tij, shumë korporata në situata të tilla nuk zgjedhin rrugën më të lirë, por më të sigurtën. Kina është edhe partneri më i madh ekonomik i Koresë së Jugut dhe nuk mund të rrezikojë të prishë këto marrëdhënie. Refugjatët koreano-veriorë që veç janë problem për Kinën do të shumëfishoheshin dhe ky është një tjetër shkas pse Kina nuk dëshiron kaos.

Kinës nuk do t’i konvenonte një aleancë mes Koresë së Veriut dhe ShBA-së, por as nuk është në levërdinë e saj një Kore e Veriut që kërcënon gjithë regjionin me luftë. Kësisoj, Kina nuk është e interesuar që ta zgjidhë plotësisht problemin, por as nuk mund të lejojë eskalimin në luftë.

Trump

Duke parë mosgatishmërinë e Kinës për të mbrojtur Korenë e Veriut, Trump ashpërsoi ligjërimin e tij me Korenë e Veriut. Ai e dinte që kjo e fundit, duke mos pasur aleatë, nuk është në gjendje të shtyhet me ShBA-të, dhe në fund do të heqte dorë nga programet nukleare. Roli i Trump ka qenë i rëndësishëm që nga koha që kishte marrë drejtimin e ShBA-së. Derisa në fushatë zgjedhore Trump premtonte se do të prishte marrëdhëniet me Kinën, gatishmëria e tij për të bashkëpunuar me këtë të fundit pasi mori mandatin e Presidentit ndikoi që Kina të ushtrojë më shumë presion mbi Korenë e Veriut. Ardhja e Trump në krye të shtetit amerikan alarmoi botën dhe fillimisht krijoi përshtypjen që nga ai moment e tutje bota do të hynte në spiralen e destabilizimit. Trump premtonte që do të tërhiqej nga NATO-ja, se do të anulonte aleancën politiko-ushtarake me Japoninë, se do të anulonte Marrëveshjen Nukleare me Iranin dhe se do të sulmonte Korenë e Veriut. Asnjëra nga këto nuk ndodhi. Në masë të konsiderueshme Trump vazhdoi linjën që ShBA-ja kishte ndjekur para ardhjes së tij në pushtet.

Arsye për të qenë skeptikë

Këtë marrëveshje duhet ta marrim me rezerva. Korea e Veriut kishte nënshkruar disa marrëveshje për denuklearizim edhe më herët, por nuk i kishte respektuar. Tani ekziston frika se ajo mund të bëjë të njëjtën. Skeptikët me të drejtë dyshojnë se Korea e Veriut e ka bërë këtë marrëveshje vetëm sa për të hequr sanksionet. Interesi i Koresë së Veriut për të nënshkruar këtë marrëveshje është më shumë i natyrës ekonomike dhe më pak rezultat i një transformimi vleror autentik në drejtim të kultivimit të paqes dhe vlerave liberale. Pasi ka ndërtuar një shtet solid ushtarak, Kim Jong tash është i interesuar që të tejkalojë krizën ekonomike që të lehtësojë barrën e qytetarëve të vet. Sanksionet e para nuk e ndalën për të zhvilluar kapacitetet bërthamore, por ato të mëvonshmet e gjymtuan makinën ekonomike të Koresë së Veriut. Gjendja ekonomike në Kore të Veriut është aq e rëndë sa as nuk mund të përdorë kompjuterët jashtë ndërtesave të Ministrisë së Jashtme për shkak të problemeve të furnizimit me energji elektrike. Heqja e sanksioneve do të shtendosë gjendjen ekonomike.

Skepktikët mendojnë se Korea e Veriut me këtë akt e zbutë ShBA-në dhe Korenë e Jugut, e në të njëjtën i ruan armët nukleare. Korea e Veriut qysh tash ka diku mes 10 dhe 20 armë nukleare dhe ka mjaftueshëm material për të prodhuar 30 deri në 60 koka bërthamore. Është joreale të pritet që Korea e Veriut do t’i dorëzojë frytet e përpjekjeve shumë vjeçare bërthamore. Fakti që deklarata nuk parasheh themelimin e ndonjë komisioni për verifikim të procesit të denukleraizimit forcon bindjet se Korea e Veriut nuk do të dorëzojë arsenalin nuklear. Arsyeja kryesore pse Marrëveshja Nukleare me Iranin funksionon është ajo ka formuar një komision që përcjellë dhe vlerëson respektimin e saj. Zyrtarët koreano-veriorë nuk janë të bindur që denuklearizimi e dëbon në plotni rrezikun nga ndonjë sulm amerikan. Libia kishte hequr dorë nga programi bërthamor, por pak kohë më pas regjimi i Gadafit ishte përmbysur. Korea e Veriut ka frikë se një gjë e tillë mund të ngjajë edhe në vendin e tyre. Ata janë të bindur se doktrina e ndërrimit të regjimit është ende paradigma kryesore e diplomacisë amerikane. Kërcënimi i Trump për të prishur marrëveshjen me Iranin është një tjetër arsye për të dyshuar që Korea e Veriut do të dorëzojë armët e saj bërthamore sepse betonon idenë se amerikanët nuk respektojnë marrëveshjet.

Sidoqoftë, një marrëveshje e tillë së paku për disa vite do të qetësojë situatën. Kritikët mund të kenë të drejtë në vërejtjet e tyre, por kjo marrëveshje është më e mirë sesa një luftë shfarosëse. Marrëveshja nuk do të ndikojë as në demokratizimin e brendshëm të Koresë së Veriut. Përmirësimi i të drejtave të njeriut në Kore të Veriut, sado i drejtë, mbetet një synim shumë i largët. Në situata të rrezikshme është më e arsyeshme që Korea e Veriut të trajtohet ashtu si është, rrezik nuklear, sesa ashtu siç ne do të dëshironim të ishte, një shtet demokratik e racional që respekton ligjin ndërkombëtar.

Arsye për të qenë optimistë

Joseph Nye, ekspert amerikan i diplomacisë, thotë që ShBA-ja duhet të jetë e durueshme dhe të shpresojë se Korea e Veriut do të ndryshohet nga brenda. Victor Cha, Drejtori për Marrëdhënie me Azinë në Shtëpinë e Bardhë, thotë që qytetarët e Koresë së Veriut veç kanë filluar të distancohen nga regjimi i Koresë së Veriut. Ai i referohet një sondazhi të fshehtë të kryer nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare bashkë me disa OJQ që operojnë afër kufirit të Kinës me Korenë e Veriut. Në atë sondazh, 85% e respondentëve kanë deklaruar se më shumë fitojnë nga tregjet joqeveritare sesa nga programet qeveritare. Sipas Cha, kjo tregon që qytetarët janë duke u bërë gjithnjë e më pak të varur nga regjimi i Kim Jongut. Gjithashtu, sipas Reuters, më shumë se 3 milionë koreano-veriorë posedojnë telefona mobile dhe mund të komunikojnë me njëri-tjetrin. Cha thotë se këto tregje dhe mjete të komunikimit kanë krijuar bazën për ndërtimin e një shoqërie civile. Sfida është të mendohen mënyra se si të influencohet forcimi i këtyre tregjeve në Korenë e Veriut.

Nëse ShBA-ja e mposhti për tri dekada BS-në, thotë Nye, nuk ka ndonjë arsye të fortë që një skenar i ngjashëm të mos përsëritet edhe në Korenë e Veriut. Duke qenë njëri nga ideologët që këshilloi Presidentin Bill Clinton për të meanxhuar problemin e Koresë së Veriut përmes dialogut dhe ndihmës ekonomike, ai është kritik i shkollës neo-konservative që përdorimin e forcës e sheh si një ndër opsionet e para të politikbërjes. Nye është i mendimit se kompasi diplomatik i diplomacisë amerikane duhet të orientohet në strategji afatgjate. Ai thotë që zgjidhjet radikale në situatat e tilla vetëm mund të prishin prospektet për zgjidhje afatgjate. Edhe pse është herët për të pritur që gjërat të ndryshojnë nga brenda, ajo mbetet zgjidhja e vetme e qëndrueshme afatgjatë.

Van Jackson vlerëson që kjo nuk do të thotë që Korea e Veriut me arsenalin e vet nuklear duhet të pranohet si e tillë. Më shumë, kjo marrëveshje është ruajtje e stabilitetit regjional dhe global, deri sa të krijohen shtigje të reja diplomatike. Por që të pamundësohet konflikti, shton Jackson, ShBA-ja duhet të braktisë metodën e “presionit maksimal” sepse pamundësohen kushtet për dialog efektiv. Kjo metodë nuk ka qenë shumë e suksseshme për të stopuar kërcënimet bërthamore të Koresë së Veriut. Nga viti 1994 deri në vitin 2007, Korea e Veriut kreu 16 teste raketore dhe një test nuklear. Prej vitit 2008 deri në vitin 2016, Korea e Veriut ka kryer 80 teste raketore dhe katër teste nukleare. Në muajt e parë që kur Trump erdhi në pushtet, Korea e Veriut ka kryer 23 teste raketore dhe 1 test bërthamor.

Mund të thuhet se nënshkrimi i marrëveshjes është sukses i ashpërsisë së Trump, por pa rolin e Kinës gjërat do të rridhnin më ndryshe. Me mbështetjen potenciale të Kinës, Korea e Veriut do të ishte më e trimëruar, më e përgatitur dhe më e ashpër në qasjen e saj. Kështuqë kjo marrëveshje nuk është direkt rezultat i ashpërsisë së Trumpit, por produkt i një procesi kompleks diplomatik. Megjithëse sipas të gjitha gjasave nuk do të sjellë denuklerazimin e Koresë së Veriut, marrëveshja e së premtes është një hap pozitiv drejt konservimit të mëtutjeshëm të tensioneve. Këto marrëveshje ekonomike do të jenë të pamjaftueshme për të ndërtuar një ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme në Korenë e Veriut. Ky fakt i kombinuar me mungesën e legjitimitetit demokratik, ashtu si në Bashkimin Sovjetik, mund të çojë Korenë e Veriut në një transformim të brendshëm.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.