Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Fajtorët e vizave

Bashkimi Evropian

Me 15 korrik 2009, Komisioni Evropian (Komisioni) dorëzoi propozimin per lëvizje të lirë PA VIZA për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Komisioni propozoi që të hiqeshin vizat për qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi, të mos ndryshohej statusi i Shqipërisë dhe Bosnjës dhe të formalizohej futja në listë të zezë e Kosovës në kategorinë e “entiteteve dhe autoriteteve territoriale të cilat nuk janë të njohura si shtete, te paktën nga një anëtar i BE-së” ku bënin pjesë edhe Palestina dhe Tajvani. (EC) No 539/2001 (versioni i konsoliduar 19/12/2009 ). Kosova është ende në listën e zezë, qe njihet edhe si Aneksi 1.

Për Maqedoninë, Komisioni nuk paraqiti asnjë kusht për liberalizim të vizave edhe pse në prill 2008 Greqia zyrtarisht kishte vënë kusht zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe jo shprehimisht edhe në BE.

Për Malin e Zi Komisioni kishte vënë disa kushte në të cilat kërkonte që të plotësoheshin para vendimit të Këshillit në nëntor, 2009. Një nga tre kushtet ishte forcimi i kapaciteteve në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Për Serbinë, Komisioni kishte kërkuar përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në pikat e kalimit kufitar; luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe të tregohej e kujdesshme në lëshimin e pasaportave biometrike për qytetarët e Kosoves.

Për Shqipërinë dhe Bosnjën e Hercegovinën, Komisioni kishte po ashtu tre kushte, në mesin e tyre: shqetësimin për nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Si përfundim, përkundër shqetësimeve të njëjta sikurse që kishte për Kosovën, Komisioni nuk kishte vënë kusht për Maqedoninë zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë; nuk kishte vënë kusht per Serbinë demarkacionin e kufirit me Kosovën; nuk kishte vënë kusht per Malin e Zi demarkacionin e kufirit me Kosovën; si dhe nuk kishte vënë kusht per Shqipërinë zgjidhjen e kontestit të kufirit detar me Greqinë, qe ishte hapur një muaj para propozimit të Komisionit.

Katër muaj pas vendosjes së kushteve për Serbine dhe Malin e Zi nga Komisioni, me 30 nëntor 2009, Këshilli Evropian aprovon propozimin e Komisionit për liberalizim te vizave për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, duke i konsideruar kushtet si të “plotësuara”.

Për të mos i lënë kosovarët të zhytur në dëshpërim, Këshilli pohonte se “Kosova eventualisht do të përfitonte regjim pa viza sapo të plotësoheshin kushtet dhe ftonte Komisionin qe të fillonte një qasje të strukturuar”

Nga ky pohim i Këshillit u kuptua se Kosova nuk do të kishte trajtim të barabartë sikurse shtetet tjera të Ballkanit. Për shkak të një politike të thyer të jashtme ku shtetet anëtare sikurse Spanja, Romania, Sllovakia dhe Qipro diktonin qëndrimin e BE-së, procesi i liberalizimit të vizave u quajt “qasje e strukturuar” kurse udhërrëfyesi “dokument strategjik”.

Më 27 Maj 2010, Komisioni Evropian propozon që të hiqen vizat edhe për Shqipërinë dhe Bosnjën.

Pesë muaj më vonë, me 8 nëntor, Këshilli Evropian në mënyrë unanime aprovoi propozimin e Komisionit për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Kështu u mbyll procesi i liberalizimit të vizave për Ballkanin Perëndimor, me përjashtim të Kosovës e cila do të mbetej vendi i vetëm në mes të Evropës e cila nuk mund të udhëtojë pa viza.

BE do të liberalizonte më vonë vizat për Kolumbinë në vitin 2015, kurse nga qershori 2017, Ukraina gjithashtu udhëton pa viza në BE.

Duke trajtuar Kosovën ndryshe nga gjithë të tjerët, pa të drejtë, Bashkimi Evropian është fajtori i parë në listën e fajtorëve ndaj qytetarëve të Kosovës.

Fajet e Hashim Thaçit

Pas liberalizimit të vizave për Shqipërinë, shumë besuan se Kosova shumë shpejt do të’i bashkohej listës së bardhë të Shengenit.

Madje, më 27 dhjetor 2010, një muaj pas liberalizimit të vizave për Shqipërinë, ish kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi premtoi se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodhte pas 15 muajve te qeverisjes së tij, që i bie se Kosova duhej të levizte pa viza që nga muaji maj i vitit 2012.

Thaçi&Co nga viti në vit shtynin premtimet, kurse Komisioni Evropian vazhdimisht shtonte kushtet që duhej plotësuar, në mesin e tyre luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar ishte i përsëritshëm.

Ndër kushtet tjera që shtoheshin ishin edhe ato që lidheshin me dialogun që zhvillohej në Bruksel.

Dialogu në Bruksel ishte filluar për çështje teknike e pastaj kaloi në politike pa një konsensus politik. Vetë parlamenti ishte i ndarë rreth dialogut për çështje politike pasi në një masë të madhe kjo hapte pakon e Ahtisaarit, pako kjo që kishte përcaktuar formatin dhe karakterin e shtetit të Kosovës.

Liberalizimi i vizave nga BE trajtohet si një proces i ndarë nga integrimi në BE si dhe ndaras edhe nga dialogu në Bruksel, megjithatë vendimi për heqjen e vizave merret në të njejtat organe ku merren të gjitha vendimet tjera në BE – Këshill dhe Parlament Evropian. Si rrjedhojë liberalizimi i vizave përdoret nga BE si karrotë në procese negociuese, ku heqja e vizave kushtëzohet me reforma të caktuara.

Duke dashur që të udhëheqë i vetëm dialogun në Bruksel dhe i vetëm të marrë të gjitha meritat, Thaçi do të bënte gabime të cilat do t’i kushtonin qytetarëve jo vetëm me izolim, por edhe me kaos politik.

Në prill 2013 Thaçi do të nënshkruante një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë që në masë të madhe do të ndryshonte karakterin e shtetit të Kosovës nga multietnik në etnik, duke krijuar një seri të institucioneve paralele për serbët. Në aspektin politik u jepej e drejta e formimit të një asociacioni etnik, vetëm për komunat serbe, në atë gjyqësor serbët do të fitonin gjykatën e tyre të apelit, kurse do të fitonin edhe pushtetin e tyre policor.

Duke interpretuar marrëveshejen e 25 gushtit 2015, gjykata kushtetuese nxorri asociacionin të paligjshëm, asociacion ky që ishte bazuar në marrëveshjen e 19 prillit.

Një tjetër gabim diplomatik, tashmë kur Thaçi ishte ministër i jashtëm, u bë kur Thaçi nënshkroi një marrëveshje të demarkacionit me Malin e Zi dhe ratifikimin e saj në kuvend BE e fut si kusht të ri për liberalizim të vizave.

Edhe asociacioni edhe demarkacioni u bënë tema përçarëse përbrenda shoqërisë dhe dëmtuan në mase të madhe jo vetëm procesin e liberailzimit të vizave, por edhe imazhin e Kosovës si një shtet i ri dhe funksional.

Thaçi, edhe sot, nuk pranon se ai ka përgjegjësi për këto procese të dështuara.  Duke refuzuar që të krijojë një grup uniteti në dialogun me Serbinë dhe duke refuzuar që të shpalos demarkacionin në parlament dhe të marr aprovimin e opozitës para se të nënshkruajë, ai ka bërë gabime që i kanë kushtuar vendit.

Në mungesë të aftësive dialoguese, Kosova nuk kushtëzonte nënshkrimet në Bruksel me kërkesa specifike, ndër to liberalizimi i vizave.

Duke qenë bartës i procesit negociator, askush në Kosovë nuk është më përgjegjës dhe fajtor për mos liberalizim të vizave se sa ish Kryeministri, ish ministri i jashtëm dhe tash President i Kosovës – Hashim Thaçi.

Thaçi në secilën pozitë që ka udhëhequr ka qenë drejtues ose bartës i dialogut në Bruksel. Sido që ndryshohej statusi i Thaçit brenda strukturave qeverisëse, po ashtu ndryshohej edhe formati i delegacionit në Bruksel.

Negociatat/dialogu në Bruksel paraqitën mundësi unike për Kosovën për të kushtëzuar tashmë një BE kushtimisht “jo të drejtë”.

Si kurrë më parë, Serbia ishte në mëshirën e Kosovës për të zhbllokuar proceset e saja integruese. Bashkëpunimi kufitar, njohja reciproke e dokumenteve, forumet rajonale dhe shuarja e strukturave paralele dhe integrimi i tyre në struktura të reja apo ato ekzistuese ishin vetëm disa nga temat që vareshin nga marrëveshjet me Kosovën. Çdo këmbëngulje e jona e bazuar në fakte e ngadalësonte procesin integrues të Serbisë dhe rrjedhimisht presionin ndaj BE-së që të josh Kosovën.

Brukseli e kishte lënë në duar të delegacioneve që të sillnin fakte dhe argumente që të nxirrnin kompromise për të arritur marrëveshje, BE-ja ishte thjesht ndërmjetësuese. BE kishte vënë në dispozicion asetet e saja për të joshur të dy palët në proces duke përdorur politikën e saj të vetme të suksesshme – zgjerimin.

Më 19 prill 2013, Kosova do të nënshkruante marrëveshjen e cila i garantonte Serbisë një asociacion etnik të komunave serbe i cili i hapte rrugën Serbisë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Kosova do të nënshkruante marrëveshjen duke mos pasur të garantuar as MSA-në dhe as liberalizimin e vizave.

Siç rrodhën gjërat, dy vite pas marrëveshjes së prillit, Kosova mori MSA-në e vonuar, kurse vizat nuk u realizuan kurrë. Negociatat ne Bruksel vazhduan edhe pas marrëveshjes se 19 prillit. Në gusht 2015 u arrit një seri tjetër e marrëveshjeve, por liberalizimi i vizave nuk u realizua.

Në dhjetor 2013, kur Këshilli Evropian miratoi propozimet e Komisionit Evropian dhe aprovoi kërkesen për hapjen e negociatave për anëtarësim për Serbinë, Ministri i atëhershëm i punëve të jashtme Enver Hoxhaj shkruante në twitter: “1/3 Përderisa i mirëpresim konkluzionet e #BE-së, #Kosova nuk po shpërblehet për angazhimin konstruktiv në dialog…”

Kjo deklaratë e Hoxhajt ishte e mjaftueshme për të parë nivelin e naivitetit nga pala kosovare. Qasja e Kosovës ishte që të dëshmojë lojalitetin ndaj BE-së duke shpresuar se, pa kushtëzuar asgjë, BE do të shpërblente.

Dialogu është detyrim por edhe mundësi në të njëjtën kohë. Pengesat e shteteve anëtare të BE-së që bllokojnë qoftë liberalizimin e vizave apo edhe ecjen përpara në procesin integrues mund të zhbllokohen kur Kosova mund të paraqitet faktor në bisedime. Në raport me Serbinë, Kosova ka humbur dy mundësi të arta të të kushtëzimit në prill 2013 dhe në gusht 2015, por ky proces nuk ka përfunduar.

Thaçi është fajtori më i madh për mbajtjen të izoluar të qytetarëve të Kosovës, kjo pasi Thaçi që nga viti 2008 ka pasur fuqinë vendimmarrëse dhe pushtetin më të madh në Kosovë.

Fajet e Opozitës

Nga viti 2011 kur filluan negociatat “teknike”, opozita ka qenë e ndarë sa i përket dialogut në Bruksel. Të gjitha partitë parlamentare kanë refuzuar të mbështesin fillimin e dialogut “teknik” përmes një rezolute me 10 mars 2011. Thaçi me 63 vota duke përfshirë 20 vota të komuniteteve, mendoi se kishte mbështetjen e mjaftueshme dhe konsensusin e duhur politik për të filluar negociatat.

Edhepse kishte kundërshtuar dialogun, opozita, duke përjashtuar Vetëvendosjen, nuk ishte konsistente në qëndrimet e saj. Më 21 prill 2013, dy ditë pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel, në kuadër të një dialogu që ata kishin votuar të mos fillonte, nga 63, numri i deputetëve që aprovuan rezolutën për marrëveshjen e Thaçit në një seancë të jashtëzakonshme të dielën në ora 8 të mbrëmjes arriti në 89, në mesin e tyre pothuajse të gjithë opozitarët nga AAK dhe LDK.

Përveq qëndrimeve jolojale nga një pjesë e opozitës, opozita nuk kërkoi kushtëzime të cilat do të sillnin liberalizimin e vizave para se të aprovonin marrëveshjen. Për më keq e gjithë opozita bllokoi procesin e liberalizimit të vizave duke kundërshtuar të votojë marrëveshjen për demarkacionin përmes hedhjes së gazit lotsjellës në Parlament.

Madje një pjesë e opozitës duket se ka përdorur tema sikurse Demarkacioni për qëllime politike. AAK dhe NISMA të cilat kanë kundërshtuar fuqishëm demarkacionin e nënshkruar nga ish kryetari i PDK-së – Thaçi, pas koalicionit me partinë e tij nuk janë duke dhënë sinjale se do të ketë një demarkacion ndryshe. Në fakt, të dy subjektet votuan në qeveri që të dërgohet për aprovim në parlament marrëveshja për të cilën kishin hedhur gaz lotsjellës.

Brukseli ka konfirmuar disa here se lëvizja e lirë është duke u mbajtur peng nga mos aprovimi i demarkacionit me Malin e Zi.

Demarkacioni kërkon konsensus politik, të cilin nuk e kishte qeveria e kaluar dhe as kjo e tashme. Zgjedhjet e parakohshme nuk arritën ta zgjidhin ngërçin në këtë drejtim dhe në rast se AAK dhe NISMA, të cilat tashmë janë në qeveri, votojnë për të njejtën marrëveshje për të cilën kanë hedhur gazlotësjellës – atëherë disa llogari duhej të jepeshin para popullit për bllokadën e paarsyeshme dhe mbajtjen të izoluar të qytetarëve.

Kur liberalizohen vizat?

Nga praktika kur Komisioni lëshon një vlerësim pozitiv dhe rekomandon të hiqen vizat, kalojnë 6 muaj deri tek votimi i parlamentit dhe këshillit. Nëse plotësohet kushti i demarkacionit, Komisioni do të raportoj para parlamentit dhe këshillit si kusht të plotësuar.  Zakonisht Komisioni lëshon vlersëimet në Maj, pastaj rekomandimi kalon në lexim së pari në Parlament pastaj në Këshill.

Parlamenti Evropian zakonisht voton në tetor të të njejtit vit, kurse Këshilli Evropian në nëntor. Nëse votimi është pozitiv, Komisioni merr deri në 6 javë për të kryer procedurat. Nëse Komisioni e konsideron çështjen e demarkacionit të zgjidhur, Kosova hiqet nga lista e zezë dhe hyn në listën e bardhë të Shengenit diku në fund të dhjetorit të vitit të ardhshëm.

Një nga dy kriteret kryesore të vendosura nga KE është demarkacioni me Malin e Zi i cili kërkon konsensus politik.

Nga praktika gjithashtu, kur një kriter hyn në listë të BE-së, ai vështirë se hiqet. Kosova tashmë ka aprovuar marrëveshjet kryesore me Serbinë dhe kërkohet zbatimi i tyre. Kosova nuk është tash në një pozitë që të kushtëzojë BE-në sikurse ishte me 19 prill, 2013 dhe 25 gusht, 2015, rrjedhimisht qeveria aktuale e ka të vështirë të kushtëzojë BE-në lidhur me heqjen e kushtit të demarkacionit si kusht për liberalizim të vizave. Si pasojë, Kosovës i duhet ta përmbushë këtë kusht.

Edhe pse është ripërsëritur nga BE se marrëveshja e demarkacionit mbetet kushti i fundit për liberalizim të vizave, asgjë nuk duhet marrë si të garantuar pasi qoftë në Parlament, qoftë në Këshill mund të dalin kërkesa të reja, varësisht nga situata politike në vend.

Sfida kryesore e Haradinajt, për të cilën u shkarkua qeveria Mustafa, ishte zgjidhja e çështjes së demarkacionit dhe heqja e izolimit të qytetarëve të Kosovës.

Haradinaj ende nuk e ka zgjidhur këtë sfidë. Nëse deri në maj të vitit 2018 nuk plotësohet ky kusht që mundëson liberalizimin e vizave, Haradinaj nuk do të duhej të priste mocion mosbesimi.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.