Më në fund, u bë publike lista e zaptuesve të pronave shoqërore. Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) pas një periudhe të gjatë të hibernimit bëri publike një listë të gjatë të emrave juridik dhe fizik të uzurpuesve të pronave publike – me siguri puna më e mençur që kjo agjenci ka bërë për një periudhë shumë të gjatë. Por këtu nuk ka shumë befasi. Ka kohë që këta emra dihen. Bile sipas komunikatës së AKP-së, problemi i uzurpimeve “kishte përcjellë punën e agjencisë që nga viti 2002” – pra që rrafsh 14 vite. Por çfarë do të thotë e gjithë kjo punë? Si është e mundur që ky institucion, bashkë me të gjithë institucionet tjera shtetërorë, nuk ka mundur ta luftojë këtë fenomen? Çfarë efekti do të ketë publikimi i emrave të tyre?
Antropologu Alan Fiske në një nga punimet e tij me mjaft influencë argumenton që pothuajse të gjitha relacionet sociale janë kombinim i këtyre katër modeleve psikologjike: shkëmbimi komunial (communial sharing), gradimi autoritativ (authority ranking), takimi i të barabartëve (equality matching), dhe çmimi i tregut (market pricing). Relacionet në familje apo në shoqëri të ngushta janë shembuj të shkëmbimit komunial, relacionet e qytetarëve me policinë janë shembull i gradimit autoritativ, i të huajve të statusit të barabartë shembull i takimit të të barabartëve, dhe i blerësit dhe i shitësit në çmimet e tregut. Në bazë të këtyre relacioneve diktohet edhe gjuha dhe normat tjera sociale. Për shembull, në botën mashkullore të ballkanasve është shumë normale ta shash me nënë një shok të ngushtë; bile shpesh konsiderohet që e ke mbërri një pikë të lartë të shoqërisë nëse mundeni me u sha ndërmjet vetes pa u prekë. Mirëpo, konsideroni sikur të njëjtën gjuhë e përdor me sheficën. Ngatërrimi i relacionit komunial me atë autoritativ sjellë edhe situata të sikletshme. Por situatat e sikletshme nuk janë të kufizuara vetëm në ngatërrimin e këtyre dy relacioneve. Në fakt ngatërrimi i të gjitha relacioneve shkakton situata të pakëndshme. Për shembull, shumë shpesh çiftet nuk dinë a me i thirrë prindërit e partnerit/partneres në emër (relacion komunial) apo në ndonjë titull (relacion i të barabartëve apo edhe autoritativ), apo shokët/shoqet e kanë të vështirë t’i shesin njëra-tjetrit gjëra (a janë shok-shoqe apo blerës shitës), etj.
Në këtë aspekt, çfarë relacioni kanë qytetaret me pushtetarë? Përpara revolucionit francez, relacioni i njerëzve në pushtet dhe të tjerëve ishte, në shumicën e rasteve, kryekëput autoritativ. Mbreti kishte pushtetin për shkak të të drejtës se tij hyjnore. Mirëpo pas revolucionit francez, ky relacion ndryshoi – së paku në letër. Të pushtetshmit nuk ishin në pushtet për shkak të ndonjë të drejte hyjnore, por për shkak se ishin reprezentues të komunitetit, dhe si të tillë ata do të duhej të qeverisnin për qytetarët. Në këtë aspekt, ata vazhdojnë të jenë të pushtetshëm dhe relacioni me qytetaret por ata nuk janë hyjnor, e meqë nuk janë hyjnorë, por qytetarë ata gjithashtu janë të barabartë me të gjithë të tjerët. Pra, si persona pushtetarët janë të barabartë me të gjithë tjerët, ndërsa si pozitë janë autoritet. Pra, relacioni i tyre është kombinim i autoritetit me barazinë, pasi që një trup i vetëm e reprezenton edhe një institucion autoritativ dhe një njeri të barabartë.
Korrupsioni në anën tjetër mund të konsiderohet si relacion i tregut. Korruptuesi i jep një shpërblim të korruptuarit me kusht që i korruptuari i jep një të drejtë, tender, apo çkado tjetër. Pra është një marrëveshje ndërmjet dy palëve, njëjtë si një marrëveshje ndërmjet teje dhe shitësit të pemëve kur del me ble mandarina. Por për dallim prej gjuhës që ti përdor me shitësin e mandarinave, gjuha e korrupsionit është art. Përderisa ti i thua shitësit të mandarinave “sa kushtojnë mandarinat?” dhe ai të kthen një përgjigje pa hezitim, korruptuesi nuk mund t’i thotë të korruptuarit “sa kushton korruptimi i yt?”, sepse ky i fundit është në pozitë autoriteti/të barabarti dhe një fjali e tillë është e papranueshme në këto relacione. Dhe këtu vjen arti i korrupsionit: përdorimi i gjuhës së dyfishtë. Kur të ndalë policia kur je duke vozitë mbi kufizimin e shpejtësisë dhe të thotë polici “Ai restoranti aty i ka hamburgerat shumë të mirë” vështirë është që polici përnjime’ po të thotë se hamburgerat janë shumë të mirë aty; kuptimi është i qartë që polici po dëshiron që ti me shku me i pagu disa hamburgera për policët me kusht që ata të lëshojnë pa dënim për tejkalim të shpejtësisë.
Pra gjuha e korrupsionit është art bajagi i sofistikuar për shkak se arrin me e mbajtë iluzionin e relacionit autoritar/të barabartë përderisa në realitet ai relacion është vetëm relacion i tregut. Korrupsion ka gjethka, edhe në vendet më të zhvilluara dhe demokratike në botë. Ka edhe mangupa, apo njerëz shumë të pushtetshëm që e kontrollojnë një regjion të caktuar ku policia edhe ligji nuk mund të hynë. Por në të gjitha këto raste ekziston iluzioni që as korrupsioni e as mangupat nuk ekzistojnë, për shkak se relacioni ndërmjet institucioneve shtetërore dhe mangupave vazhdon me mbetë si me pasë qenë relacion ndërmjet institucioneve dhe një qytetari të thjeshtë, edhe pse realiteti është ndryshe. Mirëpo, në vendet e zhvilluara, momentin kur ky iluzion zhduket, institucionet gjithmonë e ushtrojnë fuqinë e tyre dhe i luftojnë personat e korruptuar apo mangupat që terrorizojnë një territor të caktuar. Me fjalë tjera, me qenë mangup pa i thonë vetes mangup është në rregull, por nëse i thua vetes mangup atëherë ke problem me shtet; me vjedhë duke pretenduar që je njeri i ndershëm është në rregull, mirëpo me të dalë fjala që je hajn është keq.
Linguisti Steven Pinker argumenton që ky fenomen ka të bëjë me dijen. Dija mund të jetë individuale apo e ndërsjellë. T’i kthehemi rastit të policit. Nëse polici të thotë që hamburgerat janë shumë të mirë në atë restorantin përballë, çfarë ai po thotë mund të interpretohet në dy mënyrat. Pra dija që polici po lypë me ia pagu drekën nuk është e ndërsjellë, për shkak se një dijeni e tillë asnjëherë nuk është komunikuar drejtpërdrejt, por veç është lënë të nënkuptohet, dhe si e tillë nuk është dije e ndërsjellë por dije individuale. Edhe nëse është e dukshme se polici po kërkon me ia ble (qitë) një drekë, prapëseprapë relacioni autoritativ mund të mbahet për shkak se gjuha është vetëm e nënkuptuar dhe jo drejtpërdrejtë – apo dija për pagesën e drekës është vetëm individuale po jo e ndërsjellë. Nëse ti nuk e kupton çka ka dashtë me thanë polici, polici nuk bie në pozitë të ‘keqe’ pasi që ai mund të nxirret nga situata duke e shpjeguar veten që veç ka dashtë me thanë se hamburgerat janë shumë të mirë. Me fjalë tjera, përmes gjuhës së dyfishtë mbahet iluzioni relacionit autoritativ.
T’i lemë anash rastet hipotetike; t’i kthehemi Kosovës (edhe pse policët në Kosovë shpesh janë unët gjatë orarit të punës). Nuk është hera e parë që po përmenden emra të uzurpuesve. Artikuj si ky i Arbana Xharrës – një artikull shumë i guximshëm – pretendon që njerëz specifikë, me emra e mbiemra i kanë zaptuar pronat e disa njerëzve tjerë specifikë me emra e mbiemra (raste tjera nga ato të AKP-së). Në televizion, Vehbi Kajtazi – njëri ndër gazetarët më të mirë hulumtues – tregon me emra e mbiemra njerëzit që kanë zaptu pronat shoqërore. Në një emision tjetër televiziv, i pyetur për rastin specifik të një kafeterie në kryeqytet i cili pretendohet që është zaptuar, Ministri i Diasporës Valon Murati përgjigjet që raste të tilla nuk u janë adresuar asnjëherë atij personalisht por që është në dijeni për to. Pra, nëse ndonjëherë dijenia që ka njerëz të fuqishëm që kanë zaptuar pronat publike apo të njerëzve tjerë ka qenë individuale, tash kjo dijeni është e ndërsjellë – është dijeni publike. Iluzioni që prona private është e shenjtë e që mbrohet nga shteti nuk është më (rastet e përmendura në artikullin e Arbana Xharrës). Nuk kemi më të vërteta aq të gjëra që nuk përfshijnë asnjë individë në to, por kemi të vërteta specifike, me emër e mbiemër, që dihet saktë kujt i takojnë. Në këtë mes nuk ka më ngjyra – është bardh ose zi. E lista e AKP-së në këtë kontekst është vetëm qershia mbi tortë; kjo lista ja ka qitë pikën me fjalë tjera.
Por si është e mundur që kemi ardhur deri në këtë pikë? Është e qartë që AKP bashkë me institucione tjera ishin në dijeni për këto zaptime? Pse këto institucione nuk kanë bërë asgjë deri më tash? Këto po që janë pyetje naive, pasi që nuk do mend që zaptuesit dhe institucionet janë në të njëjtën anë. Nuk mund të ketë zaptim pa ‘izë’ të institucioneve.
E çfarë efekti do të ketë kjo listë? Të presim çkado më shumë sesa zhveshja e situatës momentale prej iluzioneve është sikur t’i shtrojmë ato pyetjet naive më lart. Mirëpo, pas kësaj liste nuk kemi të bëjmë më me institucione që punojnë për të mirën publike dhe institucione reprezentative të qytetarëve, por kemi institucione të korruptuara që punojnë për interesa të uzurpatorëve dhe të korruptuarëve. Në fakt nuk kemi as korrupsion më, sepse vetë fjala korrupsion nënkupton që diçka po bëhet jashtë normave, ndërsa tani, pas listës, rregullat dhe normat janë bërë të pavlefshme. Zaptimet dhe korrupsioni janë ashiqare; janë vetë norma. Nuk e di çfarë do të ndodhë pas publikimit të listës. Por janë dy mundësi: 1) prokuroria fillon punën dhe trondit këtë sistem të zaptuesëve deri në çrrënjosje, apo 2) asgjë nuk ndodh dhe pas listës fillon një periudhë e re, periudha e zaptuekracisë zyrtare. Cilado të jetë zgjidhja, nuk mund të vazhdojmë më me iluzione që kemi institucione, të cilat mbrojnë pronën private apo shoqërore.