Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Konstruktivizmi, precedenti dhe ndryshimi i kufijve

Dua të theksoj se në këtë artikull nuk rekomandoj që marrëveshja për ndryshim të kufijve të ndiqet me çdo kusht. Përmes dekonstruktimit të tabusë mbi ndryshimin e kufijve synoj t’i kontribuoj debatit rreth kësaj teme.

Në vlugun e debateve rreth një marrëveshjeje potenciale që do të ndryshonte kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë, kundërshtarët e saj po sjellin në diskutime faktin se rishkrimi i kufijve mund të prodhojë një magnitudë destabilizuese për gjithë kufijtë e Ballkanit Perëndimor. Kjo për shkak që ata konsiderojnë se ndryshimi i kufijve përbën precedent negativ për tërë rajonin.

Një pjesë e tyre e konsiderojnë të dëmshme marrëveshjen për Kosovën dhe e quajnë “ndarje” dhe jo “shkëmbim”. Ky grup i kundërshtarëve nuk merret fare me efektet që marrëveshja mund të prodhojë në rajon. Kësisoj në këtë shkrim do të trajtojmë vetëm argumentet e atyre që thonë se marrëveshja mund të mos jetë e keqe për Kosovën dhe Serbinë, por impakti i saj në rajon është i keq dhe si e tillë duhet të refuzohet.

Ata thonë se propozimi për shkëmbimin e territoreve mund edhe të zgjidhë problemet e Kosovës, por edhe të ndikojë keq në Bosnjë. Shkëmbimi i territoreve mund të lexohet si hap drejt modelit monoetnik dhe kjo do t’i nxitë ambiciet e serbëve të Bosnjës dhe Hercegovinës për lëvizje të kufijve. Sipas tyre marrëveshja e re do të thyente boshtin e shtetit boshnjak dhe konflikti do të ishte i pashmangshëm.

Por çfarë është precedenti në të vërtetë? Fjalori i Kolegjiatit të Websterit e përkufizon precedentin si “një ndodhi e ngjashme që ka ndodhur më herët”,  ose si “diçka që ka ndodhur apo që është thënë dhe që mund të shërbejë si shembull për të justifikuar një akt të njëjtë më pas”.

Në sfond të argumenteve të kundërshtarëve të marrëveshjes qëndron logjika se çdo ndryshim i kufijve, qoftë me dhunë, qoftë me marrëveshje është i njëjtë. Por ndryshimi i kufijve nuk është esencialisht i njëllojtë. Njëri ndryshim është në mënyrë të njëanshme dhe të dhunshme. Tjetri është përmes marrëveshjes që legjitimohet me vullnet demokratik në parlamentet gjegjëse dhe me vullnet të dyanshëm.

I pari bëhet përmes aktit të luftës dhe agresionit. I dyti është i dyanshëm dhe jo unilateral, i vullnetshëm dhe jo i dhunshëm. Në këtë kuptim, lloji i parë dhe lloji i dytë i ndryshimit të kufijve jo që vetëm që nuk janë të njëjtë, por as të ngjashëm në natyrë.

E përbashkëta e vetme mes tyre është fakti i ndryshimit. Por nëse ky është kriteri për precedent, atëherë as akti i pavarësimit të Kosovës nuk është sui-generis, por precedent për të gjitha rajonet që duan të pavarësohen. Pra koncepti i sui-generis shembet nëse kriteri i precedentit përmbushet vetëm me ngjashmërinë minimale të aktit të pavarësimit. Kështu ndodh kur mënjanohen veçantitë që karakterizojnë një kontekst të caktuar.

Përmes kritereve të ulëta krahasuese dhe barazuese ne nuk mund ta shohim partikularitetin e situatave dhe mund të vërejmë vetëm ngjashmëritë minimale përmes të cilave nuk mund të gjejmë fuqi shpjeguese. Pyetja që vjen tash është se pse bëhet një njëjtësim dhe pse ekziston frika që të krijohet precedent nga ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë?!

Përgjigjen për këtë pyetje mund ta kërkojmë përmes teorisë konstruktiviste në marrëdhëniet ndërkombëtare. Alexander Wendt në artikullin e tij monumental konstruktivist “Anarkia është ashtu siç e bëjnë shtetet – Konstruktimi i politikës së fuqisë” thotë se në marrëdhënie ndërkombëtare, të dominuara nga teoria (neo)realiste, ka mbizotëruar vetëm një mënyrë e interpretimit të anarkisë. Sipas (neo)realizmit anarkia është një situatë ku lufta është e tolerueshme dhe ku në mungesë të një autoriteti botëror, shtetet zhyten në raporte të dominimit, hegjemonisë dhe garimit të vazhdueshëm.

Wendt thotë se ky është një esencializim i panevojshëm i anarkisë sepse (neo)realistët marrin elemente kontingjente, aksidentale e rrethanore dhe i paraqesin si pjesë qenësore të anarkisë. Sipas tij, kjo bindje bazohet në përvojat historike që kanë sjellë luftëra. Ai i pranon këto fakte si të vërteta historike dhe se anarkia mund të çojë në luftë, por nuk e pranon se ky është i vetmi rezultat i anarkisë.

Wendt argumenton se shtetet mund të zgjedhin se çfarë mund të bëjnë me anarkinë: të luftojnë për dominim ose të bashkëpunojnë më shumë. Anarkia është mundësi për luftë dhe për bashkëpunim. Kjo sipas tij varet nga praktikat ndërsubjektive të shteteve.

Ato mund të zgjedhin se çfarë raporti duan të kenë mes vete dhe sjellja e tyre nuk determinohet komplet nga struktura në të cilën ato operojnë. Gjithashtu, raporti mes shteteve nuk është relacion mes dy entiteteve të atomizuar dhe të pandikuar nga njëri-tjetri. Kjo nuk do të thotë se shtetet janë tërësisht imune përballë rrethanave objektive, por as nuk janë pasqyrim i plotë i tyre.

Interpretimet kësisoj janë konstrukte të bazuara në rregularitetet e praktikave të caktuara. Interpretimi i anarkisë si burim i vazhdueshëm i luftës vjen nga përsëritja e akteve dhe sjelljeve agresive të shteteve që në vend të bashkëpunimit kanë zgjedhur luftën.

Një logjikë e tillë e argumentimit vlen edhe për lidhjen që i bëhet ndryshimit të kufijve dhe dhunës. Dhuna nuk është rrjedhojë e drejtpëpërdrejtë logjike e ndryshimit të kufijve e as rezultat i ndonjë kauzaliteti të domosdoshëm. Frika nga ndryshimi i kufijve është derivat i praktikave të deritanishme, e jo i ndryshimit të kufijve në vete. Kjo sepse nuk ka forcë shkakësore të brendashkruar në ndryshim të kufijve.

Hezitimi për të ndryshuar kufijtë vjen nga e kaluara e përgjakshme e Evropës me kufijtë. Siç tregon Sinisa Malesevic, një ndër sociologët më të mirë të dhunës së organizuar, Evropa ka një të kaluar shumë më mizore sesa Ballkani. Në perspektivë makro-historike, në Evropë lufta ka qenë rregull, kurse paqja përjashtim. E kundërta vlen për Ballkanin.

David Kang tallet me Evropën kur tregon se kufijtë janë shkruar e rishkruar shumë shpesh nëpërmjet dhunës, ndërsa në Lindjen e Largët ka pasur stabilitet për 1 mijë vjet dhe kufijtë kanë lëvizur fare pak gjatë asaj periudhe të qetë. Vetëm me lindjen e formacioneve dhe ideologjive moderne të shtetit-komb dhe nacionalizmit, Lindja e Largët i është nënshtruar ndryshimit të dhunshëm të kufijve. Të dy këta autorë nënvizojnë të kaluarën e dhunshme të Evropës dhe pasigurinë që e shoqëron atë.

Për të kuptuar hezitimin e kundërshtarëve të ndryshimit të kufijve, mund të shikojmë atë që Yuval Harari thotë për trajtimin që shtetet i bëjnë terrorizmit. Harari thotë se në Mesjetë të gjithë sektorët e shoqërisë kanë pasur policitë e veta – aristokratët, esnafët, kishat dhe manastiret. Në mungesë të një autoriteti qendror, ata i kanë realizuar interesat e veta përmes forcës.

Në kohët moderne shteti ka rezultuar si zotërues i monopolit të dhunës mbi gjithë territorin. Në vend të pasigurisë që jep ekzistenca e shumë akterëve, qytetarët janë mësuar me sigurinë që u jep shteti si akter i vetëm. Ne si qytetarë jemi mësuar me dhunën zero dhe sulmet terroriste na krijojnë përshtypjen se po zhytemi prapë në luftë.

Harari argumenton se pas shumë shekujve të përgjakshëm, ne kemi braktisur vrimën e zezë të dhunës, por në pavetëdijën tonë ndjejmë se ajo është ende aty, në pritje për të na gëlltitur. Kjo frikë, sipas Hararit, na shtynë që të ekzagjerojmë rrezikun e terrorizmit.

Pra Evropa është ndërtuar mbi një të kaluar të dhunshme të ndryshimit të kufijve dhe ky fakt po ia dikton mënyrën e mendimit. E shkuara e saj e ka shtyrë që të reifikojë ndalesën e ndryshimit të kufijve në sensin e trajtimit të saj si diçka e ndarë nga praktikat të cilat e kanë prodhuar dhe mbajtur atë.

Peter Berger dhe Thomas Luckman në librin e tyre të rëndësishëm “Konstruktimi shoqëror i realitetit” e përkufizojnë reifikimin si “të kuptuarit e produkteve të aktivitetit njerëzor sikur të kishin qenë diçka jonjerëzore – si fakte të natyrës, rezultate të ligjeve kozmike apo manifestime të vullnetit hyjnor. Reifikimi nënkupton se njeriu është i aftë të harrojë autorësinë e tij mbi botën e njerëzve. Bota e reifikuar përjetohet si fakticitet i çuditshëm, si një opus alienum mbi të cilin ai nuk ka kontroll e jo si opus proprium i aktivitetit të tij prodhues.”

Pak vetë besojnë se Evropa mund të çreifikojë këtë fakt-institucion dhe të fitojë mbi këtë mallkim. Besimi se ndryshimi i kufijve diku do të shkaktojë turbulenca gjithkund, si dhe do të hapë vrimën e zezë që është e gatshme të gëlltitë stabilitetin e Evropës është ende i fortë.

Megjithatë, për herë të parë në historinë e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore është hapur një mundësi serioze për ndryshimin e praktikës së ndryshimit të kufijve. Siç e kam cekur në një shkrim më të hershëm, ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është sui-generis në krahasim me të kaluarën, por mund të jetë precedent i mirë për të ardhmen, për ndryshim të kufijve vetëm nëpërmjet marrëveshjes dhe paqes.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.