Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Kosova si shtet “i stigmatizuar”

Historikisht shtetet dhe institucionet më të larta ndërkombëtare kanë kundërshtuar shpalljen e njëanshme të pavarësive. Shtetet të cilat kanë ardhur në ekzistencë në këtë mënyrë dhe të cilat nuk janë pjesë e OKB-së refuzohen. Këto shtete për shkak të pranueshmërisë së kufizuar në zhargonin e marrëdhënieve ndërkombëtare quhen “de-facto shtete” dhe jo “de-jure”.

Marc Weller thotë se ligjet ndërkombëtare bëhen nga shtetet. Shtetet synojnë ruajtjen e tërësisë së tyre territoriale. Integriteti territorial është premisa kryesore mbi të cilën është ndërtuar ligji ndërkombëtar. Cenimi i këtij parimi është sulm mbi gjithë matricën e së drejtës ndërkombëtare.

Paralelisht me këtë është bërë edhe një rregullim i aplikimit të së drejtës për vetëvendosje, duke e kufizuar atë vetëm brenda kontekstit kolonial.

Popujt kanë të drejtë për shkëputje vetëm nëse kanë qenë koloni e një shteti tjetër. Jashtë këtij konteksti e drejta për vetëvendosje është parë si armiku kryesor i integritetit territorial. Kjo është arsyeja se pse shtetet në 70 vitet e fundit kanë qenë të prirura që lëvizjet secesioniste t’i shpallin si terroriste dhe se pse kanë mbështetur akterët shtetërorë në luftën kundër tyre. Siç kishte deklaruar ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, U Thant, “OKB-ja kurrë nuk ka pranuar e as nuk do të pranojë shkëputjen e ndonjë pjese të territorit që është pjesë e ndonjë anëtari të saj”.

Megjithatë në disa raste shtetet kanë humbur luftën me këto lëvizje dhe janë krijuar shtete përmes shpalljeve të njëanshme të pavarësisë. Në kthim, këto shtete janë stigmatizuar nga komuniteti ndërkombëtar për shkak që kanë shkelur ligjin ndërkombëtar dhe për shkak që kanë krijuar precedent për lëvizje dhe rajone problematike në shtetet e tyre. Për shkak që janë ndarë pa lejen e shtetit të cilit dikur ligjërisht i kanë përkitur, ky lloj i shteteve konsiderohet si jo i rregullt. Kësisoj këta shtete stigmatizohen. Si rrjedhojë ata margjinalizohen dhe izolohen nga të tjerët. Ata nuk gëzojnë status të barabartë me anëtarët e OKB-së që llogariten se kanë “njohje universale”.

Praktika e stigmatizimit është dëshmi se kriteret tradicionale të shtetësisë që përfshijnë territorin e përkufizuar, popullsinë dhe qeverisjen efektive janë të pamjaftueshme për të qenë shtet. Akti i njohjes nga komuniteti ndërkombëtar tani është kusht i domosdoshëm për shtetësi të plotë. Mirëpo, siç tregon James Ker-Lindsay, shkalla e pranueshmërisë dhe stigmatizimit të tyre ndryshon nga një rast në tjetrin. Rrjedhimisht, niveli i kooperimit mes tyre dhe komunitetit ndërkombëtar është i ndryshëm.

Më 2008 Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia pa arritur marrëveshje me Serbinë. Për shkak të karakterit unilateral të pavarësisë së saj, Kosova është shtet i stigmatizuar, por me 116 njohje gëzon pranueshmëri shumë më të madhe sesa p.sh Qiproja Turke dhe Abkhazia që kanë shumë numër shumë më të ulët të njohjeve. Madje në sytë e shumë njerëzve Kosova ka shtetësi të plotë efektive edhe pse nuk është anëtare e OKB-së. Qiproja Turke dhe Abhkazia në anën tjetër nuk janë anëtare në asnjë organizatë të madhe ndërkombëtare dhe kanë shumë pak raporte me shtete tjera.

Edhe pse komuniteti ndërkombëtar ka ashpërsuar qëndrimin në raport me shkëputjet e njëanshme, kjo nuk i ka ndaluar shumë shtete anëtare të OKB-së që të futen në marrëdhënie me shtete të stigmatizuara. Ker-Lindsay këtë e quan “bashkëpunim pa njohje”. Bashkëpunimi mes shteteve normale dhe shteteve të stigmatizuara mund të zhvillohet në rrafsh bilateral në nivel të takimit të zyrtarëve. Në raste të caktuara shtetet mund të vendosin zyre ndërlidhëse që de-facto janë ambasada. Ai mund të zhvillohet edhe në nivel shumëpalësh duke përfshirë në traktate dhe marrëveshje shtetet e stigmatizuara.

Njohja de-facto vjen edhe nëpërmjet njohjes së dokumenteve zyrtare si pasaporta apo targat, si dhe përmes bashkëpunimit ekonomik, edukativ dhe kulturor. Shkalla e marrëdhënieve përcaktohet nga tre faktorë kryesorë: sistemikë, kontekstualë and kombëtarë. Qeveritë mund t’i manipulojnë këta faktorë në shërbim të tyre për të arsyetuar qoftë njohjen, qoftë stigmatizimin.

Faktorët sistemikë përfshijnë normat dhe politikat komunitetit ndërkombëtar kundrejt secesionit. Më të rëndësishmet në këtë drejtim janë rezolutat e Këshillit të Sigurimit (KS) në OKB të cilat dënojnë shkëputjen e territoreve nga shtete përkatëse dhe që bëjnë thirrje për mosnjohje. Dy rezoluta, 541 and 550, ishin adoptuar në rastin e Qipros Turke në vitet 1983 dhe 1984. Si pasojë shtetet kanë hezituar që të bashkëpunojnë me Qipron Turke.

Mirëpo jo gjithmonë dalin rezoluta kundër njohjes së shteteve të stigmatizuara. Në rastin e Kosovës nuk ka pasur rezolutë për shkak që 3 nga 5 anëtarët e KS-së me veton e tyre nuk do të lejonin adoptimin e ndonjë rezolute që denoncon pavarësimin e Kosovës. As në rastin e Abhkazisë Rusia nuk ka lejuar hartimin e ndonjë rezolute të tillë. Mbështetja që Kosova merr nga ShBA-të dhe vendet kryesore të BE-së ka krijuar një terren më pranues për Kosovën. Për këtë arsye shtetet kanë qenë të pritura të bashkëpunojnë me të. Një fat të tillë nuk e pati Qiproja Turke. Shteti i vetëm që e njeh atë, Turqia, nuk është anëtare e KS-së. Këtu kemi të bëjmë me “efektin shumëzues”.

Sa më shumë shtete që njohin ose bashkëpunojnë me një shtet të stigmatizuar, aq më shumë rriten gjasat që edhe të tjerët ta bëjnë këtë.  Për shembull, tani shtetet nuk brengosen se mund të penalizohen nëse bashkëpunojnë me Kosovën. Mbi 150 shtete, përfshirë Rusinë, njohin pasaportën e saj, qoftë edhe vetëm në kushte të veçanta si pjesëmarrja e sportistëve kosovarë në gara ndërkombëtare. Po ashtu Kosova merr pjesë edhe në takime të organizatave ndërkombëtare më shumë sesa Abkhazia dhe Qiproja Turke.

Në faktorët kontekstualë bëjnë pjesë specifikat të cilat karakterizojnë kontestet mes shteteve të stigmatizuara dhe ish-shteteve të cilave u kanë përkitur ligjërisht. Për shembull, veçantitë e kontestit rreth Kosovës e kanë bërë më të lehtë njohjen e saj dhe bashkëpunimin me të. Shumica e shteteve që njohën Kosovën u bazuan në të kaluarën e rëndë të saj nën Serbi. Shkelje të të drejtave të njeriut ka pasur edhe në Abkhazi e Qipron Turke, por jo në përmasat e Kosovës, prandaj edhe kanë shumë pranueshmëri më të kufizuar. Pastaj politika e shtetit të stigmatizuar luan rol në shkallën e pranueshmërisë. Qiproja Turke fillimisht u përball me refuzim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, por pasi që shprehi gatishmëri për të zgjidhur kontestin me Qipron që refuzoi “Planin e Ananit” nga OKB-ja për paqe, ajo filloi të pranohej më shumë. Pas kësaj zyrtarët amerikanë dhe evropianë takonin shpesh zyrtarët e Qipros Turke.

Kur qipriotët turq zgjodhën një ekstremist që nuk ishte konstruktiv në dialog, mbështetja ndërkombëtare u venit. Më pas, kur Mustafa Akinci fitoi zgjedhjet, Departamenti Amerikan i Shtetit e uroi atë. E njëjta ndodhë edhe me Kosovën. Arsyeja pse Kosova ka kaq mbështetje ndërkombëtare qëndron në vullnetin e saj për të dialoguar me Serbinë. BE-ja e kushtëzon integrimin e Kosovës në BE me zgjidhjen e konfliktit të saj me Serbinë. Kur Kosova është më konstruktive në negociata mbështetja nga jashtë është më e madhe sesa kur barrikadohet në qëndrime si në rastin e tarifës 100% për produktet serbe dhe boshnjake.

Mirëpo faktori më i rëndësishëm kontekstual është gatishmëria për dialog nga ana e shtetit që pretendon se ka humbur territor. Edhe pse Serbia nuk e njeh Kosovën, futja e saj në dialog me Kosovën e ka zbutur refuzimin e shteteve të treta ndaj Kosovës. Serbia ka kohë që nuk merr masa ndëshkuese për shtetet e treta që hyjnë në bashkëpunim me Kosovën.

Faktorët nacionalë lidhen me shtetet që refuzojnë të njohin shtetet e stigmatizuara për shkak të kontesteve të tyre të brendshme me rajone secesioniste. Spanja p.sh vazhdon të mbajë qëndrim të ashpër kundër Kosovës për shkak të problemeve të saj me Kataluninë dhe Baskët. Megjithatë shtete si Britania e Madhe, Turqia, Kanadaja e Somalia kanë rajone separatiste, por e njohin Kosovën.

Faktor nacional është edhe lidhja që një shtet mund ketë me një shtet të stigmatizuar në nivel kulturor apo fetar. P.sh Azerbaixhani mban lidhje të mira me Qipron Turke dhe kishte lejuar që aeroplanët turko-qipriotë të fluturonin në Baku edhe pse kishte vendim ndërkombëtar për bllokadë të qarkullimit të tyre. Bosnja nuk e njeh Kosovën për shkak të lidhjes që serbët e Bosnjës e kanë me shtetin amë Serbinë. Ata shfrytëzojnë infrastrukturën politiko-juridike të Bosnjës dhe përdorin veton e tyre kundër Kosovës edhe pse komuniteti boshnjak dhe kroat ka shfaqur gatishmëri për ta njohur Kosovën. Për shkak të afërsisë fetare Kosova ka fituar mbështetje të konsiderueshme nga shtetet e Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI). OBI Qipron Turke e quan zyrtarisht “Shteti i Qipros Turke”. Mirëpo as Kosova, as Qiproja Turke nuk janë anëtare në këtë organizatë për shkak që kusht për anëtarësim në të është anëtarësimi paraprak në OKB.

Të gjithë këta faktorë së bashku janë pjesë e një dinamike dhe kohe ku ajo çfarë është normale dhe ilegale ndryshon në mënyrë konstante. Siç shihet, shtetet kanë mundësi që në t’i shfrytëzojnë këta faktorë në përputhje me interesat e veta. Disa shtete njohin një shtet të stigmatizuar për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut, disa tjera janë moskokëçarëse për to. Disa tjera nuk njohin një shtet të tillë për shkak të kontesteve të brendshme, të tjerat nuk e shohin këtë fakt si problem.

Por çfarë mbetet e pandryshueshme është stigma mbi këta shtete për sa kohë ata nuk merren vesh me shtetet prej të cilave janë shkëputur. Pa një marrëveshje të tillë kjo stigmë do të bëhet pengesë për afirmimin e tyre të plotë ndërkombëtar dhe do të pamundësojë “njohjen universale”.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.