Vendimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për eliminimin e mësimeve të historisë në shkollën e mesme teknike, dhe zvogëlimin e orëve të mësimit të lëndës së historisë në përgjithësi, edhe mund të shihet si reformë. Por ky vendim nuk e adreson problemin më të madh të mësimit të historisë në shkolla, vetëm sa e përkeqëson atë. Nëse dija mbi historinë nuk ofrohen në shkollë, historia do të interpretohet vetëm nga prizmi i referencave private të dëshmive të të afërmve dhe komunitetit. Në vend se të krijohet një kuptim shkollar i të kaluarës, kjo lloj historie i përzien emocionet me faktet dhe shpesh nuk është e besueshme. Kosovës i duhen më shumë mësime historie dhe ato të jenë më të mira, e jo më pak histori.
Këtë vit ne kemi lansuar një hulumtim [1] nga terreni për të kuptuar si mësohet historia në Kosovë, tani që vendi po i afrohet dhjetëvjetorit të deklarimit të pavarësisë. Kemi intervistuar mësimdhënësit e historisë të gjeneratave të reja dhe kemi gjetur një sërë problemesh shumë-dimensionale. Së pari, mësimdhënësit janë të pakënaqur me tekstet mësimore sepse si duket ato janë të shkruara nën presionin politik nga shumë anë. Së dyti, mësimdhënësit ankohen për mungesën e shkollimit që do të mund t’i ndihmonte në ngritjen e njohurisë dhe cilësisë së mësimdhënies. Por një është e sigurt: në mësimdhënien e tyre, historia gojore, anekdotat dhe interpretimet folklorike të historisë janë më prezente se sa metodat shkollore.
Të marrim shembull rastin e okupimit italian dhe gjerman, rëndësia e të cilave është nënvlerësuar në libra dhe nga mësimdhënësit, kështu duke e shmangur përballimin me natyrën vrastare të regjimeve fashiste dhe naziste. Gjithashtu, mësimdhënia për Holokaustin është shkëputur tërësisht nga kryesit, sikurse të ishte pasojë e luftës dhe jo qëllim i luftës së Hitlerit. Vetëm një mësimdhënës na tha se flet në klasë për burgun në Ulpianë, nga ku janë deportuar hebrenjtë në vitin 1944. Përgjithësisht, Holokausti mësohet si përvojë pozitive vendore, sikurse “Shqiptarët e Kosovës kanë shpëtuar të gjithë hebrenjtë”, ku në fakt kjo ka ndodhur në Shqipëri e jo në Kosovë.
Pasi që okupimi prezantohet si pozitiv, mësimdhënësit dhe librat e shmangin dëbimin me forcë të serbëve dhe malazezëve të ardhur me forcë në Kosovë mes dy luftërave. Fokusi është më shumë te justifikimi i bashkëpunimit të Xhafer Devës, Rexhep Mitrovicës dhe Bedri Pejanit me okupuesit si detyrë nacionaliste. Kjo krijon njëfarë konfuzioni në diskutimin e heronjve kombëtar në forcat partizane.
Me një përjashtim, tekstet shkollore përmendin shkarazi rebelimin e Shaban Polluzhës dhe të komandanti të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, Fadil Hoxha. Këtu, mësimdhënësit përdorin më shumë burime anekdotike varësisht nga rajoni i tyre. Pra, nëse janë nga Drenica, ata e çmojnë Shaban Polluzhën si hero kombëtar. Nëse janë nga Dukagjini, ata theksojnë rolin heroik të Fadil Hoxhës. I vetmi konsensus në tërë Kosovën, është se e tërë dhuna gjatë Luftës së Dytë Botërore është shkaktuar nga “bandat partizane serbo-malazeze.”
Pasi që nuk ka diskutim akademik për dhunën partizane që kaploi Kosovën nga fundi i luftës, çka mbetet është trajtimi kontradiktor dhe sipërfaqësor i të dyja anëve që glorifikojnë liderët partizan si Fadil Hoxha, si dhe ata që u likuiduan nga partizanët për mospërmbushje të urdhrave, si Shaban Polluzha dhe njerëzit e tij. Uniteti kombëtar shqiptar pra rikompozohet, duke fajësuar “tjetrin”, i cili është serb dhe malazez. Megjithatë, ky tregim i bukur nuk është histori. Është edukim politik i maskuar si raportim i balancuar.
Një rast tjetër ilustrues është edhe ngjarja e prillit të vitit 1945 në Tivar, ku një numër i shqiptarëve civilë të rekrutuar me forcë që marshuan nga Kosova me qëllim të luftojnë në kufirin me Italinë dhe Austrinë, u masakruan rrugës nga partizanët gjatë tentimit të tyre të parë për rebelim. Tekstet mësimore ose përmendin këtë masakër si edhe një gjenocid serb, ose në kontekstin e “shkuarjes vullnetare të shqiptarëve” në Tivar ku mijëra e mijëra u “vranë.” Mësimdhënësit e përmbushin boshllëkun e njohurisë për këtë ngjarje duke përdorë shpjegime anekdotike të bazuara nga të mbijetuarit si, “deti ishte i skuqur nga gjaku dhe zbardhur nga plisat e shqiptarëve të vrarë.”
Kjo pavendosmëri lë shumë vend për interpretime që marrin edhe konotacione, siç është edhe çështja e debatueshme rreth përgjegjësisë së liderëve partizanë shqiptarë për këtë masakër. Nuk ka ndonjë zgjidhje serioze për këtë debat që është publik dhe mbetet jashtë shkollave sepse nuk ka materiale hulumtuese akademike rreth kësaj ngjarje. Në vend të kësaj, nipat dhe stërnipat e të mbijetuarve janë lënë të vetmuar në traumat e tyre, dhe nën një udhëheqësi manipuluese, kjo mund të bëhet edhe traumë kombëtare.
Çfarë kemi mësuar nga ky projekt është se duhet të ketë më tepër histori, dhe kjo histori duhet të jetë më e mirë, e shkruar dhe e ligjëruar nga historianët dhe jo politikanët apo tregimtarët.
_______________
[1] Ky hulumtim u financua nga Agjensioni Austriak për Zhvillim