Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Kur politika flet për shoqërinë civile

Me pak përjashtime, pjesa më e madhe e klasës politike në Kosovë kur flasin publikisht për vlerat themelore të demokracisë – ndër të cilat është edhe shoqëria civile – janë të kujdesshëm që të vendosin një maskë fytyre e cila i bën të duken sikur janë përkrahësit më të mëdhenjë të këtyre vlerave. Por, sa herë që rriten temperaturat, kjo maskë u shkrihet, duke u’a treguar ndjenjat e mendimet e vërteta.

Para disa ditësh, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës deklaroi që “akoma nuk e di se kush është shoqëri civile e Kosovës, sepse e ashtuquajtura shoqëri civile paguhet prej dikujt… Shoqëria civile nuk mund të jetë e Kosovës nëse një grup paguhet nga dikush”, duke kërkuar që të trajtohet çështja e shoqërisë civile, në të cilën ka dyshime se është e instrumentalizuar. Në dhjetor të vitit të kaluar, edhe vet Kryetari i Kuvendit fajin kryesor për dështimin e kritereve për liberalizim të vizave i’a la shoqërisë civile, ndërsa sulmoi pjesëtarë të këtij sektori duke i quajtur të politizuar. Deklarata të ngjashme kishin dhënë viteve të fundit edhe disa ministra, deputetë e këshilltarë të tyre.

Agon Maliqi, në një shkrim të para disa ditëve në Sbunker, mjaft mirë argumentoi kundër kësaj logjike dyshuese. Më poshtë po mundohem të shtoj edhe disa fakte tjera konkrete të cilat dëshmojnë që deklaratat e tilla janë jo vetëm të gabuara, por tregojnë brengat e vërteta të tyre në raport me shoqërinë civile.

Kush (s)paguan për shoqërinë civile në Kosovë

E para, duhet të jetë e qartë që sikurse të gjithë sektorët tjerë, edhe organizatat e shoqërisë civile kanë nevojë për mjete financiare për t’i kryer punët për të cilat themelohen. Karakteri vullnetar i shoqërisë civile, koncept ky për të cilin flitet shumë shpesh, ka të bëjë jo me punën pa pagesë, por me lirinë për t’u përfshirë ose mos u përfshirë në këtë sektor. Edhe vet Kushtetuta e Kosovës e mbron të drejtën e secilit për të themeluar një organizatë pa pasur detyrim për të qenë ose për të mos qenë anëtar i një organizate, si dhe për të marrë pjesë në aktivitete të një organizate.

Shumicën dërrmuese të këtyre mjeteve të nevojshme për punën e tyre organizatat kosovare i sigurojnë nga donatorët e huaj. Hulumtimet tregojnë që rreth 80% të burimeve të sektorit të shoqërisë civile vijnë nga këta donatorë, ndërsa në vlerë monetare pjesa e financimit ndërkombëtar është edhe më e lartë. Kush janë këta donatorë, të cilët nënkryetari i Kuvendit i quan “dikush”, duke aluduar në të panjohur e të dyshimtë? Më të mëdhenjtë gjatë këtyre 16 viteve janë Bashkimi Europian (zyrtarisht, aty ku kemi qëllim të anëtarësohemi) dhe SHBA-të (zyrtarisht, partneri kryesor strategjik i vendit tonë), bashkë me vendet individuale të Evropës Perëndimore, si Zvicra, Suedia, Norvegjia, etj. (zyrtarisht, partnerët kryesorë në aspiratat tona shtetndërtuese). Nëse Qeveritë e këtyre vendeve qenkan të dyshimta, atëherë shumë më problematike do të ishte dëgjueshmëria absolute e klasës tonë politike ndaj tyre, sesa pranimi i fondeve nga një sektor i cili nuk e ka asnjë kompetencë ekzekutive. Apo problemi qëndron në atë që Agon Maliqi saktë e vlerëson si “parapëlqim që paratë të cilat jepen për OJQ-të mundësisht të kalonin njëherë edhe nëpër duart e organeve të shtetit (e rrjedhimisht pushtetit), në mënyrë qe edhe shoqëria civile të mund të ndikohej, ashtu siç ndikohen të tjerët që varen prej parasë publike”.

Paraja publike për shoqërinë civile

Si do të dukej sektori civil në rast që fondet e huaja do të ndaleshin, ose do të jepeshin nëpërmjet sistemit vendor? Për këtë nuk kemi nevojë të supozojmë, sepse kemi mjaft raste konkrete edhe tani. Hulumtimet tregojnë që organizata të ndryshme të shoqërisë civile financohen edhe nga paraja publike, qoftë në nivel lokal apo qendror. Numri i tyre nuk është aq i ulët, përkundrazi. Por, me shumë pak përjashtime, ky financim ndodh pa asnjë rregull, procedurë ose kriter. Ka fare pak thirrje publike, vendim-marrja nuk është e pavarur (shpesh herë vetëm me nënshkrim të Ministrit a Kryetarit të Komunës), kriteret e veçanta për tema/çështje të caktuara mungojnë, monitorimi e raportimi janë shumë të rralla. E më e keqja, fondet publike për shoqërinë civile janë ndër të paktat që është gati se e pamundur të “gjurmohen” nga publiku. Me vite të tëra përgjigja zyrtare e Ministrisë së Financave është që nuk kanë informata se cilat organizata janë financuar nga shteti, për çfarë projektesh e në çfarë shumash. Kush tjetër, pos atyre që për 16 vite kanë udhëhequr me Qeverinë e janë të përfaqësuar në Kuvend, kanë mundur ta rregullojnë këtë gjendje?

Të gjitha këto që u mungojnë fondeve publike për shoqëri civile janë elemente bazike për çdo fond të donatorëve të huaj. Nëse jo për interes të transparencës brenda Kosovës, kjo bëhet për shkak të obligimeve që këta donatorë i kanë ndaj taksapaguesëve dhe parlamenteve të vendeve të tyre.

Burimet tjera të mundshme të financimit

Donacionet private të individëve apo bizneseve mund të ishin një burim alternativ i financimit të shoqërisë civile. Sa i përket individëve, është iluzore të pritet që në vendin më të varfër të Evropës ata të dhurojnë më shumë sesa lëmoshë e ndihmë për raste humanitare e sociale. Në anën tjetër, bizneset mund t’i ndajmë në dy kategori. Ato të mëdhatë që kryesisht janë aq të afërt me strukturat politike saqë financimi nga to mund të ishte i ngjashëm me financimin publik, dhe ato të mesmet e të voglat që kryesisht janë në gjendje të ngjashme me qytetarët e vendit, respektivisht e kanë të vështirë mbijetesën. Për më tepër, përderisa vendet e vërteta demokratike u ofrojnë atyre që dhurojnë për shoqëri civile lehtësira tatimore e të tjera, te ne ato pak lehtësira që ekzistojnë në letër janë gati se të pashfrytëzueshme.

Të ardhurat nga shërbimet e ndryshme që mund t’i ofrojnë organizatat e shoqërisë civile janë alternativë tjetër. Edhe këtu i kemi dy kategori të mëdha. Shërbimet intelektuale (hulumtime, analiza, arsimim) nënkuptojnë që ka një treg që i kërkon ato. Kërkesa e institucioneve publike dhe bizneseve për hulumtime e analiza të pavarura mbi të cilat do t’i merrnin vendimet e tyre dhe për të cilat do të paguanin është jashtëzakonisht e vogël. Shërbimet sociale (përfshirë ato shëndetësore e të ngjashme) hyjnë në kategorinë e shërbimeve publike të cilat do të duhej të bliheshin nga shteti. Edhe për ato pak shërbime sociale që i ofron shoqëria civile aktualisht, e të cilat nuk ofrohen nga shteti edhe pse janë obligim i tij, pagesa nuk i mbulon as kostot bazike të klientëve, e lërë më të sigurojë të ardhura për organizatën.

Trajtimi i shoqërisë civile

Kërkesa e fundit e nënkryetarit të Kuvendit ishte që të trajtohet çështja e shoqërisë civile, në të cilën ka dyshime së është e instrumentalizuar. Në vetvete, pjesa e parë e kësaj kërkese do të ishte për t’u përshëndetur, nëse nuk do të ishim dëshmitarë që shumica e klasës politike janë absolutisht të painteresuar për të trajtuar këtë sektor (përveçse kur duan ta kufizojnë). Me insistim të shoqërisë civile e disa organizatave ndërkombëtare, në vitin 2014 Kuvendi kishte miratuar një Deklaratë për partneritet me shoqërinë civile, të cilën gjatë vitit 2015 e kishte marrë për obligim ta shndërronte në masa e veprime konkrete. Grupi i përbashkët i themeluar për ta bërë këtë ishte takuar 4 herë gjatë vitit të kaluar dhe qëllojani – nga të gjithë deputetët anëtarë të këtij grupi, vetëm njëri prej tyre kishte qëndruar disa minuta në njërin nga takimet.

Vetëm pak më mirë është në nivelin e Qeverisë. Strategjia e Qeverisë për bashkëpunim me shoqërinë civile ishte miratuar në vitin 2013 ndërsa aktivitetet e para kishin filluar të zbatohen vetëm në vitin 2015. Edhe ato aktivitete që u mbajtën gjatë këtij viti u financuan nga donatorët e huaj, sepse Qeveria nuk e kishte ndarë buxhetin e premtuar për to. Për më tepër, janë vetëm disa shërbyes civil të cilët rregullisht marrin pjesë bashkë me shoqërinë civile në zbatimin e obligimeve të strategjisë, ndërsa të tjerët kanë harruar për ekzistencën e këtij dokumenti.

E fundit, kur flasin për shoqërinë civile, atë e bëjnë një gogol që ta merr mendja se ka shumëfish më shumë fonde se buxheti i shtetit e disa herë më shumë të punësuar se institucionet shtetërore. Dhe për këtë e kanë një bazë – shteti nuk mban statistika për shoqërinë civile (ndoshta sepse e konsideron të huaj). Organizata në të cilën punoj, vetëm gjatë vitit 2015 kishte kërkuar informata e statistika të ndryshme për këtë sektor nga një numër i madh institucionesh, për të kuptuar që vetëm njëra nga to mund të ofronte disa të dhëna. Në një mjegull të tillë, është lehtë që të manipulohen faktet.

Kur largohen fjalët, mbesin veprat

Në secilin prej rasteve të mësipërme, Kryetari e nënkryetari i Kuvendit bashkë me ministrat, deputetët e partitë e tyre politike, janë ata që mund të japin kontribut ose t’i detyrojnë vartësit e tyre të merren e përmirësojnë ambientin në të cilin vepron shoqëria civile në Kosovë. Mundësitë për këtë i kanë pasur të panumërta dhe vazhdojnë t’i kenë. Por nuk duan. Ose nuk ju konvenon. E në vend të kësaj, zgjedhin që të ngrisin dyshime e të sulmojnë një sektor të cilin me shumë dëshirë do ta fusnin nën sqetull.

Për ta arritur këtë, nuk duhet më shumë sesa të kenë kontroll në “fondet e dyshimta” të sektorit civil. Nëse nuk arrijmë t’i bindim se duhet të veprojnë të kundërtën e asaj që e deklarojnë (pa maskë), e kemi për detyrë të angazhohemi që deklaratat të mos i shndërrojnë në vepra.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.