Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Liberalizimi i vizave në “horizont” që nga viti 2016, por akoma i paarritshëm

Më 19 janar 2012, Komisioni Europian (KE) ka nisur procesin për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke ofruar udhërrëfyesin për përmbushjen e kritereve për të arritur liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë në zonën Schengen.

Kriteret të cilat Kosova është dashur t’i plotësojë kanë qenë 95 – më shumë se çdo vend tjetër nga Ballkani Perëndimor. Kjo në vetvete ka paraqitur një sfidë për institucionet e Kosovës, të cilat megjithatë është dashur të punojnë më shumë për të fituar besimin e institucioneve europiane, marrë parasysh faktin se Kosova vazhdon të mos njihet si shtet i pavarur nga pesë vende të Bashkimit Europian (BE).

Që nga publikimi i udhërrëfyesit e deri në vitin 2016, Kosova ka arritur që t’i përmbushë 93 nga 95 kriteret e përcaktuara nga KE-ja. Dy kriteret e fundit – e në fakt edhe më sfidueset për institucionet e Kosovës – kanë qenë: (1) progresi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe (2) ratifikimi i marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Megjithatë, në vitin 2016, KE i ka propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Europian liberalizimin e vizave për Kosovën.

Marrja e këtij propozimi në Kosovë është përcjellë me festë e hapje shampanjash. Pra, një situatë surreale, ku po festohej marrja e një propozimi, ndërsa puna akoma nuk ishte kryer nga asnjëra palë – as nga Kosova, e cila kishte akoma dy kritere të paplotësuara.

Mirëpo, festa për kosovarët nuk zgjati shumë. Këshilli i Bashkimit Evropian, njëlloj sikur javën e kaluar, as atëherë nuk e pati futur liberalizimin e vizave për Kosovën në agjendë, por Kosova ishte propozuar që të hynte në pako me Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën për liberalizimin e vizave.

Por, tymi i gazit lotsjellës në Kuvend e kishte mjegulluar edhe arsyen e elitës politike në Kosovë. Opozita asokohe, duke tentuar ta bllokonte ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin, efektivisht ia kishte humbur Kosovës mundësinë për lëvizje të lirë. Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina e arritën liberalizimin e vizave, ndërsa Kosova ngeli e izoluar, e qytetarët e saj të vetmit që duhej të prisnin para ambasadave për t’u pajisur me viza.

U deshën edhe dy vjet të tjerë të binte një qeveri e të vinte një tjetër, në mënyrë që Kosova t’i përmbushte të gjitha 95 kriteret për ta marrë dritën e gjelbër nga KE-ja. Tanimë, kriteret vërtet i kishim plotësuar, por një tjetër kauzë ngjallte probleme – taksa 100% e kryeministrit Ramush Haradinaj. Kjo taksë, ani pse legjitime dhe e ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj një fushatë të egër të diplomacisë serbe, kishte bllokuar procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Brukseli.

E, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në sytë e BE-së, nuk ka alternativë. Edhe pas përpjekjeve të kancelares Merkel dhe presidentit Macron, Qeveria Haradinaj ishte këmbëngulëse që kjo taksë të mos hiqej. Por, në ndërkohë, ne përsëri e humbëm momentumin për liberalizimin e vizave.

Shtetet anëtare të BE-së filluan ciklet e tyre zgjedhore, e Kosova ngeli jashtë agjendave. Në ndërkohë, dy shtete me ndikim në BE, Franca dhe Holanda, kishin shfaqur haptazi kundërshtinë e tyre për liberalizimin e vizave, pasi i frikësoheshin një vale të re azilkërkuesish nga Kosova.

Qeveria Haradinaj shkoi, e me të edhe taksa 100%. Por, vizat për qytetarët e Kosovës ngelën. Në ndërkohë, Qeveria Kurti 1, me ta marrë mandatin, u ballafaqua me pandeminë globale COVID-19. Shtetet e BE-së kishin të tjera halle, e vizat e kosovarëve nuk ishin ndër to. Liberalizimi i vizave nuk ishte temë diskutimi sepse edhe progresi i dialogut ishte i mangët.

Në ndërkohë, në vigjilje të mbledhjes së fundit të Këshillit të BE-së, shpresat u rritën që kësaj radhe edhe liberalizimi i vizave do të ndodhte – jo për shkak se Kosova kishte bërë ndonjë progres, por për shkak se kontinenti po ballafaqohej me rrezikun më të madh që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore: pushtimin rus të Ukrainës.

Por, Samiti BE-Ballkan Perëndimor i mbajtur më 23 qershor në Bruksel, lëre që nuk e solli liberalizimin, por ne nuk ishim as pjesë e agjendës. E kjo është një fatkeqësi për qytetarët e Kosovës, të cilët përkundër faktit që vazhdojnë të mbesin të vetmit në rajon që janë të izoluar brenda kontinentit, ironikisht janë më pro-evropianët në kontinentin e vjetër.

Është e vërtetë që Kosovës i është bërë padrejtësi në këtë proces, që nga fakti që i numrit më të madh të kritereve të vendosura krahasuar me të gjitha vendet e tjera të rajonit, e deri te fakti që BE-ja ka vazhduar ta ndërlidhë çështjen e liberalizimit të vizave edhe me procese të tjera, të cilat nuk do të duhej të ishin të ndërlidhura me këtë proces, siç është dialogu Kosovë-Serbi.

Megjithatë, mospranimi i përgjegjësisë nga elitat politike në Kosovë, si nga këta që sot janë në pushtet, ashtu edhe nga ata që dje ishin në pushtet — e të cilët hapnin shampanja — është i papranueshëm.

Qeveritë deri më tani kanë qenë të paafta për të arritur konsensus brenda vendit për temat e rëndësishme, e opozitat e derisotme nuk kanë lënë asnjë rast të vetëm të shkojë huq për të fituar një grusht vota më shumë, qoftë kjo edhe me koston e humbjes së momentumeve të rëndësishme për vendin.

Qytetarët e Kosovës, të cilët e meritojnë të udhëtojnë e të ndihen të barabartë me të gjithë evropianët e tjerë, vazhdojnë të ngelin peng i politikëbërjes së papërgjegjshme; ani pse për ironi të fatit, prindërit e gjyshërit e tyre e kanë gëzuar këtë liri të lëvizjes nëpër botë, edhe atëherë kur Kosova ishte nën diktaturë e okupim.

Megjithatë, liberalizimi i vizave vazhdon të mbetet në “horizont” deri në një datë të pacaktuar.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.