Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Maxhupi, ai të cilit nganjiherë i themi rom

 

 

Para disa ditëve u konfrontuem me tregimin e radhës nga reportuari horror i QKUK-së (tregimet e tyne s’po ndalen, thue se po i prodhojnë për popullaritet). Nji pacient rom ishte injorue në korridoret e nji klinike, ku kishte shkue me marrë ndihmë mjekësore. E dijmë që nuk asht i pari që trajtohet kështu, pamvarësisht përkatësisë etnike, por përderisa zhurma rreth çashtjes po shuhet goxha shpejt, shansat që ky do të jetë rasti i fundit janë të vogla.

Kjo sjellje duhet me qenë absolutisht e papranueshme në nji vend demokratik. Sidomos nëse asht diskriminuese në bazë të përkatësisë etnike të pacientit, e veçanërisht nëse vjen prej atyne që paguhen prej buxhetit të Kosovës – pra prej pares tonë. E as mos të foli për betimin që mjekët e kanë dhanë me i shërbye njerëzit profesionalisht.

Ne jemi mësu me QKUK-në, me ndigjue tregime të trishtueshme për trajtimet që u bahen pacientëve, por nuk guxojmë me u verbue para mundësisë që sjellja, të cilën jemi mësue me e konsiderue “normale”, asht thjeshtë diskriminim etnik, e nuk asht bile as “veç” mungesë kulture dhe profesionalizmi.

Sidoqoftë, e teprova kur thashë se u konfrontuem me nji tregim të tillë – në realitet, sipas mendimit tem, krejt çka ka ndodhë asht kjo: rrëfimi na u përplasë në surrat. Disa prej nesh u mllefosëm, bile edhe u munduem me u konfrontue me te, por shumë shpejt e pamë që zani ynë mbytej në heshtjen e shumicës: “Shhhh, mos e thuej, mos e thuej atë fjalë, pe din ti atë fjalën!”

A po e dini ju cilën fjalë?

Racizëm!

Po, po racizëm! Problemi ma i madh i Kosovës me racizmin e saj asht fakti se qytetarët – së paku shumica prej tyne – nuk e dijnë definicionin e racizmit. Ata nuk bajnë hajgare kur mendojnë që asht në rregull dhe absolutisht jo raciste me i thanë nji romi “maxhup”, përderisa “e ke për të mirë”. P.sh. “sa gjynah ky maxhupi”. Ata mendojnë që, tue ia ngjitë nji “gjynah” për mbrapa “maxhupit”, zbutet emërtimi nënçmues që, në kokat e shqiptarëve, serbeve, turqve etj., asocohet me kanta të bërllogut.

Ndodhë që gjatë bisedave të drekës nëpër salla konferencash të ministrive e hoteleve me yje, në mledhje të organizatave jo-qeveritare e qeveritare, zyrtarë e punonjës të ndryshëm s’e kanë problem me ia pranue njani tjetrit (tue e dijtë që kurrkush nuk i denoncon) se romi për të cilin kanë shkruejt raporte 100 faqëshe, kanë pague ekspertë me paga marramendëse, romi për të cilin kanë marrë donacione milionëshe për projekte integruese, mbrojtëse, demokratizuese etj., në fakt asht “maxhupi”. E probemi ma i madh i këtij, sipas tyne, nuk asht diskriminimi shoqnor që i bahet, por stili i tij i jetës që e ka.
A asht s’asht racizëm kjo? Ju lutem vendosni ju, nëse mundeni me qenë të sinqertë me veten! A s’asht diskriminimi ndaj romit në Kosovë sistematik? Margjinalizimi ekonomik i romit dhe ekspozimi i tij ndaj lëndimeve e damtimeve në ambientin ku jeton, a s’asht sistematikisht i injoruem mu para syve tanë, tue ia rrezikue atij mirëqenien e familjes? E fëmija i tij në rrugë as që vërehet ma, aq shumë që jemi mësue me e pa aty.
Prandaj romi jeton mesatarisht 15 vite ma pak se shqiptari, serbi, turku etj. dhe e mbrrinë edukimin e naltë shumë ma rrallë se pjesëtarët e grupeve tjera etnike. Ai e braktisë shumë ma shpesh shkollën se fëmijët e grupeve tjera, e shpesh nuk ka as dokumenta identifikimi për me u regjistrue në shkollë.

Fëmija i tij refuzohet prej shkollës e prej pishinave, dëbohet prej autobusit ose s’lejohet me hypë në te, krejt simbas nivelit të ndjeshmërisë së faktorit “gjynah” nga ana e personit përgjegjës. Romi endet ma shumë korridoreve të spitaleve se cilido person me përkatësi tjetër etnike në Kosovë. Shkurt e shqip – gati kurrkush nuk e do romin, përnime!

Romi asht ai që i takon nji grupi etnik, papunësia e të cilit ndoshta shkon mbi 90%. Kështu që, po, normal – “stili i jetës”, se për pak e harrova!
Pikërisht “stili i jetës” asht problemi ma i madh i romit! A po e shihni qysh? Asht, sepse Kosova ka shumë racistë! Disa prej tyne bile marrin shumë pare në emën të projekteve për romët. Do tjerë, kryet me ua pre, nuk besojnë që janë racistë, pamvarësisht se “maxhupit” veç nganjiherë i thojnë rom.

Empatia e shumicës  ndaj romëve në Kosovë asht e përthëkume në relacione “naltë-poshtë”, “superior-inferior” oh, dhe definitivisht “i fortë-gjynah”. I shikuem prej naltit poshtë ma keq se “shkijet” prej shqiptarëve dhe i shikuem prej naltit poshtë ma zi se “šiptari” prej serbeve, ky asht romi, drejtësia jonë ndaj të cilit po vjen në shprehje veç si artikulim politik i imponuem prej sponzorëve që na kanë vizatue shtetin në hartë të botës. Na nuk identifikohemi hala me drejtësinë që parasheh barazi mes njerëzve pamvarësisht përkatësisë etnike. Na nuk identifikohemi hala me demokracinë. Unë mendoj se na jemi racistë – ndaj romit po se po – por edhe ndaj nji afroamerikani që ka ardhë me shërbye në Kosovë. Veçse atë nuk e kemi guximin me e shiku prej naltë, kështu që mjaftohemi me “zgërdhimje“ mes vete tue ia komentue ngjyrën e lëkurës.

Nëse e keni vështirë me pa çka po mundohna me thanë, ju ftoj, jo me mendue, por me i kujtue ndjenjat tueja kur jeni trajtue si qytetarë të “klasit të dytë”, e nëse nuk keni kujtime tuejat, gërmoni nëpër kujtime të trashëgume prej prindërve, gjyshëve e stërgjyshëve tuej – do të gjeni mjaft për me u kujtue se s’ju ka pëlqye ai trajtim, se iu ka damtue vetëbesimin, cenue vetëvlerësimin, kafshue dinjitetin dhe mbi të gjitha ngadalësue përparimin.

Kështu që jo, kategorisht jo! Nuk asht stili i jetës së romëve problemi!  Shkaku i varfnisë e diskriminit që ata e hasin në këtë shoqni asht dashnia e teprueme e shqiptarëve, serbeve, turqve etj. ndaj vetvetes që po ua ngushton zemrat aq sa mos me pasë vend ma aty për romët, përveç për ndonji gjynah aty këtu.

Romët do të banin mirë mos me u mbështetë në “mëshirën” e demokracisë në letër, por me e kutpue që e drejta e tyne për trajtim të barabartë në shoqni nuk asht vetëkuptueshëm e sigurueme me ulësen e garantueme në parlament. E drejta e tyne për trajtim të barabartë duhet të jetë lufta themelore për lirinë që iu takon, rreth të cilës duhet të jenë të bashkuem.

“Liria asht e shtrejtë!”, na kanë mësue të parët. Na ka mësue vetë jeta. Prandaj në emën të të parëve tanë, në emën të dashnisë për jetën, na duhet me shpallë zero tolerancë për racizmin, qoftë ai edhe rezultat i injorancës. Sepse, në vetvete, edhe injoranca ma shumë tolerancë nuk meriton.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.