Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Metafora dhe stupci i kuptimit bukfal

Illustration: Big Eye

Dita e manifestimit “kundër homofobisë” në sheshin Zahir Pajaziti, mbase në emër të kremtimit të identiteteve LGBTI, kaloi pa ekces. Kjo u përshëndet nga disa si një shenjë e përparimit tonë shoqëror. Ecja nëpër shesh ishte njefarë demonstrate në përkrahje të një lloj viktime të mohimit të së drejtave të garantuara me kushtetutë. Prapa dyerve të ligjit gjithçka kishte përfunduar, por tani, germës në letër duhej t’i gjendej ekuivalenti në eksperiencë.

Çfarë ndodhi më pas, si zakonisht ne këso raste delikate, i gjithë debati për LGBTI u ndërtua mbi premisën e gjithpërfshirjes së tjetrit. LGBTI ishin ndryshe nga ne andaj duheshin të toleroheshin, të mbroheshin nga jotoleranca jonë heteronormative bashkë me ekcesin e saj, homofobinë.

Por sipas shpjegimit nga teoria dhe praktika psikoanalitike, gjërat nuk janë ashtu si duken. Faza e zhvillimit nëpër të cilën fëmija e mëson çfarë është pushteti përtej vetes së vet shpjegohet metaforikisht si kompleksi, struktura, apo miti i Edipit. Likuidimi i kësaj faze tek fëmija nënkupton kalimin nga kafsha e lindur prej një burrë dhe një grua, në një fëmijë të vogël të njeriut. Megjithëse kjo është temë në vete, ky është edhe kalimi nga mashkulli/femra në grua/burrë, nga seksi në gjini. Në këtë tranzicion pesha e realitetit shoqëror ndërmjetësohet përmes figurës metaforike të babait, i fundit i cili që nga agimi i historisë njerëzore është identifikuar gjithashtu edhe me figurën e ligjit.

Homofobia, në anën tjetër, është urrejtja dhe frika ndaj homoseksualëve kryesisht si rezultat i bindjes që homoseksualiteti është perverzion. Pse? Sepse i shkel kërkesat normative të kompleksit të Edipit. Pra, të bindjes që familja “normale” prodhon fëmijë “normalë”. Që fëmja duhet të ketë familje me nënën femër dhe babanë mashkull. Por, meqenëse nëna dhe babai i strukturës së Edipit janë terma metaforikë, e jo të lidhura me strukturë gjinore, produkte të imagjinatës, e jo veçori të lindura, ky lexim bukfal bëhet aspekt fundamentalist i metaforës së Edipit. Kondita perverse e saj.

Në njëfarë mënyre, mbështetja e gabueshme e “natyrës” së aktit pervers tek homoseksualiteti mund të mbështetet vetëm me anë të një strukture perverse të marrëdhënies me metaforën: leximit bukfal të mitit, në të cilin rëndësia e heteroseksualitetit është thjesht një çështje e normave, e jo e natyrës. Përkundër opinionit të zakontë, perverzioni nuk është trajtë e praktikave të “çuditshme” seksuale, por e marrëdhënies me gjuhën dhe të vërtetën. Perverti nuk e pranon dykuptimësinë. Ai/ajo i bën lexim bukfal simbolit, qoftë ai i shenjtë, apo i shkencës. Kështu, duke e ndarë të vërtetën nga gënjeshtra me sopatë, dhe duke mos e lejuar njohjen e pranisë të së vërtetës në secilën gënjeshtër, perverti është i aftë të bëhet instrument i vullnetit të kulturës, gjuhës, ligjit, historisë (së kombit), nukleusit të shenjtë familjar, deri te epshi i tjetrit.

Metafora që më së miri do ta përshkruante pervertin, është stupci. Në rastin tonë, perverti është stupc në dorën e “fjalës”, leximit bukfal të mitit të Edipit dhe familjes heteroseksuale. Homofobia e tij/saj, vetëm një impuls i strukturës perverse të instrumentit të normës së keqkuptuar si natyrë. Ironikisht, në nivelin e nëndijes së etjes seksuale, pikërisht në natyrë, qëndron krejtësisht e kundërta. Aty gjinitë nuk janë të lidhura me njëra tjetrën me anë të ndonjë plotësueshmërie të lindur dhe zanafillore. Kjo është edhe domethënia prapa aforizmit të njohur të psikoanalistit Jacques Lacan, që “seksi si marrëdhënie nuk është i mundshëm”.

Thirrja më radikale kundër homofobisë, sipas neutralitetit analitik, nuk duhet të jetë “ndal homofobinë”. Pra, një thirrje për të drejta dhe tolerancë. Por në të kundërtën, ajo duhet të jetë: ndal institucionalizimin e keqkuptimit të metaforës së Edipit, bindjen perverse që gjinitë janë të lindura për njëra tjetrën.

Vetëm sepse aty marshuan kryevasali i shtetit dhe emisari i perandorisë dhe policia bëri brenda shtetit atë që do të duhej ta bënte jashtë tij, nuk mund të mohohet fakti që jashtë koordinimit në mes të OJQ-ve dhe shtetit, komuniteti LGBTI vazhdon ta marrë trajtimin e njëjtë. Çfarë ne pamë në të vërtetë ishte një spektakël ku shteti po e manifestonte progresin integrues në/për BE duke e instrumentalizuar një manifestim kundër homofobisë.

Tek dyert e klubit po atë ditë në mbrëmje nuk kishte sigurim të zakontë, por dhjetëra oficerë të SHPK-së. Kongregacioni njerëzor iu ishte nënshtruar ushtrimit të sigurimit shtetëror. Përderisa do të duhej të ishim të kënaqur se ku po na shkonin taksat, prapa tyre fanitej misherimi monstruoz i strukturës perverse të kuptimit bukfal të metaforës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.