Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Miti i kontratës shoqërore: krijimi i qytetarisë dhe autoritetit politik sipas Hobbes-it dhe Locke-ut

Në fillim, njerëzit ishin të lirë; as kishte mbretër për t’i sundu, as qeveri a ligje për t’i qeverisë, as kishte shtet mbi ta, sepse nuk kishte as shoqëri politike që të sundohej nga një autoritet politik. Njerëzit jetonin në një gjendje natyrore: ata gëzonin çdo të drejtë që natyra lejonte. Në atë gjendje natyrore, ata qeverisnin vetveten qyshdo që donin e mundnin dhe me të tjerët silleshin qyshdo që donin e mundnin. Kjo çoi në një gjendje kaotike në të cilën më i forti mbizotëronte, por as mbizotërimi i tij nuk ishte i qëndrueshëm, se gjithnjë kërcënohej nga një tjetër më i fortë. Ishte gjendje e “luftës së të gjithëve kundër të gjithëve”, gjendje e frikës konstante dhe rezikut nga vdekja e dhunshme. Në gjendjen natyrore, askush nuk ishte i sigurt nga sulmi i të tjerëve.

Sido që të jetë, nuk ishte e shkruar që kjo gjendje natyrore të zgjaste përgjithmonë. Një ditë prej ditësh, njerëzit vendosën që më mirë që secili prej tyre të hiqte dorë nga të drejtat në gjithçka dhe të kenë një organizim politik mbi ta, një pushtet qendror, një sovran, një mbret, një shtet tek i cili do të bartnin të drejtat e tyre që i gëzonin në gjendjen e parëhershme natyrore, pasi të kenë hequr dorë prej tyre. Dhe, për këtë qëllim, lidhën një kontratë shoqërore.

Kështu, njerëzit konstituuan veten si shoqëri politike dhe më pas krijuan garantuesin e kontratës, sovranin që sundonte mbi ta. Duke u ngritë mbi ekzistencën e tyre individuale dhe mbi marrëdhëniet, interesat dhe detyrimet imediate të lidhjeve të gjakut dhe të kominitetit të ngushtë, njerëzit kaluan nga gjendja natyrore në një gjendje politike. Kontrata parashihte formimin e shoqërisë qytetare dhe sovranin ose shtetin. Kështu, ata u shndërruan në shoqëri qytetare, domethënë në shoqëri që qeveriset nga sovrani ose shteti  dhe u bënë shtetas, qytetarë të shtetit që e krijuan vetë. Nga ky çast, vlera ose dinjiteti i njeriut nuk kushtëzohej nga mjedisi më i afërt i tij,  nga mundësia për të përdorë forcën, por nga qytetaria, domethënë nga të qenët pjesëtar i një komuniteti të të barabartëve para ligjit dhe para shtetit.

Se kur u arrit kontrata, kush e shkroi dhe kush e nënshkroi atë, nuk dihet. Por, kjo është e parëndësishme. Në të vërtetë, me rëndësi është se ky rrëfim tregon jo një ngjarje historike, por përbën themelin filozofik të pushtetit të sovranit dhe të pushtetit qendor shtetëror. Me fjalë të tjera, ky rrëfim është një mit politik që përbashkon qytetarët rreth idesë së kontratës shoqërore: rrëfen zanafillën e krijimit të shoqërisë politike dhe të autoritetit politik dhe themelon idenë që autoriteti politik duhet të kuptohet si të ishte rezultat i një kontrate mes njerëzve të lirë që e krijojnë atë.

Këtë mit politik e ka propozuar filozofi anglez Thomas Hobbes] në librin e tij: “Leviatani: Lënda, forma dhe fuqia e një shteti kishtar dhe civil”. Libri u botua për herë të parë në vitin 1651 në një periudhë trazirash qytetare në Angli. Hobbesi kërkonte arsyetim filozofik për një autoritet përfundimtar, për një sovran që mban pushtetin e plotë dhe nuk e ndan atë me askë. Sovrani, pra, ose është krejt sovran ose nuk është fare. Në përfytyrimin e Hobbesit, sovrani ishte si figura mitike biblike Leviatani, një përbindësh i stërmadh që “nuk ka fuqi mbi dhé që mund të krahasohet me të” (Bibla).

Përse Hobbesi e shihte zgjidhjen te një sovran i gjithfuqishëm që e mban tërë pushtetin dhe nuk e ndan me askë tjetër? Ai zhvilloi një filozofi të natyrës njerëzore dhe mbi të e themeloi filozofinë e tij politike të sovranitetit absolut. Për ta zbuluar natyrën njerëzore, ai na çon larg në të shkuarën kur nuk kishte mbret, në gjendjen natyrore që ishte një gjendje lufte e të gjithëve kundër të gjithëve, ku gjithkush kishte të drejtën natyrore: lirinë “të përdorë fuqinë e tij siç do ai vetë” (Leviatani, f.80). Në këtë gjendje, jeta ishte “e neveritshme, e vrazhdë dhe e shkurtër” (Leviatani, f.78-9), me një fjalë, e pajetueshme. Në këtë gjendje të pajetueshme, njerëzit lidhin një kontratë për paqe: duke heqë dorë nga e drejta natyrore (Leviatani, f.81) dhe liria për të përdorë fuqinë, njerëzit krijojnë shoqërinë qytetare, e cila më pas, krijon sovranin tek i cili janë të përqëndruara të gjitha fuqitë politike, sepse nuk mund t’u lihet njerëzve të vendosin në bazë të interesave, interpretimeve dhe pikëpamjeve të tyre, pasi ato mbarojnë në mosmarrëveshje, dhe më në fund, në kthim në gjendjen natyrore.

Disa dekada pas “Leviatanit”, në vitin 1689 një filozofi tjetër anglez, John Locke, shkroi esenë “Traktati i dytë për qeverisjen: ese mbi zanafillën e vërtetë, shtrirjen dhe qëllimim e qeverisjes civile”. Të njëjtën ide themelore të kontratës shoqërore, e gjejmë edhe te Lockeu: kalimi nga gjendja natyrore në atë shoqërore është bërë përmes lidhjes së kontratës që krijon komunitetin politik, që lidh e bashkon njerëzit në një trup politik, e pastaj, në një fazë vijuese, krijon qeverinë civile. Me t’u bërë pjesë e komunitetit politik, njeriu heq dorë nga liria dhe e drejta natyrore, pra, nga të drejtat që i gëzonte në gjendjen natyrore ose para kontratës. Njerëzit e lirë pajtohen njëzëri të formojnë shoqërinë qytetare, komunitetin, qeverinë, dhe kështu ia besojnë pushtetin një forme të qeverisjes që e shohin të përshtatshme (Traktati i dytë, f.95).

Si Hobbesi më parë, ashtu dhe Lockeu teorizuan se secili pjesëtar i komunitetit politik ka obligim ndaj parimeve dhe ligjeve në bazë të të cilave qeveriset shoqëria. Ky obligim politik i secilit qytetar është një detyrë morale ndaj bashkëqytetarëve. Dallimi në mes dy filozofëve është se ndërsa Hobbesi teorizonte se ky obligim politik i qytetarëve është absolut, domethënë pa kushte, në filozofinë e Lockeut, obligimi politik është me kusht që qeverisja civile të ruajë më mirë seç mund t’i ruanin njerëzit të drejtat e tyre natyrore në gjendjen natyrore: jetën, shëndetin, lirinë dhe pronën e qytetarëve (Traktati i dytë, f. 81).

Një qeveri themelohet nga shoqëria për të siguruar këto dhe pikërisht kjo është arsyeja e ekzistimit të shtetit (raison d’etat). Rrjedhimisht, shoqëria rezervon të drejtën për të mos iu bindur qeverisjes dhe për t’i dhënë fund asaj atëherë kur qeverisja nuk e përmbush këtë arsye të ekzistimit të saj. Qytetarët nuk kanë kurrfarë obligimi moral ndaj një qeverisjeje që dështon të mbrojë të drejtat natyrore të patjetërsueshme të qytetarëve. Në fund të fundit, vetë qytetarët, para se të ishin qytetarë, ishin bashkuar në një trup të vetëm politik për të themeluar dhe autorizuar, me anë të kontratës shoqërore, një qeverisje civile tek e cila i kishin bartur ato të drejta për t’i ruajtur më mirë ato. Kështu, Locke argumenton për të drejtën e qytetarëve për mosbindje qytetare dhe për të ngritur krye kundër një qeverisje që përdorë fuqitë e saj për të rrezikuar a shkelur të drejtat natyrore, domethënë ato të drejta që njerëzit i gëzonin në gjendjen e tyre natyrore.

“Leviatani” i Hobbesit dhe “Traktati i dytë i qeverisjes” i Lockeut vihen në gjurmë të themeleve të shoqërisë politike, “sovranit” ose “qeverisë civile”, domethënë kërkojnë shpjegim se si është kaluar nga jeta e njeriut në gjendje natyrore në gjendje qytetare ose në bashkësi politike. Pikënisja e Hobbesit dhe e Lockeut është e njëjtë, por rrugët e tyre ndahen derisa argumenti zhvillohet: ndërsa Hobbesi përligj absolutizmin, Lockeu arsyeton lirinë, pushtetin e kufizuar të sovranit, pëlqimin e të qeverisurve dhe të drejtën e rezervuar të tyre për të tërhequr pëlqimin dhe për të ngritur krye kundër pushtetit të qeverisjes civile, kurdo që mungon arsyeja e ekzistimit të qeverisjes ose shtetit.

Shpëtimin nga gjendja “e neveritshme, e vrazhdë dhe e shkurtër” natyrore, miti i kontratës shoqërore nuk e gjen jashtë shoqërisë, te një zot i përnaltë ose një hegjemon i jashtëm, por në vetë shoqërinë: në shoqërinë qytetare që krijon obligimin politik dhe legjitimon autoritetin politik, shtetin, monarkun, qeverinë, ligjin. Dhe kjo, po që ishte një ide novatore dhe e “rrezikshme” në shekullin e largët XVII, kur e drejta e sovranit për të qeverisur kuptohej si prerogativë e sovranëve të lindur, domethënë si e drejtë e posaçme e njerëzve të një gjaku të përzgjedhur nga vetë Perëndia. Përmes teorisë së kontratës shoqërore, që parashtron mitin e zanafillës së shoqërisë qytetare dhe krijimin e autoritetit politik, Hobbes dhe Locke kanë zhvilluar koncepte për t’i dhënë kuptim sovranitetit, shtetit, qeverisë. Locke konsiderohet themelues i idesë së kushtetueshmërisë, domethënë qeverisjes me parime kushtetuese në Angli, por që është pranuar si parim i teorisë liberale të qeverisjes dhe idesë së qeverisjes republikane në Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Përkundër dallimeve në mes sovranit absolut të Hobbesit dhe qeverisjes civile të Lockeut, ajo çfarë ky mit politik thotë për autoritetin politik është se themeli i shtetit është shoqëror; ky është momenti zanafillor i krijimit të autoritetit politik ose shtetit, që nënkupton se shteti nuk ka të bëjë vetëm me institucionet formale politike, si parlamenti, ministritë, gjykatat, policia, e tjera, por ai ka një dimension shoqëror në themel të tij. Gjithashtu, miti parashtron idenë që autoriteti politik duhet ta justifikojë pushtetin mbi subjektet e tij, duke qenë se ai nuk mund të merret si i mirëqenë, por i bie barra t’i përgjigjet pyetjes përse duhet t’i bindemi atij. Pra, autoriteti politik duhet ta justifikojë pushtetin dhe pretendimin e tij se qytetarët kanë obligim moral për t’iu bindur.

Kjo na shpie te problemi i obligimit politik, që ka të bëjë me pyetjen se si përfton legjitimitet një autoritet politik, a kemi obligim me iu bind atij autoriteti dhe ligjeve të tij. Nga një lexim i kujdesshëm i argumenteve të kontratës shoqërore, del se, në të vërtetë, ne si qytetarë kemi obligim politik për t’iu bindur ligjeve legjitime të shtetit, mirëpo ky obligim është ndaj bashkëqytetarëve, me të cilët kemi një kontratë për të formuar shoqërinë qytetare dhe jo ndaj shtetit, të cilin e kemi krijuar dhe e kemi veshur me pushtet. Me fjalë të tjera, obligim politik kemi ndaj atyre me të cilët e ndajmë fatin politik, sepse ne, si njerëz që jemi, jemi qenie morale, dhe në këtë kapacitet njerëzor mund të flasim për obligime morale ndaj njëri-tjetrit, por kurrsesi ndaj shtetit që nuk është entitet moral, por aparat i forcës detyruese.

Obligimi politik është në mes të qytetarëve të barabartë. Qytetaria ose shoqëria qytetare, raportet në mes njerëzve i ndërton jo mbi bazën e forcës fizike, forcës së shumicës demografike a politike, forcës ekonomike, fuqisë intelektuale, a çfarëdo force tjetër, por vetëm në bazë të dinjitetit qytetar and barazisë qytetare: secilit i njihet dinjiteti qytetar, të drejtat e barabarta për të gjithë, si për ata që kanë më shumë forcë, ashtu dhe për të tjerët që kanë më pak forcë, njësoj. Çfarëdo ideologjie që thotë, bie fjala, se vetëm pjesëtarët e grupit të gjakut a të komunitetit tonë (familjes, fshatit, qytetit, rajonit, etnisë, fesë tonë, etj.) janë të denjë për respekt dhe se obligime politike kemi vetëm ndaj grupit tonë të përkufizuar ngushtë, ndërsa me grupet tjera kemi vetëm raporte të interesave ekonomike ose detyrime nga zori, e rrënon vetë idenë e qytetarisë, domethënë të komunitetit të të barabartëve.

Mbi parimin e barazisë është krijuar shoqëria qytetare dhe vetëm ruajtja e këtij parimi është garant i shoqërisë qytetare. Qytetaria, si komunitet politik i të barabartëve, nuk shkon me idenë e mbizotërimit të shumicës. Shumica nuk ka autoritet të shfuqizojë të drejtat qytetare, të kufizojë lirinë, ose t’i konsiderojë pjesëtarët e pakicës si qytetarë të rendit të dytë, domethënë si “më pak” qytetarë se pjesëtarët e shumicës. Në të vërtetë, shumica mund ta bëjë këtë, por vetëm duke rrënuar qytetarinë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.