Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Në vigjilje të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit

Një debat i nxehtë për shqipen standarde po zhvillohet nësa afrohet 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit. Nisi me një reagim të Emil Lafes lidhur me një koment të Primo Shllakut te ‘Arnautistani’ i Mustafa Nanos mbi letërsinë e Gjergj Fishtës. “Në vitin 1972, Fishtën e vrau gjuha letrare” ka thënë Shllaku në atë studio, me kuptimin se njëjtësimi i shqipes standarde me koinenë letrare jugore ishte grushti vrastar i radhës kundër letërsisë së Fishtës, me çka shqiptoi sentencën që ngjalli reagimin e Lafes. (Interesante që intervista vetë, rezulton e realizuar qysh vjet.)

Në reagimin e Lafes, bie fill në sy ndërkëmbimi i nocionit “gjuhë standarde” me “gjuhë letrare”, i papërligjshëm ky sa kohë letërsia, që shërbehet me të dytën, për vete mbetet art, lojë e eksplorim, pa farë detyrimi me u kornizu nga kushtëzimet e ndonjë gjuhe të standardizuar. Një pjesë e madhe e letërsisë vërtet shkruhet në varietetin standard, por kulmorja gjithmonë e tejkalon, e kjo mbasi letërsia fjalon, jo “me begatu” standardin, por me latu artin vetjak. Fakti se elemente gjuhësore të letërsisë së tillë mund të pëlqehen, të përhapen e madje t’i kalojnë shqipes standarde, është tjetërsend krejt. Dallimi, madje, mes gjuhës letrare dhe asaj standarde u mësohet sot nxënësve që në shkollën e mesme. Kuptohet, kjo pasaktësi e Lafes nuk i ik as letrarit Shllaku në kundërgjegjen që i kthen.

Lafe më tej pohon se ishte relievi dialektor i jugut, më pak i përthyer në krahasim me të veriut, ai që e bëri gjuhën e shkruar e autorëve jugorë me arritë njëfarë forme më të njëtrajtshme krahasu me gjuhën e autorëve veriorë, e prandaj më të parapëlqyeshme si bazë për gjuhën standarde. Ky mëtim, asgjëmangut, shpërfill rrjedhën e zhvillimeve. 

Qysh më 1685, në parathënien e botimit të “Çetës së Profetëve”, Pjetër Bogdani shkruante se vetë duke qenë prej Hasit të Prizrenit, shumë fjalë i është dashë me djersë të mëdha me i ndreqë në dhé të Shkodrës. Pohimi shpalos dy të vërteta: autori është krejt i vetëdijshëm që gjuha e tekstit duhet të ketë karakter mbidialektor – thjesht tejshkrimi i nëndialektit të zonës nuk mjafton. E dyta: autori e ka të qartë adresën e qendrës kulturore, detyrimisht të konsoliduar mirë për kohën, të cilës i duhet drejtu për “ndreqjen e fjalëve”. Megjithëse Bogdani jetoi e shërbeu në Prizren, Shkup e Prishtinë, për qendër nuk shquan asnjërën kësosh. 

Shqipen nuk e shkruante sipas modeleve nënkrahinore as Shtjefën Gjeçovi, françeskani prej Janjeve, por i përmbahej, madje rigorozisht, varietetit të lëvruar në Shkodër. Ajo që në letrat albanologjike u quajt “shkodranishte letrare” dallonte dukshëm prej shkodrançes vernakulare, shi prej faktit se lëvrohej nga një plejadë e gjerë autorësh të mbledhur rreth kësaj vatre prej visesh të ndryshme veriore. Koineja del bukur e konsoliduar, për arsyen se shërbente si gjuhë e institucionit kishtar, “selia” shqiptare e të cilit ishte Shkodra. Pikërisht prandaj Eqrem Çabej vëren: “Kush këndon tekstet gege të vjetra [ ] vë re në to se këtu është arritur një gjuhë deri diku e përbashkët… këtu na del para një lloj koineje në shkrim”.

Gjuhëtari tjetër, Selman Riza, shton: “Pjerrja e gjuhëtarëvet dhe shkrimtarëvet Shkodranë drejt shpërshkodranizmit dhe panshqiptarizimit të tyne shpjegohet … prej bindjes se letrarishten e njâjtë për krejt Shqipninë do ta bajë të mundëshme vetëm një gegënishte fort e afëruene prej toskënishtes dhe prej rrethanës se shkodrançja qindpërqindshe ka ndodhë fort larg prej kësaj… Kjo evolutë e shkrimtarëvet Shkodranë implikon që këta për hir, pa dyshim t’interesit kombtar, por edhe t’interesit vetiak, kanë heqë dorë një herë e mirë prej partikularizmës regjionale, shenjimisht prej pretezës që tejshkrimi i shkodrançes të përbajë letrarishten e Gegnisë. Kjo evolutë implikon gjithashtu se letrarët shkodranë pranojnë me bashkëpunue në sendërgjimin e shkallëshkallshëm të letrarishtes së Shqipnisë tue u kënaqë me i sigurue dialektit të tyne vetëm pjesëmarrjen e meritueshëme”.

*

Dhe kjo “pjesëmarrje e meritueshme” u zyrtarizu me Komisinë Letrare të Shqipes. Veproi për dy vjet, 1916-1918, dhe modeli që ia paraqiti nevojave të shoqërisë shqiptare ishte gegnishtja e Elbasanit. Kongresi Arsimor i Lushnjës, mbajtë në vitin 1920, miratoi në nivel vendi gjuhën e bazuar te gegnishtja e Elbasanit, mbas të cilës do të shkruheshin librat shkollorë. Qeveria në Tiranë më 1923 autorizoi zyrat kompetente që në shkrim të akteve zyrtare gjithmonë të përdorte dialektin e Elbasanit, të pranuar si varietet të përbashkët e zyrtar për shtetin. Shkurt, projekti fillimisht gëzoi miratimin intelektual, të pasuar prej atij atdhetar dhe mandej edhe qeveritar.

Në fillim të viteve 1940, kur Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, dërgoi rreth 250 mësues të dalë nga Normalja e Elbasanit me hapë shkolla shqipe ndër vise të Kosovës e të Maqedonisë, ky varietet njohu shtrirje kombëtare. Projektet ortografike për kodifikimin e mëtejmë të tij vazhduan në Prishtinë deri më 1964. 

*

Qendrorja në argumentin e Lafes mbi standardizimin mbetet mëtesa se madje edhe në Shqipërinë parakomuniste, kur u morën vendimet e mësipërme për gjuhën zyrtare me bazë gegnishte, toskët ishin larg më të shkolluar sesa gegët. Lafe madje sjell një pasqyrë statistikore të vitit 1927 me nivelet arsimore përkatëse sipas rretheve të vendit. Nuk jep ndonjë argument se pse gjatë të njëjtës periudhë, instancat intelektuale, e mandej ato atdhetare e qeveritare, favorizuan varietetin me bazë gege. Për të, pasqyra statistikore dëshmon se “shumica dërrmuese e atyre që zbatuan dekretin kryeministror të vitit 1923, me të cilin dialekti i Elbasanit caktohej si dialekt zyrtar i shtetit… kanë qenë përsëri nga prefekturat e Jugut”. 

Zhvendosja e bazës dialektore me ardhjen e komunistëve në pushtet nuk kishte të bënte fare me ndryshimin e beftë të kursit prej elitave të rishtformuara, sipas Lafes, por me një evolutë krejt të natyrshme të një gjuhe që po lëvrohej kryekreje prej toskëve të shkolluar.

Lafe nuk përmend fakte të tilla si vendimet e Ministrit të Shtypit, Sejfulla Malëshova, qysh më 1945, që shtypi tashmë i centralizuar të dilte veç në toskërisht, as vendimet e të njëjtit, si Ministër Kulture dy vjet më vonë, që edhe në veri të vendit të qarkulloheshin vetëm tekstet mësimore në toskërisht. Nuk përmend as se projekti i dytë ortografik i shqipes, i hartuar në Tiranën e shtetit komunist më 1948, po ashtu merrte gegnishten për bazë e se ky ndërroi përnjëherë më 1951, duke mbetë përmbajtësisht i njëjti, por tashmë i paraqitur me shkrojtësinë toske si bazë.       

Në shkëmbimin e mësipërm të Lafes me Shllakun, përfshihet profesoresha e dikurshme e të dytit, Klara Kodra. Sipas saj, “[g]juha e përdorur në vitet 30-të kishte në bazë të vetë gegërishten dhe [ ] shkrimtarët toskë nuk u ngritën atëherë në protestë”. Mëtimi, kuptohet, lyp hetim nëse kërkon miratim. Ndërkohë, ndëhyrja lexohet si qortim i tërthortë jo veç ndaj ish-studentit kundërshtues të standardit aktual, po ndaj kundërshtimit vetë. 

Kodra pranon që “(ë)shtë e vërtetë se nuk u arrit një shkrirje e dy dialekteve bazë dhe se gjuha standarde e sotme ka në bazë të vet toskërishten”, me gjithë pohimin e mëhershëm, “(l)e të më falë Primo Shllaku, ish studenti im i nderuar dhe i dashur, po unë nuk e kuptoj dot se në ç’mënyrë gjuha e njësuar letrare e 1972-ës ka mundur ta rivrasë Fishtën tonë dhe këtu solidarizohem me prof. E. Lafen”. Mirëpo, “nuk u arrit shkrirje e dialekteve” mund të kuptohet veç si e kundërta e njësimit

Të njëjtën shkarje bën studiuesi i gjuhësisë, Lafe, që përplasjen logjike e jep brenda fjalisë: “Dhe kur në procesin e formimit të një gjuhe letrare të njësuar përzgjidhet një bazë dialektore e caktuar…”; e kështu ndonëse përzgjedhja e një baze dialektore jep gjuhë standarde, jo “letrare” a “të njësuar”. 

Me gjasë, një pjesë e arsyes së kësaj do lypë te ngurtësimi i togfjalëshit “gjuhë e njësuar” në formulë, deri aty sa përdoruesit t’ia shpërfillin semantikën vetë cilësorit. Cilësimin, ç’është e vërteta, nuk e hasim në letrat e kohës që i prijnë Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972, megjithëse varieteti, një toskërishte e përgjithshme e normuar, pavarësisht prej rikëqyrjeve drejtshkrimore që pa, mbeti po ai në thelb. 

*

Polemikën e vazhdon Mehmet Elezi, me përqendrimin tashmë larg Fishtës dhe veç mbi historikun e standardizimit parakomunist, në një trajtesë të elaboruar mbi varietetin zyrtar para ardhjes së komunizmit. Nuk ndërmend projektin ortografik me bazë gege të vitit 1948 në Tiranë. Është, megjithatë, i vetmi që thërret për hapjen e standardit. I vetmi po ashtu që shqipen e këqyr edhe përkundruall realiteteve globaliste. 

Elezi përmend dy albanologët këshillues prej Austro-Hungarisë, Maximilian Lambertz dhe Rajko Nahtigal që merrnin pjesë në takimet e Komisisë së Shqipes në Shkodër dhe shton se “[p]ër shkak të rrethanave politike të kohës, nuk merrnin dot pjesë përfaqësues nga Kosova”. Megjithatë, gjuhëtari Tomor Osmani, në monografinë për Komisinë Letrare radhit ndër anëtarët Anton Ndue Palucën nga Gjakova. Sot del e qartë, sido me qenë, se as ky varietet i parë zyrtar me bazë gege, që u nis me Komisinë Letrare në Shkodër, as i dyti, me bazë toske, i nisur më 1951 në Tiranë, nuk synonin shtrirje përtej kufijve administrativë të shtetit shqiptar. Të dy u hartuan që të zbatoheshin vetëm brenda territorit të administruar. 

*

Trajtesës së Elezit i kundërvihet Sadik Bejko, ndonëse shumë më fort me goditje ad hominem sesa me trajtim çështjesh. Për Bejkon, komunistët nuk do ta pranonin “[s]tandardin e një mbretërie, të një Komisie që ata nuk e njihnin”, e kjo me gjithë faktin se Komisia Letrare i parapriu mbretërisë shqiptare për krejt një dekadë. Nga ana tjetër, po sipas tij, varietetin standard të gjuhëve “e kanë vendosur mbretërit … [e] kanë bërë dhe dhunshëm si autokratë që ishin”. Ai shton, “[k]omunistët shpallnin se ishin Bota e re, Njeriu i ri, Mendimi i ri, Koha e re… Historia fillonte kur ata kishin ardhur në pushtet. Në logjikën e tyre [ ] gjuha letrare duhet të ishte e re. Një standard i ri”. Krijimi i një varieteti standard për Bejkon nënkupton “të marrësh një të folme lokale të një vendi dhe ta ngresh atë në nivelin e normës gjuhësore kombëtare”, por Enver Hoxha, i cili “mund të urdhëronte që standardi i shqipes të vendosej me një dekret” tok me komunistët e tij “u kujdesën që këtij standardi t’i jepnin statusin mbarëkombëtar”, e megjithëse “e kishin të përjashtuar me ligj mendimin ndryshe” si komunistë që ishin, standardi i tyre “rezultoi një gjetje e qëlluar”.

E vërteta e “gjetjes” rezultuese ishte se i ra mohit jo veç tri dekadave të orientimeve standardizuese paraprake, por krejt traditës shekullore të lëvrimit të gegnishtes. Kështu, tekste të rëndësishme në shqip që drejtpërdrejt e nëpërmjet ndërtekstorësisë kishin me ndiku në formësimin e vetë indit kombëtar, mbetën pa u njohë. Tekstet e reja të shqipes nuk komunikuan me to. Njeriu i Ri nuk mësoi as kush ishte. Kur Tirana kodifikoi toskërishten për herë të parë më 1951, shkëputi edhe njësimin gjuhësor me shqiptarët nën Jugosllavinë e atëhershme, që qe arritë gjatë LDB-së. Varieteti i ri zyrtar, i bazuar mbi toskërishten, zyrtarizoi të ndryshmen mes dy palëve. 

Interesante që nga të përfshirët në debat, përveç Elezit, të tjerët nuk denjuan m’e shqyrtu kund as idenë për hapjen e normës, bile as në dritën e krejt zhvillimeve të kësaj periudhe paskomuniste. Debatet vërtiten ende te pakënaqësitë e një ane që kundërpeshohen me frikat e palës tjetër. Këto mandej marrin format përkatëse kundërvënëse – të Lafes me “jemi më të shkolluar, prandaj”, të Kodrës me “nuk qaheshim, mos u qani”, dhe të Bejkos me “standardi është dhunë, durojeni”. 

Kam frikë se në rrëgjimin e kahmostë të standardit që po e jetojmë si brezni, një rol të madh po luajnë, përherë e më shumë, jo veç ankesat e sulmet, por edhe mbrojtjet e tij që botën e ndajnë në “ne” dhe “ju”. 

Në daçim me tejtu përbashkimin rreth një vlere të vetme gjuhësore kombëtare, është koha me kuptu se:

  1. Gegnishtja nuk ka rrugëtu nëpër shekuj duke kapë maja kulmore të krijimtarisë e të përkthimit, e duke nxjerrë një plejadë – që po i vazhdon – për me sosë përnjëherë në një dialekt, kontributi i të cilit në standardizimin e shqipes me mbetë krejt i shpërfillshëm. Ajo madje njohu status varieteti zyrtar në mbarë hapësirën shqiptare dhe gëzoi gjithsej pesë projekte normimi ortografik, në Shkodër, Tiranë e Prishtinë.
  2. Në standardizimet e gjuhëve, dy zgjidhje logjike ofrohen. E para është me ngritë në normë një varietet krahinor, çka vetvetiu nënrendit çdo tjetër. E dyta është me i përbashku varietetet në një sistem mbidialektor. Bota ka modele nga të dyja. Shqipes nuk po i bën punë e para. E njohu dy herë. 
  3. Në kushtet e jetës demokratike, nuk po vepron më as aparatura totalitare në Shqipëri që gjuhën zyrtare e tjetërsoi për ta prodhu e përligjë veç vetveten, as sistemi shovinist mbi Kosovën që tjetërsimin ia përdorte me thellu ndarjen. Rrethanat e reja thërrasin për qasjen e dytë ndaj standardizimit, të vetmen të arsyeshme. 
  4. E vetmja mënyrë me i siguru jetëgjatësi standardit, dëshirës së brezave me shkru e me mendu shqip, është me ua shtu pronësinë mbi varietetin standard, i cili për vete të jetë një sistem-çelës për t’i zbërthy e vjelë lehtë vlerat edhe të traditave, sa kohë mbeten të kombit, jo “të krahinave”. Nëse shkolla nuk mbrun brezni që të ushqehen këso traditash e kështu t’i mbajnë gjallë edhe rrënjët e shqiptarsisë, duke u shërby për vete me një standard që t’i pajtojë, të kota krejt thirrjet për t’ia njohë e zbatu kanunet ortografisë së 1972-tës. I pashmangshëm, madje i përshpejtuar, asimilimi i breznive në “qytetarë bote”, e kështu edhe në truallin e vet.
  5. Paskajorja është po aq thirrje politike sa ç’është gjuhësore. Ardhja e saj në standard pohon qëndrimin politik të kulturës shqiptare që vetes po ia farkon një jetëgjatësi të shëndetshme e të përbashkuar në një të vetme. 

Gjuhëtarët akademikë që do të mblidhen me kujtu 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit le t’i kenë parasysh këto. Bagazhi është i historisë, problemi i përtashësisë e zgjidhja e ardhmërisë. Nga dy zgjidhjet logjike që ofrohen për ta njësu shqipen, e para po, është dhunë, e dyta e vetmja që përmban Dashninë. Le të jetë ky vektori në orientimet e planifikimit gjuhësor tash e tutje. Në përkujtimin e Kongresit të Drejtshkrimit, kolegët gjuhëtarë ardhshin me studime rreth tij. 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.