Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Një ndodhi në Shkrumadi

Ora pesë e pesëmbëdhjetë minuta, e gjashtë sekonda. Saktësisht pesë ditë ma vonë pasi e nxora nga shtypshkronja Drita librin ma të ri timin të titulluem Errësina, në një mesditë të kandshme kur sapo e kisha marr për ta lexue nji novelë të Boris Vianit, dikush trokiti në derë. Dal, s’shoh njeri. E marr nji zarf lanë përtokë. E lexoj:

<<Ftesë (shkruen)

<ftes?> </ftes?>Me rastin e martesës së katërt të djalit të dajës së çikës së hallës së tretë (numëruar prapthi), ftoheni ju me familje të gjerë e të gjatë, me një bakllavë si dhuratë ( s’prish punë nëse edhe 100 euro i rras mes petësh).

Prania juaj, na nderon...>>

Gaboj  e ju tregojë atyne të shpisë për ftesën e papritur, e si përfundim, dy javë më vonë në restorantin me shtatë a tetë yje (pesë a gjashtë prej tyre të rremë, kuptohet), qëndroj i ulun në një karrige të drunjtë, që cijatjet sa herë zgjatem dhe e marr një gotë ujë. Mejtohem e them me vete: Ja edhe nji tablo e  zakonshme e pasluftës.

Zhurma (që e quanin muzikë), më shpëton prej bisedave monotonisht të mërzitshme, e kështu vetëm rri e vëzhgoj. (E siç e dinë disa, s’jam edhe një vëzhgues i keq. Shoh: Bejtullahja e Shemshirit, merr hyxhym me dal para grave n’renë t’valles, po shih për sherr, dimijat me ojna i ngecin nër nji kambë t’karriges e rrëzohet gjanë e gat. Dreqi e marrtë! (them me veti), kush nuk ngritet me i dhanë ndihmë prej grave. Mos t’qillojke Azem Nafakli Vejani, me ja dhanë ndihmen e parë krejt i pa vërejtun në nji cep t’restorantit, ajo pat me u bashkue me të lumtunit nër vorre. Sido qoftë, gjashtëdhjetë e pesë gra, tri vajza, e dy plaka, s’mujten me i rezistue muzikës greko-alla-turko-shqipo-turbo-tallava, e për rrjedhojë u hodhën flakë në valle. Si pasojë e këtij vrulli, u shkelen 36 kamerierë e 33 shërbëtore të reja të pa njoftuara me rregullat e trafikut t’vallëzimit. Me gjasë, në një deklaratë të ma vonshme policore, këto shifra u ngatërruan me viktimat e aksidenteve në trafik për këtë vit, e si rezultat, shifrat dolën tejet të fryme!.

Ahengu vazhdoi me nji sulm prej Salës së Salihut që brofi n’kambë shoqnue prej shtatë rejave, tri vajzave dhe dy mbesave, (e cila për inati të Shehribanit të Sheremetit, që i kish mar gjashtë rejat e 4 çikat, plus dy mesat e saj), e e muer vallen në duert e veta. Burrat si burra, banin tym me cigare, e i lëshonin sytë me kullotë livadheve të bardha, me përjashtim të djalit të Hasanit të Tahsinit t’Qazimit, që u çu e e kapi çikën e Ruzhdisë së Ahmetit përdore, e shkuen rrotullim në nji valle t’pa pame që të gjithë i la me gojë hapun, ndërsa nanën e çikës me nji sulm fatal në miokard, sa vdiq pa e hetue kërkush.

Dasma nuk u prish, përkundrazi vallja mori tatëpjetën e gëzimit sa krejt mahalla e qytetit Shkrumadi, u ngrit në kambë me e u njoftue me tan atë poterë e hallakamë. Dasmaxhinjtë gjaknxehtë, duelen n’hajat t’restorantit me shtatë a tetë yje (pesë a gjashtë pej tyre të rremë, siç e theksuam ma nalt), për me i grishë edhe bijat e tjera t’mahalles (edhe pse, nuk ishin ftue), të cilat iu bashkuen valles pa hezitim.

Vajza e Ferkisë, që sa kish mbërri prej Amerike, sall tri ditë para hallakamës, me i fund fustani kufijtë e të cilit me hartë s’kishe mujt me ja gjet, mori hov sherri i symsheljeçeljes nga ana e njanit prej kamarierëve të shpëtuem prej aksidenteve, ndryshe nji tip me trup divi, e ish rras n’mjedis valles kapur me të dorë, përdore. Qytetit të lashtë Shkrumadi sa nuk i doli flaka prej gëzimit.

Çudia ma e madhe qe që,  askush, ama bash askush nuk e mori vesh që nusja me gjithë dhandër, përndryshe Gjevahiri dhe Xhevahirja, nuk qenë të pranishëm në tan këtë vaki. Të lumturuemit e kishin “gabuar” restorantin me një dhomë hoteli disa kilometra më larg dhe s’kish gjasë me e gjetë udhën edhe për tri katër orë të tjera.

Pikërisht kur mahalla kish dalë në shesh të qytetit të lartpërmendun, unë i tërhoqa zvarrë të afërmit e mi dhe u ktheva në shtëpi. I dehun prej atmosferës, ndonëse ora tregonte se kish kalue mesnata, me padurim, mora lapsin dhe shkarravita disa faqe për ta përkujtue vakinë, deri tri ditë para kiametit. Kur e përfundova, thash i bindun se Shkrumadia, qyteti jem dhe i të parëve të mi ilirodardanë, nuk ka me e harrue përjetë këtë datë, datën e lumturimit të Xhevahires dhe Gjevahirit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.