Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili pritet të jetë i nominuari nga Partia Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ka rikthyer rishtazi retorikën e tij të ashpër ndaj NATO-s. Në një fjalim zgjedhor të mbajtur në Karolinën e Jugut, ai nënvizoi se anëtarët e Aleancës duhet të jenë të vetëdijshëm se nëse nuk investojnë mjaftueshëm në mbrojtje, Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje t’i mbrojnë në rast të sulmit nga Rusia.
Edhe pse një deklaratë e tillë tingëllon shokuese për liderët e vendeve anëtare të NATO-s, kjo nuk është hera e parë që Trump përdor një diskurs të tillë, duke akuzuar dhe kërcënuar vendet anëtare dhe vetë qëndrueshmërinë e organizatës. Përgjatë mandatit të tij të parë presidencial, ai ishte vazhdimisht kritik ndaj shteteve anëtare që nuk e përmbushin pragun minimal prej 2% të shpenzimeve në mbrojtje. Në një rast ai madje kërcënoi se ShBA-ja mund të tërhiqej krejtësisht nga NATO-ja.
Trump nuk është presidenti i parë amerikan që ka ushtruar presion mbi shtetet aleate për të rritur shpenzimet dhe për të kontribuar më shumë në misionet e NATO-s. Në fakt, çështja e ndarjes së drejtë të barrës ndërmjet ShBA-së dhe shteteve europiane është po aq e vjetër sa vetë Aleanca.
Gjatë Luftës së Ftohtë, ShBA-ja kishte rreth 300 mijë trupa të vendosur në Europë dhe kontribuonte me 50% të shpenzimeve totale të mbrojtjes për aleatët. Në atë kohë, administratat e njëpasnjëshme amerikane shprehën zhgënjimin e tyre ndaj Gjermanisë Perëndimore, duke e konsideruar se kontribuonte minimalisht në mbrojtjen e Europës kundër kërcënimit sovjetik.
Në vitet ‘50, në një telegram sekret të lëshuar nga Departamenti i Shtetit për aleatët europianë, paralajmërohej se i gjithë programi i mbrojtjes i NATO-s mund të kolapsonte. Për të nxitur më shumë investime, Departamenti i Shtetit vuri në dukje se ShBA-ja po shpenzonte katërfish shumë në raport me të gjithë anëtarët e Aleancës së bashku.
Vite më vonë, në një letër dërguar NATO-s, ish-presidenti John Kennedy theksoi se për shkak se kishte resurse më të mëdha, ShBA-ja ishte e përgatitur të merrte përsipër pjesën më të madhe të barrës. Por, vendet e Europës Perëndimore duhet të kontribuonin një pjesë të barabartë të resurseve për detyrat e mbrojtjes së përbashkët. Përndryshe, sipas tij, “përpjekja jonë do të dështonte me siguri.”
Trendi i shtimit të presionit për rritjen e shpenzimeve vazhdoi edhe pas Luftës së Ftohtë, ku pjesa e ShBA-së në shpenzimet totale të NATO-s u rrit deri në 68%. Për të përafruar hendekun në rritje në investime, përgjatë viteve u vendosën objektiva të ndryshme për shpenzimet e mbrojtjes, të cilat kalkuloheshin në raport me produktin e brendshëm bruto të vendeve anëtare. Në këtë kontekst, si rezultat i zhvillimeve gjeopolitike dhe perceptimit të kërcënimit rus, në vitin 1997 ky prag u vendos të ishte 3%, por në vitin 2006 u ul në 2%. Megjithatë, jo të gjitha shtetet anëtare të NATO-s e respektuan këtë kusht. Kështu, në Samitin e NATO-s në Bukuresht, më 2008, ish-presidenti George W. Bush inkurajoi partnerët europianë të rrisin investimet e tyre në mbrojtje, me besimin se kjo do t’i bënte ata më të fortë dhe më të aftë në operacionet e përbashkëta.
Mirëpo, viti 2014 solli transformime të reja në mjedisin e sigurisë ndërkombëtare, duke detyruar NATO-n të përshtatet me rrethanat e reja. Aneksimi i Krimesë nga Rusia ndikoi në ndryshimin e diskursit politik të presidentëve amerikanë dhe rritjen e presionit për vendet anëtare për ngritjen e buxheteve të tyre të sigurisë. Kështu, ish-presidenti Barack Obama, duke folur në një panair tregtar në Hanover të Gjermanisë në vitin 2016, ishte shprehur i brengosur se Europa është e vetëkënaqur me kapacitetet mbrojtëse që posedon. Ai përsëriti thirrjen për anëtarët e NATO-s që të paguajnë pjesën e tyre për të financuar Aleancën.
Pra, evidenca historike dëshmon se Donald Trump nuk është presidenti i parë amerikan që ka kërkuar nga vendet europiane anëtare të Aleancës të marrin përsipër pjesën e tyre të barrës për funksionimin e organizatës. Gjatë Luftës së Ftohtë dhe deri në vitin 2014, presioni ndaj vendeve aleate u bë kryesisht përmes kanaleve zyrtare diplomatike, apo duke shfrytëzuar takime multilaterale ku trajtoheshin çështje të sigurisë. Ky presion zakonisht kishte karakter inkurajues dhe sugjerues, por jo kërcënues. Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, kjo qasje filloi të ndryshonte.
Mirëpo, për dalim nga presidentët e tjerë, Trump përdor spektaklin publik si stil të komunikimit politik. Përveç presionit për rritjen e shpenzimeve, ai kërcënoi aleatët me tërheqjen e plotë të ShBA-së nga NATO-ja, ose me kushtëzimin e aktivizimit të nenit 5 të traktatit themelues të NATO-s – që parasheh mbrojtjen e çdo anëtari në rast sulmi – vetëm për ato vende që përmbushin pragun prej 2%.
Një qasje e tillë transaksionale dhe kërcënuese është e dëmshme për Aleancën. Pikërisht këtu qëndron edhe dallimi kryesor që Donald Trump e ka me presidentët e tjerë amerikanë sa u përket raporteve me NATO-n. Trump është i vetmi president amerikan i cili ka deklaruar se nuk do ta respektonte traktatin e NATO-s dhe se do ta tërhiqte ShBA-në nga Aleanca.
Veprimet e tij vënë në dyshim vlerat themelore të NATO-s, të mbështetura në parimet e mbrojtjes kolektive, dhe lëkundin obligimet strategjike të Aleancës ndaj aleatëve europianë. Kjo qasje cenon karakterin unifikues të NATO-s, por shkon edhe kundër interesave të vetë ShBA-së për të projektuar fuqi në një botë gjithnjë e më të pasigurt. Mbi të gjitha, kjo qasje vë në pikëpyetje partneritetin me aleatë strategjikë dhe nxjerr në pah një pikëpyetje të madhe: nëse vendet aleate mund ta llogarisin ShBA-në si aleat.