Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Për çfarë flasim, kur flasim për normalizimin?

Me këtë kolumnë do t’i përgjigjem shkrimit të Milicës.

Kanë kaluar rreth dy muaj, jo më shumë. Në malet e Alpbach të Austrisë, në konferencën e thirrur nga Presidenti austriak, një moment hyri në ‘histori’.

Presidenti kosovar Thaçi deklaroi se ai dhe homologu serb Vuçiç nuk janë ‘djelmosha problematikë’.

Madje kosovari bëri me dije se synim të përbashkët kishin një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, në përmbyllje të takimit dyditor gjatë të cilit përpos batutave, dy liderët tentuan të shfaqin konsiderata ndaj njëri-tjetrit.

Një moment pozitiv padyshim. Sidomos për të gjithë ata që nuk janë në dijeni të plotë të rrethanave dhe problemeve ndërmjet dy shteteve, të cilat ende formalisht nuk e njohin njëri- tjetrin.

Shikuar në televizion dhe bazuar në spirtiuozitetin e proklamuar, sikur krijohej përshtypja se Vuçiç dhe Thaçi ishin aq afër arritjes së një akordi ‘historik’.

Në skenarin më të mirë të dëshiruar u pa në sipërfaqe një përmbyllje tjetër e një mosmarrëveshjeje historike sikurse ishte ajo e Prespës ndërmjet kryeministrave të Greqisë Aleksis Tsipras e atij të Maqedonisë Zoran Zaev.

Pse jo edhe të formalizohej akordi nëpërmjet buzëqeshjeve. Edhe atë në ambient piktoresk, në një liqen të bukur. Gjithnjë nën shoqërinë e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Por kjo rezultoi të jetë vetëm një fotografi. Një përshtypje e rremë do të thosha.

Arsyeja ndoshta pse ky moment i Presidentëve në Austri nxiti aq shumë debat pikërisht për faktin e ditur, sidomos për ne që jetojmë në Kosovë e Serbi, se marrëdhëniet e Thaçit dhe Vuçiç ende nuk janë pjekur deri në atë pikë sa të konsiderohen joproblematike për vetë procesin e normalizimin si dhe për qytetarët e shteteve të tyre e të njëri-tjetrit në përgjithësi.

Kjo u faktua me zhvillimet e mëpasme.

Pa kaluar ende shumë kohë, në piedestalin e negociatave, në Bruksel, takimi i radhës në mes Vuçiç dhe Thaçit nuk u mbajt fare.

Problemi doli të jetë vizita e Vuçiçit te Ujmani, e cila megjithatë u realizua me pompozitetin mediatik që fokusoi qartësisht edhe iluminimin që Vuçiç ia bëri Slobodan Millosheviqit, kasapit të Ballkanit dhe ekzekutuesit të idesë së kahmotshme të spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës.

Dështoi edhe takimi pasardhës i paralajmëruar në NY në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Këtu palët pritej të paraqisnin edhe progresin e bërë për arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme.

Të flisnin për hapat e ndërmarrë në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, para institucionit që Kosova e dëshiron me ngulm dhe që Serbia e (keq)përdor për ta izoluar rrugëtimin e Kosovës shtet të pavarur, pavarësisht që më shumë se gjysma e anëtarëve të OKB-së e njohin sovranitetin e Kosovës dhe e konsiderojnë të denjë këtë shtet të ri për të qenë përkrah tyre.

E fillova shkrimin tim pikërisht me këtë moment, të cilin e kishte përfshirë edhe Milica në artikullin e saj.

Pasi kjo fotografi e vuri në pah absurditetin që e shoqëron këtë proces, të quajtur normalizim. Kjo moskonsistencë dhe papjekuri e liderëve që u dëshmua në më pak se dy muaj nga forumi i Alpbach, si një shembull perfekt për përshkrimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në 7 vite dialog, mund të rikapitullojë edhe marrëdhënien fragjile ndëmjet Prishtinës dhe Beogradit. Për më tepër, mund të jetë reflektim edhe i vetë marrëveshjes, palët e të cilave mund ta arrijnë eventualisht.

Një marrëveshje ‘historike’ ku liderët thurin lavde për njëri-tjetrin dhe duartrokiten nga të tjerë. Besoj, të gjithë i kujtojmë skenat e lavdërimeve që pasuan marrëveshjen e parë të 2013, por që në realitet arrinë të ndryshojë fare pak.

Është shkruajtur shumë për vizitën e Vuçiç në liqenin e Ujmanit dhe fjalimin e tij ‘wanna be’ historik. Një momentum që nuk ndryshoi asgjë, veçse e shpërfaqi atë si një lider hibrid, të cilit i vlon në gjak e kaluara e tij politike famëkeqe e fatkeqe.

U qartësua se petku i një politikani ‘modern’ është ende shumë i madh për t’i ndejtur tamam. Por ky fjalim, nuk mund të kalohet pa e përmendur elementin kryesor sipas vështrimit tim.

Viktimizimin.

Kjo sindromë, më mirë ta them filozofi politike, po e ndjek lidershipin e tij gjatë gjithë kohës, ndonëse Vuçiç shihej(t) si shpresa e paqes në mes Kosovës dhe Serbisë nga shumë faktorë perëndimorë.

Në optikën e tyre ai portretizohej(t) si reformatori i madh, të cilin Evropa e kërkoi te presidenti Boris Tadiq, por që e kishte gjetur tek postradikali i kthyer në një progresist.

Çfarë bëri dhe çfarë po bën ai?

Me taktikë populliste ai po viktimizohet në vazhdimësi.

Si para shqiptarëve e serbëve, sidomos atyre të Kosovës, ashtu edhe para faktorit ndërkombëtar.

Duket se këtë fenomen e ka nxjerrë nga historia, si një filozofi që vështirë të hiqet nga politikëbërja e shtetit të Serbisë, filozofi të cilën ne e dimë shumë mirë se çfarë solli nga viti 1989.

Kjo filozofi prodhoi luftëra e gjakderdhje në tërë ish Jugosllavinë. Me qindra mijëra njerëz të vrarë, qindra mijëra të dhunuar, miliona njerëz të zhvendosur, mijëra ende të zhdukur, pa përmendur fare dëmet materiale.

19 vjet pas luftës së Kosovës, dhe 7 vjet pas nisjes së dialogut në Bruksel, Ujmani u bë liqeni i lajmeve.

Ndoshta Milica në kolumnen e saj të radhës mund të flasë mbi mënyrën sesi ajo e ka parë vizitën e Presidentit Thaçi në Ujman dhe lundrimin e tij me skaf.

Mbase edhe përgjigja e saj do të qartësonte nëse ajo e mirëpriti presidentin e shtetit të saj, i cili kohëve të fundit po flet për një korrigjim kufijsh në raportin Veriu i Kosovës që përfshin edhe Ujmanin dhe Luginën e Preshevës.

Para disa javësh Milica bëri një përshkrim të këtyre skenarëve, të cilat janë duke u shpalosur nëpër media, në diskutime të analistëve/intelektualëve dhe të vetë politikanëve të Kosovës dhe të Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar rreth zgjidhjes përfundimtare.

Milica në shkrimin e saj ndërsa elaboron skenarët e shumtë aktualë për një marrëveshje Kosovë-Serbi, argumenton se Serbia nuk do të dëshironte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë pasi ajo do të kishte qenë e shqetësuar për statusin e serbëve të Kosovës.

Unë nga ana tjetër, vlerësoj se Serbia nuk e ka shqetësimin e qytetarëve serbë të Kosovës.

Problemi i Serbisë qëndron te influenca rajonale, te lidershipi rajonal, tek ajo se kush është lideri i rajonit dhe më kë duhet të bisedojë bota për të zgjidhur çështjet e rajonit.

Kjo sepse sipas vlerësimit tim, nëse Serbia vërtet do të mendonte për interesat e serbëve të Kosovës, atëherë ajo pra Serbia do të angazhohej në përmirësimin e pozitës së tyre dhe jo në marrjen peng të bashkëkombasve të saj.

Të mendosh që Serbia do të lobojë për Kosovën anëtare të OKB-së për të mbrojtur të drejtat e komunitetit serb të Kosovës, siç argumenton Milica në shkrim, është të besosh vërtet se lidershipi i Serbisë është duke menduar për komunitetin serb në Kosovë.

E ky lidership në asnjë moment nuk e ka qëllim primar interesin e komunitetit serb në Kosovë.

Lidershipi i Serbisë, bashkësinë serbe të Kosovës e ka përdorur për qëllimet e saj politike, për ta ridefinuar veten në raport me Kosovës, me Evropën e botën perëndimore.

E ka bërë këtë duke e sjellë edhe Listën Serbe, përfaqësues pa legjitimitet, të cilët nuk flasin me qytetarin serb të Kosovës për vendimet që i implikojnë vetë ata.

Për çdo vendim, ata (Lista Srpska) marrin rrugë drejt Beogradit për të takuar Vuçiçin e Gjuriqin.

Ky i fundit si politikan i ri me manire e botëkuptime shumë të vjetra, kujdeset të shesë guxim e krenari në kurriz të qytetarëve të komunitetit serb të Kosovës.

‘Përfaqësues’ i serbëve të Kosovës që nuk jeton në Kosovë.

Pengmarrja e quajtur Lista Serbe u konfirmua edhe në zgjedhjet lokale që u mbajtën më 22 tetor 2017. Në raportin e misionit vëzhgues të BE-së u raportua se procesi zgjedhor ndryshonte thelbësisht në komunat me shumicë shqiptare dhe ato me shumicë serbe.

Më komunat me shumicë serbe, partitë politike dhe kandidatët u intimiduan, përfshirë dhe vetë votuesit, të gjithë ata që nuk mbronin ngjyrat e Listës Serbe.

Besoj ju kujtohet tashmë i ndjeri Oliver Ivanoviq, si shembull eklatant i kësaj sage.

Nëse Serbia vërtet do të kërkonte marrëveshje me anë të së cilës do të synonte përmirësimin e jetës së qytetarëve serbë të Kosovës, Vuçiç nuk do të kërkonte nga BE garanci për nënshkrimin e çfarëdo marrëveshjeje me Kosovën, por do të synonte një marrëveshje e cila u ofron mirëqenie dhe perspektivë evropiane sikur serbëve të Serbisë ashtu edhe serbëve të Kosovës.

Më konkretisht, strategjia e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatën e Kombeve të Bashkuara, lobimi kundër anëtarësimit në Interpol dhe në organizata ndërkombëtare i prek edhe qytetarët serbë të Kosovës.

Sidomos ata të veriut nga Ibri, të cilët secilën ditë duhet të përballen me krimin e organizuar që ua dikton jetën në pothuajse çdo moment.

Të kuptohem drejt.

Nëse serbët e Kosovës konsiderojnë se Beogradi është duke i trajtuar si duhet dhe është duke u përpjekur vërtet për ta në këtë process të dialogut me Kosovën, atëherë kemi koncepte e pritshmëri shumë të ndryshme mbi atë se çfarë duhet të bëjë një shtet për mbrojtjen e të drejtave të bashkëkombasve të saj.

Kjo pa dashur të lë mënjanë detyrimet e shtetit të Kosovës dhe përpjekjet e shumta të cilat duhet t’i kishte ndërmarrë për të akomoduar nevojat e qytetarëve serbë të Kosovës, pa pasur nevojë fare të diskutohej në Bruksel.

Përpjekje të cilat duhet të gjejnë zbatim ashtu siç janë të përshkruara qartësisht në Kushtetutën e Kosovës, e cila i ofron komunitetit serb në Kosovë të drejta të zgjeruara, shumë më shumë sesa komunitetet e tjera jo shumicë të vendeve të rajonit e të vetë shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat po synojnë ta shtyjnë përpara këtë proces dialogu.

Përpjekje që ende pres nga shteti i Kosovës t’i ndërmarrë për të garantuar pjesëmarrjen e këtij komuniteti në jetën shoqërore e institucionale të Kosovës.

Gjithsesi, kompleksiteti i marrëdhënies së komunitetit serb me shtetin e Kosovës kërkon një diskutim të veçantë, të cilin e mirëpres në secilin moment.

Milica kolumnën e saj e përmbyll me pyetjet: Pas viteve të negociatave dhe zbatimit gjysmak, cila zgjidhje në formë të marrëveshjes përfundimtare është më e pranueshme për shumicën e shqiptareve të Kosovës: Shkëmbimi i territorit ose AKS, respektivisht autonomia për komunitetin e serbëve të Kosovës? A mund të na sjellë paqe ndonjë nga këto opsione?”.

Ajo çfarë pamë nga sondazhi i fundit i KDI-së është se shumica dërrmuese e respondentëve përkatësisht 82.9% janë shprehur se nuk do të pranonin asnjëra nga këto alternativa.

Nëse do duhej të zgjidhnin, janë 10% e komunitetit shqiptar që më shumë do të preferonin ndryshimin e kufinjve në mes Kosovës dhe Serbisë, ndryshe nga 57% e qytetarëve të komunitetit serb që do të preferonin asociacion e komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.

Kur dëgjojmë të flitet për korrigjimin e kufinjve, krijohet përshtypja sikur e kaluara është zgjuar por vetëm në disa copëza të saj.

Nuk preferojmë të flasim për luftën, shkatërrimet që solli e krimet që u bënë në emër të saj, pasi kjo aludohet se e dëmton procesin e paqes.

Ballafaqimi me të kaluarën në nivel politik është kthyer në mollën e ndaluar.

Po zgjedhim të sjellim vetëm një pjesë të së kaluarës, duke dashur të ndërtohet po prapë një e ardhme e copëtuar.

Një e ardhme e turbullt, që nuk qartëson se në çfarë entiteti jetojnë serbët e Kosovës, kujt i përgjigjen ata dhe kush i përgjigjet atyre. Kjo brenda një shteti të pavarur që është i kontestuar nga vetë ata.

Në këtë formë pretendohet se do të arrihet një tjetër marrëveshje historike që do të përmbyllë njëherë e mirë të gjitha çështjet e hapura në mes dy shteteve dhe të garantojë përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Palët ende duken larg pikturës së Alpbach.

Veçanërisht kur kanë marrë përsipër të vetëm, në mungesë të plotë transparencë, për të arritur një marrëveshje normalizimi. Një zgjidhje në dëshirë të dy njerëzve pa u konsultuar aspak me qytetarët, në këtë rast flas për qytetarët e Kosovës.

E ne patjetër që i frikësohemi mungesës së transparencës dhe marrëveshjeve poshtë tavolinës, pasi ato lënë pasoja afatgjate. Veçanërisht kur shohim që palët kanë botëkuptim komplet të ndryshëm mbi atë që synojnë të arrijnë – normalizimin.

Vlerësoj se në procesin e dialogut Kosovë-Serbi deri tani, qytetarët janë kthyer në qenie të shfrytëzueshme në interes të politikave ditore pa u dëgjuar nevojat e tyre reale.

Qytetarëve po u imponohet zgjidhja duke iu kërkuar të jetojnë me atë zgjidhje – gjithmonë duke aluduar që është menduar për më të mirën e tyre.

Pyetja fundamentale është, cili është qëllimi i këtij procesi?

Është diçka ndryshe të flasim për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, për obligimet që shteti i ka ndaj këtij komunitetit, për përpjekjet që duhet t’i bëjë për integrimin e tyre në jetën institucionale dhe shoqërore, nevojën për ofrimin e sigurisë, të ruajtjes së gjuhës, kulturës apo nevojën për investime e shumë çështje të tjera.

Por është diçka ndryshe të flitet për legalizim dhe legjitimim të prezencës së shtetit të Serbisë në shtetin e Kosovës, pra për kthimin e shtetit të Serbisë në shtetin e Kosovës.

Këtë fakt e kundërshtojnë shqiptarët në Kosovë. Nuk e pranon një gjë të tillë.

Madje e konsideron një kapitull të mbyllur, që ka marrë epilog nga lufta, i cili ka marrë formë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008. E vulosur me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010.

Dhe pas gjithë kësaj, pas 7 vjetëve dialog, e perfomancave të ndryshme të Presidentëve Thaçi-Vuçiç, veçanërisht muajve të fundit, vlerësoj se problemi më i madh është mosdefinimi se çfarë po presin palët nga ky proces.

Për çfarë flasim, kur flasim për normalizimin? Po e përdori titullin e shkrimtarit dhe gazetarit të të njohur amerikan Raymond Carver, i cili fliste për dashurinë dhe raportin me të.

Ne jemi të vetëdijshëm se rrethanat historike, të asaj të re e të vjetër, na bëjnë të kuptojmë se shqiptarët e serbët nuk kanë raporte aq të mira sa të jenë në dashuri me njëri-tjetrin. Fakt që u bë i ditur në mënyrën më të egër të mundshme vetëm disa ditë më parë, kur dy të rinj shqiptarë u sulmuan fizikisht në Novi Sad vetëm se flisnin shqip.

Madje këtë e thonë edhe Thaçi e Vuçiç sa herë që vendosen në presionin e opozitave përkatëse në Prishtinë e Beograd.

Dhe krahas kësaj, besoj se është jetike të dihet se çfarë presin shqiptarët dhe serbët e Kosovës nga një marrëveshje përfundimtare.

Kjo paqartësi e shpalosur deri më tani është nyja që po e pamundëson normalizimin.

Duhet ta kuptojmë qartazi çfarë nënkuptojmë me normalizim.

Çfarë nënkupton Milica me normalizim?

A kupton të drejta të komunitetit serb për të jetuar jetë të qetë, prosperuese si shtetas të barabartë të Kosovës, duke e njohur ekzistencës e këtij të fundit?

Apo nënkuptohet ekzistimi i një realiteti dual të shtetësisë, ku shqiptarët njohin shtetin e Kosovës, derisa serbët pa e njohur atë, jetojnë në një mekanizëm paralel autonom, i cili është i lidhur me shtetin e Serbisë duke e parë Kosovën gjithnjë si pjesë të saj?

Për mua normalizim do të thotë shkëputjen njëherë e mirë e shtetit të Serbisë nga shteti i Kosovës, në kufijtë aktualë të Kosovës që njihen ndërkombëtarisht. Do të thotë njohje nga ana e Serbisë dhe marrëdhënie të mira fqinjësore që si të barabartë ballafaqohen me të kaluarën e tyre, bisedojnë rreth përmirësimit të jetës së bashkëkombasve të tyre, rreth bashkëpunimit ekonomik, kulturor e njerëzor.

Cila marrëveshje do të na garantojë paqen pyet Milica?

Unë po bëj një kundërpyetje:

A jemi ne të gatshëm të përballemi me të kaluarën tonë?

Ta bëjmë atë hap të madh përpara ne si dy shoqëri në Kosovë dhe Serbi.

Të kërkojmë që përgjegjësit të pranojnë krimet e kryera, të mbajnë përgjegjësi për jetët e humbura, për personat e dhunuar, për personat e zhdukur, për dëmet.

Të kërkojmë kërkimfaljen. Të kërkojmë drejtësi.

A jemi të gatshëm ne ta bëjmë këtë gjë në emër të paqes?

——

Sbunker e boton këtë kolumne të përkthyer dhe të botuar në origjinal nga portali KoSSev. Ky portal, me mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, nis rubrikën e re Millica dhe Jeta, në kuadër të faqes Dialogu. Aktivistët civile Millica Andriq nga Zubin Potoku dhe Jeta Krasniqi nga Prishtina do të shkëmbejnë qëndrimet rreth çështjeve aktuale të popullit serb dhe shqiptar dhe marrëdhënieve të tyre të ndërsjella në muajt në vijim. Rubrika publikohet në kuadër të projektit “Përkrahja në krijimin e lidhjeve shoqërore dhe mbrojtjes së pakicave në Kosovë”. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura paraqesin mendimet e vetë autoreve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e redaksisë së KoSSev-it dhe donatorëve.

Nga gjuha shqipe tekstin e përktheu: Bruno Neziraj

https://kossev.info/o-cemu-govorimo-kada-pricamo-o-normalizaciji/

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.