Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Propozim për Marrëveshjen me Malin e Zi

Kryeministri i Malit të Zi pritet të vizitojë Kosovën në fillim të muajit shkurt. Tema e demarkacionit pritet të jetë e pashmangshme. Ky shkrim argumenton se Kosova duhet të përgatis ofertë maksimaliste dhe ofertë pragmatike për Malin e Zi lidhur me temën e demarkacionit. Oferta maksimaliste e Kosovës nënkupton kërkesë për rinegocim të Marrëveshjes apo dërgim të saj në arbitrazh ndërkombëtar. Duke u bazuar në qëndrimet paraprake të ekzekutivit malazez, një përgjigje pozitive ndaj ofertës maksimaliste të Kosovës duket e vështirë.

Në rast të refuzimit nga ana e Malit të Zi të ofertës maksimaliste, Kosova mund të përdorë ofertën pragmatike. Kjo nënkupton të kërkojë nga Mali i Zi garanci shtetërore se do të rishikojë pjesë të marrëveshjes në të ardhmen në rast se Kosova e ratifikon marrëveshjen aktuale. Kjo gjë mund të rregullohet nga e drejta ndërkombëtare nëpërmjet nxjerrjes së ‘akteve unilaterale’ nga udhëheqësit shtetëror të të dy vendeve.

Çka është akti unilateral

Akti unilateral paraqet shprehje të vullnetit të shtetit të krijojë efekte ligjore për qëndrimet e shprehura nga përfaqësues të lartë shtetërorë (presidenti, kryeministri, ministri i punëve të jashtme) për çështje specifike. Akti unilateral mund të jetë në formë gojore ose të shkruar. Shembuj të aktit unilateral paraqesin deklaratat për njohjen e shteteve dhe premtimet tjera ndërkombëtare që kanë për qëllim të krijojnë obligime ndërkombëtare.

Garancitë për zbatimin e aktit unilateral janë të bazuara në vullnetin e mirë dhe jo në rregulla standarde të traktatit. Megjithatë, rëndësia e aktit unilateral në të drejtën ndërkombëtare është konfirmuar nga Komisioni për të Drejtën Ndërkombëtare të OKB-së dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Kjo e fundit në rastin e Testit Nuklear (Australia k. Francës) ka konstatuar se

“deklaratat e bëra nëpërmjet aktit unilateral, lidhur me rrethanat ligjore ose faktike, mund të krijojnë obligime ligjore… Një deklaratë e tillë, e dhënë publikisht dhe me qëllim të jetë detyruese, edhe kur nuk është dhënë në kontekst të negociimit ndërkombëtar, është detyruese.” [para 43]

Në bazë të kësaj, në rast se kryeministri, presidenti, apo ministri i punëve të jashtme të Kosovës shprehet në mënyrë të qartë se merr obligim për rishikim të marrëveshjes me Malin e Zi, ai ‘akt unilateral’ krijon pritshmëri ndërkombëtare që Kosova të zbatojë obligimet në fjalë. Një deklaratë e tillë duhet të jetë shumë precize, të pëmbajë afate kohore dhe pikat kyçe që mund të negociohen. Ta zëmë duhet të parasheh obligimin për të negociuar pjesë të marrëveshjes edhe në rast se vetëm njëra palë sjellë argumente. Detajet e tekstit duhet të rregullohen nga ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, në mënyrë që të evitohen dyshimet eventuale lidhur me detyrimet që dalin nga akti unilateral.

Akti unilateral i një vendi megjithatë nuk krijon obligim ndërkombëtar për një vend tjetër. Për këtë arsye, është e rëndësishme që Kosova të negociojë me përfaqësuesit shtetëror të Malit të Zi që këta të fundit të lëshojnë një akt unilateral me qëndrime të njëjta me ato të palës kosovare.

Qasja ndaj Malit të Zi

Kosova nuk mund ta obligojë Malin e Zi që të nxjerrë një akt unilateral në lidhje me rishikimin e pjesëve të marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Kosovën. Kjo gjë mbetet në gjykimin e Malit të Zi. Megjithatë, ratifikimi i marrëveshje me Malin e Zi me kërkesën për nxjerrjen e aktit unilateral nga të dyja palët tregon se Kosova është e gatshme të gjejë zgjidhje konsensuale në bazë të praktikës të së drejtës ndërkombëtare. Kosova duhet t’i qaset Malit të Zi me kërkesë për mirëkuptim dhe të përdorë miqtë ndërkombëtarë për të kërkuar nga Mali i Zi të marrë qasje pragmatike.

Një qasje e tillë do ta shndërronte Kosovën nga një vend ku traktat-bërja bëhet me befasi dhe të panjohura në një vend ku problemet zgjidhen me qasje profesionale dhe në harmoni me të drejtën dhe praktikën ndërkombëtare.

Çka në rast të (mos)suksesit të aktit unilateral

Përderisa rishikimi i marrëveshjes aktuale për Malin e Zi nënkupton kthimin në gjendjen zero dhe anulim të vendimeve paraprake, akti unilateral nuk e cenon marrëveshjen dhe vendimet rreth validimit të saj. Akti unilateral vetëm do të qartësonte gatishmërinë e Malit të Zi për të negociuar në të ardhmen për pjesë të marrëveshjes. Politikisht, një veprim i tillë nuk duket i pamundur për t’u realizuar nga qeveria aktuale Malit të Zi.

Në rast se Mali i Zi pajtohet të aprovojë aktin unilateral në fjalë dhe Kosova ratifikon marrëveshjen me Malin e Zi, Kosova duhet të propozojë krijimin e një komisioni të ri për vlerësimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Ky komision, për dallim nga të mëhershmit, duhet të përbëhet nga emra që rekomandohen nga i gjithë spektri politik. Komisionet paraprake, pa paragjykuar punën e tyre, kanë qenë të krijuara nga figura politike që ose e kanë përkrahur ose kundërshtuar marrëveshjen në parim, duke e krijuar përshtypjen, qoftë edhe të gabuar, se gjetjet e komisioneve profesionale kanë qenë të parapërcaktuara.

Mandati i komisionit të ri të do të duhej të kufizohet në identifikimin konkret të gabimeve eventuale në marrëveshjen me Malin e Zi. Këtë vlerësim duhet ta bëjë duke u bazuar në kriteret përcaktuese të kufirit që rrjedhin nga marrëveshja ekzistuese me Malin e Zi. Në rast të gjetjeve të tilla, Kosova do ta përdorte aktin unilateral si burim ligjor për t’ju qasur Malit të Zi për rishikimin eventual të marrëveshjes.

Në rast se Mali i Zi refuzon nxjerrjen e aktit unilateral në fjalë, Kosovës i mbetet të zgjedhë në mes të ratifikimit dhe mosratifikimit. Ju mbetet deputetëve të Kuvendit të konsiderojnë pasojat politike për zgjedhjen e njërës ose tjetrës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.