Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Pse na duhet të flasim për rinovimin e Qendrës Historike të Prishtinës

Illustration: Big Eye

Prishtina, kryeqytet që i ka rreth 50 mijë turistë në vit, e veç një yll muze

Në vitin 2012, Këshilli i Evropës na pat angazhuar si dizajnerë ta bajmë një dokument që do të shërbente si udhërrëfim për këdo që dëshiron ta shpëtojë Qendrën Historike të Prishtinës. Në atë kohë, sado që kishim interesim për këtë çështje, as mendja nuk na pat shkuar se ndonjëherë se ky dokument mund të na dalë në ndihmë.

Prishtina është ndoshta kryeqyteti i vetëm në Evropë që nuk e ka të ruajtuar qendrën historike të saj. E megjithatë, qyteti i Prishtinës nuk është edhe aq i ri, pra ekziston si i tillë të paktën nja 700 vjet. Pjesë të kësaj historie janë të ruajtura gjithandej nëpër qytet, veç duhet të pastrohen dhe konzervohen. Në dokumentin e KE, Qendra Historike e Prishtinës propozohet të jetë si në fotografinë e mëposhtme. Pra objektet në dy anët e rrugës për në Gërmi dhe e gjithë zona nga kjo rrugë e deri te Tregu i Gjelbër. Sipas planeve të mëhershme urbanistike, Qendra Historike ishte paraparë të jetë shumë më e madhe, sidoqoftë, tema e historisë së Prishtinës besoj se duhet diskutuar në një tekst tjetër.

Image

Pse na duhet të konservohet kjo Qendër dhe si mund të bëhet kjo punë?

Sot, Prishtina i ka rreth 50,000 turistë çdo vit. Këta turistë, përveç sheshit Nëna Terezë nuk është se kanë çka të shohin në qytet. Ndoshta mund ta vizitojnë ndonjë kafeteri, e shohin Bibliotekën Kombëtare që për disa është objekti më i bukur, e për disa të tjerë më i shëmtuar (objekt që nxitë kuriozitet sidoqoftë). Mund ta shohin shtatoren e Bill Klintonit, edhe ndoshta Muzeun Etnologjik, si të vetmin muze në Prishtinë për momentin.

Qendra Historike e rinovuar, përveç që do të krijonte hapësira të reja publike për qytetarët e Prishtinës poashtu do të vinte në pah copëza historie të qytetit që për momentin janë lënë në harresë. Do ta rigjeneronte një pjesë të qytetit, që megjithëse është vetëm 5 minuta larg nga sheshi Skënderbe, e sa i përket investimeve është nja 100 vjet prapa. Kjo zonë, me kalldërmin e rigjeneruar, me ndriçim të bukur publik, e me fasada të rregulluara me kujdes profesional do të ishte një prej atraksioneve kryesore edhe për turistët. Pra, mirë për ekonominë.

Një ringjallje e tillë e Qendrës Historike të Prishtinës do të kthente shpresën edhe te qytetarët. Një nga meritat kryesore të Edi Ramës në Tiranë gati 15 vite më parë, ishte se përmes renovimit të fasadave dhe ndriçimit të rrugëve kishte rikthyer krenarinë e humbur të qytetarëve për qytetin e tyre.

Shembuj të rinovimeve të tilla nëpër qendrat historike janë të panumërta. Unë preferoj të marr shembullin e një qyteti jo shumë të largët, Plovdivin nga Bullgaria. Ky qytet e ka një qendër historike me madhësi të ngjashme me atë të Prishtinës, dhe pas rigjenerimeve në vitet e fundit është kthyer në kryeqendrën turistike të shtetit. Plovdiv para disa vitesh madje është shpallur edhe kryeqytet kulturor i Evropës. Në disa pamje mund ta shihni si duket ky qytet sot, dhe sa shumë ka ngjashmëri me Qendrën Historike të Prishtinës.

Image
Image

Gjasat janë të mëdha që gjatë mandatit të rradhës, të inicohet një projekt i tillë, por na duhet të sigurohemi që një projekt i tillë do të bëhet në cilësinë më të mirë të mundshme, asisoj që të mbetet si Qendër Historike edhe për gjeneratat në vijim. Në këtë hapësirë, që unë propozoj të zgjerohet edhe më tutje, duke e kapur shkollën Elengja Gjika, Arkivin e Qytetit, objektin e Ministrisë së Diasporës, e deri te Muzeu Etnologjik, duhet poashtu të gjallërojmë aktivitetin ekonomik dhe artizanal. Aty kemi argjentarë, dhe shitës tekstili, por besoj se mund të shohen edhe kafeteri rinore, hotele dhe hostele të vogla, e pse jo një pjesë të jetë edhe për projektet e reja të organizatave të ndryshme. Ndoshta sipërmarrësit e rinj me ide inovative.

Në mandatin e radhës, Vetëvendosja e ka në plan edhe ndërtimin e një tregu të ri që do të ketë arkitekturë plotësisht në përputhje me ambientin përreth, duke mos lejuar që kjo hapësirë të kaplohet edhe më tutje nga mish-mashi i ndërtimeve kaotike. Ky treg së bashku me pjesën tjetër të Qendrës Historike do të jetë zemra e qytetit në vitet që po vijnë.

Një projekt tjetër që lidhet me QH është edhe konservimi i hamamit. Deri tash janë propozuar disa ide për të. Është propozuar të kthehet në galeri, në muze, në hapësirë multidisciplinare. Personalisht jam më shumë në favor të idesë që të mbetet hamam edhe më tutje, në stilin e hamameve në qytetet si Stambolli apo Budapesti. Një gjë e tillë do të ishte hapësirë rekreacionale për banorët e qytetit, por edhe për turistët që dëshirojnë të përjetojnë diçka të re. Ky hamam është objekt shumë i vjetër përndryshe, daton nga shekulli i 15-të dhe për nga vjetërsia tejkalohet vetëm nga Xhamia e Gurit që është e vitit 1393 (xhamia përballë Kuvendit të Kosovës).

Projekti i Qendrës Historike ka rëndësi të madhe në vendosjen e bazës së zhvillimit për Prishtinën. Turizmi në disa qytete botërore gjeneron deri në 30% të të hyrave të qytetit. Prishtina ndoshta ende nuk e ka infrastrukturën për nivel të tillë, por gjithsesi si kryeqytet i vendit është e denjë të paktën një pjesë të historisë që e ka, ta ekspozojë për botën.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.