Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Romeot që shembin fasadën e Prishtinës

 

Është pranvera e vitit 1999 dhe bombat e NATO-s bien mbi Prishtinë. Familjet strehojnë njëra-tjetrën në banesa. Në sofër, të rriturit flasin për rreziqet nga policia serbe. Të rinjtë gjejnë ikje në lojëra kompjuterash.

Shoqërimi intim brenda mureve dhe kërcënimi i përbashkët ushqejnë solidaritet. Vdekja mund të jetë pranë, por prishtinasit gjejnë ngrohtësi në bashkësi. E ndajnë me njëri-tjetrin djathin, i cili në këto ditë lufte është luks.

Dy të rinj e ndajnë edhe shtratin, në një aventurë të fshehtë dashurie. Lumturia e atyre çasteve ua jep luksin për ta shpërfillur luftën si fat.

Te filmi “Martesa” i Blerta Zeqirit, këto skena nga e shkuara zënë vend periferik dhe kanë funksion narrativ për ndërlidhjen e ngjarjeve. Por, për ata që e kanë përjetuar këtë periudhë, ato krijojnë edhe efekt dramatik, duke i rënë telit të nostalgjisë.

Natyrisht, s’ka nostalgji për terrin e të 90-ave. Por për atë ndjenjën e këndshme të bashkësisë dhe bashkëndjesisë që gjallonte mes nesh, e që u shua me ikjen e Serbisë. Për mënyrat tona të veçanta të simulimit të jetës normale dhe të ikjes nga ankthi: përmes dashurisë, sportit, filmave. Për idetë tona të romantizuara dhe naive të lirisë.

Kësisoj, nxitja e nostalgjisë për një periudhë të qartësisë sonë morale kolektive, i shërben filmit për ta bërë një kontrast emocional me të sotmen.

Sofra e sotme prishtinase shfaqet sërish si fole ngrohtësie familjare. Por ajo tani është e mbushur me aq shumë ushqim, sa që ka mbetje mishi edhe për qentë.

Njerëzit përreth tavolinës kanë halle inviduale dhe tipike të klasës së mesme moderne. Tezja e protagonistit kryesor (Melihate Qena) shqetësohet nga tepria e kolesterolit. Protagonisti vetë, Bekimi (Alban Ukaj), është i ngrysur sepse ka dilema të thella martesore.

Kontrasti kohor i shqetësimeve të sofrës tregon se sa shumë kanë ndryshuar përjetimet dhe kuptimet tona të lirisë. Sot njerëzit e sofrës janë krijues të fatit të tyre. Kolesteroli si shkaktar i vdekjes dallon prej plumbit të policisë serbe – ushqimin që e hamë mund edhe ta zgjedhim.

Por liria jonë si shqiptarë del të mos jetë e mjaftueshme për të gjithë. Bekimi, për shembull, e ka të pamundur të jetë bashkë me dashurinë e jetës. Sepse e do, thellësisht, një burrë – gjë kjo krejt e papranueshme për shoqërinë.

Në prezencën e të dashurit, Nolit (Genc Salihu), Bekimi dikur gjente fuqi për ta shpërfillur luftën. Tani pa të pranë, liria është një gjendje e luftës së përhershme me vetveten. Një agoni dhe shtirje publike pa fund, që e shtyn t’u gëzohet zënkave me të fejuarën: “Zgate zot!

Fatin e tyre ironik, si homoseksualë në një luftë kombesh thellësisht patriarkale, ia paralajmëron edhe Noli para luftës.

“Sendi i vetëm që mundet me i bâ bashkë shqiptarët dhe serbët âsht me na zhdukë neve!”

“Martesa” na sfidon me pyetjen: Çfarë lirie është ajo që e shtyp dashurinë dhe lumturinë?

***

Më shumë se koment shpotitës mbi lirinë individuale në Kosovë, “Martesa” është një portret i zeitgeist-it të Prishtinës urbane. Filmi arrin ta nxjerrë në shesh mjeshtërisht kontradiktën dhe tensionin e thellë që e bëjnë Prishtinën të jetë Prishtinë – një qytet modern i ngujuar në tentativë.

Prishtina e “Martesës” nuk është thjesht një vend ku është shumë e vështirë që të jesh gej. Ajo është, si çdo mjedis tjetër provincial, shtëpi e njerëzve të ndrydhur, të mësuar për ta ruajtur paqen në sipërfaqe, e për t’u tjetërsuar në publik. Është një qyet ku liria individuale e subkulturave kozmopolite bashkëjeton me mjedisin provincial dhe tradicional, në një cikël të pafund konfliktesh dhe kompromisesh.

Kontradikta e Prishtinës është se ajo u jep hapësirë njerëzve për të qenë të lirë në oaza shoqërore, por jo edhe në mainstream. I lë ta lëpijnë akulloren herë pas here me majë të gjuhës, por jo edhe të kenë akullore për të lëpirë. I nxit të duken si në Nju Jork, por jo edhe të jenë si në Nju Jork. Në Prishtinë, më shumë se kudo tjetër në Kosovë, ke mundësi ta zbulosh veten si gej, por jo edhe të jesh gej.

Sharmi dhe humori i njerëzve të qytetit, omniprezentë në dialogët e filmit, burojnë prej sikletit dhe frustrimit nga manovrimi nëpër këtë kontradiktë. Humori është çlirim tensioni prej disonancës kognitive – asaj gjendjes ku njeriu mban “njëkohësisht mendime, besime ose qëndrime të papajtueshme me njëra-tjetrën.”

Në disonancë të përhershme është Bekimi. Në publik ai do të jetë djalë model që e bën krenare nanën e tij patriarkale. Privatisht, në prani të Nolit, ai është e kundërta e skajshme e këtij modeli.

Ndërkohë që dashuria e ndaluar e dy Romeove të Prishtinës është mbi të gjitha portret tragjik i komunitetit LGBTI, sfidat e të cilit janë pakrahasueshmërisht më të mëdha, ajo është edhe metaforë e përgjithshme e shtypjes.

Filmi u flet edhe vajzave dhe grave që nuk duan t’u binden normave patriarkale. U flet edhe lloj-lloj njerëzve me bindje dhe pasione jokonvencionale, që jetojnë nën diktatin e traditës provinciale, e cila disiplinon dhe ndëshkon, siç do të thoshte Fuko, përmes vështrimit të ngulitur (“the gaze”), ku çdokush ndihet i mbikëqyrur dhe e përbrendëson kontrollin.

Mekanizmi kryesor i zbatimit të kësaj disipline mbetet institucioni i familjes. Ajo na del si thikë me dy teha – edhe burim i dashurisë dhe i solidaritetit; edhe i shtypjes së lirisë individuale.

Familja urbane prishtinase e ka përvetësuar mirë fasadën kulturore perëndimore – paraqitjen, enterierin e shtëpisë, etj. – por jo edhe mendësinë. Nderi dhe turpi i saj janë Kanuni 2.0 i zbritur në asfalt.

Kontrasti mes fytyrës së Bekimit të nënshtruar dhe të palumtur në dasmën e tij, dhe nënës së tij aq të lumtur saqë tani “lirisht mund të vdesë”, është çmontimi publik që “Martesa” i bën fasadës së rreme të Prishtinës së lirë urbane. Ajo na tregon, njësoj si matësi i ajrit i Ambasadës Amerikane, se poshtë kësaj fasade vlon një frustrim dhe vetëmashtrim me pasoja hazardous.

***

“Martesa” arrin t’i përçojë gjithë këto mesazhe dhe ndjesi sepse, mbi të gjitha, është një realizim shumë i mirë. Dora regjisoriale e Blerta Zeqirit dhe teksti i saj dhe Kreshnik Berishës e bëjnë filmin që të frymojë sinqeritet dhe autencitet – pa patosin dhe teatralitetin e zakonshëm të filmave tanë.

Skenari ka strukturë dhe ritëm efektiv. Në asnjë moment nuk ndihet prapa skenës dora e autorëve duke e sforcuar harkun e rrëfimit. Ngjarja ka rrjedhë të natyrshme dhe, kur kombinohet me stilin – skena të zgjatura, fokus në detaje të vogla – ndjesia e filmit është gati dokumentare, dhe njerëzit bëhen të vërtetë.

Suspendimi i arsyes, shenjë e çdo filmi të mirë, të lejon të zhytesh në emocionin e tij. E këtu skenari ia rritë gradualisht volumin dramës, duke futur edhe momente të shkëlqyeshme të humorit, si një shtendosje e domosdoshme. Për të ardhur dikur deri te klimaksi, kur Bekimi duhet ta zgjidhë dyzimin brenda tij. Ku tjetër pos në aeroport, aty ku bota jonë gjysëm e lirë i ndan rrugët me të lirën.

Kinematografia i përshtatet llojit të rrëfimit dhe mënyrës sonë të jetesës. Gjithçka ndodh në mjedise të mbyllura dhe intime. Emocionet nuk manipulohen me mëlmesa estetike – as me kuadro peizazhesh, dhe as me muzikë. Kjo e fundit shfaqet vetëm si ambientale aty ku zhvillohet ngjarja.

Kuadri thuajse gjatë gjithë kohës është në nivel të fytyrës. Pak e lodhshme për shikuesin, por e domosdoshme për t’u dhënë hapësirë aktorëve për të shkëlqyer, dhe për ta përçuar ndrydhjen e brendshme, që është thelbi i filmit.

Kështu e gjithë pesha emotive e filmit bie te aktrimi. E aktorët e mbajnë këtë peshë mbi supe si kampionë.

Adriana Matoshi është sharmante dhe e natyrshme në rolin e Anitës, viktimës naive të një padrejtësie të dyfishtë: e fejuara e gej-it apo biseksualit. Viktimë e viktimës që zgjon simpati me humorin e saj. Por Matoshi ka kujdes që të mos imponohet. Duke ndërtuar personalitet zemërmirë por të thjeshtë, lejon që të krijohet kontrasti dhe vëmendja të shkojë te marrëdhënia kryesore e pasionit.

Dinamika mes Alban Ukajt dhe Genc Salihut është gjithsesi ajo që ia jep filmit magjinë. Kujt do t’ia merrte mendja se rrëfimin e saj më të fuqishëm filmik të dashurisë, Kosova do ta kishte mes dy Romeove?

Genc Salihu s’njihej si aktor, por si muzikant dhe poet. Në film ai arrin t’i mishërojë të trija dhe kështu të shndërrohet në njëfarë monumenti artistik. Shkëlqen dhe dominon me thellësinë emocionale që ia vesh Nolit – Romeos ekspresiv dhe të çiltër, që e di qartë se çfarë do, dhe manipulon me teknikat e joshjes.

Alban Ukaj në anën tjetër i qaset me mjeshtëri prej profesionisti rolit më të vështirë në film, Romeos së dyzuar. Arrin ta përçojë emocionin të cilin edhe vetë personazhi ia fsheh vetes dhe të tjerëve. Ukaj transformohet në njeriun që është i vetmuar edhe kur ështe i rrethuar nga njerëz. Në njeriun misterioz që e lëshon veten vetëm përballë Nolit. Sfidat komplekse të rolit Ukaj i përballon duke ecur natyrshëm nëpër telin e hollë të aktrimit minimalist – me melankolinë perfide a la Bill Murray në Lost in Translation, duke ia shtuar nervin ballkanik të njeriut që bërtet.

Gjithë këto elemente bëjnë që filmi të jetë një sukses i radhës për Qendrën Kinematografike të Kosovës, e cila me punën e saj tani e disa vite po e vendos Kosovën në hartë të botës. Përmbajtja e filmit ndoshta ia zbulon Prishtinës helmin poshtë fasadës, por vetë ekzistenca e filmit si të tillë ia zbulon asaj edhe potencialin e madh artistik.

Me “Martesën” duket se Prishtina më në fund e ka zbuluar zërin e vet autentik në kinematografi. Kulturalisht ky film është ekuivalent i asaj që për hip-hopin e qytetit dhe gjithë Kosovës ishte albumi i NR në vitin 2003. “Game changer” që e vendos një standard të ri për çfarëdo që do vijë më vonë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.