Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Rreziqet dhe premtimet e vetëvendosjes

A mund të ofrojë konfederalizmi demokratik i çalanit një alternativë revolucionare ndaj rezultateve shterpë të referendumeve katalane dhe kurde për pavarësi?

Dhunë policore ndaj demonstruesve paqësorë në Barcelonë. Okupim ushtarak i forcave ushtarake irakiane në Kirkuk. Institucione të autonomisë dhe vetëqeverisjes të dëmtuara rëndë nga Katalonia dhe Kurdistani. Pamjet janë tronditëse, shtypja shtetërore gjithsesi e neveritshme. Si u polarizuan kaq shumë këto konflikte kombëtare? Çfarë ishte ajo që nxiti përgjigje kaq agresive shtetërore? Çfarë kanë gjasë të zhvillojnë këto konflikte të vazhdueshme? Dhe cilat janë prospektet për zgjerimin e të drejtave dhe zgjidhjeve emancipuese për secilin rast?

Ka kaluar më shumë se një shekull që kur Rosa Luxemburg ngulmonte me të drejtë në nevojën për vlerësim kritik të të gjitha pohimeve rreth parimeve abstrakte dhe utopike – siç është  parimi për vetëvendosje – në aspekt të ndikimit të tyre konkret në konstelacionet lokale dhe globale të marrëdhënieve të pushtetit. Sidoqoftë, vërejtjet parashikuese të Luxemburgut ka kohë që janë mbytur nga ngadhënjimi i marksizëm-leninizmit dhe i ndikimit të tij mbi termat dhe horizontet e aq shumë betejave antikolonialiste.

Gati një gjeneratë pas vdekjes së shtetit komunist, dhe gati gjashtëdhjetë vjet që prej tranzicionit nga kolonializmi te neokolonializmi, është koha e duhur për ne që të dëgjojmë këshillën e urtë të Rozës së Kuqe, për të qenë sa më konsistent në favor të idealeve revolucionare internacionaliste. Shtrirja globale e problemeve urgjente që e prekin njerëzimin, që e kërcënojnë vetë të ardhmen e tij, kërkon formave të rezistencës të koordinuara globalisht. Shtrirja globale e hierarkive “të kryqëzuara” dhe të padrejta, të sistemeve të dominimit të rrënjosura thellë – të klasës, racës, gjinisë – do të thotë që, tash më pak se kurrë, formula fatale e socializmit vetëm në një vend, thjesht nuk mjafton.

Edhe ashtu, “e majta internacionale” mbetet e hutuar, duke u kapur ende pas dogmave boshe rreth parimit të vetëvendosjes, shumë shpesh të mistifikuara nga vizionet dhe ndarjet e materializuara, esencialiste dhe nacionaliste të botës sociale, e shumë rrallë të afta për të ofruar analiza të esëllta e “pamëshirshëm kritike” të dinamikave të mobilizimit dhe kundërmobilizimit në punë në beteja të posaçme për pushtet, në “projektet e posaçme të vetëdijes popullore,” e edhe më pak sesi këto projekte të posaçme dhe betejat për pushtet lidhen me trende më të gjëra globale.

S’është nevoja të shihet më larg sesa te rastet e Katalonisë dhe Kurdistanit, ku që të dyja kanë dominuar titujt e lajmeve në kohët e fundit, dhe ku kanë ndodhur dy referendume të njëanshme dhe të kundërshtuara ashpër për “vetëvendosje”, në të dyja rastet duke reflektuar si dhe acaruar dinamikat veçse të rënduara të polarizimit dhe shtypjes. Diskutimi i këtyre konflikteve në qarqet e së majtës, mbase veçanërisht në gjuhën angleze, lë shumë për të dëshiruar.

Në të dyja rastet, edhe me kritikët prej analistëve priren të gjunjëzohen para parimit të shenjtë të vetëvendosjes, dhe prandaj priren të shmangin vlerësimin e taktikave secesioniste në terma “pamëshirshëm kritike” të ndikimit të tyre mbi konstelacionet lokale e globale të marrëdhënieve të pushtetit. Në të dyja rastet, makinacionet e elitave politike janë ngatërruar dhe përzier me “vullnetin e popullit.” Në të dyja rastet, “katalonasit” dhe “kurdët” priren që të merren thuajse të ishin akterë të bashkuar. Në të dyja rastet, dallime serioze dhe përçarje të brendshme, dhe mbase veçanërisht në margjina të këtyre “komuniteteve kombëtare” të materializuara, si dhe projektet garuese të “vetëvendosjes”, janë injoruar në mënyrë sistematike – sikurse edhe dallimet serioze dhe ndarjet përbrenda kundërshtarëve të tyre të materializuar “kombëtarë.” Të tilla janë mënyrat tinëzare të materializimit [sendifikimit, reifikimit] nacionalist.

Konflikti në Kataloni

Në rastin e Katalonisë, ka pasur ngazëllim të madh për taktikat dhe strategjinë e antikapitalistëve të hapur si Candidaturas d’Unitat Popular (CUP). Dhe vërtet, theksi programatik i CUP-së mbi feminizmin, ekologjinë sociale dhe demokracinë e drejtpërdrejtë është për t’u përgëzuar. Edhe ashtu, fuqia e saj relative përbrenda radhëve secesioniste ka pasur prirje të mbivlerësohet, dhe përkushtimi i veçantë ndaj taktikave dhe shkëputjes së njëanshme, besimi i saj dogmatik në formulën e “pavarësisë kombëtare” si rrugë drejt shkëputjes nga kapitalizmi, do të duhej të shqyrtohet kritikisht.

Kjo formulë dogmatike e ka çuar CUP-në parashikueshmërisht drejt koalicionit me forcat secesioniste kleptokratike e borgjeze, të legjitimuara përmes votës së jashtëzakonshme parlamentare 1515-1515. Në këtë kapacitet, CUP do të shtyhet që të votojë madje edhe në favor të buxhetit të shtrëngimeve financiare [austerity]. Ngulmimi i CUP-së për urgjencën e shkëputjes [secesionit] së njëanshme ka pasur poashtu, parashikueshëm, shumë pak sukses në tërheqjen e përkrahjes në rripin e vjetër industrial.

Vërtet, krejt pak është thënë rreth kufijve të pëlqyeshmërisë së projektit secesionist në Kataloni, apo rreth ndikimit të tij mbi termat e gjerë të kundërshtimit politik përgjatë Spanjës. Sa për fillim, siç ka theksuar me të drejtë Antonio Santamaria, një shikim drejt përqindjeve të pjesëmarrjes në komuna të ndryshme del të jetë shumë ilustruese për kufijtë përfundimtarë të pëlqyeshmërisë secesioniste mes klasës punëtore në Kataloni. Për shembull, në qytetin simbolik të rripit industrial e Santa Coloma de Gramenet, përqindja e pjesëmarrjes në referendum qe më pak se 18 për qind të atyre me të drejtë vote; përderisa në qytetin posaçërisht të pasur të Sant Cugat del Valles, për dallim, përqindja e pjesëmarrjes qe mbi 54 për qind.

Për t’i bërë punët edhe më keq, polarizimi rreth “çështjes kombëtare” ka shërbyer për të legjitimuar politikat e shtrëngimeve financiare dhe nuk ka arritur t’i mbajë llogaridhënës politikanët e korruptuar e demagogjikë, në të dy anët e lumit Ebro. Në të njëjtën kohë, kjo i ka shërbyer ndryshimit të termave të debatit të imponuara në agjendë prej indignados, të cilët artikuluan kundërshtinë themelore në terma klasore, si një betejë mes të kamurve dhe skamnorëve, më shumë sesa një konflikt mes territoreve, a betejë mes “kombeve.” Duke pasur parasysh konstelacionin konkret të marrëdhënieve shoqërore në gadishullin iberik, është shumë e vështirë që një betejë e artikuluar kryesisht në terma “kombëtarë,” të shmangë fait accompli [fakt i kryer] të përçarjes dhe sundimit të klasës punëtore, jo vetëm në Kataloni por, mbase veçanërisht, gjithashtu edhe në pjesën tjetër të Spanjës.

Duke marrë parasysh baraspeshën edhe të forcës ligjore edhe forcës së egër, pavarësia e njëanshme për Kataloninë nuk është hiç më pak veçse një ëndërr në diell; njëfarë negociate me forcat politike në pushtet në Madrid, do të kërkohet gjithnjë për të arritur një rezultat të suksesshëm secesionist. Dhe, natyrisht, orientimi ideologjik i bllokut hegjemonik spanjoll me të cilët secesionistët e ardhshëm duhet të negociojnë, nuk është se ka pak rëndësi. Pra madje edhe të shtyrë nga interesi vetjak, do të ishte e pritshme që blloku secesionist të punonte për të fuqizuar prospektet dhe zërat e të majtës së gjerë spanjolle. Megjithatë, përkundrazi, taktikat e tyre të njëanshme secesioniste i kanë shërbyer më së shumti të djathtës spanjolle.

Jo se e majta spanjolle është krejt pa faj. “Kretinizmi parlamentar”  dhe oportunizmi i Podemos, dhe, në një masë më të vogël, edhe disa prej platformave qytetare – kooptimi i tyre, uzurpimi dhe së paku pengimi i pjesshëm i kërkesave të komunitetit dhe logjika e demokracisë së drejtpërdrejtë e lëvizjes indignado – padyshim se e ka kufizuar pëlqyeshmërinë dhe potencialin e projektit të tyre kundërhegjemonik të së majtës së re, dhe kështu, për rrjedhojë, ka ndihmuar në shtrimin e rrugës për zëvendësimin e konfliktit klasor me konflikt kombëtar, me horizontet e diskutimeve të polarizuara jo për dhe kundër politikave të dhimbshme të shtrëngimeve financiare, por në vend të kësaj, për dhe kundër të ashtuquajturit procés.

Pablo Iglesias dhe veçanërisht Ada Colau, kryetari i Barcelonës dhe lideri i Comunes, kanë bërë ç’kanë mundur për të mbajtur një qëndrim të dykuptimësisë së përllogaritur, për të mbajtur gjallë prospektet rreth “një rruge të tretë” mes secesionit të njëanshëm dhe shtypjes gjithnjë e në rritje nga shteti. Por përpjekje të tilla rrezikohen që të mbyten në valët e njëpasnjëshme të konfrontimit polarizues mes nacionalizmave katalonase dhe spanjolle.

Ndërkohë, “demokratët socialë”  neoliberalë e të korruptuar të Partido Socialista Obrero Espanol (PSOE) kanë reshtur me eskalimin autoritar dhe taktikat e shtypjes të ndjekura nga autoritetet spanjolle. Vet PSOE-ja është shkundur nga konflikti përgjatë vitit të fundit, me liderin e tashëm Pedro Sanchez që u shkarkua, por që u kthye prapë, i cili është margjinalisht më i prirë që të pranojë dhe të bëjë kompromis me çështjen kombëtare sesa kundërshtarët e tij Brenda partisë, të cilët nga faqet e El Pais parapëlqejnë që të imitojnë gjuhën armiqësore të së djathtës spanjolle rreth puçit të supozuar katalonas, dhe bëjnë ç’të munden për të legjitimuar e duartrokitur shtypjen shtetërore dhe dhunën policore.

Ekuilibri i forcave në konflikt

Po qe se Luksemburgu kishte të drejtë të nënvizonte rëndësinë e të vlerësuarit kritik të argumenteve abstrakte për “vetëvendosje” në terma të ndikimit të tyre mbi konstelacionet konkrete të marrëdhënieve të pushtetit, Lenini kishte megjithatë të drejtë që të kundërshtonte se rreziqet e shovinizmit të “kombit të madh” nuk do të duhej të nënvleftësoheshin kur bëhen vlerësime të tilla. Dhe ç’është e vërteta, shovinizmi i kombit të madh spanjoll është shfaqur me bollëk në muajt e fundit. Ne mediat sociale dhe në shtypin spanjoll, çdo agresion i autoriteteve spanjolle është mirëpritur, dhe sa më shtypës e i dhunshëm, aq ma mirë.

Kështu rishfaqet thelbi patriarkal i nacionalizmit spanjoll, me furi e hakmarrje. Sikur një burrë keqtrajtues, me po ato shfajësime që përdoren për të arsyetuar dhunën ndaj gruas që do që të largohet. Bashkim me dhunë, sepse, disi, ne e duam atë aq shumë. Natyrisht, edhe për hir të fëmijëve.

E djathta spanjolle ka dëshmuar një kapacitet shqetësues për kundërmobilizim popullor, me gati një milion njerëz që mbushën rrugët e Barcelonës në fundjavën pas referendumit të kontestuar, duke u tubuar rreth flamurin spanjoll tashmë të zhytur në shumë gjak, të arsyetuar me cinizëm si mbrojtje e kushtetutës dhe e “sundimit të ligjit,” madje e “të drejtave civile,” edhe atëherë kur elemente të së djathtës ekstreme u shkrinë lehtësisht në turma, si të ishin të padukshëm, duke notuar lirshëm, në habitatin e tyre natyror, si peshq në ujë. Kundërmobilizimi popullor, zyrtarisht i udhëhequr prej “shoqërisë civile,” edhe pse sigurisht i lidhur organikisht me forcat politike të së djathtës spanjolle që kontrollojnë shtetin spanjoll.

Elementi i mobilizimit në rrugë në repertorin nacionalist spanjoll është një risi, të paktën në Kataloni, e në të njëjtën kohë është një pasqyrim i spirales polarizuese në të cilën duket se është ngujuar qytetaria. Një risi relative, por e tillë që edhe e imiton edhe e pasqyron taktikën e praktikuar gjatë nga kundërshtarët e tyre të dikurshëm, autoritetet katalonase.

Mos u gaboni, imazhi i konfliktit të nisur si i tillë që pozicionon “shtetin” spanjoll kundrejt “popullit” katalonas është një mbithjeshtëzim, në rastin më të mirë. Ajo që shpesh nuk merret parasysh është roli kyç që luajnë autoritetet “rajonale” dhe masmediet “rajonale” katalonase në të shtyrit përpara të procesit, si dhe lidhjet organike mes qeverisë katalonase dhe aparatit administrative rajonal me të tilla organizata të “shoqërisë civile” siç është Assemble Nacional de Catalunya dhe Ombnium Cultural, udhëheqësit e të cilave u burgosen padrejtësisht këtë javë [shtator 2017].

E as nuk mund të harrohet servilizmi ndaj policisë “rajonale” katalonase për gjahun “profesional” dhe “mbresëlënës” të të dyshuarve marokenokatalanas për terrorizëm, vrasje e tyre pa gjyq, me paragjykim ekstrem, të mirëpritura nga aq shumë qarqe secesioniste. Që veçse dëshmon sa afër janë katalonasit për të pasur shtetin e tyre. Sidoqoftë, ne duhet të ngulmojmë: shumëzimi i aparateve “të pavarura” shtetërore nuk është gjë e njëjtë me shpartallimin e shtetit.

Konflikti mes “Spanjës” dhe “Katalonisë” është pikë së pari një konflikt mes aparateve shtetërore qendrore dhe “rajonale”, ku të dyja palët kanë përfituar nga demagogjia polarizuese dhe utopike. Jo për të mohuar se ka, në të dyja anët, grupe të vogla me pëlqyeshmëri të sinqertë popullore, posaçërisht në radhët e forcave popullore secesioniste, përkrahësit kryesorë të së cilës mund të gjenden mes klasave të mesme katalonfolëse, të shtrydhur e të kërcënuar nga shtrëngimet financiare. Megjithëkëtë, një vlerësim realist i ekuilibrit të forcave në betejë kërkon një njohje të esëllt të rolit të elitave politike që kontrollojnë aparatet shtetërore në të dyja anët e konfliktit.

Por le të mos ngatërrohemi. Nëse përshkallëzimi i konfliktit kuptohet më së miri si një bllokadë mes elitave politike qendrore e rajonale dhe aparateve shtetërore, ku që të dyja të gatshme e gjithnjë e më të afta për të mobilizuar një shkallë të konsiderueshme të përkrahjes “popullore,” ekuilibri i pushtetit ligjor e i dhunës qëndron, megjithatë, krejtësisht në anën e shtetit spanjoll, siç qëndron edhe ekuilibri i forcës ekonomike. Lartësitë komanduese të ekonomisë katalonase kanë shprehur në mënyrë të qëndrueshme parapëlqimin për një zgjidhje të negociuar kundrejt së tashmes rrugë qorre, duke theksuar, natyrisht, domosdoshmërinë për koncesionet e një autonomie më të gjerë fiskale. Edhe ashtu, kundërshtia e tyre hapur ndaj deklarimit të njëanshëm të pavarësisë nga autoritetet katalonase mund të përfundojë së qeni faktor vendimtar në zgjidhjen e konfliktit. Meqë autoritetet katalonase, ç’është më e rëndësishmja, e kanë shitur projektin e tyre utopik të shkëputjes si të pakushtueshëm, dhe kanë premtuar vazhdimisht se shkëputja do të nënkuptonte më shumë prosperitet për të gjithë katalonasit, me t’u çliruar nga zgjedha e Madridit. Shumë katalonas me gjasë janë këndellë prej iluzioneve të tilla në javët pas referendumit të kontestuar.

Komuniteti i biznesit në Kataloni ishte i shpejtë në reagimin e saj; bizneset e mëdha, në veçanti, thjesht kanë shumë për të humbur, posaçërisht duke pasur parasysh mundësinë reale të përjashtimit me forcë nga BE-ja në rast të suksesit të deklarimit të njëanshëm të pavarësisë, siç edhe kanë ngulmuar në vazhdimësi autoritetet europiane. E kështu, komuniteti katalonas i biznesit veproi, me një valë entuziazmi koorporativ, duke i dhënë një goditje dërrmuese, mbase edhe vendimtare, udhërrëfyesit secesionist, pasi që së paku 45 kompani të mëdha dhe të mesme i zhvendosen zyrat e tyre qendrore në rajonet tjera të Spanjës, duke përfshirë gjashtë prej shtatë korporatave të tyre më të mëdha, ato që janë të listuara në Ibex-in spanjoll, indeksin i cili përbëhet nga 35 kompanitë spanjolle me më shumti likuiditet.

Goditja e shpejtë prej lartësive komanduese të ekonomisë katalonase mund të dëshmohet ose jo si vendimtare, por patjetër se ka dhënë më shumë fryt në gjunjëzimin e separatistëve sesa rrahja e gjysheve që përpiqen të votojnë, marrja e të burgosurve politikë, apo pezullimi i autonomisë katalonase, edhe pse ndoshta një goditje e tillë ekonomike nuk është aq e kënaqshme për ata, orekset nacionaliste të të cilëve duket se kërkojnë forma më të rënda të shtypjes shtetërore. Prirje për pashpirtësi që mund të ketë çmim të lartë, dhe që sigurisht se nuk do të harrohej shpejt, dhe që në fakt do të përforcojë sensin e inatit që përshkon dhe motivon bindjet dhe imagjinatat secesioniste.

Ndërkohë, shumë prej majtistëve euroskeptikë, mbase veçanërisht në Britani, duken të gatshëm që t’i gëzohen lëvizjes secesioniste në rrugëtimin e saj përpara, për ta nxitur që të kapërcejë secilën humnerë, për të duartrokitur çfarëdo që “acaron kontradiktat,” çfarëdo që premton të sjellë edhe më shumë destabilizim për projektin e BE-së, pa marrë erë në vlerësimin real se cilat forca shoqërore kanë gjasë të përfitojnë nga klima e turbullirave në rritje dhe konfliktit nacionalist. Piromania e maskuar si kurajë revolucionare. Pa përmendur faktin se shumica dërrmuese e secesionistëve kanë ngulmuar në vazhdimësi në bindjet e tyre të thella pro BE-së, madje edhe në përkushtimin për shtrëngimet financiare, përkundër qëndrimit zyrtar të pakicës së vogël të CUP-së.

Ç’është edhe më e rëndësishmja, e majta euroskeptike duket se e injoron fare faktin se, në rastin e Spanjës, potenciali për fitoren e së djathtës ekstreme, për një kundër-reagim autoritar, është vërtet shumë real, përderisa ëndrra secioniste e ndërtimit të një republike të pavarur e të majtë katalonase është i prirë që të mbesë një fantazi utopike, e sidomos për sa kohë që ajo dështon së gjeturi përkrahës mes klasës punëtore të Zonës Metropolitane të Barcelonës, të cilët, duke pasur parasysh historinë dhe trashëgiminë e thellë të migrimit të brendshëm nga jugu i Spanjës, e gjejnë veten shumë shpesh të ndarë më dysh, të zënë mes dy zjarreve, të tjetërsuar prej të dyja të palëve, ku secila kërkon aleancë gjithnjë e më përjashtuese dhe besnikëri ndaj “kombit.”

Konflikti në Kurdistanin irakian

Meqë ra fjala për piromaninë, le ta kthejmë vëmendjen shkurtimisht drejt një rajoni të botës djegur nga të gjitha anët. Në Kurdistanin irakian është bërë një tjetër referendum i kontestuar, që ashpërsoi një konflikt dhe bllokadë mes autoriteteve qendrore dhe “rajonale.” Gjithashtu, edhe një tjetër rast me protagonist një president rajonal të kompromentuar, në këtë rast Masoud Barzani, edhe më i kompromentuar sesa elita e korruptuar e qeverisë katalonase.

Ç’është e vërteta, Barzani është i kapur në mënyrë jokushtetuese pas pushtetit, pasi ka shërbyer si president rajonal për më shumë se dy vjet e gjysmë më gjatë sesa ia lejon kushtetuta. Aparatet rajonale administrative dhe të dhunës mbeten të ndara mes atyre që janë besnikë ndaj KDP-së së tij dhe atyre besnikë ndaj ish-presidentit të ndjerë irakian Jalal Talabani dhe PUK-së së tyre rivale. Ndërkohë, rrogat nga autoritetet qendrore janë ngrirë që prej janarit 2014, rreth grindjeve lidhur me shpërndarjen e resurseve të naftës. Kjo, e kombinuar me rënien e çmimit të naftës, ka sjellë një klimë të vështirësive serioze ekonomike për autoritetet rajonale.

Për t’iu kundërvunë ngritjes së parashikueshme të pakënaqësisë, Barzani veproi duke e instensifikuar shtypjen politike, përfshirë shtypjen e forcave opozitare në parlamentin rajonal. Por meqë pëlqimi nuk mund të bëhet vetëm me forcë, ai vendosi që ta kombinojë këtë me një taktikë populliste, përmes ndihmës së plebishitit – më në veçanti, përmes referendumit të njëanshëm për “vetëvendosje,” një dredhi demagogjike dhe utopike; një mënyrë për të legjitimuar, siguruar, dhe përforcuar kapjen e pushtetit. Edhe sikur ai, ashtu si homologët e tij në Kataloni, t’i ketë luajtur me të gjitha letrat në dispozicion, duke nënvlerësuar kundër-rrymat, të cilat do t’i ndërzente përpjekja e tij për shkëputje të njëanshme.

Referendumi, i mbajtur më 25 shtator, tërhoqi një numër mbresëlënës të votuesve prej 73 për qind, ku afër 93 për qind prej të cilëve votuan po. Kjo është një dëshmi e qartë se shumica dërrmuese janë pro pavarësisë kurde, mbase jo edhe aq befasuese duke pasur parasysh dhunën gjenocidale që kanë vuajtur. Me gjithë këtë, PUK-ja e Talabanit kishte paralajmëruar për rreziqet e referendumit. Ashtu siç kishin bërë edhe përkrahësit amerikanë të Barzanit, të cilët, pasi dështimit për ta bindur që të hiqte dorë, nuk ishin fort të shtytur që të mbronin klientin e tyre “vetëvendosës”, naftëplot dhe kleptokratik.

Jo befasisht, edhe më të zemëruar ishin përkrahësit e dikurshëm të Barzanit, autoritetet turke. Referendumi i Barzanit kishte ringjallur pritshëm paranojat e së djathtës ekstreme, në të cilat bazohet aktualisht presidenti turk Erdogan. Nuk mund të harrohet se bashkëfajësia me autoritetet turke, përfshirë bashkëpunimin dhe koordinimin në luftën e tyre të vazhdueshme kundër PKK-së, ka qenë esenciale për projektin e Barzanit që në fillim. Menjëherë mbas referendumit, autoritetet turke kërcënuan me bllokim të eksportit të naftës dhe madje edhe me mbylljen e kufirit. Kërcënime të cilat, po u përmbushen, gjithsesi se do ta rrëzonin në gjunjë regjimin e Barzanit.

Sa për kundërshtarët e Barzanit në Irak, ata u përgjigjen pothuajse menjëherë duke ndërprerë fluturimet ndërkombëtare në dhe jashtë Erbilit dhe Sulejmaniës, përkrah kërkesave të tyre që autoritetet e KRG-së [Qeveria Rajonale e Kurdistanit] të dorëzojnë kontrollin e aeroporteve. Pa përfunduar java, forcat ushtarake irakiane dhe iraniane do të kishin stërvitje të përbashkët në kufirin e Iranit me KRG-në. Dhe më 15 tetor, ushtria irakiane do të merrte Kirkukun pa luftë, pasi që me sa duket kishte rënë në ujdi me forcat e PUKsë të cilët kishin kontrolluar fushat e kontestuara të naftës që prej vërsuljes së ISIS-it në verën e vitit 2014. Në anën tjetër, tërheqja e PUK-së nga Kirkuku nxiti tërheqjen prej më shumë se 40 për qind nga territoret e kontestuara, të marra dikur, dhe të cilat gjatë referendumit Barzani i kishte ekspozuar si pjesë përbërëse të KRG-së. Dhe një katastrofë e të drejtave të njeriut e llojit të vet, përkundër shmangies së luftës, me rreth 100000 njerëz që u larguan nga shtëpitë e tyre në Kirkuk.

Alternative demokratike konfederale

Diskutimi i ngjarjeve në Kurdistanin irakian në qarqet majtiste perëndimore ka qenë pak më shumë i ndarë, për shkak të mbizotërimit të dyshimit rreth aleancave gjeopolitike që i bashkon “kurdët” me amerikanët, e madje, në disa raste, me izraelitët. E prapëseprapë, diskutimi ka qenë edhe më i mbithjeshtëzuar dhe i çorientuar sesa ai për Kataloninë.

Për fillim, forcave pas referendumit shpesh iu referehohen thjesht si “kurdët,” duke injoruar kështu mospajtimet e thella përbrenda KRG-së, e lëre më ato mes KRG-së dhe pjesëve të tjera të Kurdistanit. Mbase më problematikja, ajo që injorohet gjithashtu është dallimi radikal mes projektit nacionalist të Barzanit për “vetëvendosje” dhe taktikave dhe strategjisë së Lëvizjes Kurde Për Liri, përfshirë PKK-në dhe forcat revolucionare që kanë kontrollin e Roxhavës në Sirinë Veriore, të gjithë të frymëzuar nga udhëheqësi i burgosur Abdulla Ocalan, dhe nga program dhe modeli i tij i konfederalizmit demokratik.

Konfederalizmi demokratik është një projekt radikal demokratik i bazuar mbi asambletë e qytetarëve, i mbrojtur nga milicitë e qytetarëve. Është një program dhe model që përbën një rikonceptualizim radikal të vetëvendosjes, i tillë që përkufizohet në terma të demokracisë së drejtpërdrejtë kundrejt shtetit. Një rikonceptualizim i “vetëvendosjes” që i refuzon si përçarëse dhe utopike ekuacionet e betejës për liri kombëtare me qëllim krijimin e një komb-shteti të pavarur, dhe që përpiqet të tejkalojë rreziqet e tiranisë së shumicës përmes institucionalizimit të regjimit “revolucionar-bashkëshoqëror [consociational].” Një regjim bashkëshoqëror, kontrata shoqërore e së cilit garanton akomodim shumetnik, shumëgjuhësor, dhe shumëfetar, duke zbatuar kuotat për përfaqësim politik (konkretisht, në Roxhava, për arab dhe për të krishterët asirianë), përmes asambleve të drejtpërdrejta të grupeve të ndryshme konstituente, dhe përmes mobilizimit të këtyre grupeve në milicitë e tyre të vetëmbrojtjes.

Në të njëjtën kohë, konfederalizmi demokratik është një projekt radikal demokratik i cili thekson poashtu emancipimin gjinor, dhe zbaton një model të bashkëpresidencës dhe një sistem të kuotave që përforcon barazinë gjinore në të gjithë format e saj të përfaqësimit politik, përmes organizimit të asambleve të grave dhe akademive të grave, dhe përmes mobilizimit të grave në milicitë e tyre për vetëmbrojtje. Për fund, konfederalizmi demokratik është një projekt radikal demokratik i cili vë theksin në rëndësinë e “ekologjisë sociale” dhe qëndrueshmërinë ambientale, në një vend ku toka pikon naftë.

Ç’është e vërteta, në kontrast të thellë me projektin e Barzanit për “vetëvendosje,” Ocalan dhe projekti “demokratik konfederal” i Lëvizjes së Kurdëve për Liri përbën të vetmen alternativë ndaj dialektikës negative të tiranisë dhe kaosit që e pllakos aktualisht rajonin. I tyri është një projekt që kombinon demokracinë radikale, vetëmbrojtjen, përfshirjen shumëkulturore dhe shumëfetare, emancipimin gjinor, sikurse edhe ekologjinë sociale. I tyri është një hartë rruge drejt paqes në Lindjen e Mesme, dhe më tej. Mbase madje edhe për Kataloninë dhe Spanjën, ku CUP-ja dhe Comunes dhe e majta e gjerë spanjolle do të mund të mësonin nja dy gjëra nga shembulli i guximshëm i motrave dhe vëllezërve revolucionarë të Lëvizjes Kurde për Liri.

Siç e ka thënë fuqishëm Abdullah Ocalani, në një moment të reflektimit vetëkritik, ndërsa përpiqej të shpjegonte motivet prapa dorëheqjes parimore të qëllimit për një komb-shtet të pavarur: Në jam fajtor për ndonjë gjë, atëherë është fakti se unë e pranova kulturën e pushtetit dhe të luftës. Unë u bëra pjesë e saj që prej kur u binda në mënyrë gati fetare se neve na duhej një shtet për të qenë të lirë, dhe se prandaj do të duhej të bënim luftë. Shumë pak prej tyre që luftojnë për liri dhe për të shtypurit mund t’i shpëtojnë kësaj sëmundjeje. Prandaj, jo vetëm që jam bërë fajtor në sytë e sistemit por poashtu për sa i përket betejës për liri për të cilën dhashë gjithë çka pata.

_____________________

Thomas Jeffrey Miley është ligjërues i sociologjisë politike në Departamentin e Sociologjisë në Kejmbrixh. Ai është hulumtues në nacionalizmat krahasuese dhe teorinë demokratike. Aktualisht ai po punon në një projekt mbi betejat për vetëvendosje në shekullin e njëzetenjë-të.

Artikulli origjinal

Përktheu: Bardhi Bakija / Sbunker

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.