Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Rruga e pakrye e “zgjidhjeve kombëtare”

Në të kaluarën, dallimet e grupeve etnike në shoqërinë kosovare janë transformuar në konflikt ndëretnik në një kontekst politik, kur elitat politike në Serbi duhej të forconin bazën e tyre legjitimuese dhe elektorale në kohën kur regjimi i vjetër monist dukej se do të zëvendësohej me regjim të ri pluralist, ku në pushtet nuk të sjell Partia, por vota popullore.

Natyrshëm që rezistenca shqiptare në Kosovën e pushtuar ka marrë formë të theksuar nacionaliste, si kundër-reagim ndaj politikave antishqiptare serbe. Në një kohë kur regjimi i vjetër po binte dhe me të edhe ideologjia zyrtare e saj, mobilizimi rezistencës shqiptare gjithnjë e më tepër, pashmangshëm, po merrte kahje nacionaliste. Kështu nga një rezistencë që zgjidhjen e shihte brenda kuadrit institucional jugosllav dhe ideologjisë së vëllazërim-bashkimit të kombeve, për pak vite u kalua në rezistencë me retorikë e ambicie gjithnjë e më të qarta nacionaliste shqiptare.

Pas luftës dhe pushtimit serb, politika ndërkombëtare në Kosovë ka mbështetur “zgjidhjet etnike” për të adresuar problemet e ndarjeve ndëretnike. Në vend se të mbështesë krijimin e hapësirave ekonomike, tregtare, arsimore e kulturore për ndërveprim të komuniteteve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, politika ndërkombëtare ka pranuar gjendjen faktike të ndarjeve etnike, e madje i ka formalizuar ato me kushtetutë e ligje duke ngurtësuar këto ndarje së paku edhe për një kohë të gjatë.

Derisa politika zyrtare serbe pasmillosheviqiane nuk e ka bërë një ndarje të qartë nga nacionalizmi shovinist si opsioni mbizotërues në Serbinë e viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, serbët e Kosovës, sidomos në veri të vendit, vazhdojnë të përdoren si vegël e politikanëve serbë për qëllime të forcimit të pushtetit të tyre.

Politika kosovare e ka pranuar rregullimin institucional që pasqyron ndarjet etnike në shoqëri. Nga ana tjetër, as shqiptarët nuk po mund ta përfytyrojnë një rrugë alternative. Të tjerët që i kanë parë të metat e këtij rregullimi, nuk po mendojnë për rrugë të tjera, përpos që nacionalizmit serb t’i kundërvihen me ligjërim nacionalist shqiptar. Mendoj se në këtë mënyrë po përdoret edhe kundërshtimi opozitar i “Zajednicës” e “faljes së hektarëve Malit të Zi”.

Natyrisht, nacionalizmi i opozitës është më tepër retorikë sesa vizion që drejton sjelljen dhe punën e tyre. Çështja është se retorika, sado pa përmbajtje kuptimplote, nuk është pa qëllim. Nëse qëllimi është që me atë të fitojë përkrahje popullore, duke përdorur sentimentet nacionaliste e instrumentalizuar ndarjet etnike, kjo është rrugë e pasigurt. E sigurt është vetëm se kjo çon drejt antagonizimit të komuniteteve etnike. Nëse ky është çmimi i forcimit të pushtetit politik të politikanëve e partive të caktuara, atëherë qytetarët nuk ishte dashtë të paguajnë aq lart për këtë.

Historia na ka mësuar se politikat antagonizuese janë rrugë drejt dhunës. Retorika nacionaliste e një komuniteti etnik e shtyn komunitetin tjetër që të mobilizohet për të mbrojtur identitetin e tyre që u kërcënohet ose që e perceptojnë se u kërcënohet.

Kur retorika nacionaliste e shqiptarëve të Kosovës si shumicë në shoqëri merr hov, kjo e tremb pakicën serbe dhe të tjerët për të ardhmen e tyre në një “Kosovë të shqiptarizuar” ose “shtet të bashkuar shqiptar”. Pastaj edhe ata kundërpërgjigjen me nacionalizëm të shtuar. Kështu formohet një rreth i mbyllur i “zgjidhjeve kombëtare”; shqiptarët për vete, e serbët për vete, ku interesat e shqetësimet e etnive të tjera nuk janë të rëndësishme. Mirëpo, problemi i nacionalizmit është se ai mund të ngopet vetëm me irredentizëm dhe shkëputje…

Shqiptarëve si shumicë dhe forcë më e madhe politike dhe e serbëve si pakicë e privilegjuar u bie detyra e çarjes së rrethit tonë të “zgjidhjeve kombëtare” dhe përfytyrimit të një alternative ndaj “zgjidhjeve etnike” të të jashtëmve. Natyrisht, kjo vlen nëse e duam ekzistencën e shtetit të ri. E shteti duhet ta ketë shoqërinë e tij, një komunitet qytetar që e përjeton atë si të vetin dhe jo shumicë dominuese, pakicë të privilegjuar, e të tjerë të parëndësishëm.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.