Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Sekretet dhe agjentët

Punimi i George Akerlof në vitin 1970, i titulluar  “Tregu për limon”, është një fundament i ekonomiksit të informacionit. E para në seritë tona të bazave ekonomike.

Në vitin 2007, shteti Washington-it futi ligjin që synonte të bënte tregun e punës më të drejtë: firmave u ndalohej që ta shikonin gjendjen kreditore të kandidatit për punë. Ata që thirreshin në këtë ligj e cilësonin atë si një hap drejt barazisë – kandidati me gjendje më të dobët kreditore ka më shumë shanse që të jetë një i varfër, një i zi, apo një i ri. Deri atëherë, dhjetë vende të ndryshme e adaptuan këtë ligj. Por, kur Robert Cliffor dhe Daniel Shoag, dy ekonomistë të cilët studiuan këtë ndalesë, gjetën se ai i kishte lënë zezakët dhe të rinjtë me më pak punë, e jo më shumë.

Para vitit 1970, ekonomistët nuk kishin zbuluar shumë nga disiplina e tyre që të mund të zgjidhin lirshëm këtë enigmë. Në të vërtetë, ata nuk kishin vrarë mendjen shumë për rolin e informacionit. Në tregun e punës, për shembull, librat shkollorë supozonin që punëdhënësit e dinë nivelin e produktivitetit të punëtorëve të tyre – apo të punëtorëve potencialë – dhe, falë konkurrencës, i paguajnë ata saktësisht sipas vëllimit të punës që ata bëjnë.

Mund të mendoni se një gjetje e tillë mund të festohej si zbulim i madh. Por, kur në fund të viteve 1960, George Akerlof shkroi “Tregu për limon”, i cili zbuloi po atë, dhe më vonë autori i saj fitoi Çmimin Nobel, u refuzua nga tri revista me renome. Në atë kohë, zotëri Akerlof ishte asistent i profesorit në Universitetin e Kalifornias, Berkley; ai kishte përfunduar studimet e doktoraturës në MIT, në vitin 1966. Ndoshta për këtë shkak, American Economic Review mendonte se gjetjet në këtë studim janë të parëndësishme. Poashtu edhe The Review of Economic Studies u pajtua. The Journal of Political Economy kishte pothuajse mendim krejt të ndryshëm: nuk mund t’i duronte gjetjet e këtij studimi. Zoti Akerlof, tani një profesor nderi në Berkley dhe i martuar me Janet Yellen, anëtar i bordit të Bankës Qendrore të Amerikës (Federal Reserve), kujton fjalët e redaktorit: “Në qoftë se kjo është e saktë, ekonomiksi do të ndryshojë”.

Në një formë, redaktorët kishin të drejtë. Ideja e zotëri Akerlof, e publikuar në Quarterly Journal of Economics në vitin 1970, ishte e thjeshtë dhe revolucionare. Supozojmë se blerësit në tregun e veturave të përdorura i vlerësojnë veturat e mira – “pjeshkat” – me çmim 1000 dollarë, dhe shitësit i vlerësojnë pak më pak. Një veturë e përdorur, e cila nuk punon mirë – një “limon” – vlen vetëm 500 dollarë tek blerësit (dhe, prapë, pak më pak tek shitësit). Në qoftë se blerësit mund t’i dallojnë pjeshkat nga limonët, tregtia tek të dy palët do të lulëzonte. Në realitet, blerësit mund të kenë probleme të dallojnë se gërvishjet mund të rregullohen, problemet me makinën e veturës mund të mos zbulohen, si dhe rrugëmatësi mund të ndryshohet.

Duke llogaritur rrezikun që një veturë mund të jetë limon, blerësit ulin ofertën. Ata mund të jenë në gjendjet të paguajnë, të themi, 750 dollarë për një veturë, të cilën ata shohin se mund të jenë gjasat e barabarta që ai të jetë limon, apo pjeshkë. Por, shitësit të cilët e dinë sigurt se vetura është pjeshkë, e refuzojnë një ofertë të tillë. Si rezultat, blerësit ballafaqohen me “përzgjedhje negative”: të vetmit shitës të cilët janë të gatshëm të pranojnë ofertën prej 750 dollarëve janë ata të cilët e dinë sigurt se janë duke shitur një limon.

Blerësit e mençur parashohin këtë problem. Duke e ditur se ka shans t’u shitet një limon, ata ofrojnë vetëm 500 dollarë. Shitësit e limonëve përfundojnë me të njëjtin çmim, siç do të kishin bërë, pati apo nuk pati dykuptimësi. Por, pjeshkët qëndrojnë në garazh. Kjo është një tragjedi: kemi blerës të cilët do të ishin të lumtur të paguanin çmimin e kërkuar për një pjeshkë, në qoftë se do të siguroheshin për kualitetin e veturës. Ky “informacion asimetrik” në mes shitësve dhe blerësve vret tregun.

A është e vërtetë se mund të fitosh një Çmim Nobel duke zbuluar se disa njerëz në treg dinë më shumë se të tjerët? Kjo ishte pyetja e një gazetari që ia shtroi Michael Spence-it, i cili së bashku me ekonomistin Akerlof dhe Joseph Stiglitz, ndanë Çmimin Nobel në vitin 2001 për punën e tyre në asimetrinë e informacionit. Mosbesimi i gazetarit ishte i kuptueshëm. Punimi për limonët nuk kishte një përshkrim adekuat për tregun e veturave të përdorura: jo çdo veturë e shitur është e pavlerë. Dhe siguruesit vetëm se kishin kuptuar që konsumatorët e tyre mund të jenë gjyqtarët më të mirë të asaj se me çfarë rreziku ballafaqohen, dhe se ata më të interesuarit për të blerë sigurime me gjasë ishin më të rrezikuarit.

Kjo ide ende ishte e re tek ekonomistët e mainstreamit [1], të cilët shpejt e kuptuan se shumë prej ideve të tyre u bënë të pavlera. Kjo u përcoll me përparime të mëtejshme, kur hulumtuesit kuptuan sesi problemi i asimetrisë mund të zgjidhet. Kontributi i Michael Spence ishte me studimin e vitit 1973 të titulluar  “Sinjalizimi në tregun e punës”, i cili fokusohej në tregun e punës. Punëmarrësit mund të kenë probleme që të dallojnë se cilët kandidatë janë më të mirët. Zoti Spence tregoi se top-punëtorët tregojnë talentin e tyre duke mbledhur ‘gonge’, në këtë rast diploma universiteti. Por, kjo është valide vetëm në qoftë se sinjali është kredibil: në qoftë se punëtorët me produktivitet të ulët e kanë të lehtë të marrin diplomë universiteti, atëherë ata mund të maskohen si tipa të mençur.

Kjo ide u shndërrua në një “urtësi popullore”. Edukimi shpeshherë mendohet si ndihmesë për shoqërinë duke prodhuar punëtorë produktivë. Në qoftë se është vetëm sinjalizues i talentit, kthimi i investimit shkon te studentët të cilët marrin paga më të larta dhe ndoshta te universitetet, mirëpo jo te shoqëria në tërësi. Një pasues i kësaj ideje, Bryan Caplan nga George Mason University, është duke shkruar një libër të titulluar “The Case Against Education” (Rasti kundër edukimit). (Zoti Spence ndjen keqardhje që të tjerët morën teorinë e tij si një përshkrim i saktë i funksionimit të botës.)

Sinjalizimi ndihmon në shpjegimin se çfarë ndodhi kur Washington-i dhe vendet e tjera ndaluan firmat të shikonin gjendjen kreditore të aplikantëve të tyre. Historia e kreditit është një sinjal kredibil: është e vështirë të falsifikohet, dhe, me sa duket, njerëzit me gjendje kreditore më të mirë kanë më shumë gjasa që të jenë punëtorë më të mirë sesa ata që janë të pakujdesshëm ndaj borxheve të tyre. Messrs Clifford dhe Shoang kanë gjetur se kur firmat nuk do të kenë më qasje në gjendjen kreditore, ato i kushtojnë më shumë rëndësi sinjaleve të tjera, si edukimit dhe eksperiencës. Si shkak i kësaj, për ata u bë më e vështirë që t’i bindin punëmarrësit për vlerën e tyre.

Sinjalizimi shpjegon të gjitha llojet e sjelljeve. Firmat i paguajnë dividentat aksionerëve, të cilët duhet të paguajnë taksat në të ardhura. Sigurisht se do të ishte më mirë në qoftë se firmat do t’i mbanin të ardhurat e tyre, në mënyrë që të rrisin çmimet e aksioneve, dhe kështu aksionarët të taksohen më pak në të ardhura? Sinjalizimi zgjidh këtë mister: pagesa e një dividende është shenjë e forcës, duke treguar se firmat nuk ndjenjë nevojë që të grumbullojnë kesh. Me të njëjtën logjikë, pse disa restorante pozicionohen në zona me qira më të larta? Kjo sinjalizon konsumatorët potencialë që ata të besojnë se ushqimi i mirë do të sjellë suksesin.

Sinjalizimi nuk është mënyra e vetme që të tejkalohet problemi i limonëve. Në vitin 1976 zotërinjtë Stiglitz dhe Michael Rothschild u treguan siguruesve sesi t’i “skanojnë” konsumatorët e tyre. Esenca e skanimit është që të ofrohen marrëveshje që mund të tërheqin vetëm një lloj të “bastvënësve”.

Supozojmë se një sigurues i veturave përballet me dy lloje të ndryshme të konsumatorëve, ata me rrezik të lartë dhe me rrezik të ultë. Ata nuk mund t’i dallojnë këto dy grupe; vetëm konsumatori e di se a është vozitës i rrezikshëm. Messers Rothchild dhe Stiglitz treguan se në një treg konkurrues, siguruesit nuk mund të japin ofertën e njëjtë për të dyja grupet. Në qoftë se e bëjnë, premiumet e vozitësve të parrezikshëm do të subvenciononin pagesat e vozitësve të rrezikshëm. Një rival mund të ofrojë një ofertë me premiume më të ulëta dhe me mbulesë më të vogël, e cila do të tërhiqte vetëm vozitësit e parrezikshëm, sepse ata të rrezikshmit do të dëshironin që të ishin me sigurim të plotë. Firma, e lënë vetëm me klientë të rrezikshëm do të ishte në humbje.

Siguruesi i veturave duhet të ofrojë dy oferta, duke u siguruar se secila i tërheq vetëm konsumatorët për të cilët është dizajnuar. Dredhia është që të ofrohet një marrëveshje e kushtueshme për sigurim të plotë, dhe një opsion me një shumë solide e cila paguhet nga konsumatori. Vozitësit e pakujdesshëm nuk do të ngarendin tek opsioni i dytë, duke e ditur se ka shans të mirë që ata do të paguajnë shumën e caktuar kur kërkojnë kompensimin për dëmin. Ata në vend të saj kërkojnë sigurimin më të kushtueshëm. Vozitësit e kujdesshëm do të tolerojnë pagesën solide nga ana e tyre.

Kjo nuk është një zgjidhje e kënaqshme e problemit. Vozitësit e kujdesshëm ngecin me pagesa më të larta – njëjtë sikur në modelin e Spence-s rreth edukimit, punëtorët me produktivitet të lartë duhet të kenë edukim në mënyrë që të tregojnë veten. Dhe, skanimi është një metodë që thuajse firmat e përdorin në çdo rast kur i ofrojnë konsumatorëve menu të opsioneve.

Kompanitë e fluturimeve ajrore, për shembull, duan që të tërheqin konsumatorë të pasur me anë të çmimeve të larta, pa i larguar ata të varfrit. Në qoftë se ata do të dinin hollësisht ‘xhepin’ e konsumatorit, atëherë ata do të ofronin vetëm bileta të klasit të parë për të pasurit, dhe bileta me vlerë më të dobët për të tjerët. Por, duke e ditur se duhet t’i ofrojnë të gjithëve opsionet e njëjta, ata duhet t’i provokojnë ata për të shikuar se kush ka mundësi t’i paguajë më të shtrenjtat. Kjo nënkupton që qëllimisht krijohen biletat e “economy class”, për t’u siguruar që ata që e kërkojnë ata janë ata me kuleta më të holla.

Hazardi dobëson të mirën

Përzgjedhja negative ka një kushëri. Siguruesit e kanë mësuar qysh moti se njerëzit të cilët blejnë sigurime kanë më shumë shanse të pranojnë rreziqe. Njëri që ka sigurim shtëpie do ta kontrollojë alarmin e tymit më rrallë; sigurimi shëndetësor inkurajon të ushqyerit e pashëndetshëm dhe pirjen e alkoolit. Ekonomistët për herë të parë filluan ta kuptojnë këtë “moral hazard”, kur Kenneth Arrow shkroi për të në vitin 1963.

Morali hazard ndodh kur stimujt ngatërrohen. Ekonomiksi i vjetër, citon Stiglitz, në fjalimin e tij gjatë marrjes së Çmimit Nobel, nuk u ka dhënë shumë rëndësi stimujve. Në një botë komplet transparente, nuk duhet të kesh synimin kryesor të stimulosh dikë, sepse mund të përdorësh një kontratë dhe t’i specifikosh sjelljet e tij me saktësi. Kur një informacion është asimetrik dhe nuk mund të observosh se çfarë janë duke bërë të tjerët (a po përdor shitësi pjesë të lira? A po e keqpërdor vendin e punës punëtori?), ti duhet të shqetësohesh për t’u siguruar se kërkesat janë të theksuara.

Skenarët e tillë paraqesin probleme të cilat njihen si problemet “principal-agent”. Si mundet një principal (menaxher) të bëjë një agjent (të themi punëtor) të sillet ashtu siç do ai, kur nuk mund ta monitorojë gjatë gjithë kohës? Mënyra më e lehtë është që të sigurohet se punëtori punon shumë, është që t’i japë një pjesë, apo gjithë profitin. Floktarët, për shembull, shpesh marrin me qira një karrige në sallone, në mënyrë që t’i marrin përfitimet për vete.

Por, të punuarit shumë jo gjithmonë garanton sukses: një analist i mirë në një firmë konsulente, për shembull, mund të bëjë punë të shkëlqyeshme në prezantimin e një projekti tek investitorët megjithatë ata shkojnë tek rivali. Një opsion tjetër është që të paguhen “paga të eficiencës”. Stiglitz dhe Carl Shapiro, treguan se mund të paguajnë rroga të larta në mënyrë që t’i bëjnë punëtorët ta vlerësojnë punën më shumë. Kjo, mund të ketë gjasa që punëtorët të mundohen që të mos i neglizhojnë përgjegjësitë e tyre sepse në qoftë se zihen, do të pushoheshin nga puna. Kjo njohuri ndihmon që të shpjegohet një enigmë fundamentale e ekonomiksit: kur punëtorët janë të papunë, por duan punë, pse pagat nuk bien deri në atë shkallë që dikush të dojë t’i punësojë ata? Një përgjigje e kësaj enigme është se pagat mbi ato të tregut veprojnë si karrotë, dhe rrjedhimisht papunësia, si shkop [2].

Dhe kjo nxjerr në pah një pikë edhe më të thellë. Para se zoti Akerlof dhe pionierët e tjerë të ekonomiksit të informacionit të dilnin në pah, disiplina supozonte se në një treg konkurrues, çmimet reflektojnë koston margjinale: mbingarko mbi kosto, dhe një konkurrent do të shesë me çmime më të lira. Por, në një botë të asimetrisë së informacionit, “sjellja e mirë udhëhiqet nga fitimi i një surplusi e cila nuk mund të merret tjetërkund”, sipas Stiglitz. Paga duhet të jetë më e lartë për punëtorin sesa në një vend pune tjetër, në qoftë se duan t’i ruhen ikjes së punëtorit; dhe firmat duhet ta kenë të vështirë të humbin konsumatorët kur produktet e tyre janë prodhim i dobët, në qoftë se ata kanë filozofinë e kompanisë investimin në kualitet. Në tregjet me informacione imperfekte, çmimi nuk mund të jetë e barabartë me koston margjinale.

Koncepti i asimetrisë së informacionit, pra, me të vërtetë e ka ndryshuar disiplinën. Afro 50 vite pasi punimi i limonëve është refuzuar 3 herë, urtësitë e saj mbesin të një rëndësie kruciale për ekonomistët, dhe për politikat ekonomike. Thjesht pyet një zezak të ri nga Washington-i me histori krediti të mirë, i cili dëshiron të gjejë një punë.

___________

[1] Mainstream economics është ekonomia që shpjegohet në universitetet më të mira të një vendi të caktuar, dhe ekonomistët e mainstream janë ata profesorë të cilët japin mësime të ekonomisë në universitete të tilla.

[2] Karrota dhe shkopi (carrot and stick idiom) – i referohet politikës së ofrimit të kombinimeve të shpërblimeve dhe dënimeve që të dirigjojnë sjelljen.

Artikulli origjinal

Perktheu: Besnik Rexhepi

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.