Këtë vit “Shkolla e Mendimit Kritik” truAktiv do të udhëtojë në 7 qytete të Kosovës. Për vitin e pestë me radhë, të rinjtë e moshave 17 deri në 23 vjeç e kanë mundësinë që të bëhen pjesë e diskutimeve dhe punëtorive katërditore me qëllim të nxitjes dhe inkurajimit të mendimit kritik rreth politikës, filozofisë, shoqërisë, të drejtave të njeriut, kulturës, ambientit dhe aktivizmit në komunitet. Ne në truAktiv besojmë se edukimi alternativ dhe mendimi kritik janë vlera të fuqishme të një shoqërie progesive dhe të shendoshë. Gjithashtu, besojmë se edukimi është proces që zhvillohet përmes ndërveprimit, dialogut dhe argumentimit. Prandaj, truAktiv shërben si arenë ku pjesëmarrësit dhe ligjeruesit ushtrojnë së bashku mendimin kritik.
Cili është programi i Shkollës së Mendimit Kritik?
– Në ditën e parë prezantohemi, tregojmë kush jemi, shoqërohemi, këqyrim film e diskutojmë rreth tematikës së filmit. Veç na, pa ekspertë.
– Në ditën e dytë bashkë me Flutura Kusarin do të mësojmë se si t’i qasemi informacioneve që marrim nga mediat dhe si të bëhemi detektorë kritikë të lajmeve të rreme. Pastaj me Adem Behën do të gërrmojmë thellë disa koncepte kyçe të teorisë së politikës, ku do të shqyrtojmë kritikisht idetë për identitetin dhe kombin si komunitet imagjinar. Ndërkaq, ditën do ta përmbyllim me Bardhi Bakijën ku do të angazhohemi kritikisht në diskutimet për konceptin e drejtësisë dhe idealin e shoqërisë së drejtë në historinë e filozofisë .
– Ditën e tretë do të fillojmë me Gëzim Selacin i cili do të na flasë për sekularizmin dhe ndarjen e pushteteve dhe do të na ftojë të shqyrtojmë kritikisht raportin mes fesë dhe shtetit në kohët moderne. Me Shkelzen Gashin do të thellohemi në fushën e drejtësisë tranzicionale dhe ballafaqimit me të kaluarën, ku do të shqyrtojmë narrativat garuese për të kaluarën dhe metodat e shtrembërimit të historisë. Ndërkaq, me Mirishahe Sylën do të flasim për gjininë, seksualitetin, dhe dhunën në baza gjinore.
– Në ditën e katërt, bashkë me aktivistën e ambientit Nikki Murseli do të flasim për betejat e mbrojtjes së ambientit nga shkatërrimi dhe degradimi dhe përgjegjësinë individuale e kolektive karshi ambientit. Me Ereblir Kadriun, do të flasim për ndërveprimin social dhe raportin mes individit dhe turmës. Ndërsa me Leonida Molliqajn do të mësojmë për bazat e gazetarisë hulumtuese, rolin kritik të hulumtimit në çmitizim dhe zbardhje të së vërtetës.
Si mund të vazhdoj të jem pjesë e truAktiv dhe çfarë janë mundesitë tjera?
Pas përfundimit të shkollës të mendimit kritik pjesëmarrësit do të munden të:
– Çertifikohen dhe bëjnë punë praktike 3-mujore në Sbunker dhe organizatat e tjera bashkëpunuese.
– Marrin pjesë në samitin tre ditor të truAktiv në Prishtinë.
– Marrin pjesë në modulet e strukturuara “Politika dhe Shoqëria”; “Produksioni Multimedial” i “Aktivizmi në komunitet”.
– Mbështeten nga truAktiv për të implementuar idetë e tyre, të cilat kanë bazë ndryshime në komunitet.
– Bëhen pjesë e komunitetit të truAktiv, i cili përbëhet nga ish pjesëmarrës dhe aktivistë të truAktiv.
– Bëhen koordinatorë lokalë të truAktiv për të zhvilluar aktivitete në rajonet përkatëse.
Kur fillon Shkolla e Mendimit Kritik?
Programi do të zbarkoj në 7 rajone të Kosovës nga marsi deri në maj. Në ditën e parë ia fillojmë në orën 16:00 deri në orën 18:00. Ndërsa, ditët e tjera fillojnë prej orës 13:00 deri në orën 17:30.
Rajoni i Prishtinës (Prishtinë, Podujevë, Lipjan, Kastriot, Fushë Kosovë, Artanës dhe Drenasit)
Programi: 31 mars deri më 2 prill
Mbyllja e thirrjes së aplikimit: 25 mars
Rajoni i Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj)
Programi: 6 prill, deri më 9 prill
Mbyllja e thirrjes së aplikimit: 1 prill
Rajoni i Pejës ( Pejë, Istog, Klinë dhe Deçan)
Programi: 13 prill, deri më 16 prill
Mbyllja e thirrjes: 8 prill
Rajoni i Gjakovës (Gjakovë, Rahovec dhe Junik)
Programi: 20 prill, deri më 23 prill
Mbyllja e thirrjes: 15 prill
Rajoni i Prizrenit (Suharekë dhe Malishevë)
Programi: 27 prill, deri më 30 prill
Mbyllja e thirrjes: 22 prill
Rajoni i Gjilanit (Gjilan, Kamenicë dhe Viti)
Programi: 4 maj, deri më 7 maj
Mbyllja e thirrjes: 29 prill
Rajoni i Ferizajt (Ferizaj, Kaçanik, Hani i Elezit, Shtime dhe Shterpcë)
Programi: 11 maj, deri më 14 maj
Mbyllja e thirrjes: 6 maj
Rajoni i Prishtinës (Prishtinë, Kastriot, Fushë Kosovë, Lipjan, Artanë dhe Drenas)
Programi: 18 maj, deri më 21 maj
Mbyllja e thirrjes: 13 maj
Rreth aktiviteteve të truAktiv vizitoni www.truaktiv.net
—-
Shkolla e Mendimit Kritik është mundësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.