Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Projekti i ringjallur i Minierës së Litiumit, i destinuar për të formësuar të ardhmen e Serbisë

Protests against Rio Tinto in Serbia, 2024. Source: Mašina/Facebook

Më 2021, Serbia u përball me një valë të madhe të protestave për mjedisin, që çuan në shtrirjen e bllokadave në tërë vendin. Për herë të parë në një dekadë, Qeveria e Serbisë u dorëzua dhe anuloi “Projektin Jadar” të Rio Tinto-s, që synonte eksplorimin dhe nxjerrjen e litiumit.

Kompania multinacionale britaniko-australiane, Rio Tinto, ka qenë duke hulumtuar në Luginën e Jadarit në Serbinë Perëndimore dhe, kësisoj, ka zbuluar një nga rezervat më të mëdha të litiumit në Europë. Teksa kompania po përgatitej për të filluar ekstraktimin e litiumit nga jadariti, metodë kjo që mund të shkaktojë ndotje të lartë, aktivistët ekologjikë filluan të ngrenë shqetësimet e tyre për ndikimin potencial ekologjik të projektit.

Si kundërpërgjigje ndaj protestave dhe shqetësimeve mjedisore në rritje, Qeveria e Serbisë vendosi t’i ndalte të gjitha eksplorimet dhe aktivitetet e ndërlidhura nga dega e Rio Tinto-s në Serbi, Rio Sava Explorations. 

Megjithatë, në korrik 2024, Gjykata Kushtetuese e Serbisë e rrëzoi këtë vendim. Vetëm pak ditë më vonë, Serbia e nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit për partneritet strategjik me BE-në mbi lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e prodhimit të baterive dhe veturat elektrike. 

Marrëveshja e nënshkruar, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të Qeverisë së Serbisë, nënkryetarit të Komisionit Europian, Maros Sefcovic, dhe Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, i dha Rio Tinto-s dritën e gjelbër në mënyrë efektive për vazhdimin e aktiviteteve të saj të eksplorimit.  

Ringjallja e Projektit të Rio Tinto-s të nxjerrjes së litiumit në Serbi vë në pah tensionet midis qytetarëve serbë dhe interesave ekonomikë europianë, si dhe e pozicionon Serbinë në udhëkryq të qëllimeve strategjike europiane dhe sfidave të brendshme demokratike.

Pozicioni i Qeverisë së Serbisë për projektin e nxjerrjes së litiumit 

Që nga fillet e saj, Qeveria e Serbisë vazhdimisht e ka përkrahur projektin e nxjerrjes së litiumit, duke bërë hapa të rëndësishëm për të siguruar avancimin e tij. Përveç vazhdimit të projektit pas nënshkrimit të memorandumit me BE-në, qeveria ka ndërmarrë disa veprime të pazakonshme. 

Së pari, presidenti Vuçiq, në mënyrë kontroverse, e ka lidhur fatin e tij politik me projektin dhe, në vend se të propozojë referendum për vetë nxjerrjen e litiumit, ka propozuar referendum për shkarkimin e tij – një qasje kjo e pambështetur në dispozitat kushtetuese. 

Për më shumë, kryeministri Vuçeviq, së fundmi, me një videomesazh ku lartësonte trashëgiminë dhe të ardhmen e minierave të Serbisë, e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Minatorëve. Edhe pse ai nuk e përmendi në mënyrë eksplicite apo të drejtpërdrejtë Rio Tinto-n ose Projektin Jadar, mesazhi në mënyrë implicite mbështeste rëndësinë e sektorit të minierave.   

Ndoshta veprimi më i habitshëm ka qenë themelimi i qendrës së thirrjeve telefonike nga Ministria e Minierave dhe Energjisë, dedikuar informimit të qytetarëve për nxjerrjen e litiumit dhe Projektin Jadar. Ministrja Dubravka Dedoviq Handaviq, personalisht u është përgjigjur disa thirrjeve, praktikë kjo që e pozicionon qeverinë de facto si një agjenci të PR-it (marketingut) për një korporatë të huaj multinacionale. 

Rifillimi i protestave me një paralajmërim 

Pas rifillimit zyrtar të Projektit Jadar u rrit pakënaqësia publike, gjë që gjatë verës shtyri në 37 protesta të organizuara nga aktivistët dhe grupet ekologjike gjithandej Serbisë. 

Protesta më e madhe u zhvillua në Beograd, ku dhjetëra-mijëra protestues shfaqën pakënaqësinë e tyre lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe vazhdimin e projektit të nxjerrjes së litiumit. 

Gjithashtu, protestuesit bllokuan stacionin kryesor hekurudhor në Beograd, strategji kjo që pati rezultuar e suksesshme në vitin 2021, kur protestuesit ekologjikë i bllokuan rrugët dhe autostradat kryesore në vend, duke e detyruar qeverinë ta pezullojë Projektin Jadar. 

Megjithatë, mbetet e pasigurt nëse këta protestues mund ta arrijnë suksesin e njëjtë si në vitin 2021. Përkundër mbështetjes së gjerë të protestave, disa faktorë krucialë mund të ndikojnë në rezultatin e tyre.  

Së pari, përkrahja eksplicite e projektit nga ana e BE-së dhe Gjermanisë i komplikon tentimet për ta shtyrë Qeverinë e Serbisë dhe presidentin të heqin dorë nga projekti sërish. BE-ja, e nxitur nga Autonomia e saj Strategjike, shqetësimet gjeopolitike dhe tensionet në tregtinë me Kinën, është e interesuar të sigurojë litium nga vendet fqinje për industrinë e saj të veturave dhe ta mënjanojë varësinë nga importet prej Afrikës apo Azisë.  

Së dyti, litiumi është krucial për industrinë e veturave të Gjermanisë, e cila po e humb garën me veturat elektrike të Kinës (EV-të). Gjithashtu, Marrëveshja e Gjelbër Europiane synon reduktimin e gazrave me efekt serrë me 55% deri në vitin 2030, kurse deri në vitin 2050 – zero emetime, duke e bërë litiumin krucial për arritjen e këtyre targeteve. 

Marrë parasysh interesat direktë ekonomikë dhe politikë të BE-së dhe Gjermanisë, protestuesit serbë mbesin pa mbështetje të Perëndimit.  

Marrëdhënia transaksionale BE-Serbi

Qasja e BE-së ndaj Serbisë gjithnjë e më shumë po bëhet pragmatike dhe e ndikuar nga interesat, shpesh në kurriz të vlerave të saj themelore dhe parimeve demokratike. 

Me mbështetjen e regjimeve autokratike, tash e një kohë, BE-ja është kritikuar për mbështetjen e stabilokracisë në Ballkanin Perëndimor, duke e prioritizuar stabilitetin para demokracisë. Në rastin e Serbisë, duket se BE-ja po dëshiron t’i injorojë deficitetet e demokracisë në këmbim të sigurimit strategjik të furnizimit me litium.  

Konsideruar heshtjen e mëparshme të BE-së për çështje si parregullsitë zgjedhore dhe mungesa e progresit të reformës demokratike, ka të ngjarë që kjo marrëdhënie transaksionale do të vazhdojë.

Politico shkruan se Vuçiqi veçse e ka siguruar përkrahjen nga Perëndimi, duke e pozicionuar veten si udhëheqësin e preferuar të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Ai po e shfrytëzon këtë mundësi për t’i goditur politikisht aktivistët ekologjikë. Policia e Serbisë ka arrestuar disa aktivistë, me akuzat se ata kanë tentuar ta përmbysin rendin kushtetues të Serbisë, duke organizuar dhe duke marrë pjesë në protestat kundër litiumit, e disa nga ta janë përballur edhe me intimidim nga Shërbimi Sekret.

The New York Times shkruan se projekti i litiumit është shndërruar në një fushëbetejë indirekte me përpjekjet e Perëndimit për ta nxjerrë vendin nga ndikimi i Rusisë dhe Kinës. 

Derisa Vuçiqi po e shijon mbështetjen nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe Rusia po mundohen t’i paraqesin aktivistët ekologjikë si nxitës të “revolucionit të ngjyrave” dhe kërcënues të rendit politik të Serbisë. 

Projekti i nxjerrjes së litiumit është shndërruar në një çështje tejet të ndjeshme socio-politike në Serbi, duke e polarizuar skajshmërisht shoqërinë. Mbetet për t’u parë rezultati i protestave, por një gjë është e qartë: sjellja transaksionale e BE-së fokusohet vetëm në interesat e saj dhe i neglizhon në plotni standardet demokratike dhe kërkesat e qytetarëve të Serbisë për këtë çështje.  

BE-ja e ka gjetur një aleat te Vuçiqi, i cili ka gjasa ta përdorë këtë mundësi për ta betonuar pozicionin e tij dhe për të vazhduar goditjen ndaj çdo forme të opozitës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.