Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Fundi i zyrave financiare ilegale në veri

Mungesa e një zgjidhjeje për çështjen e dinarit në mesin e komunitetit serb, që pasoi me aksionin e Policisë së Kosovës për mbylljen e zyrave financiare ilegale, nxiti një valë të re reagimesh, ku u përmend edhe lufta. Një vit pas protestave të dhunshme në veri dhe situatës së brishtë të sigurisë, që kulmoi me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, shqetësimet se mund të ketë një krizë tjetër janë ende prezente.

Disa ditë pasi dështuan negociatat në Bruksel, Policia e Kosovës ndërmori aksion ndaj institucioneve financiare serbe në veri, që çoi në mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës Serbe dhe Bankës Popullore të Serbisë.

Operacioni policor rezultoi me konfiskimin e provave të ndryshme materiale: “Rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinarë, rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë, rreth 40 dollarë australianë”.

Sipas institucioneve të Kosovës, qëllimi i operacionit ishte vendosja e rendit dhe e ligjshmërisë në kuadër të transaksioneve financiare që për shumë vite operuan jashtë sistemit vendor.

Por, në Serbi u proklamua narracion tjetër tek e interpretuan si vendim të radhës që për qëllim ka vështirësimin e jetesës së serbëve.

Bashkimi Evropian dhe Departamenti Amerikan i Shtetit e dënuan aksionin, duke e cilësuar të njëanshëm, që përshkallëzon edhe më tej tensionet dhe minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Por, kryeministri Albin Kurti përsëriti se është Serbia ajo që po tenton të nxisë konflikt të ri në Kosovë. Gjatë një fjalimi në Konferencën e Mbrojtjes në Londër, ai deklaroi se armatimi i Serbisë shpërfaq synimin për eskalimin e situatës në rajon.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me bastisjet në zyrat financiare, po vazhdon me veprime që çojnë në përmasa të një fatkeqësie humanitare për popullin serb në veri.

Pjesë e narrativës që ndërlidhet me situatën në veri janë edhe misionet ndërkombëtare.

Ditën kur u krye aksioni, afër zonës qëndruan pjesëtarët e Misionit EULEX, të cilët nuk kanë mandat ekzekutiv që nga viti 2008. Tek komentoi prezencën e këtij misioni, Daçiqi dezinformoi, duke thënë se EULEX-i e as KFOR-i nuk i ndaluan veprimet e Policisë, duke përmendur rrethanën që Serbia nuk mund të ndërhyjë në terren.

Por, në EULEX sqaruan se ata vetëm kanë monitoruar në kuadër të komponentës esenciale brenda mandatit që kanë:

Për ushtrimin efektiv të kapacitetit tonë të monitorimit të thuktë, neve na duhet të kemi edhe prezencë fizike në skenën e aktiviteteve që kryhen nga institucionet e Kosovës përgjatë tërë zinxhirit të drejtësisë. Kjo nënkupton monitorim në terren si palë e paanshme ndaj qëndrimit dhe veprimeve të autoriteteve të Kosovës, për vlerësimin e përputhshmërisë së tyre me parimet e sundimit të ligjit dhe detyrimet për të drejtat e njeriut, me zotim të qartë kundër çdo forme të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të diskriminimit”, thuhet në komunikatën dërguar mediave.

EULEX-i konfirmoi se gjatë kryerjes së aktiviteteve të monitorimit, ata respektojnë në tërësi pavarësinë e autoriteteve gjyqësore dhe parimin e mosndërhyrjes. Por, në rast se përmes këtyre aktiviteteve të monitorimit identifikohen mangësi të rënda, Misioni i adreson ato me autoritetet përgjegjëse relevante.

Ndërkaq, në KFOR thanë se u njoftuan për aksionin, por nuk morën pjesë në të.

Që nga përfundimi i luftës, në Kosovë kanë operuar institucionet ilegale financiare të cilat janë mbajtur gjallë nga Serbia, jo vetëm në veriun e populluar me shumicë serbe.

Banka Popullore e Serbisë dërgonte dinarët nëpërmjet kompanisë ndërkombëtare “Henderson”, në kasafortën e vendosur në Komunën e Leposaviqit. Prej aty, paratë shpërndaheshin nëpër institucionet financiare që operonin nën sistemin serb, si Posta e Serbisë apo Kursimorja e Postës, të cilat i mbyllën autoritetet e Kosovës.

Pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re të Bankës Qendrore dhe përfundimit të periudhës tranzitore, Euroja është valuta e vetme zyrtare për operacione me para të gatshme.

Vendimi u kundërshtua nga serbët në veri, të cilët pagesat i kanë pranuar në dinarë.

Në shtatë takimet e zhvilluara në Bruksel për këtë çështje, palët dështuan në gjetjen e një zgjidhjeje për mënyrën e zbatimit të Rregullores. Nuk pati përafrim as rreth propozimit që emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ua bëri palëve, e që implikonte një zgjidhje të përkohshme. Zgjidhja e përhershme është lënë të negociohet në faza të mëvonshme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Mbështetur në ato që u thanë pas takimit, qëndrimet janë diametralisht të kundërta dhe një zgjidhje e pranueshme nuk duket në horizont. Pala serbe ka kërkuar t’i lejohet hapja e një dege serbe, përmes së cilës do të bëhej distribuimi i pagesave në Euro, por duke shmangur Rregulloren e BQK-së. Kërkesën për hapjen e një ndërmarrjeje të re e ka përmendur edhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tek ka fajësuar palën kosovare për refuzimin e propozimit.

Propozimi është refuzuar nga Qeveria e Kosovës, me arsyen se kjo nënkupton legalizim të strukturave paralele, prej së cilave nuk do të përfitonin qytetarët serbë. Propozimi i palës kosovare ka qenë të ndiqet logjika e marrëveshjeve të Telekomit dhe Energjisë, edhe kur vjen puna te zbatimi i Rregullores së BQK-së.

Pas dështimit për gjetjen e një zgjidhjeje, ndërmjetësi Lajçak deklaroi se në mungesë të marrëveshjes është e paqartë “se si do të ndikojë kjo në jetën e përditshme të komuniteteve të prekura në Kosovë”. Ai shprehu gatishmëri për një takim tjetër lidhur me këtë temë, me kusht që palët të tregohen konstruktive në arritjen e një marrëveshjeje.

Kosova e Serbia, në kuadër të dialogut, kanë arritur disa marrëveshje që trajtojnë edhe integrimin e strukturave paralele brenda juridiksionit vendor. Por, ato nuk kanë rezultuar të qëndrueshme, e as nuk kanë prodhuar rezultatet e synuara. Në vitin 2016 ishin integruar rreth 700 pjesëtarë të formacionit “Mbrojtja Civile” dhe ish-MUP-it serb, shumica prej tyre në Policinë e Kosovës. Por, vazhdimisht ka pasur ankesa të qeverisë në Bruksel se Beogradi vazhdon t’i mbajë gjallë këto struktura për nxitje të tensioneve.

Paqëndrueshmëria e marrëveshjeve u konfirmua në nëntorin e vitit 2022, kur pjesëtarët e komunitetit serb u dorëhoqën nga të gjitha institucionet e Kosovës, në shenjë revolte pas vendimit të Qeverisë për konvertimin e targave serbe në RKS. Ky vakum institucional po vazhdon në pritje të një zgjidhjeje e cila do të mundësonte rikthimin e serbëve në pozitat e tyre.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.