Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Sulmi në Banjskë përmes të cilit u tentua “aneksimi i veriut”

Vendi ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku 

*Përgatiti: Ridona Berisha

Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit ishte kërcënimi më i madh që iu bë sovranitetit të Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë, me ç’rast u vra  rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe u plagos një tjetër. Ky sulm riktheu rrezikun e një konflikti ndëretnik dhe sipas autoriteteve të Kosovës ishte një përpjekje për ta ndryshuar me forcë realitetin në veriun e populluar me shumicë serbe. Shqetësimet për përshkallëzim të situatës në veri u shtuan pas dështimit që të arrihet dakordimi në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për rrugën përpara drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë.

Megjithëse Serbia e mohoi përfshirjen në aksionin e 24 shtatorit, faktet e prezantuara nga institucionet e Kosovës dëshmojnë se përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi janë bërë në bazën e trajnimeve ushtarake në Pasuljanske Doline si dhe në Kopaonik. Pamjet e përgatitjeve janë siguruar nga dronët e grupit terrorist të cilët i kishte konfiskuar Policia e Kosovës, e që u ekspozuan dhe transmetuan në media pas përfundimit të aksionit në Banjskë.

Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ishte i pari që e mohoi se Serbia ka gisht në organizimin e sulmit. Fillimisht, në konferencën për media deklaroi se serbët lokal u rebeluan për shkak të politikave persekutuese të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Vuçiqi u arsyetua duke thënë se Serbia nuk ushtron kontroll efektiv mbi territorin e Kosovës, duke e përsëritur se kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Në krye grupit terrorist ishte Milan Radojçiqi i cili prej vitesh është në arrati pas aktakuzës së organeve ndjekëse të Kosovës dhe po ashtu është në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara, për shkak të aktivitetit të tij kriminal në veri.

Kronologjia e sulmit

Mëngjesin e 24 shtatorit Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se rreth orës 03:00 të mëngjesit, në fshatin Banjskë të Zveçanit është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast ka mbetur i vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur.

Në sqarimet vijuese Policia e Kosovës, deklaroi se njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë ishin vendosur dy mjete të rënda kamion (pa targa) duke e bllokuar hyrjen drejt fshatit. Pas pranimit të informacionit, njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan  i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit. Njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë granata dore dhe zollë.

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thanë se qëllimi final ishte aneksimi i veriut duke nxitur kryengritje tek popullata lokale serbe. Në pamjet e konfiskuara nga Policia e Kosovës nga dronët e grupit terrorist, i cili u largua përmes rrugëve malore drejt Serbisë, shihet se përgatitjet u bënë në qendrat e trajnimit të Serbisë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se nga hetimet e deritashme kanë ardhur në përfundim se grupi terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë më 24 shtator, ka stërvitur në hapësirën e Hotel Grey në Kopaonik, pronë e Milan Radoiçiqit i cili morri përsipër organizimin e sulmit.

Nga informacionet tjera që u dhanë prej autoriteteve të vendit, u raportua se bëhet fjalë për së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodheshin nën rrethimin e forcave policore të Kosovës.  Megjithatë shifrat e pjesëmarrësve të grupit ndryshuan dhe në konferencën e fundit të minsitrit Sveçla u tha se ishin rreth 90 sulmues nga Serbia.

Hetimet për sulmin

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës nxiti reagime të shumta të ndërkombëtarëve, të cilët kërkuan hetimin dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave. BE-ja e SHBA-ja i ofruan mbështetje Kosovës në hetimin e ngjarjes duke kërkuar që edhe Serbia të ofrojë bashkëpunim në këtë çështje.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se sulmi erdhi nga një grup i mirëorganizuar, i stërvitur, profesional me shumë pajisje ushtarake që ka strukturë prapa. “Duam t’i shkojmë deri në fund dhe t’u kërkohet llogari përgjegjësve”, tha ai. Ndërsa me 26 shtator 2023, vendet anëtare të BE-së dënuan sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe kërkuan që të zbardhet rasti. Disa shtete kërkuan edhe qasje të balancuar të BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë, nëse dëshmohet lidhja e saj me sulmet ndaj Policisë së Kosovës. Ndërkaq Ambasada e Britanisë së Madhe kërkoi që institucionet e Kosovës të lejohen të hetojnë dhe të identifikojnë autorët e sulmit, “në mënyrë që ata të sillen para drejtësisë”.

Pas sulmit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg autorizoi dislokimin e trupave shtesë në Kosovë. Mbretëria e Bashkuar vendosi rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit, të cilët pritet t’i bashkohen kontingjentit britanik prej 400 trupash në kuadër të KFOR-it.

Hyrja e Manastrit të Banjskës ku qëndroi grupi terrorist nga Serbia

Hedhja e fajit tek serbët e veriut

Diskursin dhe narracionet që Vuçiqi ka ndërtuar ndër vite në raport me Kosovën, i përsëriti edhe pas ngjarjes në Banjskë. Në paraqitjet e shpeshtuara edhe në mediat ndërkombëtare ai tha se çdo ditë ia kanë tërhequr vërejtjen Brukselit dhe Uashingtonit “por që s’kanë dashur të dëgjonin serbët”.

Në linjë me qëndrimet e Vuçiqit, më 29 shtator 2023, nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiqi, përmes avokatit të tij, pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin e 24 shtatorit. Ai po ashtu njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe. Tek një javë pas sulmit Radojçiqi u arrestua dhe u morr në pyetje nga një prokuror në Beograd. Por u lirua pas vetëm dy ditësh edhe pse ishte në krye të grupit terrorist që vrau një Polic të Kosovës. Po ashtu Serbia u solidarizua me tre të vrarët në sulmin terrorist duke e shpallur 27 shtatorin e ditë zie. Në linjë me politikën e Vuçiqit, edhe Lista Serbe në Kosovë i shpalli tri ditë zie. Shpallja e terroristëve si heronjë dhe glorifikimi i tyre është dëshmi tjetër se Serbia mbështet aksionet që kanë për qëllim cënimin e rendit kushtetues dhe sovranitetit të Kosovës, të cilën shteti serb nuk e njeh.

Emri i Radojçiqit prej vitesh është sinonim për krimin dhe kontrabandën në veri, megjithëse në periudha të caktuara me të kanë bashkëpunuar edhe politikanë shqiptarë nga Prishtina. Ai dyshohet se ka gisht në vrasjen e ish politikanit serb nga veriu, Oliver Ivanoviq. Gjithashtu Ministria e Financave e SHBA-së në dhjetor të vitit 2021, e ka futur në listë të sanksioneve Milan Radoiçiqin. Për vite me radhë, Radojçiqi ka qenë zëvendës i Zvonko Veselinoviqit dhe udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal- përgjegjës për kontrabandën në veri.

Megjithë mohimin e përfshirjes së Serbisë dhe përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve, Vuçiqi shkoi në drejtimin e kundërt duke e tensionuar edhe më shumë situatën, përmes lëvizjeve të cilat i ka aplikuar sa herë ka pasur tensione në veri. Kësisoj më 30 shtator 2023, u raportua për lëvizjen e një autokolone ushtarake në drejtim të kufirit me Kosovën. Ushtria serbe dislokoi trupat e saj fare pranë brezit kufitar me Kosovën, duke bërë që të ngriten shqetësime për një sulm të mundshëm. Qeveria e Kosovës po të njëjtën ditë i bëri thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat ushtarake nga vija kufitare teksa kërkoi shtim të KFOR-it përgjatë vijës kufitare. Sipas Qeverisë së Kosovës, me 29 shtator Ushtria e Serbisë i ka vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Kosovën, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë. Kjo vendosje e ushtrisë serbe përgjatë kufirit të Kosovës u monitorua edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat i bënë thirrje Serbisë t’i largojë ato. Duke folur për sulmin e 24 shtatorit zëdhënësi për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby tha se sasia e madhe e armatimit që u gjet, paraqet kërcënim jo vetëm për Kosovën, por edhe personelin ndërkombëtar, përfshirë trupat e NATO-s.

Pas paralajmërimit të ShBA-së, Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, urdhëroi tërheqjen e forcave ushtarake duke u arsyetuar se nuk e kanë pasur në plan të futen në Kosovë.

Dezinformatat për sulmin në veri

Në gjithë këtë situatë nuk kanë munguar as informacionet e rrejshme përmes të cilave është tentuar të hutohet opinioni publik në Kosovë e Serbi. Madje presidenti i Serbisë, Vuçiq, tentoi të implikojë edhe ndërkombëtarët. Ai tha të ketë kërkuar nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it ta dijë se përse EULEX-i është refuzuar nga Policia e Kosovës që të marrë pjesë në operacionin e kryer në veri të Kosovës. Mirëpo kjo u përgënjeshtrua nga EULEX, të cilët thanë “se në asnjë mënyrë nuk u është ndaluar që të marrin pjesë apo të vëzhgojnë operacionet që janë kryer nga Policia e Kosovës më 24 shtator”.

Pas publikimit të videos në ditën e sulmit ku shihej Milan Radojçiq afër Manastirit të Banjskës, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se videoja nuk është nga dita e sulmit. Mirëpo, më pas e pranoi se ka gabuar me deklarata duke u arsyetuar se, “dikush më tha se ishte një video më e vjetër, nuk e kontrollova, nuk kam dashur ta shfajësoj Radoiçiqin”.

Pas rastit “Banjska” beteja mes Kosovës e Serbisë u zhvendos në nivel diplomatik. Presidentja Osmani e kryeministri Kurti në intervistat për mediat ndërkombëtare kërkuan që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin, duke insistuar edhe në vendosjen e sanksioneve. Por nga BE-ja deklaruan se janë në pritje të hetimeve për të konsideruar marrjen e vendimit që ka të bëjë me sanksionet. Nën këto masa vazhdon të jetë Kosova, të cilat BE-ja ia kishte vendosur pas tensioneve në veri. Nga ana tjetër, presidenti Vuçiq po ashtu në media ndërkombëtare e mohoi përfshirjen e shtetit të tij në sulm, duke e përjashtuar mundësinë e ekstradimit të Radojiçit në Kosovë.

Dezinoformata të shumta qarkulluan edhe për numrin e pjesëtarëve të vrarë nga grupi sulmues. Portale të shumta në gjuhën shqipe keqinformuan duke publikuar shifra që janë vrarë nga gjashtë, tetë apo deri në 15 pjesëtarë të grupit sulmues. Mirëpo, këto lajme u demantuan nga autoritetet zyrtare, që deri tash kanë konfirmuar vetëm tre të vrarë nga grupi sulmues. Manipulime të tjera u bënë edhe përmes fotografive të publikuara nga zona të tjera të konfliktit, e ku pretendohej se ishin sulmuesit e vrarë në veri të Kosovës.

Pavarësisht ikjes së grupit sulmues, ka ende shqetësime për situatën e sigurisë në veri të vendit. Përveç dislokimit të trupave shtesë, KFOR-i ka shtuar patrullimet në veri. Kjo forcë aktualisht ka mbi 4 mijë trupa në Kosovë nga 27 shtete të NATO-s.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.