Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ngërçi i Politikës së Jashtme të Kosovës: Viti i tretë i Qeverisë Kurti

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit. Situata u përkeqësua ende më shumë në vitin e dytë të qeverisjes, dhe ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, u dëshmua të jetë e papërshtatshme për ta udhëhequr Ministrinë e Punëve të Jashtme.

As në vitin e tretë të qeverisjes situata nuk është përmirësuar. Përveç liberalizimit të vizave, Qeveria Kurti nuk ka arritur të bëjë ndonjë përparim tjetër domethënës në politikën e jashtme. Kosova nuk fitoi asnjë njohje të re shtetërore, apo anëtarësim në organizata të njohura ndërkombëtare, duke bërë kësisoj që Qeveria Kurti të jetë e vetmja qeveri e cila që nga viti 2008 nuk ka shënuar asnjë përparim në këtë drejtim. Kosova mbetet i vetmi vend që ka aplikuar për anëtarësim në BE, por që ende nuk ka marrë statusin e kandidatit.

Në të njëjtën kohë, sjellja jodiplomatike e Kosovës krijoi fërkime me aleatët e saj kryesorë – ndërkohë që Kosova u izolua gjithnjë e më shumë – që kulmoi me pasoja të rënda dhe sanksione për herë të parë qëkur ajo fitoi pavarësinë.

Mungesa e njohurive dhe përvojës adekuate nga ana e Qeverisë Kurti ka rezultuar në stagnim dhe mangësi në lidership efektiv, duke e shtyrë kësisoj qeverinë drejt diplomacisë reaktive.

Dështimi për t’i mbështetur interesat dhe partneritetet strategjike

Interesat primarë strategjikë të Kosovës në fushën e politikës së jashtme janë të ndjekë integrimin euroatlantik dhe të ushqejë marrëdhënie të forta me aleatët e saj kyç. Megjithëkëtë, gjatë tre vjetëve të fundit, Qeveria Kurti ka përjetuar një divergjencë me aleatët e Kosovës, duke shkelur drejtpërsëdrejti dispozitat thelbësore të strategjive të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së Kosovës.

Kjo ndarje u bë e dukshme në maj të vitit 2023, pasi kryetarët e porsazgjedhur nga partitë shqiptare morën postet e tyre në katër komunat veriore. Zgjedhjet ishin bojkotuar nga serbët lokalë, të cilët paskëtaj i penguan kryetarët e rinj të hynin në ndërtesat komunale. Në kundërpërgjigje, autoritetet kosovare vendosën njësi speciale të policisë për t’i shpërndarë turmat, gjë që rezultoi në një situatë të tensionuar.

Pavarësisht thirrjeve të shumta për depërshkallëzim të situatës nga BE-ja dhe ShBA-ja, kryeministri Kurti vazhdoi me të veten. Për rrjedhojë, ShBA-ja penalizoi Kosovën duke e hequr nga stërvitja vjetore e udhëhequr nga ushtria amerikane, Defender 23, dhe kërcënoi me pasoja të mëtejshme. Për më tepër, BE-ja vendosi sanksione ndaj Kosovës në qershor 2023, përfshirë reduktimin e vizitave të nivelit të lartë dhe bashkëpunimin financiar. Këto sanksione vazhdojnë të mbeten në fuqi.

Megjithatë, qeveria e Kosovës këmbënguli në përpjekjet e saj për të integruar me forcë serbët e Kosovës. Në shkurt 2024, Kosova vendosi të ndalojë përdorimin e dinarit serb, përmes të cilit qeveria serbe jep rroga, pensione, përfitime sociale dhe bën pagesa të tjera për serbët e Kosovës. Pavarësisht përpjekjeve të shumta të zyrtarëve të ShBA-së dhe BE-së për ta bindur Kosovën që të tërhiqet apo të shtyjë vendimin, kryeministri Kurti deklaroi se vendimi nuk do të anulohet.

Rrjedhimisht, ky veprim shkaktoi kritikat më të rënda që qeveria amerikane ka drejtuar ndonjëherë kundër Kosovës. Ndihmëssekretari i Shtetit Amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike James O’Brien, dënoi ashpër Qeverinë e Kosovës, duke ngritur shqetësime për partneritetin me Kosovën. “Unë nuk bëj kërcënime të rëndomta në publik. Do të thoja që nëse nuk na trajtojnë si partner, as ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partner”, deklaroi O’Brien.

Kosova është një vend sovran, por mbetet pjesërisht e njohur. Konsolidimi i legjitimitetit ndërkombëtar, nëpërmjet anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe fitimit të njohjeve të reja shtetërore, varet shumë nga mbështetja perëndimore. Marrëdhëniet e tensionuara me aleatët ia devijojnë Kosovës arritjen drejt synimeve të këtilla.

Kësisoj, secila taktikë afatshkurtër që ka të bëjë me veriun, kërkon koordinim me aleatët. ShBA-ja dhe BE-ja mund të mos e bindin Serbinë që të ndryshojë qasjen e saj karshi Kosovës, por ato mund ta ndihmojnë Kosovën që ta forcojë shtetësinë e saj.

Në një plan afatgjatë, kjo qasje do të jetë shumë më e dobishme për Kosovën sesa rrezikimi i marrëdhënieve të saj me aleatët e vet për përfitime afatshkurtra në veri të vendit, gjë e cila krijon një perceptim të rremë të konsolidimit të sovranitetit të Kosovës.

Angazhimi në diplomaci skandaloze

Vendosja e njësive speciale të policisë në veri të Kosovës për të hyrë në ndërtesat komunale u përball me një reagim të fortë nga administrata amerikane. Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dha një deklaratë të ashpër, duke i kërkuar Kosovës që të ndryshojë kursin e veprimeve dhe të përmbahet nga veprimet e mëtejshme që do të nxisnin më shumë tensione. Deklaratën për shtyp të sekretarit Blinken, kryeministri Kurti e cilësoi si naive, duke nënvizuar: “Mendoj se është jo vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive”.

Sidoqoftë, kjo qasje jodiplomatike ka qenë element konsistent i politikës së jashtme të Kurtit. Ministrja e tij e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, dha një intervistë për Der Standard, duke akuzuar të dërguarin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, se u shërben interesave të Serbisë dhe duke i kërkuar BE-së ta ndryshojë personelin e saj. Këtë qëndrim e ka përsëritur edhe kryeministri Kurti, duke pohuar që Lajçaku është në anën e Serbisë.

Kuptohet vetvetiu që është në diskrecionin e BE-së se cilët diplomatë dhe çfarë personeli duhet të emërojë. Për më tepër, fajësimi i zyrtarëve të BE-së vetëm e dëmton Kosovën në procesin e negociatave me Serbinë. Në parim, mosmarrëveshjet që përfshijnë një ndërmjetës zgjidhen përmes kanaleve diplomatike.

Për më tepër, gjatë Forumit të Dubrovnikut në Kroaci, Gërvalla-Schwarz e quajti BE-nëtigër prej letre”, një metaforë e përdorur nga ish-udhëheqësi komunist kinez, Mao Ce Dun, për ta përshkruar imperializmin e Perëndimit si të fortë në shikim të parë, por krejtësisht të pafuqishëm po ta shikosh mirë.

Kjo qasje është krejtësisht e kotë, duke pasur parasysh që BE-ja është donatori më i madh i Kosovës dhe vendi synon integrimin në BE. Në rrethana të këtilla, është e domosdoshme që ministrja e Jashtme e Kosovës të nënvizojë artikulimin e vizionit dhe prioriteteve të vendit, në vend se të përdorë akuza kundrejt të tjerëve.

Skandalet e Gërvallës nuk u ndalën këtu. Gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, në tetor të vitit 2023, Macroni lëshoi një deklaratë në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën, e cila u përkthye gabimisht dhe shumë shpejt u bë objekt i keqinformimit. Në vend se të përdorte kanalet zyrtare diplomatike për ta sqaruar pozicionin e Francës nëpërmjet Ambasadës së Kosovës në Paris, Gërvalla-Schwarz menjëherë u lëshua në përfundime dhe postoi me tone sarkastike flamurin e Francës me mbishkrimin “Et Voila” (Ja pra, shiheni!), duke bërë me gisht kah Franca për një tjetër zhgënjim të supozuar në lidhje me liberalizimin e vizave.

Punësimi i miqve të papërvojë si konsulentë lobimi

Pas dy vjetësh pa asnjë nënshkrim kontratash me firmat lobuese, Qeveria Kurti zgjodhi dy firma të porsakrijuara – Afërdita Rakipi Communications dhe Ambal (përfaqësuar nga Avni Mustafaj), për të ndihmuar në përpjekjet lobuese të qeverisë së tij në Uashington D.C.

Sipas Radios Europa e Lirë, këto firma nuk kanë pasur asnjë marrëveshje lobimi të regjistruar më parë në Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të Departamentit të Drejtësisë së ShBA-së (FARA). Përveç mungesës së përvojës, këto firma nuk kanë uebfaqe zyrtare dhe nuk ka asnjë informacion se sa anëtarë të stafit punojnë për to.

Ajo që dihet, megjithatë, është se edhe Rakipi, edhe Mustafaj, kanë lidhje të ngushta me pushtetin aktual. Për shembull, Avni Mustafaj ka lidhje të ngushta me zëvendësministren e Jashtme të Kosovës, Liza Gashi, e cila, para se të emërohej zëvendësministre e Jashtme, ishte drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së “Germin”, ku Avni Mustafaj vazhdon të shërbejë si bashkëkryetar i bordit.

Aktualisht, Liza Gashi – bashkë me Gërvalla-Schwarz – është duke u hetuar nga Task-Forca Kundër Korrupsionit, për dhënien e 1 milion e 40 mijë eurove organizatës me seli në Zvicër “Caritas”, e cila më pas kontraktoi OJQ-në “Germin” për ofrim shërbimesh. Këto akuza janë në shqyrtim e sipër.

Rakipi dhe Mustafaj do të marrin secili nga 147.000 euro në vit për një angazhim me kohë të pjesshme – një shumë e konsiderueshme parash për individë që nuk kanë përvojë të mëhershme kontraktuale lobimi në Uashington D.C.

Në fakt, ky zhvillim është tronditës, duke pasur parasysh që vite më parë, kryeministri Kurti dhe partia e tij Vetëvendosje, ishin shumë të zëshëm kundër nënshkrimit të kontratave të majme me firmat lobuese për të përfaqësuar interesat e Kosovës jashtë vendit.

Megjithëkëtë, firmat e kontraktuara nga qeveritë e mëparshme ishin të mirëthemeluara dhe qeveritë e mëparshme arritën të siguronin takime të nivelit të lartë në Uashington D.C. dhe përparim në konsolidimin e legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Sidoqoftë, nuk po ndodh njëjtë me qeverinë aktuale dhe ky ngërç u konfirmua edhe përmes një dokumenti të zbuluar, ku ambasadori i Kosovës në ShBA, Ilir Dugolli, konfirmoi se trajtimi që po i bëhet Ambasadës së Kosovës në Uashington D.C. është “brutal”.

Tre vjetët e fundit të politikës së jashtme të Kurtit dhe mandati i Gërvalla-Schwarz si ministre e Jashtme kanë shënuar me mangësi të dukshme, të cilat kanë ndikuar negativisht në efektivitetin e përgjithshëm të Kosovës në politikën e jashtme.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.