Përgatiti: Arjeta Krasniqi
Një profil në Facebook ka publikuar video ku shfaqen disa të rinj, pjesë e Forumit të Rinisë së LDK-së, duke mbajtur në duar shishe qumështi (biberon). Në përshkrimin e postimit shkruan: “Lidhja e Duçav të Kosovës”, ndërsa në video pretendohet se dëgjohet deklarata “Na nuk dimë, na veç qumësht pimë”, ku si pjesë e përmbajtjes paraqitet edhe ish-deputeti i LDK-së Paris Guri.
Videoja përmban elemente që tregojnë se është gjeneruar me inteligjencë artificiale. Përmes kërkimit të fotografisë në Google Lens është gjetur fotografia origjinale, ishte publikuar nga ish-deputeti Paris Guri.
Në versionin autentik, Guri dhe personat e tjerë nuk mbajnë shishe qumështi në duar, por shfaqen duke ngritur dy gishta.
I njëjti profil ka publikuar edhe një video tjetër të ish-deputetit Guri, në të cilën pretendohet se ai thotë: “Pasha Zotin hajgare kam ba, Albini është baba”. Videoja është shpërndarë me mbishkrim në gjuhën serbe, ku Guri përshkruhet si “bukuroshe”.
Në përshkrimin e postimit shkruan gjithashtu: “A ma ka pa najkush këtë Lepoticen e LDK-së”.
Në një video tjetër, cak është ish presidentja, Vjosa Osmani Sadriu që në zgjedhje do të garojë bashkë me Lidhjen Demokratike. Videoja e paraqet Osmanin tek kapet për krahu nga ish Presidenti, Ibrahim Rugova dhe kjo përmbajtje ka marrë mbi një mijë like dhe 235 shpërndarje.
Kjo video është realizuar në mënyrë që të krijojë iluzion duke e bërë të duket sikur grushti del nga piktura e Rugovës, pranë së cilës zyrtare të LDK-së, përfshirë Osmanin javët e fundit kanë përçuar mesazhe politike.
Këto përmbajtje të rreme po vijojnë të shpërndahen pas shpërndarjes së Kuvendit dhe caktimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të cilat do të mbahen më 7 qershor.
Kuvendi i Kosovës dështoi ta zgjedhë presidentin e ri brenda afateve kushtetuese.




























































