Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Debunking

Shtohen përmbajtjet manipuluese para zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Përgatiti: Arjeta Krasniqi

Pas shpalljes së datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme janë shtuar disa faqe në Facebook që publikojnë përmbajtje dezinformuese me karakter politik. Ato shpërndajnë postime që synojnë të ndikojnë në perceptimin e publikut për figura apo subjekte të caktuara politike, duke përdorur narrativa manipuluese e të njëanshme.

Kosova, ndonëse është përmirësuar ndjeshëm në vitin e fundit dhe renditet në grupin e vendeve me nivel relativisht të mirë të lirisë së medias dhe shprehjes në raportet ndërkombëtare, vazhdon të përballet me sfida sa i përket përhapjes së dezinformatave në hapësirën digjitale, veçanërisht në rrjetet sociale.

Një pjesë e këtyre publikimeve përfshijnë imazhe të manipuluara ose të gjeneruara përmes Inteligjencës Artificiale, të cilat paraqiten si origjinale. Sipas analizës që u është bërë disa faqeve, në disa raste përmbajtjet e tyre kanë marrë ndërveprim të konsiderueshëm në formë të pëlqimeve, komenteve dhe shpërndarjeve, duke rritur mundësinë e përhapjes së keqinformimit.

Zgjedhjet në Kosovë i lidhin me deklarata nga Serbia

Në njërin nga postimet e publikuara në Facebook pretendohet se Ministri i Jashtëm serb, Marko Đurić ka deklaruar se Serbia po punon në mënyrë aktive kundër Albin Kurtit. “Serbia është duke punuar në mënyrë aktive kundër Albin Kurtit, por ka harruar ta cek se do ju shkoj mundi kot edhe Serbisë por edhe opozitës destruktive në Kosovë”, shkruan aty. Por nuk ofrohet asnjë burim i verifikueshëm si intervistë, deklaratë publike apo raportim nga media kredibile, çka e bënë postimin të paqëndrueshëm, ndërsa shoqërohet me fotografi me dizajn grafik të thjeshtë që përfshin dy figura politike. Faqja në të cilën është publikuar ka rreth 4.2 mijë ndjekës dhe nuk ofron informacion të qartë mbi administratorët e saj, gjë që e bënë të vështirë identifikimin e burimit të përmbajtjes dhe rrit rrezikun për përhapje të keqinformimit.

Një tjetër postim i publikuar nga e njëjta faqe në Facebook paraqet një imazh fals, ku Besnik Tahiri dhe Duda Balje shfaqen në një skenë të interpretuar në mënyrë të papërshtatshme, i shoqëruar me mbishkrimin: “Besnik Tahiri tu e kontrollua Duda Baljen mos ka armë”. Në fotografi shihen dy persona në një ambient institucional, që ngjason me Kuvendin e Kosovës, ku veprimi i njërit ndaj tjetrit dhe mënyra e paraqitjes tentojnë të krijojnë përshtypjen e një situate brenda institucionit ligjvënës. Ky pretendim nuk mbështetet në asnjë burim dhe fotografia është krijuar përmes Inteligjencës Artificiale me qëllim ndërtimin e një narrative diskredituese për personat e përfshirë.

Postimi tjetër, përmban një fotografi ku shfaqen Kujtim Shala dhe Gazmend Muhaxheri, e shoqëruar me mbishkrim që sugjeron ndryshime brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pretendimi është se të dy kanë dhënë dorëheqje nga LDK. Ky interpretim nuk mbështetet në asnjë burim zyrtar, deklaratë publike apo raportim nga media kredibile. Madje, Gazmend Muhaxheri e ka mohuar publikisht këtë pretendim, duke deklaruar: “Unë jam në LDK, jam kryetar i degës në Pejë dhe nuk kam dhënë dorëheqje nga asnjë pozitë udhëheqëse”.

Raportime të tilla u shtuan veçanërisht pas paralajmërimeve për një rikthimin e Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke nxitur publikimin e përmbajtjeve të paverifikuara dhe interpretimeve politike në rrjetet sociale, se gjoja ky vendim i saj ka shkaktuar pakënaqësi brenda subjektit opozitar.

Fotografia origjinale e publikuar në dhjetor 2025, paraqet një takim të zakonshëm mes dy zyrtarëve të LDK-së, por konteksti i shtuar në përshkrim e ndryshon perceptimin e saj dhe krijon një narrativë politike që nuk është e konfirmuar.

Postimi i publikuar në faqen “TV Prishtina” përmban disa tekste me përmbajtje manipuluese dhe interpretime të pasakta lidhur me zhvillimet politike. Brenda një imazhi shfaqen Përparim Rama dhe Albin Kurti, ndërsa teksti shoqërohet me pretendimin se qytetarët e Kosovës e konsiderojnë kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama si “figurën më të zëshme opozitare” dhe “opozitën më të fortë në Kosovë”. Ky pretendim nuk mbështetet në asnjë sondazh të publikuar apo të dhëna të verifikueshme, ndërsa përdorimi i formulimit të përgjithshëm “sipas perceptimit publik” nuk specifikon burimin e këtij vlerësimi, duke e lënë deklaratën të paqartë nga aspekti metodologjik. Po ashtu, përmbajtja e mbishkrimit ndërton një kornizë narrative që sugjeron dobësim të partive të tjera opozitare dhe favorizim të një figure të caktuar politike, pa ofruar analiza apo të dhëna konkrete që e mbështesin këtë interpretim. Faqja “TV Prishtina” numëron rreth 36 mijë ndjekës, por i mungojnë informatat mbi strukturën redaktuese apo pronësinë, gjë që e vështirëson vlerësimin e pavarësisë dhe besueshmërisë së përmbajtjes së publikuar.

May be an image of text that says 'P TV PRISHTINA KRYESORE E KOSOVES SHPALLIN PERPARIM RAMEN OPOZITEN ME TE FORTE NE KOSOVE Sipas perceptimit publik, Përparim Rama po shihet si figura më e zëshme opozitare kundër Albin Kurtit. Ndërkohë, partitë e tjera opozitare mbeten më pak aktive ne përballje direkte politike.'

Keqpërdorimi i figurave ndërkombëtare

Postimi tjetër i publikuar nga e njëjta faqe pretendon se e paraqet Vjosa Osmanin me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për të forcuar mesazhin politik. Aty pretendohet se gjoja Trump ka deklaruar se “Kosovës i duhet një njeri që e përfaqëson Kosovën në botë siç e bën Vjosa Osmani. Por nuk ofrohet asnjë video, intervistë, deklaratë publike apo burim nga media ndërkombëtare. Nha hulumtimi i bërë nuk është gjetur një deklaratë e tillë.

Në këtë rast, përdorimi i figurave ndërkombëtare shërben si mekanizëm për rritjen e ndikimit emocional dhe politik të mesazhit tek votuesit, praktikë kjo njohur gjatë periudhave të zgjedhjeve apo të polarizimit politik. Mediume dhe organizata ndërkombëtare kanë raportuar se manipulimi me figura publike, përdorimi i inteligjencës artificiale dhe përhapja e përmbajtjeve të rreme politike janë bërë dukuri globale gjatë viteve të fundit. Një raport i Reuters thekson se videot dhe materialet “deepfake” po përdoren gjithnjë e më shumë në fushata politike për të ndikuar perceptimin publik dhe për të krijuar konfuzion tek votuesit, gjatë zgjedhjeve në SHBA. The Guardian ka raportuar po ashtu se figurat politike dhe publike po përdoren në mënyrë manipuluese në rrjetet sociale përmes përmbajtjeve të gjeneruara me AI, të cilat synojnë të forcojnë narrativa politike dhe emocionale edhe kur publiku e di se ato mund të jenë të rreme.

Një tjetër postim në këtë formë në Kosovë, paraqet një imazh të gjeneruar përmes Inteligjencës Artificiale, ku Albin Kurti shfaqet në një tryezë të përbashkët me disa liderë autoritarë botërorë, përfshirë Vladimir Putin, Xi Jinping si dhe Aleksandar Vučić. Në fotografi, ata paraqiten duke festuar me gota vere në dorë, ndërsa mbishkrimi është: “Kurti duke festu me homologët e tij”. Ky imazh është gjeneruar artificialisht  për qëllime dezinformuese me synim krijimin e një narrative të rreme politike.

Fotografia nga takimi në Berlin paraqitet si aktuale

Postimi i publikuar nga faqja “Mërgata me LDK” ka postuar një fotografi të nxjerrë jashtë kontekstit, duke pretenduar se bëhet fjalë për një takim të ri të organizuar nga Armenia mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiq-it, me narrativën se Armenia vepron në linjë me Rusinë dhe Serbinë dhe se ky “takim vëllazëror” është kundër shtetit të Kosovës. Ky pretendim nuk qëndron, pasi fotografia i përket një takimi të vitit 2022 në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Siç kanë raportuar mediat në atë kohë, bëhej fjalë për takime të lidhura me procesin e dialogut dhe jo për ndonjë koordinim politik kundër Kosovës. Përdorimi i kësaj fotografie për të ndërtuar një narrativë pas takimit në Armeni përbën nxjerrje të imazhit jashtë kontekstit dhe krijim të një interpretimi të pa mbështetur në fakte, duke e transformuar një ngjarje të dokumentuar diplomatike në një pretendim dezinformues. Në Armeni, ku u mbajt Samiti i Komunitetit Politik Evropian (EPC), presidenti i Serbisë nuk ishte as pjesëmarrës.

Analiza e postimeve, ende pa nisur zyrtarisht fushata zgjedhore, shpërfaq një model të përsëritur të publikimit të përmbajtjeve me karakter manipulues, që nuk mbështeten në burime të verifikueshme dhe paraqesin narrativa të njëanshme. Një nga elementet kryesore është përdorimi i imazheve të manipuluara ose të përpunuara që përdoren për të fuqizuar mesazhe politike ose për të ndikuar perceptimin e audiencës, pa ofruar kontekst të plotë apo verifikim të origjinës së tyre. Po ashtu vihet re mungesa e transparencës së plotë të faqeve që publikojnë këto përmbajtje, përfshirë të dhënat mbi pronësinë apo strukturën redaktuese, si dhe nuk janë pjesë e mekanizmave rregullativ të mediave në Kosovë.

Author

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.