Bordi i Drejtorëve i Organizatës Joqeveritare Mediale (OJQ), Sbunker, e ka emëruar Fitim Gashin në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv.
Fitim Gashi është gazetar dhe hulumtues me përvojë në trajtimin e çështjeve politike, sociale, të sigurisë dhe në demaskimin e dezinformatave në Kosovë e rajon. Gjatë tri viteve të fundit, ai ka ushtruar detyrën e Udhëheqësit të Projektit Kundër Dezinformimit në Sbunker, në kuadër të rrjetit rajonal Western Balkans Anti-Disinformation Hub – “Exposing Malign Influences through Data-Driven Watchdog Journalism”. Në këtë rol, ai ka qenë përgjegjës për menaxhimin e projekteve, zhvillimin dhe zbatimin e metodologjive hulumtuese dhe editoriale si dhe për koordinimin e bashkëpunimit me partnerë rajonalë, me fokus identifikimin dhe ekspozimin e ndikimeve të huaja malinje dhe fushatave të dezinformimit.
Me një karrierë mbi 17 vjeçare në gazetari, Gashi ka qenë i angazhuar kryesisht në kuadër të Koha Media (KTV dhe Koha Ditore), ku për 13 vjet ka punuar si gazetar senior. Ai është autor i shumë artikujve hulumtues dhe reportazheve që trajtojnë çështje politike, të sigurisë dhe marrëdhënieve ndëretnike- punë që i ka sjellë çmime vendore e ndërkombëtare.
Gashi ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike dhe Administratë Publike dhe është alumnist i Programit Fulbright në ShBA. Ka qenë pjesëmarrës në programe dhe vizita të tjera studimore, përfshirë në rajone të prekura nga lufta si Ukraina.
Sbunker-i e falënderon Drejtorin Ekzekutiv paraprak, Bardhi Bakija, për kontributin në udhëheqjen e organizatës.




























































