Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Kritikë

“Sentimental Value”: një dramë e heshtur mbi mungesën e babait dhe traumat e fëmijërisë

Pamje nga filmi Sentimental Value.

Sentimental Value”, i regjisorit norvegjez Joachim Trier, është një dramë filmike nga Norvegjia, që fitoi çmimin Oscar për filmin më të mirë ndërkombëtar.

Filmi trajton marrëdhënien e ndërlikuar mes prindërve dhe fëmijëve në një familje të formësuar nga mungesa e babait, ambicia artistike dhe trauma e së kaluarës.

Trier nuk e ndërton konfliktin përmes përplasjeve të mëdha dramatike, siç ndodh shpesh në drama filmike, por përmes tensioneve të heshtura që grumbullohen dhe shpërfaqen në detaje të vogla gjatë gjithë filmit.

Hapja e filmit është emocionalisht e ngarkuar dhe lidh copëza nga fëmijëria e dy vajzave, Nora dhe Agnes, me figurën e personazhit kryesor, Gustavit. Prania e tij në shtëpi shkakton zhurmë dhe frikë, ndërsa mungesa e tij lë një boshllëk të thellë në jetën e fëmijëve.

Filmi ndjek historinë e dy motrave, Norës dhe Agnes, të cilat përballen me rikthimin e babait të tyre, regjisorit Gustav, në shtëpinë e vjetër të familjes. Rikthimi i tij rihap plagë të vjetra dhe tensione të pashprehura nga fëmijëria e tyre.

Në të kaluarën, prania e Gustavit në shtëpi ka qenë e zhurmshme dhe autoritare, duke krijuar traumë emocionale te fëmijët e tij. Në anën tjetër, mungesa e tij ka lënë një boshllëk të vazhdueshëm në jetën e tyre. Ky kontrast mes pranisë dhe mungesës së tij krijon një tension që përshkon gjithë filmin.

Dallimet mes motrave dhe marrëdhënia me babanë

Nora ka trashëguar nga i ati dashurinë për teatrin dhe aktrimin. Pikërisht për këtë arsye, Gustavi shkruan një rol për të në projektin e tij filmik, duke e vendosur në qendër të një historie që lidhet drejtpërdrejt me të kaluarën e familjes së tyre.

Njëkohësisht, Nora ka trashëguar edhe brishtësinë emocionale dhe vetëdyshimin. Ajo është e çrregullt, përballet me ankth dhe është vazhdimisht në kërkim të diçkaje që i mungon.

Agnes, në anën tjetër, përpiqet të jetë një figurë balancuese mes të gjithëve dhe një nënë e përkushtuar. Ajo duket më e qëndrueshme dhe më e organizuar, por mbart gjithashtu brenda vetes traumat e së kaluarës.

Edhe raporti i Agnes me të atin, Gustavin, mbetet i ndërlikuar. Ndryshe nga Nora, ajo përpiqet të mbajë një distancë emocionale, duke zgjedhur stabilitetin dhe përditshmërinë në vend të përballjes së drejtpërdrejtë me të kaluarën.

Në një moment të filmit, Nora e pyet motrën: “Pse nuk të shkatërroi ty fëmijëria jonë?”.

Kjo pyetje thelbësore shtron dilemën se si e njëjta përvojë mund të prodhojë pasoja të ndryshme te njerëz të ndryshëm. Nora mbetet e trazuar dhe në kërkim të përgjigjeve, ndërsa Agnes përpiqet ta stabilizojë jetën përmes distancës dhe përditshmërisë.

Në të njëjtën kohë, filmi krijon një fushëbetejë të heshtur mes dy motrave. Asnjëra nuk është armike, por të dyja kanë të njëjtën kauzë: të kuptojnë se çfarë ka ndodhur me to.

Kjo e bën konfliktin më të brendshëm dhe më të vërtetë. Kërkesa për përballje në njërën anë dhe ideja për shmangie në anën tjetër e shndërrojnë këtë marrëdhënie në një konflikt të heshtur.

Rikthimi i Gustavit në shtëpi

Gustavi rikthehet në shtëpinë e vjetër të familjes si pjesë e një projekti filmik. Por ky projekt shkon përtej artit. Ai përpiqet të ndërtojë një raport të ri baba-bijë dhe, në njëfarë mënyre, të korrigjojë të kaluarën përmes krijimit artistik.

Gustavi duket se beson se përmes artit mund të rishkruajë të kaluarën. Megjithatë, ai gjatë gjithë kohës bart një ftohtësi dhe një mungesë të dukshme empatie. Kjo kontradiktë mes artistit të ndjeshëm dhe babait të rezervuar e bën figurën e tij veçanërisht komplekse.

Edhe pse nuk ka qenë i pranishëm në jetën e vajzave të tij, Gustavi tani përpiqet të jetë aty përmes një krijimi sentimental. Në këtë mënyrë, arti zhvendoset në një dimension tjetër: si një mënyrë për të shprehur ndjeshmëri që ai nuk arrin ta shprehë drejtpërdrejt si baba.

Një nga skenat më të fuqishme të filmit është ajo ku Gustavi qëndron para dhomës ku nëna e tij kishte kryer vetëvrasje, kur ai ishte ende fëmijë. Zinxhiri i bartjes së traumës në film është i heshtur, por i pranishëm. Ai nuk shpjegohet me monologë dramatikë, por shfaqet përmes heshtjes.

Në këtë mënyrë, filmi sugjeron se trauma nuk zhduket; ajo transformohet dhe bartet në forma të tjera, shpesh edhe përmes gjeneratave.

Një reflektim mbi kujtesën dhe traumën

Përveç tensioneve të heshtura, filmi përmban edhe diskutime të thella mes personazheve. Filmi hapet me një monolog të Norës që e tërheq shikuesin drejt një përqendrimi të plotë. Kjo hyrje nuk është thjesht një hyrje narrative, por një deklarim emocional.

Në skenën ku Nora dhe Agnes diskutojnë për të kaluarën e tyre, pyetja “Pse nuk të shkatërroi ty fëmijëria jonë?” bëhet një moment identifikues.

Më pas Nora vazhdon me një seri pyetjesh që thellojnë agoninë dhe vetëdyshimin e saj: pse vepron siç vepron, pse marrëdhëniet e saj romantike nuk zgjasin, pse mendon se nuk e meriton dashurinë, dhe pyetje të tjera që e shtyjnë reflektimin përtej historisë së filmit.

Në fund, ajo që mbetet nuk është vetëm historia e një familjeje të përçarë, por një reflektim mbi mënyrën se si njerëzit përpiqen ta kuptojnë jetën e tyre përmes narrativës.

Secili prej personazheve e zgjedh një mënyrë të ndryshme për t’u përballur me të njëjtën traumë.

Gustavi përpiqet ta rishkruajë jetën përmes filmit. Nora kërkon ta kuptojë jetën përmes artit dhe marrëdhënieve, ndërsa Agnes përpiqet ta stabilizojë jetën përmes strukturës dhe përditshmërisë.

Filmi nuk ofron një zgjidhje përfundimtare për traumën mes brezave të ndryshëm, as për raportin mes artit dhe përgjegjësisë personale. Në vend të kësaj, ai e paraqet këtë konflikt si diçka të hapur dhe të pazgjidhur, duke sugjeruar se disa plagë nuk mbyllen plotësisht, por thjesht mësohemi të bashkëjetojmë me to.

Në këtë kuptim, filmi shërben si një reflektim mbi vlerën sentimentale të kujtimeve, jo sepse ato janë të bukura, por sepse janë formësuese.

Trier e ndërton rrëfimin mbi idenë se e kaluara nuk mund të redaktohet si një skenar, por mund të rishikohet me një sy më të vetëdijshëm. Pikërisht në këtë hapësirë mes asaj që ka ndodhur dhe asaj që mund të kuptohet ndryshe, “Sentimental Value” gjen fuqinë e tij më të madhe si dramë intime mbi familjen dhe kujtesën.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.