Punimi akademik “Lamtumirë së vjetrës: Solidariteti i të rinjve dhe nacionalizmi në mesin e të rinjve serbë dhe kosovarë” nga Danilo Mandic e vlerëson nacionalizmin si një praktikë të përditshme në mesin e të rinjve në Kosovë dhe Serbi. Autori eksploron se si përjetohet dhe diskutohet nacionalizmi në mesin e të rinjve të grupmoshës 18-24-vjeçare në Prishtinë dhe Beograd.
Mandic ka zhvilluar intervista të thelluara gjysmë të strukturuara me nga 15 studentë të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Beogradit. Pjesëmarrësit u përzgjodhën në mënyrë të rastësishme nga listat e regjistrimit, por janë përdorur edhe rekomandime shtesë kur ka qenë e nevojshme.
Studentët serbë janë intervistuar në serbisht, kosovarët janë intervistuar në anglisht, teksa të gjitha përgjigjet kanë qenë anonime. Intervistat përcjellëse, për t’i sqaruar dhe përforcuar gjetjet, janë zhvilluar 2-3 muaj më vonë.
Duke u mbështetur në hulumtimin e tij, autori shtron pyetje nëse të rinjtë thjesht i pranojnë idetë nacionaliste nga mediat dhe sistemi i arsimit apo nëse mendojnë për to në mënyrë më kritike. Duke studiuar edhe të rinjtë kosovarë, edhe ata serbë, ai eksploron mënyrën se si ata ngrenë pyetje dhe e riinterpretojnë identitetin kombëtar.
Në vend se vetëm të dëshmojë se nacionalizmi akoma ekziston, Mandic u kushton vëmendje hapësirave ku të rinjtë largohen nga ndasitë etnike dhe zhvillojnë pikëpamje më të hapura jonacionaliste.
Ai argumenton se përvojat e përbashkëta të pafuqisë dhe traumave të fëmijërisë së të rinjve në Kosovë dhe Serbi, jo vetëm i formësojnë perspektivat e tyre, por gjithashtu i inkurajojnë ata për të vënë në pikëpyetje nacionalizmin, teksa një kulturë e përbashkët rinore, e shprehur nëpërmjet muzikës, filmit dhe sportit, i ndihmon ata të shkojnë përtej ndasive etnike dhe të krijojnë lidhje të reja.
Ndjenja e përbashkët e pafuqisë
Hulumtimi i Mandic-it tregon se, edhe te respondentët nacionalistë, edhe tek ata antinacionalistë, diskutimet për nacionalizmin shpesh ishin të shoqëruara me ndjenja të pafuqisë.
Një i intervistuar kosovar e përshkroi barrën e konfliktit të trashëguar, duke thënë se gjenerata e tyre nuk është në gjendje të sjellë ndryshime domethënëse. “Ne jemi si fëmijë të mëdhenj”, tha ai. Në anën tjetër, një i intervistuar serb e pasqyroi këtë ndjenjë, duke e quajtuar nacionalizmin “sëmundje” dhe duke i kritikuar gjeneratat më të vjetra për mbajtjen gjallë të tij.
Këto perspektiva vënë në pah ngjashmëri të fuqishme ndëretnike. Njëra thekson infantilizmin politik dhe ekonomik të të rinjve të kufizuar nga gjeneratat më të vjetra, teksa tjetra pasqyron gatishmërinë për t’i tejkaluar ndasitë etnike.
Edhe respondentët që shpreheshin hapur si nacionalistë u treguan më të hapur sesa mund të pritej ndaj kompromisit.
Një student në Beograd, duke iu referuar rrëfimit të babait të tij për padrejtësi historike, ilustron një model më të gjerë: në narrativat konkurruese shqiptare dhe serbe, të rinjtë shpesh janë pozicionuar si bartës të identiteteve politike të trashëguara. Ai tregoi me keqardhje një histori të abuzimit ekonomik, duke cituar babanë e tij si burimin më të besueshëm.
Një i ri nga Kosova shprehu interesim për të biseduar online me bashkëmoshatarët serbë, përkundër se i konsideron ata si më pak të hapur sesa shqiptarët. Ndonëse bëri një dallim të qartë midis gjeneratës së tij dhe gjeneratave më të vjetra, kishte përshtypjen se të rinjtë serbë e lidhnin çdo gjë me politikën dhe të kaluarën.
Pavarësisht dallimeve në pikëpamje, shumë respondentë treguan një kuptim të nuancuar të nacionalizmit. Gjashtëmbëdhjetë prej tyre vënë në pah një kohezion midis të rinjve serbë dhe kosovarë, njëzet e një nga ta e identifikuan nacionalizmin si ndarje të gjeneratave, dhe më shumë sesa gjysma e tyre qenë në gjendje t’i artikulonin shkaqet themelore të tij.
Kultura dhe sporti ndihmojnë në kapërcimin e ndasive
Kultura dhe sporti janë hapësira të rëndësishme ku të rinjtë ndajnë përvojat e tyre. Njëzet e shtatë respodentë i përmendën këto fusha dhe pothuajse të gjithë i përdorën ato për të treguar lidhje midis të rinjve kosovarë dhe serbë.
Një respondent serb tha se të shikuarit dhe përdorimi i mediave të njëjta i bën njerëzit më të ngjashëm, duke shpjeguar se “ajo që e krijon mjedisin është media”. Një tjetër foli për lojën e basketbollit dhe futbollit me shokët shqiptarë në Mitrovicë, ku gjuha nuk ishte problem.
Një grua nga Kosova tha se të jetuarit larg prindërve të saj e kishte ndihmuar të përjetonte kultura të reja, gjë që e kishte bërë atë më mendjehapur.
Megjithatë, të tjerët përmendën se gjithashtu sporti mund të jetë politik, si në rastet kur lojtarët detyrohen të veshin sllogane nacionaliste.
Një respondent tha se “disa trajnerë akoma mendojnë si në luftë… por fëmijët e dinë më mirë. Ata thjesht duan ta luajnë lojën.”
Punimi tregon se, përkundër nacionalizmit të përhapur, të rinjtë në Serbi dhe Kosovë akoma janë në gjendje të krijojnë lidhje nëpërmjet sportit dhe kulturës, si dhe të ndërveprojnë përditë natyrshëm.
Trauma të përbashkëta të fëmijërisë, përvoja të ndryshme
Edhe pse respondentët serbë dhe kosovarë përshkruan përvoja të vështira të lidhura me nacionalizmin, shumë prej tyre ishin të kujdesshëm për të bërë dallimin midis sjelljes individuale dhe identitetit më të gjerë grupor.
Disa respondentë argumentuan se njerëzit në “anën tjetër” me gjasë do të vepronin ngjashëm nëse do të ishin në rrethanat e njëjta sociale dhe politike, gjë që tregon një të kuptuar të përbashkët të trysnive strukturore më shumë sesa të armiqësisë së trashëguar.
Disa respondentë u distancuan nga mënyra nacionaliste e të menduarit.
Njëri nga ta argumentoi se të rinjtë shpesh trashëgojnë armiqësi pa pasur përvojë të drejtpërdrejtë, të formësuar nga narrativat e prindërve dhe keqinformimet: “Çdokush i dëgjon storiet tragjike të prindërve të tij […] rritesh me gjithë këtë trushpëlarje nacionaliste.”
Megjithatë, të tjerë respondentë e lidhën nacionalizmin më drejtpërdrejt me traumën e përjetuar. Një respondent kosovar theksoi se individët që kanë përjetuar humbje personale kishin më shumë gjasa t’i përbrendësonin pikëpamjet nacionaliste.
Një tjetër rrëfeu se si një shok i fëmijërisë, pasi ishte bullizuar për shkak të identitetit të perceptuar etnik, më vonë e kishte përqafuar nacionalizmin dhe ishte bashkuar në ushtri.
Punimi tregon se të rinjtë në të dy anët i shohin të tjerët si individë, jo vetëm si pjesëtarë të grupeve etnike. Edhe pse janë të vetëdijshëm për tensionet midis serbëve dhe kosovarëve, ata nuk supozojnë se “ana tjetër” është natyrshëm armiqësore. Përkundër kësaj, ata e pranojnë se trauma dhe mënyra e rritjes mund të ketë ndikim të fuqishëm në mendësinë e një personi.
Kufijtë e nacionalizmit
Punimi i Mandic-it i sfidon hulumtimet ekzistuese që shpesh i anashkalojnë të rinjtë apo i shohin ata si rezultat pasiv të forcave më të gjera shoqërore dhe politike. Duke i vendosur perspektivat rinore dhe përvojat e jetuara të të rinjve, studimi ofron një tablo më të nuancuar dhe me optimizëm të kujdesshëm të asaj se si të rinjtë e kuptojnë dhe i përgjigjen mjedisit të tyre social.
Një kontribut kyç i studimit është përmendja e aftësive vepruese të të rinjve si një burim i rëndësishëm për paqendërtimin dhe pajtimin pas konfliktit. Respondentët në të dyja kontekstet shfaqin empati të rrënjosuar ndëretnike në një identitet të përbashkët gjenerate, duke i vënë shpesh në pikëpyetje ndasitë e ngurta etnike, në vend se t’i riprodhojnë ato në mënyrë të njëformshme.
Veçanërisht, kjo bëhet e dukshme në hapësirat kulturore të përditshme. Në kulturë dhe sport, ku të rinjtë priren të kenë më shumë liri dhe autonomi, shumë prej tyre i refuzojnë ndarjet etnike si të panevojshme dhe të paarsyeshme, e në vend të kësaj përqendrohen tek interesimet dhe përvojat e përbashkëta.
Megjithatë, kjo hapje është më pak e përmendur kur diskutimi kalon te politika, historia dhe ekonomia. Në këto fusha, respondentët janë më të prirë të bazohen në narrativat e trashëguara të konfliktit dhe padrejtësisë, të cilat vazhdojnë ta formësojnë dhe kufizojnë mënyrën se si ata i interpretojnë realitetet më të gjera sociale dhe politike.
Në përgjithësi, gjetjet tregojnë se qëndrimet e të rinjve nuk janë fikse dhe as njëtrajtësisht nacionaliste, por formësohen nga kombinimi i përvojës personale, mjedisit social dhe narrativave të trashëguara.
Edhe pse studimi bazohet në një mostër relativisht të vogël të studentëve në Prishtinë dhe Beograd, prandaj nuk mund të përgjithësohet për të gjithë të rinjtë në Kosovë dhe Serbi, ai megjithatë ofron një pikënisje të rëndësishme për të kuptuar se si nacionalizmi përjetohet dhe diskutohet në mesin e të rinjve në mjediset paskonfliktuale.
Ai nxjerr në pah modele të përsëritura të ngjashmërive ndëretnike dhe momente të hapjes që shfaqen në jetën e përditshme, teksa gjithashtu tregon edhe qëndrueshmërinë e narrativave historike në formësimin e interpretimit politik.
Njëkohësisht, shtrirja e kufizuar e hulumtimit tregon nevojën për hulumtime të mëtejme me mostra më të mëdha dhe të larmishme, për të pasur vlerësime më të mira të asaj se sa të përhapura janë këto qëndrime dhe si zhvillohen ato me kalimin e kohës.




























































