Shfaqja “Nemesis”, e shkruar nga Lirak Çelaj dhe Florent Mehmeti, është një shfaqje që trajton idenë e formimit të egos dhe lakmisë së njeriut, duke i paraqitur këto tema përmes lidhjeve me historinë, shkencën dhe artin.
Aktorët e shfaqjes, Labinot Raci, Blend Sadiku, Fiona Abdullahu, Era Balaj dhe Art Pasha, i shpjegojnë këto ide në mënyrë simbolike, duke u mbështetur në histori nga filozofia e lashtë greke dhe figurat historike të periudhave të ndryshme, të cilat kanë ndikuar në formimin e botës që njohim sot.
Energjia kolektive është një nga pikat më të forta të shfaqjes. Nuk ka një protagonist të vetëm, por një grup aktorësh që e mbajnë bashkë ritmin dhe tensionin dramatik. Në disa momente, ata dalin nga roli dhe komunikojnë drejtpërdrejt me publikun.
Kjo qasje metateatrale e bën shfaqjen të vetëdijshme për vetveten dhe krijon një lidhje më të afërt me audiencën, duke u lejuar aktorëve të komentojnë personazhet e tyre nga një kënd më personal. Vëmendja mbetet te fjala, lëvizja dhe interpretimi, dhe kjo qasje e ndihmon shfaqjen të mos shpërqendrojë publikun, por ta fokusojë tek idetë.
Në këtë mënyrë, shfaqja bashkon antiken me modernen dhe bëhet një dramë më e afërt dhe më e lehtë për t’u ndjekur nga publiku.
Megjithatë, shfaqja ka edhe disa sfida.
Gjatë zhvillimit të ngjarjes, ndonjëherë mund të krijohet konfuzion mes mbretërve Kroisos dhe Astyages, të cilët janë personazhet kryesore. Po ashtu, lidhja mes Kirit dhe Kroisosit nuk është gjithmonë e qartë, kryesisht për shkak të ritmit të shpejtë dhe kalimeve të shpeshta mes personazheve.
Në thelb, shfaqja është një reflektim mbi mënyrën se si pushteti e ndryshon njeriun dhe si dëshira për kontroll mund të çojë në vetëshkatërrim.
Nën lavdinë dhe paranojën e kurorës mbretërore
Mbreti Kroisos, i cili në shumicën e shfaqjes interpretohet nga aktori Art Pasha (pasi aktorët ndërrojnë role gjatë gjithë kohës), paraqitet si sundimtari më i pasur i kohës së tij. Ai është mbreti i Lydias (territor që sot ndodhet në Turqi) dhe është i bindur se pasuria e tij e bën edhe njeriun më të fuqishëm.
Një nga momentet kryesore të shfaqjes është takimi i Kroisosit me filozofin grek Solon. I bindur në pasurinë dhe fuqinë e tij, Kroisosi e pyet Solonin se kush është njeriu më i lumtur në botë, duke pritur që përgjigjja të jetë vetë ai. Kjo pyetje nuk vjen thjesht si kuriozitet, por si një konfirmim i bindjes së tij se lumturia lidhet drejtpërdrejt me pasurinë dhe pushtetin.
Megjithatë, Soloni e kundërshton këtë pritje dhe e sfidon këtë mënyrë të të menduarit, duke theksuar se lumturia e një njeriu nuk mund të përcaktohet në një moment të vetëm, por vetëm pasi të shihet se si përfundon jeta e tij.
Kjo ide bëhet një nga pikat kryesore të shfaqjes. Kjo fjali nga Soloni shërben si mesazh për të dhe të gjithë ata që e lidhin lumturinë me pasurinë dhe pushtetin.
Nëpërmjet këtij rrëfimi dhe shpjegimeve mbi konceptin e “nemesis”-it, shfaqja tregon edhe fundin e Kroisosit, duke e paraqitur atë si përmbushje të paralajmërimit se pushteti dhe pasuria janë të paqëndrueshme dhe se çdo tejkalim i kufijve sjell pasoja.
Shfaqja sjell edhe historinë e Kirit të Madh dhe gjyshit të tij Astyages, i cili e sheh një ëndërr që e bën të besojë se nipi i tij do t’ia marrë fronin, dhe nga paranoja vendos ta vrasë kur është ende foshnje.
Megjithatë, plani nuk shkon siç pritet. Foshnja shpëtohet nga një bari, i cili e zëvendëson me fëmijën e tij që kishte vdekur atë ditë.
Kiri rritet dhe ia merr pushtetin gjyshit të tij, Astyages. Ai bëhet një sundimtar i madh dhe më vonë mposht edhe Kroisosin, duke e përmbushur kështu paralajmërimin e Solonit, sipas të cilit pasuria dhe pushteti nuk janë tregues të qëndrueshëm të fatit njerëzor, por gjendje të përkohshme që mund të përmbysen në çdo moment.
Në këtë mënyrë, historia në shfaqje nuk paraqitet si diçka e largët, por si një cikël që përsëritet.
Nga Astyagesi te Kroisosi, sundimtarët veprojnë të udhëhequr nga e njëjta frikë: humbja e pushtetit. Kjo frikë i shtyn drejt përpjekjeve ekstreme për ta kontrolluar të ardhmen, qoftë përmes dhunës apo vendimeve të pamenduara, të cilat shpesh prodhojnë të kundërtën e asaj që synojnë.
Ndërtimi i ciklit të pushtetit, egos dhe rënies
“Nemesis” lëviz vazhdimisht mes lojës dramatike dhe shpjegimeve teorike. Nga rrëfimet mbi mbretërit dhe pushtetin e tyre, shfaqja kalon te reflektime mbi egon, si dhe te momente satirike e komike që e lehtësojnë temën pa ia hequr seriozitetin.
Aktorët ndërrojnë role dhe gjendje gjatë gjithë kohës, duke treguar fuqinë dhe joshjen që sjell pushteti. Mbretërit paraqiten si figura që shpesh humbin arsyen për shkak të dëshirës së pakontrolluar për kontroll, duke marrë vendime të ashpra dhe të pamëshirshme.
Në mitologjinë greke, Nemesisi është perëndesha e drejtësisë dhe ndëshkimit hyjnor. Në kuptim më të gjerë, Nemesisi nënkupton forcën që sjell rënien e atij që e tepron me pushtetin. Këtë ide e ndërtojnë aktorët gjatë gjithë shfaqjes, qoftë kur luajnë mbretër, qoftë kur dalin nga roli për të shpjeguar ose komentuar situatat.
Shfaqja e sheh pushtetin jo vetëm si privilegj, por edhe si një barrë që shpesh kthehet në shkatërrim. Në këtë kuptim, nemesisi nuk është vetëm një kundërshtar i jashtëm, por edhe vetë egoja e pakontrolluar e njeriut. Kjo e zhvendos theksin nga një forcë e jashtme ndëshkuese te përgjegjësia individuale, duke e bërë rënien pasojë të zgjedhjeve të vetë njeriut.




























































