Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Serbia tjetër – Lazar Stojanovic

Foto nga: Lazar Stojanović (1944 -2017), foto: CZKD

“Serbia tjetër” përmbledh për lexuesin qëndrimet e intelektualëve serbë që i kundërshtuan shkeljet drastike të të drejtave të njeriut ndaj shqiptarëve në Kosovë nga ana e autoriteteve serbe, që prej kohës së shfuqizimit të autonomisë së Kosovës nga Serbia më 23 mars 1989 e deri në hyrjen e trupave të NATO-s më 12 qershor 1999.

“Serbia tjetër” përmbledh artikuj dhe intervista të botuara gjatë këtij harku kohor prej mbi tri dekadash nëpër gazetat ditore dhe publikimet javore të Kosovës, të Serbisë, e më gjerë. Në këtë vëllim, të katërtin me radhë, përfshihen fragmente nga artikujt dhe intervistat e më të spikaturit intelektual të këtillë, regjisorit Lazar Stojanović [1944–2017], në të cilat ky flet për shkeljet brutale të të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve ‘90. Veç këtyre, me rëndësi të veçantë e pamë përfshirjen e fragmenteve, në të cilat Stojanovići shpalos mendime mbi statusin e Kosovës dhe raportet me Serbinë, si dhe mbi raportet shqiptaro-serbe përgjithësisht.

Lazar Stojanović ishte ndër të paktët intelektualë serbë që kritikonte mitin se Kosova me shekuj ishte pjesë e Serbisë dhe “djep” i saj, si dhe faktin se kjo temë ishte tabu në Serbi, kurse trajtesa e saj e ndëshkueshme. Nacionalistëve virulentë serbë që thirreshin në shpërnguljen e serbëve nga Kosova, Stojanović u kërkonte të flisnin edhe për shpërnguljen e 450 mijë gjermanëve nga Vojvodina, territor ky që sot banohet me serbë. Për më shumë, shtonte se nëse do ta shikonim mbi bazë të një të dhëne historike se kush, kur dhe sa kohë ka banuar në një territor, atëherë do të duhej që Beogradin sot ta udhëhiqnin gjermanët, ngase e kishin udhëhequr shumë më herët dhe shumë më mirë.

Stojanović e konsideronte Kosovën koloni, thelbin e fshehtë të të cilës çështje e kishte mësuar ndërsa vuante dënimin me burg si disident, pas bisedave me të burgosurit politikë shqiptarë, para së gjithash me Adem Demaçin. Ai ishte ndër të parët dhe të rrallët në Serbi që e kundërshtonte shtypjen dhe nënshtrimin e plotë të autonomisë së Kosovës nga Serbia, si dhe kundërshonte represionin e segregacionin e shqiptarëve të Kosovës gjatë gjithë viteve ’90. Ai konsideronte se shqiptarët po mbaheshin në “geto sistematike”.

Pas krimit të forcave serbe në fund të shkurtit e në fillim të marsit 1998 në Likoshan e Prekaz, Stojanović deklaroi për mediat serbe në Beograd se populli shqiptar ishte stërlodhur nga një mijë vjet robëri, ndërkaq në fund të deklaratës u apeloi qytetarëve të Beogradit “…ta ulim turpin tonë, duke u distancuar nga krimi”.

Sa u takon krimeve të Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, Stojanović përmend vrasjet, me theks të veçantë ato të fëmijëve në familjen Bogujevci në Podujevë nga njësiti Shkorpionët, për të cilët kishte bërë edhe një film dokumentar. Ai flet për shkatërrimin e pronave, por theksin e vë sidomos te dëbimi i 850 mijë shqiptarëve, të cilin e konsideronte krim gjenocidi, me qëllim të spastrimit të territorit nga shqiptarët. Madje, regjisori Stojanović publikisht kishte shfaqur dëshirë që edhe për këtë dëbim të bënte një film.

Për këto krime Stojanović thotë se është përdorur aviacioni dhe artileria vetëlëvizëse kundër civilëve, krejtësisht kundër rregullave të luftës, e për këtë të gjithë janë përgjegjës, që nga ata që kanë shkrepur armët e deri te gjenerali që ka dhënë urdhrin ose që nuk i ka parandaluar. Lidhur me këtë, ai pohon se edhe kur krimet janë kryer nga njësi paraushtarake, njësitë e rregullta të ushtrisë janë përdorur rregullisht për ta izoluar dhe për siguruar territorin.

Sipas Stojanović-it ndërhyrja e NATO-s më 1999 i kishte ndarë më dysh njerëzit në Serbi: pakicën që besonte se vendimi qe i mençur; dhe shumicën që mëtonte se ndërhyrja që e pabazë, kundër serbëve dhe Serbisë, dhe se Serbia e kishte të drejtë mbi Kosovën. Ai argumentonte se kjo ndërhyrje është kryer në Kosovë dhe se tri të katërtat e viktimave janë në Kosovë, kurse në territorin e Serbisë sulmet janë kryer vetëm mbi disa pika me rëndësi strategjike, me qëllim të zvogëlimit të kapacitetit të saj ushtarak.

Stojanović bashkëndjente me çdo viktimë të rënë si dëm kolateral nga bombardimet e NATO-s në Serbi, por përderisa në Kosovë, ku ishin shumica e viktimave, nuk kishte ndonjë problem me bombardimet e NATO-s, as Stojanović nuk ishte i gatshëm të fliste për dëmet kolaterale. Pyetjes se a ishte viktimë e gjenocidit dikush që vritet mbi urat e Serbisë gjatë intervenimit të NATO-s, Stojanović i përgjigjet se nuk ishte, meqë nuk ishte vrarë për shkak të kombësisë, por ngaqë kishte qëlluar të ishte mbi urë. Sa i takon bombardimit të Radio-Televizionit të Serbisë, mbronte pozicionin se kur një medium shndërrohet në instrument lufte sipas një modeli krejtësisht gëbelsian, atëherë ai bëhet shënjestër e luftës.

Përgjegjësinë politike dhe morale për krimet e kryera në Kosovë, përveç majës politike serbe, Stojanović ua ngarkonte edhe të gjithë atyre që e kishin mbështetur Slobodan Milošević-in, i vetëdijshëm që kjo nënkuptonte 70% të popullsisë së atëhershme. Sipas tij edhe rreth 70% e gjermanëve ‘në mënyrë demokratike’ e kishin zgjedhur Hitlerin. Ai vë në pah se në Serbi kishte pasur nja 10-15 vetë që qysh në fillim e kishin kundërshtuar politikën e saj. Ndonëse të paktë, ai këta njerëz megjithatë kishin qenë të zëshëm. Sipas tij, përmes luftërave kriminale, Milošević-i u shkaktoi dëm të madh popujve dhe shteteve përreth, por edhe vetë Serbisë. Disponueshmërinë e fakteve që mund të hidhnin dritë mbi ngjarjet, e shihte fort të rëndësishme për të arritur pajtimin, prandaj edhe kundërshtonte ashpër që procesi i trajtimit të krimeve shihej si jopatriotik dhe që dëshmitarët të shkurajoheshin, shantazhoheshin e kërcënoheshin.

Stojanović jo vetëm që e ka mbështetur pavarësinë e Kosovës, por edhe ka punuar aktivisht dhe haptas  për këtë që nga viti 1972. Politikanëve serbë në Serbi që pretendonin se Kosova është serbe, Stojanović ua përkujtonte se nuk mund ta mbajnë Kosovën me 6% të njerëzve e pa përdorim të forcës dhe se pavarësia e Kosovës nuk ka mundësi të zhbëhet. Sipas tij, pavarësisht nga ç’thuhet, këtë fakt e dinë të gjithë në Serbi.

Me futjen e dispozitës në Kushtetutën e Serbisë se Kosova është pjesë e patjetërsueshme e territorit të Serbisë, Stojanović tallej duke thënë se aty mund të shtonin edhe se ky planet ka formë kubi, por kjo përveçse qesharake dhe e çuditshme, nuk do të sillte kurrfarë pasojash për botën e jashtme. Për Stojanović-in, ai që e ka futur Kosovën në Kushtetutë është dëmtuesi më i madh i popullit serb, i pozitës politike të tij dhe i Serbisë në Europë.

Pas botimit të mendimeve të intelektualëve Bogdan Bogdanović, Miloš MinićSrđa Popović dhe tani Lazar Stojanović, në kuadër të projektit “Serbia tjetër” do të përfshihen edhe fragmentet nga artikujt dhe intervistat e disa intelektualëve të tjerë serbë: Bogdan Denitch [1929–2016], Ilija Đukić [1930–2002], Ivan Đurić [1947–1997], Mihajlo Mihajlov [1934–2010], Mirko Kovač [1938–2013], e të tjerë.

Të gjithë këta intelektualë u frymëzuan nga socialdemokratët serbë si Dimitrije Tucović, Kosta Novaković, Dušan Popović, Dragiša Lapčević, Triša Kaclerović, e të tjerë, të cilët gjatë viteve 1912-13, kur Serbia e pushtoi Kosovën, kundërshtuan krimet e llahtarshme të shtetit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Sa për ilustrim, një artikull i socialdemokratit Tucović, në gazetën socialiste të Beogradit ‘Radničke novine’ të kohës thotë: “ne bëmë tentativë vrasjeje me paramendim mbi një komb të tërë”. Një artikull redaktorial i kësaj gazete thoshte se posedonte të dhëna për krime aq të tmerrshme të forcave serbe ndaj shqiptarëve, sa parapëlqente të mos i publikonte fare.

Për fat të keq, këto krime u përsëritën fill pas Luftës së Parë Botërore, më 1918-1919, pastaj gjatë periudhës mes dy luftërave botërore, në fund të Luftës së Dytë Botërore (1944-1945), gjatë viteve 1946-1966, e në fund të shekullit të kaluar (1989-1999).

“Serbia tjetër” ofron modele të intelektualit që i kundërshton padrejtësitë dhe krimet e kryera nga autoritetet shtetërore të ‘bashkëkombësve’ të vet, pavarësisht arsyetimeve të tyre, por edhe nderon intelektualin që kësisoj shpesh e vë jetën e vet në rrezik, duke dëshmuar guxim mahnitës që kurrsesi nuk duhet të kalojë pa mirënjohjen e merituar.

Nga ky botim do të përfitojnë gazetarët, analistët politikë, dhe aktivistët; politikanët e përfshirë në negociata, që kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve; studentët, akademikët, dhe publiku i gjerë, duke i përfshirë brezat e ardhshme në Kosovë, Serbi, Shqipëri, Ballkan, e më gjerë.

Kosova e pasluftës nuk e ka ndonjë rrugë, shesh, a shkollë, me emrin e regjisorit e humanistit Lazar Stojanović, ndonëse ai e kishte kundërshtuar ashpër terrorin shtetëror të pushtetit të Milošević-it në fillim të viteve ‘90. E megjithëse ishte i pari dhe më i zëshmi intelektual serb që jo vetëm e kundërshtoi okupimin e Kosovës nga regjimi serb, por edhe e mbështeti pavarësinë e saj, Kuvendi i Kosovës nuk e ftoi as në ceremoninë e Shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Lazar Stojanović ka dhënë kontribut të madh për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të shqiptarëve të Kosovës, ka punuar për marrëdheniet paqësore e miqësore të shqiptarëve me serbët, por edhe bashkëjetesën së tyre në tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjellë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.