Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Dhomat e Specializuara të Kosovës: ndjekja penale e krimeve të luftës dhe ruajtja e drejtësisë

Dhomat e Specializuara të Kosovës u themeluan më 2017, pas raportit të Këshillit të Europës dhe konkluzionit të misionit të EULEX-it se ekzistojnë prova të mjaftueshme për ndjekjen penale të “krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit, si dhe krimeve të caktuara kundër ligjit kosovar.” 

Autoritetet e Kosovës janë pajtuar me BE-në mbi modalitetet e trajtimit të atyre akuzave serioze. Më 2015, një vit pas shkëmbimit të letrave midis presidentes së Kosovës dhe BE-së (2014), Kuvendi i Kosovës ka miratuar Nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Këto ndryshime legjislative dhe kushtetuese i hapën rrugë themelimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. 

Deri më sot, në Dhomat e Specializuara të Kosovës janë akuzuar gjithsej 11 individë; të gjithë nga ta janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim. Ndër rastet më të njohura janë ato kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe udhëheqësve politikë, si Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli. 

Edhe pse Dhomat e Specializuara të Kosovës janë pjesë e kornizës juridike të Kosovës, ato veprojnë në secilin nivel të sistemit gjyqësor në Kosovë (Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit, Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese), por janë të vendosura në Hagë të Holandës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës funksionojnë duke u bazuar në ligjet relevante të Kosovës, por edhe në të Drejtën Ndërkombëtare Zakonore dhe të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare. Megjithatë, ato kanë të punësuar personel nga shtetet e BE-së dhe kanë vetëm gjyqtarë ndërkombëtarë. Gjykata është mbështetur financiarisht nga BE-ja, por edhe nga partnerë të tjerë perëndimorë, si: Shtetet e Bashkuara, Zvicra, Kanadaja, Norvegjia dhe Turqia. 

Gjithashtu, Dhomat e Specializuara të Kosovës e kanë selinë në Prishtinë, por ky është organ i pavarur që nuk pranon instruksione dhe nuk shpërndan informacione me autoritetet e tjera të Kosovës. Themelimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës u nxit nga presioni ndërkombëtar, kurse formati hibrid i tyre mund të shpjegohet nga qëllimi i Perëndimit për t’u siguruar pavarësi këtyre Dhomave. 

Shtytës kryesor për themelim ishte fakti se gjykatat vendore në Kosovë ishin joaktive në ndjekjen penale të krimeve të luftës të kryera nga UÇK-ja. Shumë krime kundër individëve të pafajshëm shqiptarë, romë, serbë dhe komunitete të tjera etnike e religjioze, mbetën të patrajtuara nga gjyqësori. 

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë mandat specifik dhe juridiksion mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet e tjera në kuadër të ligjit të Kosovës, që kanë filluar të kryhen apo janë kryer në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, nga ose kundër qytetarëve të Kosovës apo Republikës Federative të Jugosllavisë. 

Roli i Dhomave të Specializuara të Kosovës në sigurimin e drejtësisë

Në shtator të vitit 2021, Dhomat e Specializuara të Kosovës dhanë gjykimin e tyre për rastin e parë për krime të luftës. Dhomat e Specializuara të Kosovës e dënuan me 26 vite burgim komandantin e ish-UÇK-së, Salih Mustafa, për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje. Edhe pas apelimit në vitin 2023, dënimi kishte mbetur, vetëm se ishte zbritur në 22 vite kohëzgjatja e burgimit. 

Në vitin 2024, në gjykimin e fundit, Dhomat e Specializuara të Kosovës e shpallën fajtor pjesëtarin e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, për tri akuza për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar dhe torturën e, së paku, 18 të arrestuarve në Fabrikën e Metalit në Kukës të Shqipërisë, si dhe vrasjen e një të burgosuri. 

Gjykata gjeti se Shala, i njohur si “Komandant Ujku”, ishte “individualisht përgjegjës për krime si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të të burgosurve, të cilët mbaheshin në fabrikën që UÇK e përdorte si qendër të ndalimit. 

Viktimat e Shalës ishin shqiptarë të Kosovës dhe romë, të cilët u arrestuan dhe ndaluan me akuza të paqarta për “të qenët tradhtarë, kolaboracionistë të autoriteteve serbe…ose për mosmbështetjen e mjaftueshme financiare, ushtarake dhe politike të UÇK-së”. 

E tepërt të thuhet se sa i rëndësishëm është ky vendim për familjet e viktimave që jo vetëm se do të gjejnë paqe, por gjithashtu edhe mund të kompensohen për humbjet. 

Gjykimet kundër Mustafës dhe Shalës konfirmojnë nevojën e themelimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe rolin e tyre në sigurimin e drejtësisë 25 vite pas mbarimit të luftës. 

Edhe pse Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk e trajtuan në gjykim, verdikti i Shalës mund të ngrejë pyetje mbi përgjegjësinë e Shqipërisë, në territor të së cilës kanë ndodhur krime të luftës. 

Me gjithë progresin e bërë deri tani nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në ndjekjen penale të krimeve të luftës, është e rëndësishme të ceket se të gjitha dënimet janë vetëm për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës, romëve ose boshnjakëve, duke i anashkaluar krimet e kryera ndaj serbëve. Në gjykimin që po vazhdon para Dhomave të Specializuara të Kosovës kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në mesin e viktimave ka edhe serbë. 

Megjithëkëtë, nuk ka vendim për këtë gjykim që filloi më 2020, ndërkohë që serbët akoma janë duke pritur për drejtësi. E pamjaftueshme të thuhet sa i rëndësishëm është roli i Dhomave të Specializuara të Kosovës sa i përket drejtësisë tranzicionale dhe ofrimit të drejtësisë për familjet e të gjitha viktimave pa dallim etnie. 

Përderisa krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera nga autoritetet jugosllave në Kosovë u ndëshkuan nga Tribunali Penal Ndërkombëtar kundër Jugosllavisë (TPNJ), viktimat serbe të luftës në Kosovë akoma janë duke pritur për drejtësi.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.