Zgjedhjet e fundit për parlamentin evropian me rezultatet e tyre të fragmentuara në varësi të vendeve të ndryshme, kanë ngritur shumë pikëpyetje. Një prej tyre lidhet me rolin apo domethënien që ka ideologjia politike në prirjet e fundit të sjelljes elektorale. Një ndër pretendimet më të mëdha të viteve të fundit është se bëhet fjalë për një epokë postideologjike kjo që po jetojmë, mirëpo bindja ime është se rezultati elektoral flet faktikisht për një rëndësi e nevojë për debat përmbajtjesor ideologjik.
Me rënien e murit të Berlinit tre dekada më parë, ku u krijua përshtypja se liberalizmi tashmë kishte triumfuar dhe se debatet e mëdha ideologjike nuk kishin më vend në Evropë, pra që pas dështimit dhe zhgënjimit të bllokut lindor komunist, dhe më herët pas rënies së diktaturave të djathta të gadishullit iberik, në njëfarë mënyre të gjithë u dakorduan për epërsinë e liberalizmit. Pikëpyetjet që janë ngritur në këtë periudhë për ideologjitë politike janë të shumta, e kanë të bëjnë qoftë me përputhshmërinë e këtyre ideologjive me vendet ndërtonin demokraci nga e para e qoftë me përputhshmërinë e tyre me epokën e re të globalizmit dhe revolucionit të teknologjisë së informacionit që po përjetojmë. Për vite me radhë studiues e opinionistë të shumtë kanë pretenduar se nuk kishte ngelur më vend për ideologjitë e mëdha politike të cilat kishin mbizotëruar jetën intelektuale dhe aksionin politik prej iluminizmit, revolucionit industrial dhe atij francez.
Një ndër shkaktarët e kësaj tendence është nevoja në rritje për të arritur konsensus ndërmjet politikanëve të palëve të ndryshme gjatë qeverisjes. Pra partitë e krahëve të ndryshme detyrohen të kërkojnë ujdi duke ndjekur një rrugë të mesme; pra duke u zhvendosur drejt qendrës, për të siguruar mbështetjen e duhur masive që nevojitet për reforma, nisma, qëndrime apo politikat e tyre prej krahëve të tjerë. Kjo do të thotë që mbizotëron dimensionin pragmatik që shmang konfliktet e mëdha ideore për të arritur në kompromis.
Po ashtu, në dekadat e fundit, është vënë re një lloj profesionalizimi i politikës që lidhet edhe me nivelin e lartë të ekspertizës që kërkohet nga jeta politike aktuale. Kështu për shembull kur bëhet fjalë për fushata zgjedhore, partitë po përdorin gjithnjë e më shumë ekspertizë të jashtme duke pajtuar konsulentë apo kompani të specializuara të komunikimit politik e marketingut elektoral. Paralelisht me këtë tendencë, partitë evropiane po kërkojnë gjithnjë e më pak angazhim a përfshirje të anëtarësisë në fushata duke e fokusuar debatin kryesisht në media elektronike dhe digjitale. Me këtë lloj shkëputje nga elektorati partitë janë në njëfarë mënyre tejet elitare, që ngjajnë si koorporata ku menaxherët e nivelit të lartë ndikohen pak ose aspak nga aksionerët e vegjël të kompanisë.
Partitë sot kanë gjithnjë e më pak nevojën anëtarëve edhe për sa i përket financimit. Më përpara kuotizacioni që paguante anëtarësia ishte vendimtare për mbijetesën e partisë. Po ashtu një tjetër burim i mirë parash ka qenë blerja e gazetës që ka qenë organ zyrtar shtypi i partive të mëdha tradicionale evropiane. Mirëpo tanimë kostoja e aktiviteteve politike është rritur në mënyrë të skajshme dhe kuotizacionet mund të mbulojnë vetëm një copëz të vockël të kostove që ka partia. Shtypi i partisë mandej s’ka më asnjë peshë sot në epokën e rrjeteve sociale. Fondet kryesore të partive vijnë nga shteti, donatorët, bizneset dhe grupet e interesit.
Po ashtu filloi të flitej për një amerikanizim të bërjes së politikës duke u fokusuar më pak tek idetë e vlerat e më shumë tek imazhi e popullariteti i personaliteteve që garonin dhe kishte fushata zgjedhore që ngjanin gjithnjë e më shumë si gara presidenciale. Të ishe lider i famshëm dhe karizmatik është bërë më e rëndësishme sesa të ishe lider i një partie me vizion e program të qartë e cilësor konkurres. Në të tilla rrethana për qytetarët u bë gjithnjë e më e vështirë identifikimi i dallimeve mes partive dhe platformave të ndryshme elektorale që ato propozonin
Këto dhe faktorë të tjerë kanë bërë partitë që të ngjajnë gjithnjë e më shumë njëlloj me njëra tjetrën pavarësisht siglave që mbajnë. Prandaj edhe u krijua një përshtypje e fortë tek shumë njohës të fushës se e kemi lënë pas epokën e ideologjive.
Mirëpo rezultati i zgjedhjeve europarlamentare tregon të kundërtën. Këtë gjë e dëshmon më së miri forcimi i partive ambientaliste të cilat janë të përqëndruar në një çështje të vetme. Numri i europarlamentarëve të gjelbërt shkoi në 59 duke pësuar një rritje me 17 deputetë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2014. Ky rezultat tregon se qytetarët vazhdojnë të jenë të ndjeshëm ndaj ideve, vetëm se kanë prioritete, aspirata e pasione të tjera. Kjo “valë ekologjike” në vota nuk është gjë tjetër përveç se tendenca e votuesve tradicionalë të majtë që të hedhin votat e tyre për partitë populiste moderne të Gjelbërta sesa partitë politike tradicionale të qendrës së majtë.
E njëjta gjë vlen edhe për krahun e djathtë ku duket se grupimi i partive popullore evropiane EPP ka humbur 38 europarlamentarë në këto zgjedhje ndërkohë që partitë e reja me tendenca ekstremiste të së djathtës janë shtuar partitë ekstreme si ato të Salvinit, Le Pen dhe Gauland. Këto parti jokonvencionale kanë bërë sulme me krahmarrje ndaj partive tradicionale të djathta të EPP duke gllabëruar terrenin e lënë zbrazur nga zhvendosja e tyre drejt qendrës. Këto parti të reja ekstreme kanë ide të qarta konkrete e të prekshme që prekin drejtpërdrejt elektoratin e djathtë, i cili ndidhet disi i tradhtuar nga tretja apo zbehja e dimensionit ideologjik të partive të tyre tradicionale. Kjo zbrazëti e lënë prej partive historike nuk rri në vakuum por mbushet menjëherë nga lëvizjet e reja të qytetarëve dhe partitë e reja, të cilat propozojnë alternativa janë të përshtatur në gjuhën bashkëkohore dhe jo atë tradicionale të ideologjisë.
Thënë ndryshe, partitë tradicionale ose përshtaten ose zhduken, sikurse ndodhi me PASOK në Greqi apo socialistët e Francës. Një lloj seleksionimi natyrori darvinist që eleminon nga loja partitë që nuk i përshtaten ndryshimit të kohës. Mesazhi që sjellin këto zgjedhje është se partitë që nuk ia kanë dalë që të transformojnë, ri-interpretojnë apo përshtasin ideologjitë tradicionale ndaj kërkesave të kohës, me sa duket po dalin tërësisht nga loja. Pra nuk kemi të bëjmë me botë postideologjike por me vazhdimësi të ideologjisë, vetëm se përgjigjet e kërkuara nga elektorati ndryshojnë nga ato që kërkoheshin më parë. Kjo nuk do të thotë që partitë të heqin dorë nga vlerat e tyre, sikurse është tradita për konservatorët, liria për liberalët apo barazia për socialistët, por thjesht që t’ia përshtasin ato vlera nevojave të kohës. Prandaj është bërë e nevojshme që partitë të mos qëndrojnë u besnike, kokëforta politikave të mëparshme por vlerat e tyre t’i përkthejnë në politika të kontekstit aktual.
Për ta shpjeguar më qartë këtë nevojë për evoluim po përdor një rast konkret ilustrativ të pagës minimale dhe një nismë të ditëve të fundit në Kosovë për ta rritur atë. Nisma e Partisë Social-demokrate në Kosovë për të rritur pagën minimale në Kosovë është një politikë tipike socialiste evropiane mirëpo faktikisht nuk ka kuptim në kontekstin e Kosovës. Ideja e pagës minimale është nisur më shumë se një shekull më parë fillimisht në Zelandë të Re e Australi për të vijuar mandej në Evropën Perëndimore dhe Amerikë të Veriut në vende me strukturë ekonomike krejt ndryshe nga tonat sot. Bëhet fjalë për një epokë e për ekonomi industriale ku shumica ishin të punësuar në fabrika të mëdha dhe ky detyrim synonte të përmirësonte kushtet e punës së tyre që asokohe ishin mizerabël. Shërbente gjithashtu edhe si një valvul sigurise sociale pas kërcënimit për përmbysje e dhunë që po sillnin sindikatat gjithnjë e më mirë të organizuara të punëtorëve të panumërt.
Mirëpo konteksti kohor dhe rrethanor i asaj pjese të botës nuk përshtatet me kontekstin e Kosovës sot. Çfarë kuptimi ka që shteti të vendosë detyrim për një pagë minimale specifike në një treg pune ku shumica dërmuese e të punësuarve në sektorin privat u përkasin bizneseve familjare ose janë të vetëpunësuar. Pra është qesharake që të detyrosh dikë që ka një biznes të vogël që të paguajë veten më shumë apo së paku sipër dyshemesë prej 250 eurosh që është miratuar. Për hir të vërtetës duhet thënë se sot ka vende të Bashkimit Evropian që kanë shtete të konsoliduara të mirëqenies sociale të cilat nuk kanë fare pagë minimale. Kështu Norvegjia, Suedia, Finlanda, Danimarka, Gjermania, Austria, Italia dhe Qipro nuk kanë fare pagë minimale edhe pse konsiderohen goxha socialiste si shtete.
Kjo tregon se kjo politikë e PSD-së, e rritjes së pagës minimale, është propozuar vetëm për t’u dukur si parti tradicionale social-demokrate se në fakt nuk ka ndonjë impakt të përfillshëm në shoqëri. Numërohen me gishtat e dorës ato kompani në Kosovë që kanë disa qindra punëtorë e për të cilët mund të kishte nodnjë kuptim ky detyrim. Për shtetin nuk ka vlerë se ashtu kështu shteti i Kosovës, për arsye politikash elektorale dhe për të blerë paqe sociale, i ka punonjësit e vetë më të mirëpaguarit në rajon, me rroga që janë mesatarisht 120 euro të larta se ekuivalenti në sekorin privat. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për taksën progresive që u fut nga Partia Socialiste në Shqipëri kur erdhi në 2013 ishte një taksë kundër ndershmërisë e kundër suksesit. Çfarë kuptimi kishte ajo taksë progresive, rishpërndarje në Shqipëri në kushtet kur të taksat e mbledhura në vend prej të ardhurave personle zënë një porcion të vogël të tatimeve që mbledh shteti dhe kryesisht prek rrogët e njerëzve më të mirëkualifikuar në vend. Tanimë që kanë kaluar 6 vjet me atë taksë dhe është parë tashmë që nuk ka asnjë efekt domethënës në lehtësimin e pabarazisë në vend dhe në shtimin e taksave të mbledhura nga shteti.
Këto dy raste të përdorimit të politikave të vjetra tradicionale të së majtës evropiane nga këto dy parti të majta shqiptare sot vetëm për t’u dukur të majta, janë dëshmi konkrete të paaftësisë për të ecur në hap me kërkesat e kohës së kontekstit shqiptar. Kjo do të thotë që nuk marrin asnjë mundim për të ofruar zgjidhje për shqetësimet aktuale, por thjesht ua bëjnë copy-paste politikave të aplikuara në perëndim në kohë e rrethana të tjera të ndryshme. E njëjta gje mund te thuhet deri diku edhe për partitë e djathta në Kosovë. Nëse partitë shqiptare nuk mësojnë nga pësimet e partive konvencionale evropiane do e pësojnë njësoj e do të përmbysen nga parti të reja jokonvencionale me oferta ideologjike e politika të përshtatshme për shijet bindjet dhe nevojat reale aktuale të elektoratit. Përfundimisht leksioni i nxjerrë prej këtyre zgjedhjeve është që qytetarët jo vetëm që nuk kanë hequr dorë nga ideologjia, por përkundrazi, janë më të vëmendshëm ndaj ideve si asnjëherë më parë, e nëse nuk ka ide konkrete e aktuale për t’iu ofruar, nuk është çudi që votuesi evropian të eksplorojë një parti të re të paprovuar më parë.