Përkitazi me librin e Migjen Kelmendit – Gjurmët LP.
***
Kam lindur në majin e vitit 1986, që për çudi më duket pakëz i largët. Kam lindur në Prishtinë. Isha fëmija i parë i një familjeje nga katundi që jetesën e kishin të vështirë dhe nuk ishin aq shumë përparimtarë ekonomikisht por që gjithsesi po rrjepeshin që të mbeteshin gjallë në një periudhë të trazuar politike, sociale dhe kulturore. Lindja ime kishte qenë pakëz më probleme. Në Prishtinë gjasat për të shpëtuar kishin qenë minimale. Me një urgjencë të madhe më kishin transferuar në spitalin e gjinekologjisë në Shkup, me një Zastava. Babai im dhe shoku i tij i ngushtë (shokë të dikurshëm në ushtrinë jugosllave, i vetmi prishtinali në mes miqve të familjes sonë). Në Shkup qëndrova në inkubator disa javë. Shkupi më kishte shpëtuar. Pas dy javëve ma ndryshuan emrin. Nga Armend në diçka tjetër që kishte simbolikë. Më ri-emëruan. U bëra Shpëtim. Dhe jetoja në katund. Po rritesha aty. Në Prishtinë shkoja rrallë e hiç. Ndonjëherë kur sëmurej dikush ose kur nëna ime shkonte aty, për të marrë motrat e mia që i sillte lejleku. Më linte përshtypje. Më dukej vend i madh dhe disi i pikëlluar. Ishte e paaftë që të më shpëtonte dhe megjithatë nuk i mbaja inat. Ishte kryeqytet. Dhe oh, zot. I jepte fund gjithçkajes. Ishte e gjithë bota dhe përtej saj nuk kishte asgjë tjetër. Sall errësirë, mjerim dhe asnjë poezi. Pa të.
***
Në vitet e nëntëdhjeta ishin në modë videokasetat. Mbajë mend mirë se në shtëpinë e vjetër kishim një dhomë që quhej Odë. Aty kryesisht pas darke rrinin burrat dhe pinin çajin e rëndë të rusit. Flisnin për situatën politike dhe hallet e jetës. Tymosnin dhe gjatë netëve të dimrit luanin letra. Njëherë mbaj mend se disa burra kënduan me çifteli dhe unë po kërceja nga lumturia që ju shërbeja me nga një gotë ujë. Më dukej madhështor gjithë ai delir lucid. Ajo shpresë dhe ajo gatishmëri për të rezistuar para një realiteti të ashpër. Me çifteli në duar dhe me këngë në buzë. Në odën e burrave ishte një video dhe shumë videokaseta. Në mes tyre filma të Bruce Lee, Jackie Chan, But Spencer, Ninja, Rambo dhe ja në mes tyre disa kaseta ku shkruante Nirvana Unplugged, The Doors, Pearl Jam, Radiohead, Talkin Heads, Smashing Pumpkins, The Offspring, The Rolling Stones, Mike and The Mechanics. etj. Hoqa njërën dhe e futa. Në ekran u shfaq Pulp dhe Disco 2000. Kurrë nuk do ta harroj atë klip të këngës dhe pamjen kur duart e një burri pushtojnë bythët e bëshme të një gruaje. Kështu në këtë mënyrë isha pushtuar përgjithmonë nga duart e Rockut bash në njërën prej odave ku i këndohej luftës, Zagrebit, gjakut, gjarpërit dhe shkjaut.
MTV përsëri më kishte shpëtuar. Sikurse mjekët e hatashëm të Shkupit. Të gjitha kasetat ishin të xhaxhait tim, shtatë vite më i vjetër se unë i cili shkonte në shkollë me All Star-ka të shkyera, punonte si punëtor krahu dhe me paratë e fituara blinte kaseta dhe kudo në mure e shkruante Lithium si mirënjohje ndaj këngës, e cila po e shpëtonte përmes një realiteti amerikan që quhej Wishkah*. Ai përveç tjerash më foli edhe për Gjurmët. Një bend nga Prishtina. Që atëbotë më dukej e largët. Një grua e bukur që kurrë nuk do të më afrohej. Që përgjithmonë do të më përjashtonte për arsye se isha katundar. I padenjë. Dhe i paaftë për të kuptuar vargjet e Gjurmëve. Këtij bendi apokaliptik. Më pas zbulova edhe një bend tjetër që ironikisht quhej Oda. Po në odën e burrave qaja duke dëgjuar Beso në Diell. Vuaja për diell dhe kisha nevojë të besoja dikund. Xhaxhai im, siç do të thoshte Migjen Kelmendi, ishte xixë.
***
Më pas ndodhi lufta dhe pas lufte isha pakëz më i rritur. Shijet e mia po zgjëroheshin dhe si gjimnazist i Kuvendit të Arbërit në Ferizaj, e përqafova tubën e rokerëve që përqesheshin nga ca djem me rroba të gjëra e që e quanin vete reperë. Jetoja si një roker i heshtur dhe nxënës i shkëlqyeshëm, i pëlqyer vetëm nga profesoresha guerile e astronomisë. I përjashtuar ende nga turma. Ngase isha katundar. Madje po refuzohesha edhe nga vashat që i dashuroja. Derisa njoha njërën prej tyre. Më shumë po habitesha se si po e pranonte në gjinjtë e saj një të tillë përderisa dëgjonim Gjurmët. Bendin tim të preferuar. Dhe këngën e zemrës Mendoja se çdo gjë merr fund pa ty. Pra kishim Gjurmët si një pikëtakim shpirtëror ku përralla jonë bëhej e fuqishme dhe e formësohej brenda realitetit që shfaqej në pyllin e absurdit. Një grimcë ajo dhe një grimcë unë. La-la-la-la. Muzika shpëtonte shpirtin. Si fëmijë të pasluftës po jetonim në epokën e traumës dhe kishim Gjurmët të shpëtonim. Të gjitha përkatësitë ishin fashitur. Muzika ishte për të gjithë. Në njërën prej mbrëmjeve do ta pyesja babain tim. A i ke dëgjuar ndonjëherë Beatles? Më gjasë doja të arrija te Gjurmët. Por çdo rrugë ishte e bllokuar kur u përgjigjë. Po çfarë Beatles. Kam dëgjuar Radio Tiranën dhe Fatime Sokolin. Babai im një pacifist i madh që tërë jetën kishte menduar se Ibrahim Rugova ishte një Zot. Që qëndronte pas një Zoti tjetër që quhej Amerikë. Ai kishte refuzuar ideologjinë e Gjurmëve. Por jo unë. Që rrija shtrirë në kanapenë e provincës, e degdisjes, e askidentit dhe konstatoja se çdo gjë që i falet qenies njerëzore sapo të arrijë mbi këtë faqe të dheut është e pakthyeshme, dogmatike dhe e ashpër. E gjitha çfarë na takonte ishte të hulumtonim nëpër rrugët e shumta epike të jetës.
***
Më pas u rrita dhe më shumë dhe Prishtina kishte hapur krahët për të më përqafuar. Ma ha mendja se mirë bëri. Por në një realitet të ri krahasuar me vitet e nëntëdhjeta kishte humbur diçka nga entuziazmi dhe naiviteti im i shkëlqyeshëm drejtë dritareve që po hapeshin një nga një. Përsëri me Nji Grusht Qershi do t’i këndoja dashurisë dhe kjo këngë do të bëhej lajtmotiv dashurie në mes meje dhe një gruaje tjetër që kishte zënë portën time. I kam dëgjuar Gjurmët në mënyrë fanatike dhe bashkë me Gjurmët i kam dëgjuar Oda, Seleksioni 039, Telex, Purgatori, dy tri këngë të Urban 21, dy tri këngë të AVI Bankrot dhe tash së voni kur i kam treguar Fatos Berishës, se bashkë me njërin prej grupeve të mia dështake kemi bërë coverin e O moj ti me sytë e zi në versionin e Lindjes e kishte vështirë të besueshme, se zëri i tyre kishte jehuar në njërin prej bodrumeve plotë me lagështi në Ferizaj. Sidoqoftë gjithmonë do të jem mirënjohës për të gjithë këta djem të hatashëm, që ma ha mendja se në një periudhë të vështirë kanë gjetur guximin dhe përmes muzikës së tyre kanë krijuar shtigje të reja shpëtimi për veten e tyre dhe gjeneratat e hutuara pas tyre siç jemi ne. Gjithmonë në kërkim të diçkajes më të mirë që kurrë nuk u gjetë. Por që kurrë nuk u la në harresë. Ndër bijjtë e shekujve të ri.
***
Libri i egocentrikut simpatik Migjen Kelmendi, Gjurmët LP, padyshim është një libër i çmuar që hedh dritë mbi një periudhë të ndjeshme politike dhe mbi një katandi që i parapriu situatave të reja politike në Ish-Jugosllavi. Gjurmët LP është një dokument historik që përmes muzikës pasqyron një barbari në ardhje. Libri i jep shpirt revolucionit dhe mbështetë frymën e veçuar njerëzore në kërkim të drejtësisë dhe e himnizon njeriun si vigan, që nuk heq dorë nga shoqëria ideale. Njeriut në fund të fundit gjithçka që i duhet është të mos heq dorë. Dhe Gjurmët ishin një dëshmi e pastër e kësaj maksime. Pavarësisht që isha rritur mbase në një frymë folkloriste ku të dëgjosh Stiff Upper Lip** ishte mëkat dhe pakt djallëzor, Gjurmët kishin gjetur mënyrën për të ardhur tek unë në një kohë kur si fillorist lexoja Shënime nga Nëntoka*** dhe ndjeja e madje kisha prirje për të shkuar përtej realitetit ekzistues. E kam lexuar me kujdes të madh librin e Migjen Kelmendit dhe gjithë çfarë më sëkëlldisë dhe më përjashton është fakti i të qenit jo-prishtinali. Mbase edhe mund ta kem gabim por konsideroj se Gjurmët nuk kanë një përkatësi të caktuar demografike. Në këtë pikë më duhet ta përmend shkrimtarin izraelit i cili e la këtë botë para disa ditësh, Amos Oz, kur deklaronte se sa më shumë që shkruajmë për gjërat lokale aq më universale bëhen. Në këtë rast Gjurmët para së gjithash ma ka ënda të besoj se janë një bandë e mrekullueshme djemsh universal. Dhe në këtë mënyrë do të çlirohem nga inferioriteti përballë një botë të paanë.
Autori emblematik amerikan Allen Ginsberg ka një intervistë të mrekullueshme bash me të ndriturin Migjen Kelmendi, ku në mes tjerash thotë se ekzitojnë shumë identitete që i përkasin një njeriu, është e pamundshme të kesh një identitet të vetëm ngase kjo do të kufizonte vetëdijen. Vetëdija njerëzore është e gjërë dhe ka shumë aspekte. Ta petrifikosh atë vetëm në një cilësi e madje ta ngrisësh atë në peidestal si diçka të ngurtësuar përjetësisht, diçka që nuk mund të zhvillohet, është qesharake. Sepse kjo e limiton aftësinë e njeriut për të simpatizuar. Kufizon mundësinë për ta zhvilluar vetëveten. Prandaj nuk mund ta privoj vetëveten nga të dëgjuarit e Gjurmëve sepse njëjtë sikurse Ginsbergu nuk kam vetëm një identitet. Kam krijuar disa identitete me kohë dhe me vështirësi. Jam katundar, jam poet, jam baba, ballkanas, europian, amerikan, hispanik, rom, shqiptar, infrarealist e prishtinali. Madje në këtë pikë duket sikur kam bërë luftë të dyfishtë për të arritur tek audienca e Gjurmëve. Të luftoja kundër pikëpamjes së rrethit tim që e kishin mbi dekadencën dhe poashtu të luftoja për t’u bërë pjesë e tufës që këndojnë Më trego si të bëhesh hero. Prandaj petku i shpeshtë prishtinas në libër sikur krijon ca kufinjë të bezdisshëm që e ngulfasin muzikën e mrekullueshme buruar nga zemra të çuara peshë për lirinë dhe dashurinë, duke e hedhur në një pellg të dikurshëm urban, pa të drejtë. Shqiptarët duhet të heqin dorë sa më shpejtë të jetë e mundur nga pyetja hyjnore se prej nga je dhe tjetra pasuese, a bash, bash a prej rrethi? Nëse dëshirojmë të mbesim përnjëmend heronjë qoftë vetëm për një ditë ashtu siç Kelmendi i referohet disa herë Bowie-t. Në të kundërtën do vazhdojmë te mbesim këtu ku jemi. Një provincë e madhe ku i bëhet qejfi njëri tjetrit dhe ku shpresa nuk ka më kuptim. Ku të gjithë janë pishtarë të diçkajes. Ndërkohë vazhdoj të jetoj në një banesë me qera në Prishtinë, duke e dashuruar fanatikisht marrëzinë e saj dhe madje duke ja falur edhe kohën kur më braktisi në vitin e largët 86, duke më lënë nën mëshirën e një qyteti tjetër.
—–
* I referohet njërit prej albumeve live të Nirvanës.
** Këngë e Ac/Dc.
***Libër i Dostojevskit.