Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Grevat nuk mjaftojnë. Duhet të protestojmë.

Ilustrimi: Big Eye

Në Kosovën e pasluftës, e deri në këto çaste që po flasim, vazhdimisht janë zhvilluar “politika” dhe instaluar standarde të cilat kanë prodhuar padrejtësi të shumta sociale. Madje, janë krijuar grupe të reja të favorizuara, të cilat kanë grumbulluar një mori të mirash dhe privilegjesh për vete dhe pasardhësit e tyre. Shumica e figurave kyçe të UÇK-së, të ndarë në partitë politike të krahut të luftës, por edhe ato të Lidhjes Demokratike të Kosovës, menjëherë pas luftës siguruan për vete dhe familiarët e tyre pozitat vendimmarrëse në shoqëri. Përpos kësaj, për të rritur numrin e votave, këto subjekte punësuan të afërmit, anëtarët e tyre aktivë, por edhe shumë persona tjerë që potencialisht do t’u sillnin vota (sa për informatë, ky quhet korrupsion dhe klientelizëm).

Sipas Agjencionit të Statistikave të Kosovës, ta zëmë, një familje kosovare mesatarisht i ka 5.2 anëtarë të familjes. Çka do të thotë se, për çdo person të punësuar, partitë politike i sigurojnë nga 5 vota. Në fakt, kjo është edhe arsyeja pse Kosova ka një administratë jashtëzakonisht të fryrë, me mbi 80 mijë të punësuar në nivel qendror dhe lokal, ku janë akomoduar njerëzit nga partitë politike. Kjo nënkupton se vetëm nga administrata shtetërore sigurohen rreth 400 mijë votues.

Për më tepër, partitë politike, që veç parti e politike nuk janë, punësuan njerëz edhe nëpër universitete, gjykata, ndërmarrje publike, agjenci të pavarura, spitale, shkolla, etj. Kasta e politikanëve përmes këtyre punësimeve ka siguruar edhe privilegje për vete, meqë shpeshherë ato punësime nuk janë bërë sipas kriterit të profesionalizmit dhe prandaj personi i punësuar automatikisht bëhet i varur. Kjo nënkupton se politikanët dhe njerëzit e tyre i kanë blerë (apo kapur) shërbimet e institucioneve shtetërore. Nëse kanë nevojë që dikush ta kalojë një provim, apo të marrë një gradë akademike, pa asnjë problem kryhet ajo punë nga vartësit e tyre brenda universitetit. Po të kenë nevojë që një rast gjyqësor të zgjidhet ashtu siç kërkojnë ata, natyrisht se ashtu bëhet. Kështu funksionojnë institucionet tona, fatkeqësisht.

Përpos posteve dhe privilegjeve, këta politikanë edhe u pasuruan. Hapen biznese në emër të huaj për të shpërlarë paratë e vjedhura nga xhepi i qytetarëve. Hapen universitete private, ku studiojnë të rinjtë, për të cilët këta politikanë nuk krijojnë vende pune. Hapen spitale private. Ndërtuan banesa dhe lagje për shitje. Blenë prona të ndryshme nga paraja e qytetarëve të varfër e të nëpërkëmbur. Ndërkohë, arsimin publik e katandisën si mos më keq. Shëndetësinë. Drejtësinë. Ekonominë. Kryesorja, xhepat (ose thënë më mirë, xhirollogaritë) e politikanëve të jenë plot.

Prandaj dhe me plot të drejtë punëtorët shëndetësorë, arsimorë, e gjyqësorë u çuan në greva para pak ditësh, për të kërkuar paga më të dinjitetshme për profesionet e tyre. Madje, po të pyetesha unë, jo vetëm ata, por të gjithë qytetarët do të duhej të protestonin kundër pabarazive dhe padrejtësive shoqërore.  Fundja, si bëhet me kaq varfëri e papunësi të lartë, pagat e politikanëve të jenë jo vetëm më të lartat në rajon por edhe në krahasim me vendet perëndimore. Sa për krahasim, në Francë, të ardhurat e deputetëve janë 2.2 herë më të larta së rroga mesatare; në Angli 2.4 më të larta; në Gjermani janë 2.8 herë më të larta; në Amerikë politikanët marrin 3.1 herë më shumë se qytetarët; dhe në Japoni 3.9 herë më shumë.

E në Kosovë?

Në Kosovë, nëse rroga mesatare llogaritet të jetë 431 euro, gjë që personalisht dyshoj, dhe ajo e deputetit 2000 Euro, atëherë politikanët tanë fitojnë 4.6 herë më shumë se rroga mesatare e qytetarëve. Dallimi, pra, është më i madh së në të gjitha vendet e përmendura. Çka do të thotë se, në krahasim me ne qytetarët e tjerë, politikanët tanë rrojnë më mirë se kolegët e tyre gjermanë, anglezë, francezë, amerikanë e japonezë.

Por këtu qëndron edhe problemi që ne kemi. Sepse në Kosovë është lukrative të jesh politikan. E kanë instaluar një sistem i cili i tërheq kryesisht njerëzit lakmiçarë në politikë, megjithëse për politikë duhet të jesh njeri i orientuar në vlera dhe në të mirën e përbashkët, e jo në përfitim personal.

Tragjedia jonë është që e kemi instaluar një sistem, të cilin për ta ndryshuar duhet të jemi në gjendje ta dëmtojmë veten. Pra, për ta shëruar plagën, duhet ta presim mishin tonë. E kjo dhemb. Duhet të kemi pra politikanë që kërkojnë uljen e pagava të tyre, heqjen e mëditjeve të tyre, heqjen e privilegjeve të shfrenuara për partitë politike. E kush është ai patriot që do ta bënte këtë? Gjithsesi, jo nga ata që përfitojnë në emër të patriotizmit të tyre të dikurshëm.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.