Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Huqja e madhe! Pse sulmi ndaj Arbana Xharrës nuk ka ndodhur kurr?

 

Ngjarjet që e përbëjnë sot realitetin shoqëror ndodhin çdo ditë e më shpejt. Ende pa u procesuar një ngjarje, ende pa u kuptuar në esencë të saj, ndodhin ngjarje tjera, të ndërlidhura ose të ndërlidhshme me të. Nësë marrim veç ngjarjet politike në Kosovë, për shembull, mes vitit 2014 dhe sot, aq shumë gjëra kanë ndodhur sa që zor se mund të krijohet një ndërlidhje logjike a sistematike mes tyre. Prej interpretimeve kushtetuese të paszgjedhjeve, express koalicioneve paszgjedhore dhe kohëzgjatjes rekorde të tyre, deri te një qeverisje hibride, përplasje agjendash partiake e abuzime diskursesh nacionaliste, e deri te zgjedhjet e jashtëzakonshme, nuk është se mund t’i spjegojmë me një analizë të vetme.

Veç gjatë javës që lamë pas, Kryeministri Mustafa u nis për në Kuvend për të miratuar demarkacionin, një politikë që u bë problematike pa pikë nevoje, dhe u kthye në shtëpi i papunë. Ndërkohë që këta tre vjet ishin përplot me skandale si ai pronto, arrestime, sabotazhë, lotësjellës e vdekje të dyshimta. Të gjitha këto ngjarje shkuan aq shpejt sa që nuk i kuptuam. Sqarimet për to mbetën të mangëta, e mos të flas këtu për ndërlidhje a raporte shkak-pasojë, të cilave raporte, gjithnjë e më shumë, po i ikin edhe studiuesit shkencorë.

Nëse nuk ka logjikë të shëndoshë në klasifikimin e ngjarjeve, si ta kuptojmë atëherë një vrull të ngjarjeve me të cilat bombardohemi orë e çast, një furi fenomenologjike, në një epokë sociale ku shkaku dhe pasoja nuk janë mjet i perceptimit të gjithçkaje? Filozofi postmodern francez Jean Baudrillard realitetin bashkëkohor e quan hiperrealitet. Ngjarjet ndodhin aq shpejt, ligjëronte Baudrillard qysh në vitin 1984, sa që nuk përçojnë më, në vete, dëshminë e një kuptimi. Është kuptimi që iu ndërtohet atyre paraprakisht ai që përçon dëshminë e vetë ekzistimit të ngjarjeve. Pra, në vend së ndodhia të krijojë kuptimin, është kuptimi i ndërtuar ai përmes së cilës diçka mund të ndodhë. Ndryshe, ngjarja nuk ndodhë fare.

Duke e vënë në funksion punën teorike të Baudrillard dhe përditshmërinë në Kosovë, e shohim se sulmi i dhunshëm ndaj Arbana Xharrës nuk ka ndodhur fare. Mos më keqkuptoni, Arbanën e kanë rrahur dhe e kanë rrahur fort. Por kjo rrahje, ky manifestim fizik i shfrenimit, ndaj një personi që nuk paraqet kurrfarë kërcënimi fizik për askë, nuk përçoi kuptim në vete. Kuptimet, pra plot sosh, i kishim të ndërtuara, të gatshme, në momentin kur ndodhi ngjarja. Ato veç vërshuan tregun e sferës publike dhe secili nga ne mundi ta zgjedhte një nga to, si në supermarket, që ta mbajë për vete, si kuptim tonin.

Këto ‘kuptime’ për ngjarjet, nuk vijnë si rrjedhojë e një debati a fiqirimi, nuk na dalin si interpretime të kujdesshme për atë që ka ndodhur. Ato na shërbehen, të gatshme, në të njëjtën mënyrë siç shërbehen ngjarjet, pra përmes lajmëzimit të tyre. Dhe nuk shërbehen si një emërues më i vogël i përbashkët për ngjarjen, për të cilin emërues një bashkësi njerëzish në një sferë publike mund ta kenë arritur dakordim. Shërbehet si informatë kuptimplotë, si fjalë e fundit, si e vërtetë absolute.

Dhe këtu qëndron huqja më e madhe. Huqje e së vërtetës, që në formë hakmarrëse e zhbën vetë ngjarjen. Përmes strukturave të fuqisë (pushtetit) të manifestuara në diskurs, pavarësisht se kah cila anë ngrehin dhe tek cili mulli çojnë ujë ato struktura, ngjarja e sulmit ndaj Arbana Xharrës po zhbëhet në vetë ndodhinë e saj.

Diskurse të tilla ka shumë. Sfera publike nuk duhet të perceptohet si një garë diskursesh ku njëri patjetër se do të dalë ngadhnjimtar, por, më shumë si një sferë shumëdimensionale, ku diskurset bashkëjetojnë njëri me tjetrin, duke e formësuar kështu realitetin social.

Diskursi i parë që është lehtë të identifikohet është ai i promovuar nga kolegët e rinj të Arbanës, bashkëpartiakët e saj brenda PDK-së dhe megafonëve të tyre. Sipas këtij diskursi, Arbana është rrahur veç pse rishtazi u anëtarësua në PDK dhe kjo gjë merret si e qenë. Gjurmët që goditësit kanë lënë mbi trupin e Arbana Xharrës, përnjëherësh, marrin ngjyrat e partisë dhe tiparet e strukturimit feudal të shoqërisë. Ato ndalën së përçuari qytetaren Arbanë. Arbana, në këtë diskurs, ekziston veç pse është anëtare e partisë. Dhuna ndaj saj, po ashtu, ndodhi për të njëjtën arsye. Jashtë relmit të partisë, as Arbana si qytetare, e as dhuna e manifestuar ndaj saj si dhunë kundër guximit qytetar, nuk ekzistojnë më. Ekziston veç agjenda partiake, agjenda e zgjedhjeve.

Diskursi tjetër, po aq i tmerrshëm në këtë rast, është diskursi i çkërdhierjes së lirisë së internetit. Edhe ky diskurs e zhbën Arbanën si individ, duke e lënë atë të ekzistojë veç në përkatësinë e saj politike. Dhunën ndaj saj e mohon përmes injorimit, përmes leksikonit të fyerjes dhe përmes ideve të mëdha. Secili kuptim që do të mund ta krijonte ajo që i ndodhi Arbanës, pra dhuna si ngjarje, përjashtohet që në start. Në vend të ngjarjes, në analizën përfundimtare hyjnë shumë ide e koncepte madhore. Kryesisht morali dhe etika. Ideologët e këtij diskursi mediokër, të cilët Agon Maliqi po i quan policia etike e internetit, ka vite që kanë krijuar një përshtypje morbide për Kosovën, ky vend ku nuk ndodhë asgjë e mirë. Fuqia e këtij diskursi shkon aq larg sa që edhe ato pak ngjarje të mira që i patëm, kurdoherë, arrijnë t’i interpretojnë, të paktën për idhtarët e tyre, si fallse, si të paqena, ose, në rastin më të mirë, si të parëndësishme. Arbana Xharra, që ishte vetë pjesë e kësaj policie etike deri sa hyri në politikë, siç kam shkruar më parë, po bjen viktimë e vetë grackave të saj diskursive. Kësisoj, Arbana sipas këtij diskursi nuk është sulmuar, por edhe nëse është sulmuar e ‘ka kërkuar’ një gjë të tillë, sepse ka ‘tradhtuar’ diskursin moral të cilin vetë e promovonte.

Sikur këto dy diskurse konkurruese do shfaqeshin të vetme në sferën publike, mbase e vërteta nuk do humbej krejtësisht. Mbase ajo do mbijetonte diku në mes, si zakonisht. Por këto makrodiskurse nuk ndalen në mohimin e ngjarjeve. Ato, në fakt, kanë krijuar shabllonin se si formësohet realiteti shoqëror, pra realiteti i përditshëm, duke lënë hapësirë kështu që secili mikrodiskurs tjetër që krijohet brenda sistemit të tyre diskursiv, të jetë po aq hegjemon ndaj së vërtetës sa vetë to, po aq mohues.

Merrni ‘liberalët’ si shembull, pra, ata që dhunën ndaj Arbana Xharrës pretendojnë se e shohin përmes vlerave të lirisë individuale. Interpretimi i këtij diskursi për ngjarjen ishte krejtësisht i çuditshëm. I madh e i vogël, nga kampi ‘liberal’, u çuan peshë që të dënojnë ‘dhunën verbale’ e cila, sipas tyre, e solli ‘dhunën fizike’ ndaj Arbanës.

Ka kuptim ky argumentim, apo jo? Po çfarë kuptimi ore? As edhe hiç! Në fakt, kuptimi i vetëm që i jepet, është ai i mohimit të çfarëdo kuptimi tjetër. Përmes kësaj analize, hudhen poshtë të gjitha faktet, e gjithë fenomenologjia, pra, gjithçka që ndodhi, secila ngjarje. Hudhet poshtë fakti se ndaj Arbanës, për shembull, pati më shumë ‘dhunë verbale’ gjatë gjithë kohës sa ajo ishte zë disident dhe kritikuese e regjimit të PDK-së. Në fakt, pos disa komentuesve përherë banalë të rrjeteve sociale të cilët u lëshuan në ofendime të zakonshme, shumica e ‘dhunës verbale’ ndaj Arbanës përbëhej nga fjali të shkruara nga vetë Arbana, për vetë partinë në të cilën aderoi. Shumë më shumë se ‘dhunë verbale’ ndaj Arbanës pati tregim gishtash për hipokrizi, të cilën, edhe në qoftë se kanë dalur nga binarët, janë shumë më pak të rrezikshëm sesa kërcënimet që përherë merrte Arbana, e të cilat u harruan këto ditë.

Hudhen poshtë, pra, të gjitha kërcënimet qe Arbana i mori, qoftë nga esktremistët fetarë, qoftë nga neokomunistët enverianë, qoftë nga nëntoka e partisë në të cilën aderoi. Hudhet poshtë, në këtë mënyrë, gjithçka tjetër që nuk i rri besnik këtij interpretimi për ngjarjen. Thënë ndryshe, hudhet poshtë ngjarja si e tillë, meqë, asaj i jepet kuptim vetëm në pajtueshmëri të plotë me diskursin që e interpreton.

Zëri i sharlatanëve që besojnë të kenë kuptuar barazinë gjinore apo teoritë feministe, po ashtu e mohon dhunën ndaj Arbanës si ngjarje. Këta ‘idiotë’ që shiten feministë, biejnë pre e dy makrodiskurseve hegjemone duke e vajtuar se si ‘një grua’ dhe ‘një nënë’ na qenka sulmuar. Këtë e bënë shumë individë që promovojnë makrodiskurset e elaboruara më lart, por edhe shumë të tjerë, kinse të pavarur.

Ky diskurs, në fakt, pos që është shembulltyrë e mendimit të mykur patriarkal ku gruaja përceptohet si e dobët, e mjerë, e pazoja, e mohon më së shumti Arbanën si person. E mohon gjithë punën e saj, rëndësinë e saj në shoqëri sado relative që të jetë ajo, e mohon qenien e Arbanës duke e zhveshur atë nga gjithçka tjetër pos identitetit të saj të lindur gjinor. Kësisoj, siç e pati çmontuar për mrekulli në sbunker Ardiana Prishtina, gruaja më nuk është subjekt, ajo margjinalizohet në organin e saj gjenital.

Diskurset e regjimit dhe të opozitës ndaj regjimit, bashkë me një grusht liberalësh e feministësh që dominojnë sferën publike sot, pra, po e mohojnë, në ekzistencë të tij, sulmin fizik ndaj Arbana Xharrës. Në realitetin e krijuar nga këto diskurse, Arbana nuk u sulmua kurrë. Gjithçka tjetër ndodhi, pos sulmit, pos një akti të tmerrshëm, një dhune çnjerëzore, një turpi kolektiv për të cilin edhe unë, edhe ti që po lexon, jemi njësoj përgjegjës. Njëjtë siç jemi përgjegjës për Lavdrim Muhaxherin, për shembull.

Dhuna më e madhe ndaj Arbanës, në mendimin tim, bëhet pikërisht përmes këtij mohimi të rastit të dhunës ndaj saj. Kjo shoqëri është e gatshme që Arbanën ta trajtojë si grua, nënë, gazetare të guximshme dhe politikane hipokrite, duke e mohuar, në mënyrë perfide, dhunën e ushtruar ndaj njeriut, ndaj qytetares Arbanë. Kësisoj, gjurmët e shfrenimit fizik, sulmi ndaj personit, cenimi i integritetit trupor të një qenie, nga dikush që vetë e kemi pjellë si shoqëri, kaloi pa përçuar dhe pa krijuar kuptim. Kuptimet, i patëm të gatshme për ngjarjen. Andaj edhe ngjarja është njëjtë sikur të mos kishte ndodhur fare.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.