Debati publik për strukturën e ekonomisë shqiptare po i jep jehonë gjithnjë e më të madhe shqetësimit për formimin e një oligarkie, e cila ka përqëndruar në pak duar, pjesën kryesore të ekonomisë. Në opinionin e qytetarëve është duke u çimentuar bindja se që të bëhesh biznesmen i fuqishëm sot duhet të kesh lidhje të ngushta me politikën e krimin. Pra suksesin në ekonomi nuk e shohin si rezultat të punës së palodhur, kurajës për të marrë përsipër risk, arsimit dhe talentit por si produkt të drejtpërdrejtë të sigurimit të përfitimeve e privilegjeve prej shtetit. Pra rruga drejt fuqizimit duket se është shtrydhja e favoreve nga shteti duke marrë tendera, subvencione, amnesti, licensa, koncensione apo imunitet për evazion fiskal e kontrabandë. Po ashtu përdorin qeverinë për të eleminuar apo kufizuar konkurrencën duke minimizuar lirinë e konsumatorit për të zgjedhur. Kjo rrugë shkon tërësish ndesh me vlerat dhe parimet që promovon liberalizmi e që konsistojnë në sipërmarrje private që funksionon në kushtet e tregtisë së hapur e të lirë, konkurrencës së lirë e të ndershme, sundimit të plotë të ligjit dhe të një qeverie që nuk i fut hundët në ekonomi por qëndron e distancuar dhe neutrale në treg.
Fatkeqësisht ky reputacion negativ që me të drejtë kanë marrë këto biznese të mëdha është duke u shfrytëzuar manipuluar nga neomarksistët shqiptarë të cilët po e lidhin me liberalizmit klasik apo neoliberalizmit sikurse i referohen shpesh. Krijimin e kësaj kaste biznesmenësh shqiptarë të kapitalizmit të kalbur apo “crony capitalism” sikurse po i referohen shpesh nëpër botë, ata po e trajtojnë si të ishte pasojë e aplikimit të plotë të sistemit ekonomiko-politik të liberaldemokracisë. Mirëpo ky është një spekulim i pastër që vjen nga e majta ekstreme sepse ka një dallim të madh mes të qenit pro-tregut dhe pro-tregtarëve, mes të qenit pro-biznesit si veprimtari ekonomike dhe pro-biznesmenëve të veçantë.
Që në hapat e parë të mendimit ekonomik liberal është bërë një dallim i qartë mes mbrojtjes së ekonomisë së tregut dhe mbrojtjes së interesit të biznesmenëve. Filozofi i parë liberal, Adam Smith, në kryevepërn e tij Pasuria e Kombeve, kishte si një ndër temat kryesore kundërshtimin e merkantilizmit. Pra dilte kundër favorizimit të bizneseve të veçanta që shteti bënte duke penguar konkurrencën që vinte nga mallrat e importuara. Babai i ekonomisë si disiplinë shkencore, në këtë mënyrë kritikonte politikat pro-biznesit që siguronin përfitime për disa të privilegjuar dhe promovonte tregtinë e lirë që i shërben të gjithëve. Po ashtu një tjetër shqetësim që paraqet ai në atë libër të shekullit XIIX është rreziku që vjen nga monopolet e kartelet. Ai vinte në dukje se nëse bëhen me njëri tjetrin biznesmenët e një sektori, e pëson interesi publik sepse rriten artificialisht çmimet. Po ashtu këshillat e tij vlejnë edhe për sot kur ai kërkon maksimumin e vigjilencës përkundrejt përpjekjeve të biznesmenëve për të përdorur lidhjet politike në interes të tyre. Sipas tij “Propozimi i çdo ligji apo rregulloreje të re që vjen nga biznesmenët, duhet dëgjuar me kujdes të madh dhe nuk duhet të miratohet derisa të jetë shqyrtuar, shtruar me kujdes… me dyshimin më të madh pasi vjen një lloj njerëzish, që nuk i kanë interesat të njëjta me ato të publikut”.
Përpos kësaj duhet patur parasysh se biznese private kishte edhe më herët se epoka e Adam Smithit. Idelogjia e deratëhershme dhe vetë mënyra si funksiononin gjërat para përqafimit të liberalizmit, konsistonin tashmë në ruajtjen e status quo-së dhe privilegjëve të më të pasurve dhe më të fuqishmëve. Demokracia në Angli asokohe ishte rudimentare dhe të drejtën e votës e kishin vetëm meshkujt që duhej të ishin të pasur. Mendimi i Adam Smith ishte kundër status quo-së dhe sigurimit të privilegjeve dhe pro konkurrencës, iniciativës private e novacionit. Prandaj idetë e tij duhen konsideruar si propozime që më shumë ofronin mundësi për më të varfërit e më të dobëtit sesa për të pasurit e të fuqishmit që tashmë e dominonin shoqërinë. Thelbi i tezës së tij, që përbën edhe zanafillën e liberalizmit, është se tendenca e natyrshme e njerëzve drejt interesit vetjak sjell begatinë për gjithë shoqërinë prandaj për të pasur përparim më të madhe duhej që të hapeshin tregjet, të promovohej konkurrenca dhe qeveria të ndërhynte sa më pak në ekonomi.
Dallimin mes liberalizmit dhe interesave të biznesmenëve e bën të qartë akoma më mirë një nga mendimtarët më të rëndësishëm bashkëkohor të kësaj doktrine ekonomike e politike. Në një intervistë në 1974 Milton Friedman thoshte se “dy armiqtë më të mëdhenj të shoqërisë së lirë ose sipërmarrjes së lirë janë intelektualët nga njëra anë dhe biznesmenët nga ana tjetër, për arsye të kundërta. Çdo intelektual beson në lirinë për veten, por është kundër lirisë për të tjerët. Ai dëshiron lirinë e fjalës, lirinë akademike mirëpo kur vjen puna tek ekonomia… Ai mendon se duhet të ketë një bord të planifikimit qendror që do të krijojë përparësitë shoqërore. Biznesmenët janë thjesht e kundërta – çdo biznesmen është në favor të lirisë për të gjithë të tjerët, por kur bëhet fjalë për vete, sipas tyre kjo është një çështje tjetër. Ai mendon se gjithmonë rasti i veçantë. Ai mendon se meriton të marrë privilegje të veçanta nga qeveria. Ata thonë duhet të kemi këtë tarifë doganore për t’u mbrojtur prej konkurrencës që vjen nga jashtë. Ne duhet të kemi atë lehtësim në taksa. Ne duhet ta kemi këtë subvencion.”
Trajtimi i liberalizmit si një idelogji që promovon ekskluzivisht interesat e biznesmenëve është në fakt një rudiment apo reminishencë e trashëguar nga teoria marksiste e klasave. Për ta përmbledhur shpejt e shkurt, Marksi mendonte se pozicioni i një individi në shoqëri lidhet me rolin që ai ka në procesin e prodhimit dhe më konkretisht me zotërimin ose jo të mjeteve të prodhimit. Klasa përbëhet nga individë që kanë gjendje dhe interesa të përbashkëta ekonomike, janë të vetëdijshëm për ato interesa dhe angazhohen në veprime kolektive që i çojnë përpara ato interesa. Sipas Marksit historia shikohet bazuar në antagonizmin e pashmangshëm mes dy shtresave duke shprehur bindjen se shoqëria ecën përpara nëpërmjet luftës së dy klasave. Në një anë ai thoshte se është proletariati që konsiderohet klasa e punëtorëve që nuk ka pronë mjetet e prodhimit por të ardhurat i sigurojnë nga shitja e fuqisë së tyre të punës. Në anën tjetër borgjezia që është klasa sociale që gjatë industrializimit ka shtënë në dorë mjetet e prodhimit dhe që ka për prioritet kryesor mbrojtjen apo rritjen e vlerës së pronës dhe kapitalit të tyre duke ruajtur kështu dominimin në shoqëri. Pra thënë thjesht: nëse individi zotëronte mjetet e prodhimit ishte borgjez dhe nëse jo ishte proletar.
Ajo që duhet theksuar është se teoria marksiste mendonte se çdo klase i korrespondon një ideologji specifike që përfaqëson më së miri interesat, vullnetin apo dëshirat e pjestarëve të asaj klase. Kështu komunizmi ishte doktrina që parashtronte rrugën e çlirimit të proletariatit nëpërmjet revolucionit. Me këtë frymë të materializmit historik edhe liberalizmi është konsideruar e trajtuar si doktrina politike që mbron e mbështet kapitalistët apo borgjezët. Pra në njëfarë mënyre duke folur përditë për shtresën e mesme si mbështetëse e natyrshme e sistemit kapitalist apo liberalizmi, thjesht aplikohet teoria marksiste e klasave. Në fakt, liberalizmi nuk duhet parë me një sy marksist sepse është një ideologji që promovonë lirinë në vetëvete, pavarësisht se kush përfiton prej saj. U bë kohë që është hedhur poshtë mënyra materialiste marksiste e të parit të individit si një dele brenda një kopeje që s’ka individualitet por që i përket një shtrese dhe reflekton kryekëput interesat e asaj shtrese. Në shkencat sociale të epokës së sotshme vlerësohet dhe respektohet individi dhe individualiteti dhe njërëzit nuk trajtohen vetëm si pjesëtarë të një klase monolite.
Në epokën postindustriale që po përjeton Evropa, përqindja e klasës punëtore apo e shtresës së ulët ka rënë shumë ndërkohë që shumica dërrmuese i përket shtresës së mesme. Kështu sipas organizatës OECD, përqindja e shtresës së mesme në Danimarkë është 80%, Finlandë 75%, Francë 74%, Gjermani 72%, Irlandë 69%, Itali 67%, Luksemburg 75%, Hollandë 79%, Norvegji 80%, Mbretëri të Bashkuar 67% e kështu me radhë. Mirëpo pavarësisht rritjes së përqindjes së popullsisë që i takon shtresës së mesme, liberalizmi si ideologji nuk gëzon mbështetjen e njëjtë me këto përmasa sikurse do të pretendonte marksizmi me këto shifra, përkundrazi, një pjesë e mirë e shoqërisë ende beson tek ndërhyrja e fortë kapilare e shtetit në ekonomi. Po ashtu edhe pse përqindja e proletarëve, pra e qytetarëve që nuk zotërojnë mjetet e prodhimit ka rënë jashtëzakonisht; idetë e frymëzuara nga Marksi janë ende të forta në shoqëri dhe e majta që promovon barazinë nëpërmjet rishpërndarjes ende fiton rregullisht zgjedhje në këtë Evropë të dominuar nga shtresa e mesme. Kjo situatë tregon se sa e paqëndrueshme është sot teoria e klasave e Marksit.
Por edhe sikur ta merrnim hipotetikisht të mirëqënë atë teori, për hir të së vërtetës duhet thënë se historia bashkëkohore ka dëshmuar që liberalizmi më së miri i ka shërbyer interesave të të varfërve. Liberalizmi jo vetëm që triumfoi mbi komunizmin por përhapja e tij ka nxjerrë nga varfëria qindra milionë qytetarë të Kinës, Indisë e vendeve të tjera ku po aplikohet. Studiuesi Johan Norberg në kuadër të sfidës së dhjetëvjeçarit 2008-2018 që ka qarkulluar kohëve të fundit ka nxjerrë në pah disa të dhëna interesante që nxjerrin në pah suksesin e përhapjes së lirisë dhe ekonomisë së tregut nëpër botë. Të dhënat e nxjerra nga organizata si UNDP, Banka Botërore dhe UNESCO tregojnë se varfëria ekstreme ka rënë nga 21.3% në 2008 në 8.6% në 2018, vdekshmëria foshnjore nga 5.8% në 3.8%, analfabetizmi nga 11.3% në 8.6% ndërsa jetëgjatësia është rritur nga 69.8% në 72.2%.
E vërteta është se në shumë raste biznesmenët e pëlqejnë dhe e mbështesin idenë e tregut të lirë deri sa të futen në treg, më pas bëjnë çmos që të pengojnë të tjerët që të hyjnë, kryesisht duke u përpjekur që të merren me politikë. Bizneset kanë bërë çmos për të shmangur presionet, rreziqet apo paparashikueshmëritë që shkaktohen prej një konkurrence të lirë e të ndershme dhe shpesh përdorin ndihmën e qeverisë për të evituar konkurrencën. Aktualisht konsumatori shtet është konsumatori kryesor e jo konsumatori individ i thjeshtë. Duke qenë se shteti është ai që gjithnjë e më shumë vendos për suksesin apo dështimin e një biznesi, e jo konsumatori, atëherë bizneset kanalizojnë gjithnjë e më shumë energji e burime për të siguruar privilegje nga shteti duke shpërfillur kështu gjithnjë e më shumë përmbushjen e konsumatorit. Kjo gjë stimulon edhe kalbjen e demokracisë sepse nëse shteti e ka ndërhyrjen në ekonomi të madhe atëherë biznesmenët kanë interes gjithmonë e më shumë që të kenë ndikim në politikë duke korruptuar, lobuar, financuar parti apo garuar vetë në parlament. Prandaj në qendër të ideologjisë liberale qëndron ideja e miniarkisë, domethënë e një qeverisje sa më të vogël, e taksave dhe e shpenzimeve qeveritare sa më të vogla, në mënyrë që suksesi i bizneseve të jenë gjithherë e më shumë në varësi të konsumatorit e jo të qeverisë dhe lojës politike.