Para një kohe, “Netflix” shfaqi një film që tregon jetën e Sérgio Vieira de Mello, diplomatit brazilian, i cili e kaloi tërë jetën duke punuar për OKB-në në zonat më të vështira dhe më konfliktuoze në botë.
Sergio ishte një idealist dhe balancues i përkryer ndërmjet utopisë dhe realpolitikës, duke u ndeshur me politikat e superfuqive botërore në shumë vende të botës.
Filmi dhe dokumentari për Sergion nuk është i plotë, meqë i mungon një kapitull i rëndësishëm i jetës dhe i punës së tij. Përfundimi i filmit, pa e përfshirë Kosovën në të, u bë pikënisje dhe motiv për të sjellë rrëfimin e Kosovës së Sergios.
Me karizëm, me vizionin dhe me qetësinë e tij, Sergio luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e parakushteve për paqe në ditët e para të lirisë së Kosovës.
Por, Kosova për të nuk ishte vetëm një mision, ajo u shndërrua në frymëzim për të skicuar suksesin e tij më të madh, që ishte në Timorin Lindor.
Sergio ishte ndër diplomatët e rrallë në të cilin besonin të gjithë. Situatat më të vështira, më të errëta, të mbushura me luftëra gjenocidale, përmes negociatave i kthente në shpresë!
Për të përshkruar këtë, Sergio kërkonte që biografia e tij të quhej “Kriminelët e luftës, miqtë e mi më të mirë”. Një skenë që shfaqet në film.
Si një idealist, Sergio, OKB-në e imagjinoi dhe i besoi ashtu siç e pa vetë – të mangët në burime, por me përkushtim dhe me aftësi që, përkundër të gjitha pengesave politike në botë, t’i jepte fund luftërave dhe vuajtjeve të viktimave të pafajshme.
OKB-në ai e shihte si një institucion i krijimit të shpresës, e cila buron nga parimet humanitare në një botë të realpolitikes, të garës së fuqive dhe të urrejtjeve etnike dhe fetare.
Kjo është bota ku ai jetoi dhe veproi. Sergio vdiq si idealist, vdiq duke besuar se mund të bëjë një ndryshim të madh në botën e ngatërruar!
Është e vështirë të thuhet se si do të ishte shkruar historia nëse Sergio do të mbijetonte nga sulmi i Bagdadit. Por, një gjë është e qartë se vdekja e tij ishte një dëm i pariparueshëm për OKB-në.
Epoka kur OKB-ja ishte katalizator i veprimeve të mëdha për të zgjidhur konfliktet, duke shtyrë vlerat që besonte Sergio, kishte mbaruar.
Ajo nuk kishte gjetur ende një lidership për të rimarrë vetën. OKB-ja u shndërrua në atë që e urrente më së shumti Sergio – në një institucion burokratik që nuk përballet me botën dhe realitetin.
Kam takuar shumë njerëz që kanë punuar me Sergion në Kosovë dhe kam dëgjuar shumë histori për kohën e tij këtu.
Sergio e gjeti një Kosovë të shkatërruar nga lufta, nga krimet, nga masakrat, një vend ku ishte vrarë edhe shpresa. Por, pikërisht rrëfimet e njerëzve, ndërtimi i institucioneve, prania ndërkombëtare u bënë një udhërrëfyes për misionet e tij të ardhshme.
Sikur ai të qëndronte në Kosovë, fati i tij personal, por edhe historia e OKB-së në botë, do të ishte më ndryshe.
Rrëfimin më të mirë për jetën e Sergios e jap Samantha Power në librin e saj “Chasing the Flame: Sergio Vieira de Mello and the Fight to Save the World”.
Rrugëtimi i Sergios drejt Kosovës
Në janar të vitit 1998, Sergio u largua nga UNHCR-ja në Gjenevë, kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Koffi Annan, një koleg dhe mik i tij i vjetër, e emëroi atë si Shef të Departamentit të Çështjeve Humanitare të Sekretariatit të OKB në Nju Jork-një pozicion me nivelin e Nënsekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Në mes të përshkallëzimit të luftimeve në Kosovë, Annan vendosi të mbante Sergion në Nju Jork për të udhëhequr përpjekjet humanitare.
Annan dëshironte që OKB-ja të ishte në front të adresimit të katastrofës humanitare që po ndodhte në Kosovë me njeriun e tij më të mirë.
Sergio besonte në Kombet e Bashkuara dhe në misionin e saj për të ruajtur paqen, duke iu referuar mësimeve të Lidhjes së Kombeve para Luftës së Dytë Botërore, duke qenë i vendosur për të parandaluar mizoritë dhe shkeljet e të Drejtave të Njeriut në të gjithë botën.
Kur më 24 mars 1999, NATO-ja filloi sulmet e saj ajrore kundër Jugosllavisë, punëtorët e fundit humanitarë të OKB-së ishin larguar nga Kosova.
Sergio e njihte Millosheviqin nga përvoja e tij në Bosnje. Ai nuk ishte kundër përdorimit të forcës për të parandaluar mizoritë masive në Kosovë, duke e njohur brutalitetin e Millosheviqit. Të tjerët e kishin parë aftësinë e Sergios për të shërbyer si këshilltar i OKB-së për të definuar rolin e saj gjatë fushatës ajrore të NATO-s.
Ai zgjodhi të mos merrte qëndrim dhe të heshtte për ndërhyrjen në Kosovë, meqë besonte se OKB-ja ishte e paaftë për të vepruar.
Miku i tij, Koffi Annan, i cili i drejtoi operacionet e paqes së OKB-së kur ndodhi gjenocidi në Ruandë dhe Bosnje, nuk ishte i gatshëm të hynte në histori si Sekretar i Përgjithshëm që toleronte vrasjet masive.
Sergio dhe Annan kishin bindjet dhe përvojat e tyre që drejtuan OKB-në përmes krizës së Kosovës.
Annan do të lëshonte deklaratën më të rëndësishme ndonjëherë nga një Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, që synonte të mbrojë rolin e OKB-së, por edhe të jetë në të njëjtën anë me civilët e pambrojtur.
“Është vërtet tragjike që diplomacia ka dështuar, por ka raste kur përdorimi i forcës mund të jetë i ligjshëm në ndjekjen e paqes“, kishte thënë Annan.
Përpara se ta mbronte Kartën e OKB-së, Annan vendosi të mbrojë fatin e civilëve në Kosovë.
Sergio nuk u pajtua që Annan të japë një mbështetje kaq të fuqishme për NATO-n. Annan vazhdonte të fliste, duke denoncuar krimet e luftës në Kosovë dhe duke pohuar domosdoshmërinë e OKB-së në zgjidhjen e konflikteve.
Vrasjet dhe dëbimet vazhduan në Kosovë nga forcat jugosllave dhe ato serbe, derisa Kosova rrezikoi të pastrohet tërësisht etnikisht nga shqiptarët brenda një kohe të shkurtër. OKB ishte plotësisht e papërgatitur për të përballur krizën humanitare dhe refugjatët.
Fushata ajrore e NATO-s po vazhdonte, derisa në Nju Jork, Sergio do të mbikëqyrte përpjekjet humanitare të OKB-së dhe të agjencive të saj në vendet fqinje të Kosovës.
Ai nuk kishte asnjë njeri në Kosovë dhe varej nga informatat që dëgjonin ekipet nga refugjatët dhe burimet e tjera në Kosovë.
“Ne jemi dëshmitarë të zbrazjes së shqiptarëve etnikë nga Kosova”, kishte thënë Sergio. Padyshim, atij i mungonte terreni, duke qëndruar në zyrat e OKB-së në 1st Avenue në Nju Jork.
Përderisa sulmet ajrore vazhduan dhe rusët e kinezët ishin me zë të lartë në OKB kundër NATO-s, Sergio kishte një ide se si të kthente rëndësinë e OKB-së përsëri në mes të krizës së Kosovës.
Sergio i sugjeroi Ananit të aprovonte një mision humanitar në Kosovë, duke e ditur që pa praninë ndërkombëtare në Kosovë, Millosheviqi do të vazhdonte vrasjet brutale.
Ai donte të futej brenda dhe të dokumentonte krimet e bëra nga Beogradi, por sfida ishte se si t’i bindte rusët-aleatët e Milosheviqit. Ai gjeti një narracion për të bindur rusët, duke u thënë se dëshiron të shohë dëmin që i shkaktoi NATO-ja Jugosllavisë.
Annan u pajtua! Ambasadori rus, Sergei Lavrov, i kërkoi Sergios të dokumentonte shkatërrimin e shkaktuar nga NATO-ja.
Perëndimi nuk ishte shumë i interesuar për idenë dhe amerikanët i kërkuan Sergios të hiqte dorë, nga frika se serbët do të luanin agjendën në atë mënyrë për të parë vetëm dëmet e shkaktuara nga NATO-ja dhe jo krimet serbe.
Por, Sergio arriti t’i bindë edhe amerikanët. Këshilli i Sigurimit e miratoi misionin, derisa Sergio po rikthehej në terren.
Duke e njohur Millosheviqin, Sergio u tha mediave se OKB-ja nuk do të manipulohet nga askush, duke synuar të forcojë mbështetjen amerikane dhe atë të NATO-s.
Sergio mblodhi ekspertët më të mirë të OKB-së në misionin e tij. Louise Arbor, Prokurorja e OKB-së, të cilës Beogradi ia refuzoi kërkesën për të shkuar në Kosovë i kërkoi Sergios të merrte me vete dikë nga ekipi i saj. Atij nuk i pëlqeu ideja.
Por, ai nuk u dorëzua aq lehtë, duke vendosur që hetuesit t’i ndryshohet identiteti dhe pozicioni në OKB, në mënyrë që serbët të mos dinin për punën e tij të vërtetë.
Ekipi i tij ishte duke bashkërenduar me NATO-n në mënyrë që ata të mos bombardoheshin gjatë udhëtimit të tyre në Jugosllavinë e mbetur. Por, Sergio ishte detyruar që të negociojë edhe me serbët, të cilët dëshironin që dikush nga Ministria e Punëve të Jashtme të ishte gjatë gjithë kohës me misionin e tij në Kosovë.
Sergio nuk ishte i gatshëm t’i pranonte të gjitha kushtet e serbëve, por pas shumë negociatave ata u pajtuan për agjendën, e cila përfshinte 11 ditë, 4 nga të cilat do t’i kalonte në Kosovë.
Jo mjaftueshëm, por për të më mirë se asgjë. Megjithëkëtë, peripecitë për shkuarjen në Kosovë të Sergios nuk përfunduan me kaq.
Të nervozuar me këtë agjendë, amerikanët shqetësoheshin që Millosheviqi do ta kthejë këtë udhëtim në një sukses propagandistik kundër NATO-s.
Amerikanët insistonin tek Annani që Sergio të kalonte 2/3 e kohës në Kosovë nga totali i kohës që do ta kalonte në Jugosllavinë e mbetur ose ai të anulonte udhëtimin. Por, Annani kishte refuzuar!
Kështu, më 18 maj 1999, Sergio arriti nga Zagrebi në Beograd. Hapësira ajrore e Jugosllavisë ishte e mbyllur, vetëm avionët e NATO-s po fluturonin për të bombarduar objektivat dhe caqet serbe.
Në Beograd Sergio do të takohej me zyrtarë serbë të udhëhequr nga Bratislava Morina, Ministrja serbe e Refugjatëve dhe e veja e Rrahman Morinës.
Ajo po i tregonte Sergios për fushatën ajrore të NATO-s dhe se, për shkak të asaj fushate, njerëzit në Kosovë po ikin për në Shqipëri dhe në Maqedoni.
Sergio nuk e priste që serbët të pranonin krimet e tyre, duke u fokusuar që të shkonte në Kosovë më shpejt.
Udhëtimi nuk ishte i lehtë. Një veturë e autokolonës së Sergios pësoi një aksident dhe dy nga anëtarët e ekipit të tij u lënduan. Ata duhej të shtriheshin në spital dhe mbetën në Beograd gjatë gjithë misionit.
Sergio, i shqetësuar për sigurinë e tyre, vazhdoi udhëtimin. Fillimisht vizitoi Novi Sadin, pastaj Nishin dhe qytete të tjera të Serbisë.
Më 20 maj 1999 ata hynë në Kosovë, duke udhëtuar përmes Podujevës për në Prishtinë. Ai kishte me vete zyrtarët e MUP-it serb dhe ata nuk donin ta lejonin Sergion të hynte në fshatrat që digjeshin përreth rrugës për në Prishtinë.
Përderisa vargani i tyre po lëvizte nëpër Kosovë, ekipi i Sergios takonte kolonat e shqiptarëve që largoheshin me traktorë ose në këmbë.
Sergio pa shtëpi dhe prona që ishin djegur ose plaçkitur, në disa raste u bë dëshmitar sesi forcat serbe u vinin flakën shtëpive.
Sergio filloi të mos i respektojë rregullat e vendosura nga serbët dhe hynte në zona pa lejen e tyre.
Në Ferizaj ai hyri në apartamente dhe pa dëmet nga serbët, pa që njerëzit kishin ikur me nxitim, duke lënë gjithçka pas.
Në Prizren ai do të takonte disa shqiptarë që ishin duke u larguar, u ndal për të biseduar me ta, derisa i kërkoi ekipit të tij që të largonin zyrtarët serbë, në mënyrë që të mund të bisedonte lehtësisht me civilët.
Sergio e dinte se kishte nevojë për të sjellë në Nju Jork prova të reja për krimet serbe, përndryshe do të humbiste një mundësi për të ngritur nevojat e shqiptarëve të Kosovës dhe rëndësinë për të mbështetur kthimin e tyre në mënyrë të sigurt.
Ai nuk ishte i sigurt se po merrte atë që synonte me pengesat që po i krijonin serbët.
Në ditën e fundit të udhëtimit, ata do të merrnin rrugën për në Mal të Zi përmes Pejës. Në Pejë ata morën dëshmitë dhe imazhet e asaj që po ndodhte. Edhe pse nuk i kishte parë të gjitha ato që synonte të shihte, ai mendonte se gjetjet e tij do të ishin të mjaftueshme për të bërë titujt.
Sergio dëshironte t’i drejtohej shtypit menjëherë derisa të ishte ende në Jugosllavi. Kështu, Podgorica ishte vendi i zgjedhur për të.
Më 24 maj 1999, në rezidencat qeveritare të Goricës, ai do të zhvillonte një konferencë për shtyp.
“Me një fjalë, është goxha revoltuese”, u tha ai gazetarëve. “Ne kemi parë prova të mjaftueshme dhe kemi dëgjuar dëshmi të mjaftueshme për të konfirmuar se ka pasur një përpjekje për të zhvendosur brenda dhe jashtë një numër tronditës të civilëve”.
Ai nuk pranoi të jepte detaje të plota për gjetjet e tij, duke thënë se së pari do t’i raportonte Sekretarit të Përgjithshëm, Kofi Annan.
Sergio tha që serbët nuk i kishin dhënë ekipit të tij qasje në të gjitha hapësirat e Kosovës, që ata kishin dashur t’i vizitonin, porse ata kishin takuar shumë shqiptarë të shpërngulur brenda Kosovës së shkatërruar nga lufta, të cilët ishin në një pozitë të rrezikshme.
“Ata që i kemi parë dhe që janë akoma brenda, kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare, por ndoshta më e rëndësishmja, (atyre u duhet) siguri dhe besim. Kjo është shumë më e vështirë të sigurohet sesa ndihma humanitare, tha ai, por, kjo nuk është çështja kryesore këtu. Çështja kryesore është siguria. Këta njerëz nuk do të kthehen nëse nuk e kanë ndjenjën e besimit”, shtoi ai.
“Ishte e qartë se pa një prani ndërkombëtare këta njerëz nuk do të kthehen”, deklaroi Sergio, duke ngritur nevojën për trupa tokësore në Kosovë.
Më 26 maj ai u kthye në Beograd, ku sërish i takoi zyrtarët serbë. Madje, ai e kishte të planifikuar të takonte Millosheviqin, dhe po i thoshte stafit të tij “nuk dua të shtrëngoj duart me atë njeri”.
Millosheviqi nuk u paraqit, por Ministri Jugosllav i Punëve të Jashtme, Zhivadin Jovanoviq, i cili e fliste rrjedhshëm gjuhën portugeze, duke iu drejtuar Sergios.
Sergio e ndërpreu atë në anglisht duke i thënë: “Shkëlqesia Juaj, unë do të preferoj të mos flas në portugalisht, do të ishte një fyerje për gjuhën time amtare.”
Sergio, shumë i drejtpërdrejtë, jodiplomatik ishte duke e përballur Ministrin Jugosllav të Punëve të Jashtme me krimet që trupat e tij po kryenin në Kosovë.
Sergio po ia hidhte në fytyrë shefit të diplomacisë jugosllave vlerat e civilizimit që qeveria e tij po i shkelte në Kosovë.
Kur u kthye në hotelin e tij, Sergio do të takohej në hollin e hotelit me Arkanin, i cili ia tregoj gishtin e mesëm.
Sergio ishte në imazhet e RTS-së me konferencën e tij për shtyp në Podgoricë. Ai shkoi në dhomën e tij dhe në CNN do të merrte lajmin që Louise Arbor po ngrinte aktakuzën kundër Millosheviqit për krime lufte.
Sergio ishte i shokuar nga mënyra sesi ata mund ta shpallnin këtë aktakuzë, derisa ai dhe ekipi i tij ishin ende në Beograd.
Ai kishte frikë për sigurinë e ekipit të tij dhe se ata mund të bëheshin pengje të Millosheviqit.
Në kujtesën e tij ishin imazhet e stafit të UNPROFOR-it të mbajtur peng në Bosnje nga serbët. Para udhëtimit ai mori garancione që asnjë aktakuzë nuk do të shpallej, derisa ata ishin në territorin jugosllav.
Sergio kishte të vendosur një poster me urdhërarrestin e Karaxhiqit dhe Mlladiqit në zyrën e tij në Nju Jork. Ai, gjithashtu dëshironte ta shihte Millosheviqin prapa grilave.
Ata u kthyen përmes Zagrebit për në Nju Jork.
Sergio u bë zyrtari i parë humanitar që u thirr të paraqitet për raportim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Më 2 qershor 1999, ai do të paraqiste një raport që dëshmonte fushatën e spastrimit etnik kundër shqiptarëve.
Ai do të përmendte edhe dëmet e shkaktuara nga NATO-ja, porse ky nuk ishte fokusi i tij. Sergio nuk tregoi asgjë tjetër që bota nuk dinte, por dha një perspektivë të OKB-së për krimet në Kosovë.
Ky ishte misioni i tij! Kjo ishte ajo që dëshironte edhe Ananni. Ata dëshironin disi të mbështesin shqiptarët e Kosovës. Ata donin t’i jepnin OKB-së vendin e drejtë në histori.
—-
Muhamet Brajshori është Ambasadori i Kosovës në Tajlandë dhe vendet e ASEAN. Pikëpamjet e shprehura këtu janë personale dhe nuk pasqyrojnë ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.