Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Masivizimi i kanabisit shqiptar dhe leksionet e prohibicionizmit amerikan

Protesta e opozitës ka hyrë në muajin e tretë në Tiranë dhe bojkoti eventual i zgjedhjeve parlamentare që po afrohen po motivohet me rrezikun që sjell për procesin zgjedhor rritja e krimit të organizuar si pasojë e masivizimit të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

Në shkurt të këtij viti, ambasadori i OSBE në Tiranë, Borchardt, deklaroi se qarkullojnë mbi 2 miliardë euro prej kanabisit dhe se ekziston një rrezik i blerjes së mandateve të deputetëve nëpërmjet këtyre parave të pista. Në mars organizata evropiane për luftën kundër krimit dhe trafikut të organizuar “Europol” ka publikuar një raport lidhur me situatën e drogës në kontinent ku thuhet se Shqipëria mbetet burimi kryesor i kanabisit të trafikuar në Evropë.  Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi luftën ndërkombëtare kundër drogës i dalë po në mars, vëren se gjatë vitit 2016 sipërfaqja e kultivuar me kanabis në Shqipëri është shtuar me pesë herë në krahasim me vitin 2015. Po ashtu ky raport na nxjerr ndër vendet problematike për pastrimin e parave.

Sasia e konsiderueshme e marijuanës në qarkullim ka çuar në konsolidimin e krimit të organizuar dhe historia bashkëkohore ka treguar se narko-mafia është ndër më të rrezikshmet në botë sot.  Mjafton të shohim në Amerikë Latine, për të parë se si vende më të zhvilluara se ne, si për shembull Kolumbia apo Meksika, e kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë tmerrësisht të vështirë që të përballen me narko-mafian. Duke garantuar imunitet për një pjesë të njerëzve të përfshirë apo duke bërë goditje selektive, faktikisht krijohet një instrument i jashtëzakonshëm ndikimi edhe politik për qeveritarët.

Në këtë situatë të masivizimit të kanabisit dhe implikimit kaq të madh të shoqërisë pyetja që shtrohet cila është zgjidhja? Masat represive policore e ligjore të deritanishme në Shqipëri thjesht kanë dështuar. Prandaj për të gjetur një zgjidhje për impaktin negativ dhe kriminalizimin që sjell kanabizimi do të ishte mirë të analizonim se çfarë tregon historia për substancat e ndaluara.

Moslejimi i drogave apo substancave specifike është një traditë e gjatë, madje edhe kafeja në historinë e saj shumë shekullore të përdorimit ka hasur situatë të prohibicionizmit. Në shekullin e 16-të në Mekë dhe Egjipt u nxorr jashtë ligjit me këmbënguljen e klerikëve radikalë të cilët e akuzonin kafenë për efektet e saja stimuluese. Klerikët konservatorë katolikë u përpoqën ta ndalonin kafenë edhe në Evropë në të njëjtin shekull duke e quajtur “pije djallëzore”, mirëpo Papa Klementi i 8-të thuhet se u dashurua me të duke e shenjtëruar dhe duke e bërë mandej shumë popullore anembanë popullores.  Për të njëjtat motive stimuluese u ndalua për periudha të ndryshme gjatë shekullit të 18-të edhe në Suedi, Prusi dhe Etiopi.

Argumenti kryesor për moslejimin e drogave si marijuana është përpjekja prindërore e shtetit për të mbrojtur qytetarët nga dëmtimi që mund t’i shkaktojnë vetes prej përdorimit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët të cilët kanë nevojë për përkujdesjen e shoqërisë. Po ashtu edhe për të mbrojtur të tjerët nga dëmi që mund të shkaktojnë përdoruesit të cilët prej këtyre substancave mund të ndryshojnë sjelljen duke u bërë më të dhunshëm, të turbullt, impulsivë e të paparashikueshëm. Po ashtu një tjetër argument është edhe krijimi i varësisë fizike e psikologjike ndaj substancës, gjë që pretendohet se nuk mund të konsiderohet më një zgjedhje personale por një sëmundje.

Rasti më i famshëm i luftës kundër një substance të paligjshme është prohibicionizmi ndaj alkoholit në SHBA para një shekulli.  Prohibicionizmi ndaj alkoholit përdori pak a shumë të njëjtat argumente, varësinë që dëmton jetën e përdoruesve dhe të atyre që i rrethon, shëndeti që dëmtohet nga alkoolizimi, aspektet morale që kishin të bënin me sjellje të pahijshme prej dehjes, dhuna që shfaqeshin si tendenca pas konsumit të tepër të alkoolit, kostoja ekonomike  si dhe aksidentet automobilistike apo në vendet e punës.

Para se të vendosej, ligji i prohibicionizmit ndaj alkoholit pati një mbështetje të jashtëzakonshme publike, kaloi me mbi dy të tretat e të dy dhomave të Kongresit në vitin 1917 dhe mori më shumë se tre të katërtat e votave të parlamenteve të shteteve të ndryshme brenda një viti. Mirëpo përvoja reale gjatë 13 viteve që prohibicionizmi ishte në fuqi (1920-1933) tregoi një dështim total dhe amendimi legjislativ që hoqi prohibicionizmin, u votua edhe më masivisht dhe më shpejt se sa ligji që e ndaloi. Kjo ndodhi jo sepse populli amerikan u bind se alkooli ishte i padëmshëm, por se ishte i pandalshëm.

Pavarësisht masave të rrepta të prohibicionizmit, përdorimi i alkoolit qëndroi masiv, vazhdoi dhuna , dëmtimi shëndetësor, aksidentet e depresioni i shkaktuar prej përdorimit. Nga ana tjetër kostoja shtesë e shtetit ishte e jashtëzakonshme, sepse u shtuan punonjësit e rendit dhe drejtësisë, si dhe burgjet për t’u përballur me shitjen dhe konsumin e alkoolit.

Prohibicionizmi në vend që të pengonte përdorimin e alkoolit, pengonte trajtimin e të alkoolizuarve. Ata që kishin krijuar varësi prej alkoolit e kishin të vështirë që të paraqiteshin pranë institucioneve shëndetësore për ndihmë kur kishin frikën se prej përdorimit mund të futeshin në burg. Po ashtu damkosja morale që mund të pësonin nga ky përdorim i bënte që të hezitonin në kërkimin e ndihmës. Përpara prohibicionizmit shteti kishte mundësi ta mbikqyrte tregtinë e alkoolit, të vendoste rregulla, kritere e standarde për sa i përket cilësisë, të mblidhte taksa, të kujdesej se ku mund të shërbehej alkohol dhe të parandalonte përdorimin nga të miturit.

Prohibicionizmi në SHBA jo vetëm që shtoi prodhimin dhe konsumin por edhe bëri të mundur krijimin dhe forcimin e krimit të organizuar si dhe shkaktoi korrupsion masiv të policisë, gjyqësorit dhe të klasës politike të kohës. Tregjet e zeza të pataksuara sjellin kosto më të lartë për përdoruesit por edhe më pak taksa për qeverinë. Nëse do të ishte e ligjshme kostoja do ishte më e ulët për qytetarët dhe rrjetet kriminale nuk do të kishin të ardhurat e sotshme për të korruptuar sistemin e rendit dhe drejtësisë apo politikanët në këmbim të garantimit të imunitetit ligjor. Kjo do të thotë zvogëlim të burimeve të krimit të organizuar. Nga ana tjetër duke fokusuar masivisht energjinë kundër alkoolit (sikurse tek ne kundër kanabisit sot) u largua vëmendja dhe burimet nga të tjera shqetësime të mëdha të rendit publik dhe ligjit si vrasjet, grabitjet, krimet e dhunshme, kontrabanda etj. të cilat pësuan një rritje si pasojë e neglizhencës.

Mirëpo përtej argumenteve të shumtë pro apo kundër prohibicionizmit, argumenti qendror që i shtyu Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të hiqnin dorë nga ndalimi i alkoolit ishte bindja se ndalimi nuk po funksiononte madje po kishte efekt bumerang të kundërt. Prohibicioni nxiti një mungesë respekti për ligjin sepse shndërrimi në krim i gjërave që nuk janë krim ia humbet sistemit ligjor popullaritetin dhe respektin publik. Faktikisht opinioni publik shqiptar sot sikurse në Amerikën e prohibicionizmit, e konsideron në mënyrë masive të pranueshme qoftë prodhimin e qoftë përdorimin e marijuanës. Pra e sheh ligjin kriminalizues si të pajustifikuar e kërcënues, ndërkohë që do të duhej që qytetari ta konsideronte ligjin si masë mbrojtëse të nevojshme.

Në botën e zhvilluar ka tanimë një prirje që po çon drejt dekriminalizimit ose legalizimit të marijuanës. Legalizimi do të thotë që shteti nuk e konsideron të paligjshëm kultivimin apo përdorimin e marijuanës por e trajton njësoj si duhani. Dekriminalizimi vazhdon ta konsiderojë marijuanë të paligjshme por nuk i dënon me burg ata që kapen në zotërim të saj, por me gjoba apo forma të tjera të lehta ndëshkimi. Dekriminalizimi do të thotë që shteti nuk mund ta kontrollojë dhe rregullojë prodhimin, shpërndarjen apo shitjen e marijuanës.

Tendenca e legalizimit apo dekriminalizimit mbështetet në studime të ndryshme tregojnë se nxjerrja e marijuanës jashtë ligjit, jo vetëm që nuk është efikase në ndalimin e përdorimit por stimulon krijimin e rrjeteve të paligjshme kriminale që prodhojnë e furnizojnë e përdoruesit. Marijuana nga shumë studime nuk konsiderohet se është më e rrezikshme apo e dëmshme se sa duhani dhe alkoholi që janë të ligjshme. Për sa i përket dëmeve shëndetësore një prej tyre është ajo e mushkërive, por në këtë aspekt nuk dallon shumë nga duhani.

Po ashtu burgosja e përdoruesve mendohet se nuk bën gjë tjetër përveçse i shtyn shumë qytetarë që për hir të një vesi apo joshje nga efektet e marijuanës, të futen në rrugën e krimit pasi në burg mund të lidhen me elementë të sektorëve të tjerë të krimit. Pasi janë njollosur njëherë, nuk kanë të njëjtën barrierë morale që të merren me aktivitete të paligjshme në pjesën tjetër të jetës.

Ka studime që tregojnë edhe për dobi për pacientë me shqetësime të ndryshme shëndetësore. Po ashtu kjo bimë ka edhe përdorime të tjera anësore për prodhimin e letrës, veshjeve etj. Një tjetër argument që përdoret shpesh kundër marijuanës është se kjo drogë e lehtë të çon detyrimisht tek përdorimi i drogave më të forta, mirëpo statistikat e vendeve të ndryshme nuk e konfirmojnë këtë teori.

Ata që janë pro kësaj prirje mendojnë se paratë që përdoren për të ndaluar marijuanën mund të përdoret më mirë në aspektin edukativ si dhe në qendra rehabilituese për ata që kanë varësi. Mbështetësit e dekriminalizimit apo legalizimit besojnë se është aspekt thelbësor i epokës së lirisë ku jetojmë që individët të bëjnë çfarë të duan me trupin e tyre, qoftë të vizatojnë tatuazhe, qoftë të hanë pa fund e të bëhen obezë, e qoftë që të shoqërohen nga tymi i marijuanës.

Në Shtetet e Bashkuara ka 13 shtete që e kanë dekriminalizuar mbajtjen e marijuanës dhe 8 që e kanë legalizuar, pra 21 shtete që janë pjesë e kësaj tendence. Uruguaji u bë vendi i parë në botë që legalizoi plotësisht marijuanën dhe modelin e tij e ndoqën vende si Afrika e Jugut, Hollanda etj. Ndërkohë shumica e vendeve të Amerikës Latine e kanë dekriminalizuar mbajtjen dhe përdorimin e marijuanës. Dekriminalizimi prek gjithashtu shumë vende të Evropës si Italia, Spanja, Portugalia, Republika Çeke, Prandaj hapja e një debati shqiptar për dekriminalizmin apo legalizimin e marijuanës nuk duhet parë si një tragjedi apo tabu.

Përtej argumenteve etike, filozofike apo praktike që janë përdorur për të dekriminalizuar apo legalizuar marijuanën në vendet e zhvilluara, në rastin shqiptar shtohet edhe një faktor dhe është implikimi masiv i shoqërisë. Sot është e lehtë për të imagjinuar se sa i lartë duhet të jetë numri i qytetarëve tanë të përfshirë në procesin e kultivimit dhe tregtimit të marijuanës. Vetëm duke parë dhjetëra tonelatat e kapura nga policia jonë dhe e vendeve fqinje mund të hamendësohet se në këtë aferë janë përfshirë dhjetëra mijëra qytetarë. Pra bëhet fjalë për mijëra e mijëra qytetarë që kanë qenë të përfshirë në mbjellje, plehërim, prashitje, ujitje, vjelje, tharje e paketim. Po ashtu një numër i konsiderueshëm qytetarësh të tjerë duhet të kenë qenë të implikuar në ruajtjen dhe transportimin e saj.

Pra niveli i implikimit është tejet masiv dhe po qe se shteti ynë do të ishte efikas që t’i vinte para përgjegjësisë ligjore të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetrën janë përfshirë në prodhimin e tregtimin e marijuanës, atëherë do na duhej që të shumëfishonim burgjet tona për të pasur mundësi që t’i dënonim të gjithë. Të gjithë këta qytetarë që janë implikuar në një mënyrë apo tjetrën me kanabisin janë të shantazhueshëm si pasojë e këtij implikimi. Mbase shqiptarët nuk janë gati për legalizimin e marijuanës, mirëpo dekriminalizimi mund të ishte një hap i duhur për të dekriminalizuar shoqërinë. Ky është një leksion i rëndësishëm nga prohibicionizmi amerikan që do duhej të nxiste një debat shqiptar mëndjehapur dhe objektiv  jo vetëm për problemin e kanabisit sot, por edhe për çështjen e prostitucionit nesër.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.