Duke qenë parimisht universale, disa nocione e koncepte shpesh duken si korniza të zbrazëta, të cilat mund të adaptohen për të kryer funksione të ndryshme. Këtë e ilustron ?i?ek-u me shembujt që jep për përdorimin e Simfonisë së 9-të të Bethoven-it dhe Odës së Gëzimit të shkruar nga Friedrich Schiller, e që me disa modifikime u përdor nga Bethoven-i për një pjesë të simfonisë. Si e tillë, Oda e Gëzimit në Simfoninë e 9-të të Bethoven-it zakonisht interpretohet si odë për vetë njerëzimin – për vëllezërinë mes njerëzve dhe lirinë për të gjithë.
Megjithatë, përdoruesit ideologjikë, që nga e djathta esktreme tek e majta ekstreme, arritën t’i japin konotacione të ndryshme funksioneve të saj. Simfonia e 9-të, me raste, përdorej në Gjermaninë naziste gjatë organizimeve publike. Ajo përdorej si himn shtetëror nga e djathta ekstreme në Rhodesia-n Jugore, tash Zimbabwe, në periudhën kur ajo tentonte ta shtynte shfuqizimin e apartheidit. Ajo përdorej si muzikë komuniste në Bashkimin Sovjetik, për të lartësuar punën e proletariatit. Ajo pranohej si muzikë progresive e borgjezisë në Kinë gjatë Revolucionit të Madh Kulturor, kur gati e tërë muzika perëndimore ishte e ndaluar. Në Peru, udhëheqësi i Shtegut Ndriçues, i cili ishte një grup guerril i ekstremit të majtë, Abimael Guzmán, i njohur si President Gonzalo, kur ishte pyetur nga një gazetar për muzikën e preferuar, ai e kishte përmendur Simfoninë e 9-të. Për të shpërfaqur ironinë përbashkuese të funksioneve të ndryshme kemi shembullin e Olimpiadës së vitit 1964 në Tokio, ku dy Gjermanitë e ndara merrnin pjesë me një ekip të përbashkët. Kur një gjerman fitonte medaljen e artë, në vend të himnit të Gjermanisë Lindore apo Perëndimore, luhej Simfonia e 9-të. Sot, himni jozyrtar i Bashkimit Evropian është po kjo simfoni.
As Kosova nuk i ka ikur kësaj praktike të ndërtimit të funksionit partikular mbi një koncept që parimisht është universal e me funksion neutral. Simfonia e Kosovës një kohë ishte decentralizimi. Qëllimi parësor i tij nuk ishte që shërbimet publike t’u ofrohen më afër qytetarëve duke u kryer me efikasitet më të lartë, përmbushur nevojat specifike të komuniteteve lokale, dhe përmirësuar mirëqenien. Decentralizimi në Kosovë kishte funksionin etnik, dhe paradoksalisht synonte integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës duke u krijuar komuna të veçanta. Në një analogji të thjeshtëzuar, kjo duket sikur në analizën matematikore të synohet rezultati i integrimit përmes diferencimit – të synosh antiderivatet përmes derivateve.
Padyshim se fraza më e famshme e ditëve të fundit është ideja e Presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë. Krejt kjo në kontekstin e dialogut, ku ai qysh herët kishte deklaruar se tash që jemi kah fundi i tij, duhet të bëjmë kompromise të dhimbshme. Diçka e tillë tingëllonte shumë më keq se e dhimbshme duke ditur hiperbolat e sukseseve të dialogut nga e kaluara e paraqitjet e dështimeve si suksese. Kujtojmë këtu fusnotën kontradiktore, integrimin e strukturave paralele në institucionet e Kosovës, e marrëveshjet për mosbllokim reciprok që zhdukeshin porsi një flluskë bore para votimit për pranimin e Kosovës në UNESCO.
Presidenti Thaçi filloi ta deshifronte enigmën e funksionit të korrigjimit të kufijve: deklarativisht, sipas tij, kjo nënkupton bashkimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Kosovën. Por, nuk u kuptua kurrë se pse ky korrigjim do t’ishte i dhimbshëm për Kosovën, siç ishte paralajmëruar para shpalljes së tij. Madje, Presidenti, duke njohur sfidat e dialogut, u shpreh disa herë i bindur se marrëveshja do të rezultojë me njohje reciproke dhe me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Të dy këto qëllime të mira, aspak të dhimbshme, por që padyshim se ngjallin kërshëri logjike: a nuk na ka njohur deri tash Serbia sepse nuk e kemi pasur pjesë të territorit Preshevën, Medvegjën, dhe Bujanovcin, dhe vetëm pasi ta korrigjojmë kufirin duke i përfshirë edhe ato, Serbia do të na njohë e Kombet e Bashkuara do të na pranojnë?
Pastaj, korrigjimi presupozon ekzistimin e një gabimi, i cili fillimisht duhet njohur. Duke qenë se Serbia nuk i njeh kufijtë shtetëror të Kosovës, s’ka si të kërkojë ajo korrigjim. Në këtë rast, kërkesa e Presidentit për korrigjim i bie pranim i kufijve aktualë si të gabuar nga ana e Kosovës. Rrjedhimisht, mosnjohja e Serbisë merr kuptim meqë edhe vetë Presidenti i Kosovës po e pranon që ka diçka të gabuar me kufijtë tanë. Pra, kjo i bie një lloj legjitimimi i mosnjohjes nga Serbia, e edhe nga shtetet tjera. Sepse s’ka kuptim të na pranojë dikush si shtet nëse ne vetë themi se kufijtë tanë nuk janë në rregull.
Por, përtej një lloj legjitimimi të mosnjohjes, a është e vërtetë se kufijtë tanë nuk janë në rregull me ç’rast duhet korrigjim? Pranimi se kufijtë janë të gabuar apo të padrejtë nuk nënkupton korrigjim të kufijve pavarësisht funksionit të korrigjimit. Natyrisht, premisa e krejt kësaj është se kufijtë nuk janë të përjetshëm e të pandryshueshëm, e kundërta e së cilës është një dogmë e kahmotshme mes nesh.
Duke mos besuar se Serbia nuk na ka njohur për shkak se ne nuk e kishim Preshevën, Medvegjën, dhe Bujanovcin, nuk ka si të mos mendohet çfarë mund të kërkojë Serbia për të na dhënë këto territore. Duke e ditur ndarjen e qytetit të Mitrovicës dhe kontrollin e Serbisë në veri, dhe sugjerimet nga disa raporte që janë bërë së fundmi në Beograd në lidhje me rezultatet e mundshme të dialogut, është e logjikshme të mendohet shkëmbimi i territoreve. Në këtë rast, korrigjimi i kufijve do ta kryente funksionin e shkëmbimit të territoreve.
Por duke e ditur mungesën e kontrollit efektiv në veri, nuk ka kuptim të bëhet shkëmbim i territoreve. Serbia e di këtë, dhe e di se Kosova nuk ka ndonjë plan për ta shtrirë kontrollin atje. Me këtë rast, korrigjim i kufijve do të nënkuptonte njohje të gjendjes faktike në veri, pra dhënie të territorit.Të dy këto skenare si të vërtetat e mundshme të korrigjimit të kufijve bëjnë që funksioni i korrigjimit të kufijve të jetë absolutisht i dëmshëm për Kosovën.
Megjithatë, duke kundërshtuar skenarët e sipërshënuar, nuk duhet harruar se në një kontekst tjetër politik, korrigjimi i kufijve mund ta kryente një funksion krejt tjetër. Konteksti tjetër politik do t’ishte dialog me qëllime, partner, e përfaqësues të tjerë. Funksioni tjetër i korrigjimit të kufijve do të mund t’ishte heqja e kufijve me Shqipërinë. Praktikisht, një veprim i tillë mund të duket jokushtetues për shkak të Nenit 1, pikës 3 të Kushtetutës e cila thotë se “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.” Mirëpo, përveç ndryshimit apo ndërrimit të tërësishëm të saj, ekzistojnë hapësira interpretimi që mund t’i hapin rrugë një veprimi të tillë. Për shembull, Neni 22 i Kushtetutës rendit një numër marrëveshjesh dhe instrumentesh ndërkombëtare dhe thotë se ato “kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike.” Një ndër to është edhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj, Neni 1 i së cilës ua njeh të gjithë popujve të drejtën e vetëvendosjes; me ç’rast, nëse nuk e zhbën, i kundërvihet drejtpërdrejt Nenit 1 pikës 3.
Natyrisht se një veprim i tillë, ku korrigjimi do ta kryente funksionin e heqjes së kufijve me Shqipërinë, do duhej bërë pa u hequr asnjë pjesë e territorit aktual të Kosovës. Kështu, simfonia e korrigjimit do të tingëllonte krejtësisht ndryshe – nga shkëmbimi apo falja e territorit tek bashkimi i tij. E për ta dëgjuar këtë version, duhet fillimisht t’ia ulim zërin atij që po propozohet sot.
—————-
“Ky artikull është kontribut ndaj projektit TLP Citizens Corps. Vështrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull i takojnë autorëve dhe nuk i reflektojmë me doemos politikat dhe qëndrimet zyrtare të TLP Citizens Corps. Supozimet e bëra brenda analizës gjithashtu nuk reflektojnë qëndrimin e cilitdo entitet qeveritar.”