Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Mbi të qenit kundër politikës

***

Më lejoni që kësaj radhe të flas mbi diçka që ma merr mendja, se ju ka ardhur në majë të hundës. Megjithëse të flasësh mbi këso gjërash që na mundojnë shpirtin, gjithmonë është e pakëndshme. Pra më lejoni të flasë për diçka të pakëndshme, që në një formë është hedhur mbi lirinë e secilit. Për natyrën e llastuar të politikanëve tanë. Për egocentrizmin e tyre të pashoq. Për urtësitë e tyre të frikshme. Për invazionin inovativ e tyre në mendjet tona. Dorën në zemër më shumë se asnjëherë do të doja që kësaj here të ekzistonte një ligj i së përjashtuarës. Në anën tjetër më shumë se kurrë jam i bindur se të gjithë janë njësoj. Inatçinjë dhe zemërngushtë. Me gënjeshtrën në ballë. Me papërgjegjësi në fyt. Me parime të shkelura në shpinë. Të gjithë politikanët tanë veprojnë dhe sillen njëjtë brenda fushave të ndryshme. Ku janë të shtyrë nga dreqi i lakmisë, të marshojnë drejtë qëllimeve të tyre vetjake. Tanimë asnjëri prej tyre nuk më josh ndjenjën e dinjitetit njerëzor. Dhe në asnjërin prej tyre nuk besoj. Tanimë në asnjërin prej tyre nuk ka mbetur asnjë trohë përkushtimi human. Pa asnjë përjashtim. Të gjithë janë bërë të rrezikshëm. Dinak. Syçelë dhe të gatshëm për të grabitur. Të gatshëm për të rrëmbyer edhe më shumë se kaq. Gjithnjë duke qenë fitimtar kundruall durimit tonë të pashterrshëm. Kundruall trurit të shpërlarë. Të gjithë janë bërë gra të këqia, që rrinë sokaqeve. Sokaqeve që të çojnë tek një oborr i gërditshëm. Tek oborri hyjnor i pushtetit. Aty ku poshtërohet thellë njeriu i thjeshtë. Dhe i mirë. Aty ku e mira e përbashkët, është një vegël në duart e tyre të bardha. Po as që mund të të shkojë medja se në njërin prej tyre, mund të ketë diçka poetike. Zot na ruaj. Nga ta. E madje edhe nga rrëshqitja jonë drejt patetizmit.

***

Alek Popov. Një shkrimtar bashkëkohor bullgar ka një libër vërtet të guxmishëm, në lidhje me fëlliqësirat politike dhe mendësinë ballkanike. Në lidhje me gjeografinë e kësaj hapësire të tendosur. Në librin e tij ,,Misioni Londër,, i cili ishte refuzuar për botim nga shumë shtëpi botuese të njohura bullgare, ai përqesh dhe e dekonstrukton diplomacinë bullgare, në mënyrë hatashme letrare. Si dhe për më shumë se kaq Popov, e vë theksin mbi të vërtetën. Sa për të mos e lagur gojën. Të flasim pak për një pamje nga libri. Kur gruaja e pushtetshme e me shumë naze e presidentit bullgar, vendos që të jetë pjesë e një banketi elitar në Londër, ajo me çdo kusht kërkon nga ambasadori i atjeshëm bullgar, që pjesëmarrëse në atë ngjarje madhështore të jetë edhe mbretëresha Elizabetë II. Natyrisht që një Elizabetë e çfarëdoqoftë do të jetë e pranishme ngase teket ballkanike qëndrojnë mbi asburdin dhe mbi çfarëdo mundësie. Ngase egot autoritare qëdrojnë mbi unet njerëzore.

Unet e thjeshta njerëzore janë në shërbim të këtyre të parave. Nëse natyrisht duan t’ia dalin. Në sisteme të frikshme primitive. Në këto kushte të mjera, heqja dorë nga politika është heqje dorë nga vetja. Alek Popov pak a shumë e thotë të njëjtën gjë. Diku si shkarazi ai përmend të vërtetën. Këtë trill të mendjes. Dhe duke e përmendur të vërtetën konstaton mosekzistencën e saj. Ngase sipas tij aty ku dominon politika e vërteta nuk gjallon në mes qenieve.

***

Kur njeriu akuzohet vazhdimisht nga e njëjta gjë mbase vjen një çast dhe ti bëhesh ajo që thonë të tjerët. Në këtë pikë kam ardhur disa herë. Domethënë kënaqem me natyrën prej një pesimisti të rryer. Po të ishte me kaq. Do të ishte mirë. Por jo. Pretendoj në të drejtën time kur ngulmoj se pesimizmi është gjendja jonë e përbashkët. Dhe për më shumë se kaq. Kam kuptuar një të vërtetë fundamentale. Pesimizmi nuk e përjashton lumturinë. Përkundrazi e forcon dhe e bën të pushtetshme. Ngase duke qenë qenie që nuk kemi se çfarë humbasim për arsye se nuk posedojmë edhe aq shumë. Japim të shumtën e asaj që e kemi në përpjekje për të dalur nga ferri i errët ndërtuar nga dora njerëzore enkas për njerëzit. Ferri politik. Hajde ta themi hapur. Kosova është e ngordhësirë politike. Është vendi që legjitimon fuqishëm çmendurinë politike. Dhe përfshirjen e të gjitha qenieve të saj në fushëbetejën jokorrekte politike. Prandaj duket se romantizmi klasik është e vetmja rrugë mbijetese. Bëni dashuri kudo që jeni dhe më këdo që jeni, nën efektin e ndonjë kënge të bukur. Pini sa të doni. Dhe hiqeni qafe përgjithmonë këtë barrë shtypëse idiote. Duke mos e jetuar realitetin në të cilin jeni kurthëruar. Është i vetmi dhe i fundit revolucion i njëmendtë. Dhe kthimi më i madh tek vetëvetja. Ngase herët ose vonë aty do të përfundojmë dhe herët ose vonë çdo lloj barbarizmi, do ta ketë fundin e tij të natyrshëm. Dhe fashitja do t’i jep fund të gjitha gjërave. Ama bash të gjitha përpjekjeve dhe secilës rezistencë.

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.