Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Mbyllja tregoi se si i eksploaton ekonomia gratë. Ajo e dinte që moti (pjesa I)

Silvia Federici ka paralajmëruar me dekada se çfarë ndodh kur nënvlerësohet puna shtëpiake.

Parku Prospect në muajin maj është një arenë bukurie: livadhe dhe shetitje të dendura, lartësira dhe ultësira, gjithçka e mbuluar nga shkurre frutore, kaqa, manushaqe, murrizë, manjolie dhe drunjë bliri. Në këtë madhështi, zogjtë janë të zhurmshëm, ashtu si edhe njerëzit. Por majin e kaluar, parku ishte më i qetë se zakonisht, dhe njerëzit që lëviznin nëpër të kishin një energji të dobët dhe brengosëse. Shumë prej tyre mbanin maska; e shumë jo. Ndonjëherë dikush i bërtiste tjetrit nëse afrohej shumë. Kishte edhe frikë nga frymëmarrja e ajrit të përbashkët, por edhe nevojë të pashtershme për të. Përmes kësaj skene,  me një ritëm energjik ecte me vendosmëri Silvia Federici, studiuese dhe teorciene 78-vjeçare e punës shtëpiake, një nga mendimtaret feministe socialiste më me ndikim të shekullit të kaluar.

Federici kishte një shall të zi të lidhur mbi hundë dhe gojë, dhe mbante një pulovër delikat blu, të cilin ia kishte punuar nëna kohë më parë. Federici ecën përgjatë parkut Prospect të paktën një herë në ditë, madje edhe në dimër, me partnerin e saj prej 47 vjetësh, filozofin George Caffentzis. (Caffentzis kuptoi se kishte sëmundjen e Parkinsonit disa vjet më parë, shpjegoi ajo, dhe ecja e ndihmon mirë.) Por për disa ditë në muajin maj, ajo pranoi të bënte një shëtitje të dytë të përditshme me mua.

Kisha kërkuar të takohesha sepse pandemia dhe rrëbeshet e saj të dështimeve ekonomike, shoqërore dhe politike kishin çuar në një përkrahje të madhe të mendimit federician në vende në të cilat nuk i kisha hasur  kurrë më parë. Papritmas, nocionet dhe frazat nga puna e saj ishin në të gjitha burimet e mia të mediave sociale, faqet e botuara dhe shkëmbimet me miqtë, pasi që njerëzit u përballën me atë se cilat lloje të punës konsiderohen thelbësore dhe pse. Federici është një avokuese e vjetër e idesë që puna shtëpiake është punë e papaguar dhe ishte themeluese e lëvizjes Paga për Punët e Shtëpisë [Wages for Housework] në fillimin e viteve 1970. Është një formë e shtypjes ekonomike gjinore, argumenton ajo, dhe një eksploatim në të cilin mbështetet i gjithë kapitalizmi.

Si studiuese dhe aktiviste, Federici i takon mendimtarëve të cilët, për dekada, kanë kritikuar mënyrën se si shoqëritë kapitaliste nuk arrijnë të njohin ose mbështesin atë që ajo e quan “punë riprodhuese”. Ajo e përdorë këtë term jo thjesht për t’iu referuar lindjes së fëmijëve dhe rritjes së tyre, por me të e tregon të gjithë punën që bëjmë për ta mbajtur veten dhe të tjerët përreth nesh mirë, të ushqyer, të sigurt, të pastër, të kujdesur dhe prosperues. Është puna e shkuljes së barërave të këqija në kopshtin tuaj, ose përgatitja e mëngjesit, apo të ndihmuarit gjyshën tuaj të moshuar që të pastrohet – punë që duhet ta bëni vazhdimisht, punë që duket se shuan vetëveten. Është kjo një punë thelbësore  për të cilën ekonomia jonë nuk priret ta njohë a kompensojë. Kjo shpërfillje për punën riprodhuese, shkruan Federici, është e padrejtë dhe e paqëndrueshme.

Këto ide nuk ishin edhe aq të panjohura para pandemisë. Por feminizmi i zakonshëm – për të mos përmendur ekonominë apo politikën e zakonshme – kryesisht e ka injoruar punën shtëpiake. Në vend të kësaj, ato e kanë matur fuqizimin e grave me praninë dhe ndikimin e tyre në vendin e punës, që arrihet duke kontraktuar punët e shtëpisë dhe kujdesin ndaj fëmijëve për gratë me më pak përparësi ekonomike për një pagë të ulët. Edhe kështu, gratë mbeten të zhytura në punët e shtëpisë. Është e zakonshme tani të dëgjosh termin “ndërrimi i dytë” (i krijuar në vitin1989 nga sociologu Arlie Hochschild), i cili përshkruan se si puna për mirëmbajtjen e një shtëpie dhe kujdesi për fëmijët bie në mënyrë joproporcionale mbi gratë, edhe nëse ato kanë punë me orar të plotë dhe paguajnë për ndihmë. Për më tepër, njerëzit që paguhen për të bërë punë shtëpiake ose punë kujdesi (si kujdesi për të moshuarit ose pastrimi i shtëpisë), si grup, kompensohen keq dhe u mohohen mbrojtjet ose përfitimet e vendit të punës. Këto punë mbahen kryesisht nga gra me ngjyrë dhe emigrante. Marrëveshja e tillë vështirë se mund të quhet sukses për gratë në përgjithësi.

Ekspertët e politikave publike dhe ekonomistët kanë theksuar gjatë disa viteve të fundit marrëzinë e përjashtimit të punës shtëpiake nga masat ekonomike si B.P.V., duke pasur parasysh të dhënat që tregojnë se puna e papaguar e grave përbën një pjesë të madhe të aktivitetit ekonomik në çdo vend. Para një viti, Oxfam qarkulloi kërkime që tregonin se nëse gratë amerikane do të fitonin pagën minimale për punën që bënin nëpër shtëpi dhe kujdesin për të afërmit, do të kishin fituar 1.5 bilionë dollarë në vitin 2019. Globalisht, vlera e kësaj pune të papaguar do të kishte qenë pothuajse 11 bilionë dollarë. Në një fjalim të vitit 2019, studiuesja e politikave publike dhe një avokuese për një kohë të gjatë e rishikimit të masave ekonomike të “produktivitetit”, Marilyn Waring, vuri në dukje absurditetin e përcaktimit si të pa vlera, ose si kohë e lirë të aktiviteteve si kujdesi për të afërmit e moshuar ose të porsalindurit, pazaret dhe gatimet. “Nuk mund të bëni një politikë të mirë, nëse sektori i vetëm më i madh i ekonomisë së vendit tuaj nuk është i dukshëm,” tha ajo. “Nuk mund të pretendoni të dini se ku janë nevojat.”

Kjo nuk është e vetmja pjesë e sistemit aktual ekonomik që duket e shtrembëruar. Hendeku i pasurisë është aq i gjerë në krahasim me atë se sa ka qenë për njëqind vjet, me më shumë punëtorë se kurrë në punë të paqëndrueshme ose me paga të ulëta, ose që i nënshtrohen tekave të “ekonomisë së angazhimeve”. Ndërsa lodhja dhe pasiguria e shkaktuar nga këto kushte ekonomike është rënduar, gjithnjë e më shumë njerëz po vijnë rreth idesë se “moçali” i sëmundjeve shoqërore të Amerikës mund të gjurmohet nga një marrëdhënie e pasaktë me punën dhe çështjen se puna e kujt është e vlefshme.

Kur filloi mbyllja, kjo gjendje e keqe shpërtheu në një krizë. Së pari filloi diskutimi për “punëtorët thelbësorë”, një kategori që, u vu re shpejt, që korrespondonte shpesh me punëtorët më pak të paguar. Pastaj erdhi kuptimi akut mes klasave të mesme dhe të larta se jeta e tyre kishte ecur normalisht meqë ata kishin qenë në gjendje të nënkontraktonin punët shtëpiake – dhe, në mënyrë kritike, kujdesin për të moshuarit dhe kujdesin për fëmijët – për njerëzit e tjerë. Pas gati një viti të mbylljes së shkollave, prindërit që punojnë janë plotësisht të vetëdijshëm për sasinë e kujdesit për fëmijët që mbështeten tek mësuesit e paguar më pak për të siguruar tetë orë në ditë. Pa sisteme “ad hoc” për menaxhimin e punës së vazhdueshme të kujdesit për fëmijët (kujdesi ditor; kujdesi për gjyshërit; programet pas shkollës; kampi veror; kujdestarët e fëmijëve), prindërit amerikanë kanë zbuluar se kërkesat e kujdesit për një familje përputhen apo edhe i tejkalojnë kërkesat e punëve me orar të plotë, të nevojshme për të mbështetur atë familje.

Asnjë nga këta nuk është lajm i ri për prindërit e vetëm, që veçse po punonin punë të shumëfishta me pagë minimale dhe që nuk ishin në gjendje të përballonin qiranë dhe ushqimin, aq më pak kujdestari fëmijësh – por kthimi i klasave profesionale te një situatë që për ta duket po aq e papërshtatshme, ka frymëzuar një gjendje shpirtërore radikale. Gjithnjë e më shumë, edhe ata relativisht të padëmtuar nga pandemia po shprehin mendimin anti-kapitalist, duke e kritikuar një ekonomi që e paguan më pak ose e injoron fare punën shtëpiake. Një grup femrash aktore dhe zyrtare ekzekutive të pasura (përfshirë Julianne Moore, Charlize Theron dhe udhëheqësesh të Birchbox, ClassPass dhe Rent the Runway) po bëjnë thirrje për një “Plan Marshall për Nënat”, përfshirë pagesat qeveritare mujore për nënat. “Ju e dini mirë: Nënat janë themeli i shoqërisë,” shkruajnë ata, “dhe ne jemi lodhur duke punuar falas.” Shonda Rhimes shkroi në Twitter marsin e kaluar: “Duke shkolluar në shtëpi një 6-vjeçar dhe një 8-vjeçar për një orë e 11 minuta. Mësuesit meritojnë të fitojnë një miliard dollarë në vit.”

Marsin e kaluar, studiuesi dhe aktivisti Keeanga-Yamahtta Taylor shkroi profetikisht në The New Yorker, “Jeta amerikane është çrrënjosur papritmas dhe dramatikisht dhe kur gjërat kthehen përmbys, fundi del në sipërfaqe dhe ekspozohet ndaj dritës.” Ka qenë një vit i demaskimeve të shëmtuara, që shumica e amerikanëve – milionat që u pushuan nga puna, ose u larguan përkohësisht, apo e patën fatin të konsiderohen “jothelbësorë” – e patën përvojën e izolimit në shtëpi. Shtëpia, ku enët grumbullohen, ku ngarkesat e pastrimit dhe rrobave shtohen në emër të kujdesit. Shtëpia, e cila ka qenë gjithmonë vendi i punës i dikujt, por që tash, për më shumë njerëz se kurrë më parë, është shndërruar në një fushë përplasjesh për lloje të ndryshme të punës. Shtëpia, të cilën për shkak të largimit nga puna dhe dëbimit, e kanë humbur ose rrezikojnë ta humbin plotësisht gati 34 milionë amerikanë .

Si mund të ishte dukur ndryshe ky vit, po të vlerësohej me një çmim puna që bëjmë për t’u kujdesur për njëri-tjetrin, veten dhe botën përreth? Si do të dukej ndryshe e ardhmja nëse, siç sugjeron Federici, “refuzojmë të bazojmë jetën dhe riprodhimin tonë mbi vuajtjet e të tjerëve”, nëse “nuk pranojmë ta shohim veten të ndarë nga ta”?

Profili i Federici-t është rritur që nga “Occupy Wall Street”- një lëvizje të cilën ajo e mbështeti dhe për të cilën shkroi, dhe që vuri një brez të ri të feministëve majtiste në kontakt me shkrimet e saj. Vitin e fundit, ajo është cituar vazhdimisht në botimet e njohura – që nga “The New Yorker” në “The Atlantic” në “The Cut” në “Teen Vogue”, në një artikull të titulluar “Feminizmi Socialist: Çfarë është dhe si mund të zëvendësojë feminizmin korporativ të  shefeve?”

Kur u takuam në muajin maj, Federici dukej më pak në panik, ose ndoshta më pak e befasuar, sesa shumica e të gjithë të tjerëve që i njihja. Ajo ishte e përqendruar dhe e shpejtë ndërsa ecte krah meje nëpër park, duke buzëqeshur nën maskën e saj. Ajo është e dobët dhe thatanike, me duar të gjalla dhe flokë gri të shkurtër dhe kaçurrela. Tek ecnim, ajo fliste shpejt, duke zbërthyer sistemet e çara, format e ndërlidhura të ndjeshmërisë që ishin gjithmonë të pranishme, por që tani po preknin edhe njerëzit që mendonin se ishin imunë.

Ajo thotë se herë pas here befasohet që njerëzit tash po e thërrasin për të folur për gjërat që ajo shkroi 20 ose 30 vjet më parë. Por ajo dyshonte prej kohësh se rreziqet e zhvlerësimit të punës së kujdesit do të materializoheshin përfundimisht në një krizë që s’injorohet dot. “Kushti para-ekzistues është një sistem që e bën jetën të patolerueshme dhe të pashëndetshme për miliona njerëz… është një sistem që nuk po funksionon – ky është kushti kryesor para-ekzistues.”

Federici u lind “nën bomba”. Si vajza e dytë e një profesori filozofie në Parma të Italisë, siç do t’i tregonte e ëma më vonë, ajo ishte një fëmijë i paqëllimtë i kohës së luftës. “Unë kam lindur në Parma më 1942, mendoj një nga vitet më të këqija në historinë njerëzore,” më tha. “Janari ishte fillimi i Zgjidhjes Përfundimtare.” Nëna e saj duhej të flinte me rroba dhe të zgjohej nën qiellin e kuq në mes të natës, të merrte të porsalindurën Federici dhe motrën e saj 4-vjeçare dhe të “vraponte pa u ndalur” drejt periferisë së Parmës, nëpër fusha, ku ajo ulej cuc me fëmijët derisa të vinte agimi. Mes të qeshurave, ajo më tha që kjo përvojë nga tmerri i strukjes në fusha me foshnje, shishet e qumështit, cenueshmëria e tmerrshme e botës e bëri mos të dëshironte kurrë të kishte fëmijë.

Ndryshe nga shumë pjesë të Italisë pas Luftës së Dytë Botërore, Parma ishte bastion i komunistëve dhe në adoleshencën e saj Federici u ndikua nga veprimtaria dhe lëvizjet antifashiste. Teoritë e shtypjes dhe të drejtat e punëtorëve tema të kohës së darkës. Gjatë fëmijërisë, prindërit e saj dhe miqtë e tyre diskutonin për atë se çfarë “nënkuptonte” lufta dhe çfarë kishte bërë fashizmi.

Politika e majtistëve të Parmës bashkëjetonte parehatshëm me kulturën e saj intensive patriarkale: babai i Federicit, një profesor i filozofisë, ishte “i dituri”. Nëna e saj, e cila vinte nga një familje fshatare, “supozohej se nuk ishte e ditur”. Ajo gatuante, pastronte, bënte blerjet dhe kujdesej për fëmijët dhe punonte me dorë gjithçka që ata nuk kishin mundësi të blinin. “Askush nuk e sheh punën time”, do të ankohej nëna e Federici-t. Babai i saj do ta ngacmonte, “kështu ndodhë sepse kjo punë nuk është punë e vërtetë”.

Në moshën 30-vjeçare, Federici nuk e pranonte idenë më të cilën u rrit se gjithçka që nëna e saj kishte bërë është “punë grashë” (më vonë, si studente e diplomuar që studionte fenomenologjinë në Buffalo, ajo hëngri hotdogë të papjekur dhe patate që ajo – i ziente pa pikë qejfi). “Besoj se e ndjeva zhvlerësimin e punës së saj. Ishte një aktivitet që nuk përmbante as shpërblime as kënaqësi”.

Por Federici e vlerëson nënën e saj për ekspozimin ndaj ideve që do të bëheshin vepër e jetësore për të. “Unë dëgjoja dhe flisja për punëtorin e fabrikës”, më tha Federici. “Klasa punëtore për mua ishte punëtori i fabrikës. Dhe nëna ime disa herë më tha, ‘Ti gjithmonë flet për punëtorët e fabrikës sikur të ishin të vetmit që punojnë! ‘” Ajo goditi stolin e parkut ku ishim ulur me njërin grusht. “Ajo u shpreh ashtu, jo babai im,  mësuesi, intelektuali, dhe i dituri. Ajo ishte përsoni që m`i tha gjërat që më vonë u bënë politika ime. Si për punët e shtëpisë, si për punët bujqësore, ajo ishte që në parim thoshte: ‘Puna është më shumë se kominoshet blu!’’’

Politika e Federici-t nuk u shoshit plotësisht deri 10 vjet më vonë, më 1967, kur ajo u zhvendos në Shtetet e Bashkuara për të studiuar me një bursë Fulbright. Ajo u frymëzua nga lëvizjet e gjalla kundër luftës dhe lëvizjet studentore në Buffalo dhe nga lëvizja për të drejtat civile. Megjithatë, deri në vitin 1972 ajo nuk e shihte fare feminizmin si qendror për pikëpamjet e saj politike, kur një mik i dërgoi një pamflet në italisht nga feministja Mariarosa Dalla Costa: “Donne e sovversione sociale“, ose “Gratë dhe përmbysja e komunitetit” (versioni më i njohur i kësaj eseje quhet “Fuqia e Grave dhe Përmbysja e Komunitetit” e që u shkrua nga Dalla Costa dhe aktivistja Amerikane Selma James). Eseja argumentonte se duke punuar pa pagë në shtëpi, gratë po prodhonin fuqinë punëtore të cilën kapitalizmi e shfrytëzonte për përfitim.

Ky nocion ishte një pikë kthese për Federici-n. “Menjëherë gjithçka mori kuptim”, tha ajo. Ankesat e nënës së saj rreth asaj se si vetëm burrat në fabrika shihen si punëtorë autentik; urrejtja e saj ndaj punëve të shtëpisë, të cilën ajo ende nuk e kishte menduar si të lidhur me marksizmin. Federici u përfshi me një grup feministësh, përfshirë Dalla Costa dhe James, të cilët e quanin veten Kolektivi Ndërkombëtar Feminist (IFC). I.F.C. filloi fushatën Pagat për punët e shtëpisë në Evropë. Federici me bashkëpunëtoren e saj Nicole Cox, themeloi kapitullin e parë të Shteteve të Bashkuara të Pagave për Punët e Shtëpisë në New York në 1974 me udhëzimet e James.

Eseja e Federici-t “Pagat sipas Punëve të Shtëpisë”, botuar më 1975, ishte një manifest i hershëm plot pasion për lëvizjen dhe mbetet një nga tekstet më të njohura të saj. “Të thuash që duam paga për punët e shtëpisë do të thotë të zbulosh faktin se punët e shtëpisë janë tashmë para për kapitalin, se kapitali ka bërë dhe bën para nga gatimi ynë i shoqëruar me buzëqeshje”, shkroi ajo, duke iu referuar seksit. “Në të njëjtën kohë, kjo tregon se ne kemi gatuar, buzëqeshur, gjatë gjithë viteve, jo sepse ishte më e lehtë për ne se sa për të tjerët, por sepse nuk kishim ndonjë zgjidhje tjetër. Fytyrat tona janë shtrembëruar nga kaq shumë buzëqeshje.”

Që nga fillimi, Pagat sipas Punëve të shtëpisë kishte një përkufizim të gjerë për atë se kush i përkiste lëvizjes feministe. “Ne duam dhe duhet të themi që të gjitha jemi amvise, të gjitha jemi prostituta dhe të gjithë jemi homoseksualë. … Sepse për sa kohë që mendojmë se jemi diçka më e mirë, diçka ndryshe nga një amvise, ne pranojmë logjikën e zotit, e cila është logjikë e ndarjes”- shkroi Federici. Toni i saj ishte pothuajse përgjërues kur ajo sugjeronte që shoqëria duhet të heqë qafe nocionin se disa njerëz janë servilë ose të varur për nga natyra, se gjithçka mund të jetë “punë e dashurisë”. “Ne duam ta quajmë punë atë që është punë,” shkroi ajo, “në mënyrë që përfundimisht të mund të rizbulojmë atë që është dashuri.”

Komiteti i ri i Nju Jorkut punonte nga një dyqan në Park Slope, Brooklyn, ku bënë fushatë për përmirësimin e kushteve jetësore për gratë e varfëra. Ata mbështeten formimin e grupeve tjera në të gjithë vendin dhe në Kanada, dhe punuan me aktivistet Margaret Prescod dhe Ëilmette Broën, e cila formoi Gratë e Zeza për Pagat sipas Punëve të Shtëpisë. Ata bënë fushatë së bashku në përkrahje të aktivistëve të mirëqenies, ngase e konsideronin mirëqenien si fitoren e parë në betejën për të kërkuar nga qeveria që të kompensojë gratë për punët e shtëpisë.

Por pas katër vitesh, rrjeti ndërkombëtar u shpërbë. Komiteti i Nju Jorkut, mes të tjerëve, u shpërbë pas largimit të James-it dhe Prescod-it, të cilat pretendojnë se prioritetet e Grave të Zeza për Paga sipas Punëve të Shtëpisë u injoruan; Federici e mohon, dhe pretendon se grupi kishte problem me James-in.

Deri së voni, të gjitha palët refuzuan të diskutojnë hapur konfliktin shkatërrimtar, të bindura se do të shpërqendronte vëmendjen nga puna e tyre. Ky është terren posaçërisht i ndjeshëm për shkak të historisë së gjatë të neglizhimit dhe margjinalizimit përbrenda të të zinjve, të kaftëve, indigjenëve, ‘queer-ëve dhe transseksualëve nga të bardhët përbrenda lëvizjës feministe. Ndonëse nuk janë pajtuar ndonjëherë, Federici, James dhe Prescod patën karrierë të gjatë dhe të njëkohshme në aktivizmin feminist – James dhe Prescod përbrenda fushatës Pagat sipas Punëve të Shtëpisë dhe Grevës Globale të Grave, ndërsa Federici si aktiviste me Projektin Kundër Dënimit me Vdekje të Shoqatës së Filozofisë Radikale dhe në Komitetin për Liri Akademike në Afrikës, si dhe si profesore në Universitetin Hofstra.

***

Artikulli origjinal në The New York Times, më 22 shkurt 2021.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.