Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Prometheu i çliruar

Që nga shpikja e monedhës deri në ditët e sotme, Çdo risi teknologjike në valutë e ka zgjeruar edhe më tej rolin e parasë në jetët tona. Homo oeconomicus nuk është pas nesh, por para nesh. Marcel Mauss

Homo oeconomicus nuk është pas nesh, por para nesh.

Marcel Mauss

Paraja është si zjarri, e dyta pas Zotit si shpikja më e madhe e njeriut, dhe ngritëse qytetesh dhe ndërtuese civilizimesh. E njohur si elementi i pestë, paraja ngre ushtri dhe lëviz male, ndërton kështjella dhe anije, formëson tokën dhe çan detin, gërmon kanale dhe mbjell kopshte, dhe i jep njeriut pushtetin për të qeverisur të tjerët.

Që prej shpikjes së parasë para tremijë vjetësh në Azinë e Vogël, njerëzit janë munduar që të shtinë në dorë sa më shumë prej saj që të jetë e mundur dhe në çfarëdo forme që ofrohej: kallëpe ari, guaska deti, pulla argjendi, monedha bakri, copa letre. Paraja asnjëherë nuk ka qëndruar në të njëjtat duar për një kohë të gjatë, dhe tregimet për vajtjet e ardhjet e parasë ofrojnë dramën e nevojshme për mitologjinë dhe letërsinë Perëndimore. Prapa storieve qëndron tregimi më i rëndësishëm i luftërave të pafundme mes kombeve të mëdha, institucioneve të mëdha, dhe personaliteteve të fuqishme, për të kontrolluar prodhimin dhe shpërndarjen e pasurisë – për të përcaktuar përkufizimin e vet parasë.

Historia e parasë përfshin tri transformime revolucionare të spikatura: shpikja e monedhës, krijimi i kartmonedhave, dhe zhvendosja te valuta elektronike. Gati tremijë vjet më parë, në një pjesë të largët të Anadollit, atëherë të njohur si Lidia, revolucioni i parë solli monedhën. Lidia ishte një vend i vogël, të cilit i mungonte prodhimi bujqësor për të ushqyer ushtritë masive të mbretërive të mëdha të Mesopotamisë. Lidianët nxirrnin jetesën duke shitur Perandorisë Persiane stoli të çmuara dhe artikuj të tjerë luksi. Në shekullin e shtatë p.e.s., mbretërit tregtarë të Lidias filluan të përdorin copëza ari dhe argjendi për tregti, dhe për të veçuar pastërtinë e metalit, ata shtypën një vulë mbi sipërfaqen e copëzave, dhe gradualisht duke i rrafshuar ato dhe kështu shpikën monedhat pa dashje.

Para monedhës, mbretëritë përftonin pushtetin e tyre nga bujqësia dhe pushtimet; për të qeverisur, pushtuesve nuk iu duhej asgjë më shumë se një ushtri e fortë dhe një priftëri e besueshme. Përhapja e monedhave themeloi tregjet dhe krijoi një burim krejt të ri të energjisë, që u shpërnda rreth botës dhe gradualisht shkatërroi perandoritë e mëdha haraçmarrëse të historisë. Paraja i mori pushtetin priftërinjve dhe ushtrive; ajo kishte aftësinë transformative për të kthyer arin në demokraci. Me këtë risi komerciale, Lidia u bë vendi më i pasur në botën klasike dhe emri i mbretit të saj, Kroseut, u bë sinonim i pasurisë së jashtëzakonshme.

Krahasuar me forcën fizike të ushtrisë dhe me autoritetin shpirtëror të fesë, paraja ofronte një mënyrë të tretë dhe krejtësisht të re të të organizuarit të shoqërisë. Pa konsideratë për gradën, klasën, a pozitën, kushdo që kishte monedhën e duhur mund të blinte një dhi apo një rrepë, një ibrik verë a një shportë me peshq, një parcelë toke për një vreshtë a një grusht kripë për të shijuar darkën.

Revolucioni i dytë në historinë e parasë, që ndodhi përgjatë pesë shekujve prej fillimi të Rilindjes deri te Revolucioni Industrial, rezultoi në sistemin kapitalist modern. Lëvizja nisi në bankat e Italisë, që themeloi valutat e letrës të cilat banka i lëshonte për përdorim në tregtimet ditore. Duke qenë më fluide sesa paraardhësja e saj metalike, kartmonedha përshpejtoi fundin e feudalizmit, eliminoi privilegjet e trashëgimisë, dhe zhvendosi pushtetin ekonomik prej pronësisë së tokës te aksionet, kontratat dhe koorporatat. Risitë financiare promovuan ngritjen e familjeve tregtare dhe bankare; një prej tyre familja Medici, solli një rend të ri shoqëror ku zgjuarsia në biznes tejkalonte trimërinë në fushëbetejë apo lavdinë e një emri fisnik. Një riaranzhim i tillë solli ekspresivitetin artistik, arkitekturor, dhe letrar për të cilin mbahet mend më së miri Rilindja, sesa për gjenialitetin e saj komercial.

Udhëtimet e Christopher Columbus për në Botën e Re dhe Vasco de Gamas për në Indi, inauguruan epokën tregtrare të komercit ndërkombëtar. Për herë të parë në histori, anijet i binin kryq e tërthor deteve dhe ndaleshin në portet e gati çdo kontinenti në rrjetin global të tregtisë. Brenda dy shekujsh, udhët u bënë të njohura, dhe shumë garues luftonin që të përçonin erëzat dhe mëndafshin nga Azia dhe Evropa, skllevërrit nga Afrika, dhe argjendin e sheqerin nga Amerika. Kontrolli i tregtisë kaloi nga Portugalia e Spanja te Anglia, Hollanda dhe kombet e tjera europiane. Por në pjesën e dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë, një rrugë e re drejt pasurisë u hap përmes prodhimit industrial në Angli.

Bërja e parasë kaloi nga tregtarët te industrialistët, të cilët të parët përpunuan tekstilin dhe vazhduan shpejt drejt çelikut dhe metaleve të tjera. Siç qe vënë re nga Karl Marx, kritiku më i spikatur i kapitalizmit industrial, pushteti dhe pasuria ishin në duart e atyre të cilët kontrollonin “mjetet e prodhimit” – pronarëve të fabrikave. Ky rregullim vazhdoi deri në shekullin e njëzetenjëtë, me prodhimin që koncentrohej në të mirat e konsumit sikurse edhe në armatimet për luftërat që mbizotëronin në atë periudhë.

Vendet e industrializuara të Europës nuk mundën të mbanin monopolin mbi prodhimin, i cili migroi në Amerikën Veriore. Në fund të shekullit, Brazili dhe India mund të mbiprodhonin pushtuesit e tyre të mëhershëm kolonialë, përderisa kompjuterët dhe tekstili mund të përpunoheshin shumë më lirë në Malajzi, Meksikë, dhe Kinë sesa në Gjermani dhe në Shtetet  Bashkuara.

Ndryshimi më dramatik ka qenë transformimi i kohës së fundit i valutës. Duke filluar që në shekullin e njëzetë, valutat e fuqive koloniale – e vetmja para që vlente diçka – qenë të lidhura me arin. Në fund të shekullit, kishte gati dyqind valuta kombëtare, që prej të kudondodhshmit dollar amerikan, deri te valutat lokale, të cilat nuk kishin qarkullim jashtë zonës së kontrolluar prej qeverive të tyre kombëtare.

Më 16 maj 1972, “pusi i parave” i Çikagos u hap si tregu i parë i vlerës së valutës në të ardhmen. Me ndihmën e kompjuterëve dhe satelitëve, paraja qarkullonte rreth botës me një shpejtësi të madhe, me energjinë e saj prometeane të çliruar plotësisht dhe përfundimisht. Furnizimi i parasë në dollar, i matur në valutë të shtypur, dhe depozitat bankare u rritën nga rreth 750 miliardë dollarë më 1972 në dhjetëfish më shumë – 7.5 bilionë – në 2007. Tregu më i madh në botë, shkëmbimi valutor ka qarkullim prej më shumë se 3 bilionë dollarë – më shumë sesa e tërë GDP-ja e Kinës për një vit. Një qendër e vetme tregtare si qyteti i Londrës mbikëqyr tregtinë e valutës me një vlerë totale vjetore që tejkalon GDP-në kombëtare të të gjithë botës së bashku.

Volumi i transaksioneve, i matur në biliona është vështirë që të konceptualizohet. Po të konvertohet në kartmonedha njëdollarëshe, një shumë prej 3 bilionë dollarësh do të peshonte më shumë sesa një flotë prej shtatëdhjetenjë anijesh çeliku, ku secila prej tyre ka peshën e njëjtë me atë të Titanikut. Por, parasë së re nuk i duhet një flotë anijesh për ta transportuar përreth botës. Ajo udhëton me shpejtësinë e dritës në formën e impulseve elektronike; dollarët rrjedhin nga Singapuri në Cyrih, jeni vërshon bankën qendrore të Kongos dhe randet afrikanojugore bëhen dollarë kanadezë.

Tregu i valutave dallon prej të gjithë të tjerëve në një mënyrë edhe më themelore. Në tregjet e tjera, tregtarët shkëmbejnë të mirat për para; ndërkaq në tregun e valutave, tregtarët shkëmbejnë paranë e një vendi për paranë e një vendi tjetër, pa përfshirë të tjera të mira në transaksion. Ata nuk kanë nevojë që ta diskutojnë metrikën kundrejt matësve amerikanë, voltazhin e preferuar, apo linjat e distribucionit; atyre u duhet vetëm të bëjnë pazar për çmimin. E vetmja sasi është paraja. Pa nevojën për të mbjella dhe të korra apo për përpunimin dhe distribucionin e të mirave, tregu i valutës nuk ka vonesa; transaksionet e tij janë të menjëhershme dhe elektronike, shkëmbimi më i kulluar që ekziston.

Me valutat që luhaten në tregun e hapur të integruar nga kompjuterët dhe satelitët, asnjë qendre të vetme nuk i duhet që të dominojë tregun në mënyrën që disa qendra madhore dominojnë shkëmbimin e aksioneve (berzën), mallin, dhe sigurimet. Sot, informacioni nga bota financiare mund të arrijë biznismenin gjerman në Singapur, në të njëjtin moment që mbërrin te një agjent francez berze që po bën pushimet në një anije në Karaibe, apo një miliarder ekscentrik në Australi. Në cilindo sekondë të ditës, mijëra tregtarë rrinë të gatshëm për të reaguar, e madje edhe më shumë kompjuterë janë të gatshëm të blejnë e të shesin në momentin që numrat i përshtaten algoritmit të programuar statistikisht. Vendimet virtualisht të njëkohshme të njerëzve në të gjithë botën gjenerojnë furnizim të madh të parasë që vibron si një tufë e gjallë zogjsh që mund të fluturojë çdo moment, ku të gjithë nisen në të njëjtin drejtim dhe janë të aftë që të ndërrojnë kursin pa pritur e pa kujtuar, duke zbarkuar sa këtu sa atje, para se të ikin drejt një moçali a fushe në anën tjetër të botës.

Mentaliteti i tufës i tregtarëve [agjentëve] e rrit masën dhe fuqinë e korpusit lundrues të parasë që qarkullon botën. Pesha më e madhe e energjisë e zmadhon rëndësinë e çdo lëvizjeje që bën tregu. Të paaftë për t’i marrë gjërat me karar, tregtarët i shëmbëllejnë një tufe antilopash të frikësuara. Një alarm i shkurtër papritmas bëhet rrëmujë e madhe, nga dollari te franga zviceriane e te euro. Përderisa disponimet e pakuptueshme, intuitat, dhe paragjykimet shpesh nxisin këto lëvizje të shpejta të valutës, ndryshimet në treg pasqyrojnë poashtu besimin që investitorët kanë te udhëheqësit e një vendi në një moment të caktuar. Ata besuan që Ronald Regani do të vepronte në një mënyrë të caktuar, dhe për pasojë, dollari tregtohej në nivele me të larga gjatë mandatit të tij sesa ç’do të rekomandonin përndryshe të dhënat objektive. Investitorëve ndërkombëtarë u mungonte ai lloj i vetëbesimit gjatë qeverive të Clintonit dhe Bushit, duke bërë që dollari të bie, duke rezultuar në një ngritje të konsiderueshme në vlerën e artikujve si ari dhe nafta. Përderisa tregu i hipotekave të këqija është për t’u fajësuar për shumë prej mjerimeve të sotme ekonomike, problemet me pasuritë e paluajtshme përfaqësojnë një erozion më të madh e më global të besimit në dollarin amerikan.

Tregu i padukshëm ku dollarët ngrihen dhe bien nuk hapet e as mbyllet kurrë; ai thjesht dhe verbërisht pulson. Ai nuk dallon se a është natë a ditë, nuk bën asnjëherë pushim as pauzë. Kur bankat mbyllën në Sidni gjatë natës, zyrat janë duke u hapur në Mumbai. Kur shtëpitë tregtare mbyllen për festa kombëtare në Shangai, zyrat në Londër dhe Nju Jork vazhdojnë të zukatin e të gumëzhijnë. Pas tridhjetë shekujsh në palëvizshmërinë e monedhave të metalit dhe kartmonedhave, paraja është përfundimisht e lirë.

Në fazën e tretë në historinë e parasë, valuta nuk ka as formë as figurë. Lëvizja e saj elektronike zotëron më shumë pushtet se bankat më të mëdha ose koorporatat. Sa më shumë që tregtohet valuta, aq ma pak kontroll ka cilado qeveri e vetme mbi të. Departamenti amerikan i thesarit dhe Rezervat Federale kanë relativisht pak ndikim mbi vlerën e dollarit krahasuar me kontrollin e qeverisë tajlandeze mbi bahtin.

Financierët, jo qeveritë e vendeve, udhëheqin me tregjet e sotme globale. Kjo klasë e re e njerëzve të parasë kontrollon shuma marramendëse të valutës përmes shtëpive të brokerimit [brokerage houses], bankave, planeve pensionale, dhe agjencive të sigurimit. Ndryshe nga paraardhësit e tyre, ata nuk lëvizin erëza, mëndafsh, apo skllevër përreth botës, e as nuk menaxhojnë prodhimin e raketave, DVD-ve, apo mikrovalëve. Ata rregullojnë rrjedhën e parasë ose, thënë më saktë, përkufizojnë formën e parasë. Të çliruar prej zinxhirëve të metalit dhe të letrës,  këta financierë lëvizin paranë prej një valutë kombëtare në tjetrën, prej aksioneve te letrat me vlerë, prej hipotekave te fondet e përbashkëta.

Që prej paraqitjes së parë në historinë botërore, paraja ka farkëtuar institucione dhe mënyra të reja të jetesës duke brejtur sistemet e mëhershme. Ajo është bërë variabla përcaktuese, jo vetëm për marrëdhëniet komerciale, por për të gjitha llojet e marrëdhënieve, që prej atyre fetare dhe politike te ato seksuale dhe familjare. Çdo risi teknologjike në valutë, që prej shpikjes së monedhave në Lidia para tremijë vjetësh te trupëzimi i saj i tashëm në shkëndija të dritës elektronike, ka zgjeruar edhe më tej rolin e parasë në jetët tona.

Historia ka treguar që as qeveritë e as tregu nuk janë të zotë që të rregullojnë paranë. Që prej Neros te George W. Bush, zyrtarët qeveritarë dhe financierët janë përpjekur të kontrollojnë paranë për përfitimet e tyre afatshkurta. Perandorët romakë në shekullin e tretë reduktuan përmbajtjen e argjendit në monedha për të paguar koston e ushtrisë dhe burokracisë në rritje; bankierët francezë në shekullin XVIII lëshuan kartmonedha dhe aksione pa vlerë te publiku që nuk dyshonte asgjë, në mënyrë që të përkrahte një monarki të dështuar. Sistemet e reja financiare fillimisht përmirësojnë situatën ekonomike, por eventualisht – kur intoksikimi zvenitet dhe vjen koha e faturave – realiteti kthehet dhe shtëpia prej letre shembet.

Në ekonominë globale që ende po shfaqet, fuqia e parasë do të zërë vendin e cilitdo komb, kombinimi kombesh,  dhe organizate ndërkombëtare që ekziston tash. Elitat financiare të sapongritura nuk i raportojnë askujt e as kanë besnikëri ndaj një vendi të posaçëm, dhe revolucioni i tretë në historinë e parasë kërcënon që të gërryejë vlerat e lidhjeve familjare, religjionit, profesionit dhe qytetarisë si komponente përcaktuese të jetës civile dhe shoqërore. Po aq afër sa një kartë krediti, një telefon, a një kompjuter, reja kapriçoze e parasë mund të duket si larg e përtej kontrollit tonë. Si një koncentrim jomaterial i dëshirave, frikërave dhe besimeve më themelore të njerëzimit, paraja del për një kohë të shkurtër në sipërfaqe si një sekuencë numrash në ekranin e kompjuterit para se të avullohet sërish në ajrin prej të cilit bëhen ëndërrat.

______

Jack Weatherford është ish profesor i Antropologjisë në Macalester College dhe autor i disa librave, si Rrënjët Amëtare: Si e pasuruan Indianët Amerikën [Native Roots: How the Indians Enriched America], Historia e Parasë [The History of Money], dhe Xhingis Hani dhe Bërja e Botës Moderne [Genghis Khan and the Making of the Modern World].

Artikulli origjinal në Lapham’s Quarterly

Përtheu: Bardhi Bakija

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.