Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Protestat, shpirti i pashuar revolucionar i shqiptarëve dhe domosdoshmëria për institucionalizëm

Protestat e studentëve në Tiranë, ngjallën jo vetëm një simpati të madh enë publik, por edhe një shpresë se një valë e re ndryshimesh po i afrohej Shqipërisë prej brezit të ri. Shumëkush madje evokoi edhe nostalgjinë e Lëvizjes Studentore e cila për hir të së vërtetës është mitizuar e glorifikuar jashtë mase në memorien kolektive të shoqërisë shqiptare. Në kushtet e një kulture jo të hershme e jo të konsoliduar demokratike, vazhdon të kemi një numër të madh të qytetarëve që kanë iluzionin se revolucioni apo përmbysja me dhunë, është arma më e mirë për të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri. Kjo magjepsje masive me protestat e studentëve dhe iluzionet e mëdha që u ndërtuar bazuar në to, mund të konsiderohen si dëshmi që njerëzit në Shqipëri ende kanë një preferencë të madhe për radikalizmin, agresivitetin, revolucionin e dhunën përkundrejt gradualizmit, reformave institucionale apo proceseve politike demokratike.  Kjo tendencë është padyshim rudiment i trashëguar nga shpëlarja e trurit prej doktrinës komuniste e cila himnizonte përmbysjen e regjimit si mjet të preferuar për të marrë pushtetin. Ende sot dominon në kujtesën tonë historike kolektive një admirim për revolucionin e qershorit të Fan Nolit dhe një urrejtje për lëvizjen e Legalitetit të Zogut që promovonte marrjen e pushtetit me mjete legale. E njëjta tendencë masive e mahnitjes së opinionit publik me protestat u vu re edhe në vitet 2015-17 në Kosovë ku u krijua përshtypja e rremë, tek një segment domethënës i shoqërisë, se protestat e dhunshme me molotov e gaz kinse do i mbyllnin njëherë e mirë plagët e së kaluarës e do ishin “si rrugëdalje për një të ardhme të ndritur”. Mirëpo nëse në Kosovë protestat iu printe një forcë e majtë me ndikim revolucionar marksist si Lëvizja Vetëendosje, në Shqipëri mbështetja dhe simpatia për protestat si mjet i preferuar politik po vjen nga një forcë e djathtë që tradicionalisht në Evropë nuk para përzgjedh protestat  dhe përmbysjen si mjet politik.

Përveç ndarjes ideologjike klasike mes atyre që kishin me të shtrenjtë dhe atyre që synonin më së shumti barazinë , historia moderne e Evropës ka pasur një ndarje të madhe edhe për sa i përket mjeteve apo metodave të arritjes së qëllimeve politike të dëshiruara. Pra përtej ndarjes mes liberalëve që promovojnë ekonominë e lirë të tregut bazuar tek prona private e sipërmarrja në kushtet e konkurrencës dhe socialistëve që dëshirojnë barazinë, ekziston edhe një ndarje tjetër mes revolucionarëve dhe evolucionarëve. Të parët duan ndryshime të shpejta apo të menjëhershme nëpërmjet përmbysjes ndërsa të dytët një ndryshim gradual të përmbajtur e të ngadalshëm por të qëndrueshëm. Revolucionarizmi i përket kryesisht marksizmit që e shikonte antagonizmin e klasave si pjesë thelbësore të historisë dhe propozonte revolucionin e proletariatit si mjetin e vetëm për të shëmbur borgjezinë e për të arritur socializmin, që sipas tyre ishte niveli sipëror i organizimit shoqëror ku të gjithë ishin të barabartë.

Në krahun e majtë ishte edhe një rrymë tjetër alternative ndaj revolucionarizmit marksist, ajo e gradualizmi. Kjo alternativë u krijua në Mbretërinë e Bashkuar me Shoqatën Fabian e cila po ashtu kishte socializmin si objektiv, por mendonte se mund ta arrinte vetëm në mënyrë graduale duke ndryshuar legjislacionin, bërë reforma e ndryshuar kulturën e përgjithshme në atë drejtim. Marksistët avokonin përdorimin e dhunës si mjet për të imponuar diktaturën e proletariatit ndërkohë shumë të majtë të moderuar që u shtuan gjithnjë e më shumë në numër në Evropën Perëndrimore, donin që ndryshimet ti sillnin me mjete paqësore nëpërmjet të drejtës universale të votës dhe procedurës demokratike.  Këtu edhe u përça e majta me forcimin gjithnjë e më shumë të social-demokratëve që shikonin procesin demokratike e jo përmbysjen revolucionare si mjet për të arritur qëllimin. Në krahun e djathtë të spektrit politik qëndron konservatorizmi i cili në thelb të tij ka pikërisht konservimin e traditës, vlerave, parimeve, zakoneve, traditave apo institucioneve dhe del kundër ndryshimeve drastike e radikale në shoqëri.

Në Shqipëri është kultivuar tashme prej vitesh një traditë dhe përshtypje e gabuar , se e vetmja opozitë dinjitoze është ajo ku lideri i opozitës është i gatshëm të shkaktojë  dhunë e të mobilizojë protesta masive që trondisin qeverinë. është bërë si të thuash një etalon matës i suksesit të opozitarizmit përmasa e protestës apo dimensioni i dhunës kundër qeverisë. Bazuar në këtë mendim leninist, se fitorja mund të arrihet vetëm nëpërmjet përmbysjes, lideri i opozitës së Shqipërisë, Lulzim Basha, konsiderohet opozitar i dobët. Ajo që e bën akoma më qesharake situatën është se edhe brenda të djathtës, e vemtja alternative kritike që i vjen Bashës, po artikulohet nga një pjesë ish-titullarësh të PD-së të cilët e qortojnë me qasje leniniste e ai nuk është mjaftueshëm i ashpër e i egër ndaj qeverisë pra jo aq revolucionar sa duhet. Thënë ndryshe lideri i të djathtës po kritikohet se nuk është mjaftueshëm idhtar i marksizëm leninizmit për sa i përket shpirtit revolucionar dhe përdorimit të përmbysjes me dhunë për t’i ardhur hak qeverisë. Në një situatë normale evropiane kritika kryesore do të duhej të bëhej për mosparaqitjen e një vizioni të qartë e të besueshëm programor të alternativës për të ardhmen, për paaftësinë për të krijuar një epërsi morale përkundrejt mazhorancës, për paaftësinë për të rekrutuar kuadro të rinj të pakomprometuar e me nivel të lartë profesionalizmi, mungesa e reflektimit dhe autokritikës për abuzimet dhe dështimet e shumta të qeverisjes së kaluar që qenë shkaktarë të vërtetë të rotacionit etj etj. Por kurrsesi pse nuk arrin të organizojë protesta masive apo pse nuk është mjaftueshëm revolucionar i dhunshëm si lider i djathtë.

Kjo lloj lidhje romantike që kanë shqiptarët me revolucionarizmin e dhunën si mjet politik i parapëlqyer të kujton gjithashtu në njëfarë mënyre lidhjen mes dëshpërimit dhe lojërave të fatit. Një ndër fenomenet më interesante  për sjelljen konsumatore që studiohet në shkencat sociale është lidhja e ngushtë shkak pasojë mes varfërisë dhe lojërave të fati. Edhe pse kazinoja, bixhozi, kumari apo lotaria konsiderohen në pamje të parë si lojëra luksi për ata që kanë para për të hedhur, analizat empirike nxjerrin se pjesa më e varfër e shoqërisë është ajo që më masivisht angazhohet në lojërat e fatit. Argumenti që mbizotëron për të shpjeguar këtë fenomen, është se, edhe pse kundërintiuitiv e jo logjik, ata që janë më të dëshpëruar kërkojnë gjithashtu zgjidhje të dëshpëruara. Pra sa më në gjendje të depresionuar të jenë aq më shumë janë të prirur që të varin shpresat tek një zgjithje finale, radikale, të shpejtë e të prerë sikurse është fitorja e milionave në lotari apo bingo. Në kushte ekstreme, në njëfarë mënyre njerëzit dorëzohen e nuk besojnë më tek zgjidhjet konvencionale, graduale e të natyrshme por ushqejnë një iluzion se përmirësimi do të vijë i beftë si me shkop magjik. Kjo gjende e skajshme skamnore me sa duket i shtyn të shpresojnë se problemet e tyre iu vjen fundi vetëm me lojëra të fatit. Kjo sepse sipas tyre,  fundja nuk është se kanë shumë për të humbur , përveç ndonjë bilete llotarie, ama shpërblimi është tejet i madh. Me fjalë të tjera më të dëshpëruarit, nuk mendojnë se mund të dalin nga varfëria nëpërmjet punës, sipërmarrjes, arsimit, talentit, durimit, këmbënguljes por nëpërmjet fatit.

Lidhja mes dëshpërimit dhe lojërave të fatit në sjelljen ekonomike të qytetarëve po shikohet se është gjithnjë e më e ngjashme edhe me sjelljen elektorale të tyre.  Vitet e fundit kanë dëshmuar se jo vetëm mes shqiptarëve, por anembanë botës së zhvilluar, ka një tendencë dëshpërimi e dorëzimi me sistemin aktual dhe eksperimentimi me nisma politike jokonvenciale. Profesioni i politikës dhe proceset demokratike konvencionale kanë humbur besimin në syrin e publikut të zhgënjyer me establishmentin aktual në politik. Në kushte të tilla ekstreme të mosbesimit në demokracinë liberale edhe zgjidhjet po kërkohen tek alternativa politike ekstreme. Për rrjedhojë, anembanë Evropës, janë ndërtuar e konsoliduar forca politike  populiste, të ekstremit të majtë e të djathtë, të cilat kanë një ofertë politike që i shkon përshtat kësaj prirje në elektoratin skeptik, cinik apo pesimist. Franca është në dorë të lideri karizmatik populist i cili më pas ndiqet nga një tjetër lidere ekstremiste e djathtë populiste si Le Pen me Frontin Nacional. Ndërkohë që golistët dhe socialistët janë lënë prapa skene në politikë. Në Itali po ashtu kemi marrjen e pushtetit nga Cinque Stelle dhe Lega Nord ndërkohë që demokristianët e socialistët tradicionalë janë në hije. Greqia po qeveriset nga Syriza ndërsa Nea Demokratia e Socialistët janë jashtë pushtetit. E njëjta tendencë mund të shihet edhe në vende të tjera me radhë të botës demokratike. E thënë ndryshe po shtohet po shtohet numri i votuesve që mendojnë “se këta politikanët që kemi, i njohim mirë e skemi ndonjë iluzion ndaj tyre, përse mos të eksperimentojmë me aktorë të rinj që mund të sjellin ndonjë ndryshim, skemi çfarë të humbasim”.

Në përgjithësi përvojat me pasoja të rënda të revolucioneve që kanë ndodhur dhe shumë krimeve mizore të bëra në emër të revolucioneve, kanë bërë që pjesa më e madhe e shoqërive të avancuara të zgjedhi evolucionin si rrugën më të mirë për të ecur përpara. Pra janë dëshmuar më shumë në favor të reformave institucionale e gradualizmië përkundër ndryshimeve të befta radikale të paparashikueshme që ngelen në dorë të fatit. Shtetet moderne dhe shoqëritë e zhvilluara funksionojnë nëpërmjet institucioneve e procedurave demokratike e jo rastësisë apo iluzioneve ndërkohë që kanë ndër vlerat kryesore stabilitetin e parashikueshmërinë të mbështetur në një tërësi të rregullave dhe e normave juridike. Shtetet e shoqëritë e prapambetura dallohen pikërisht nga tipare si mungesa e stabilitetit, veprimeve ad-hoc, improvizimeve politike , qendrime e veprime impulsive të kushtëzuara nga rrethanat si dhe tendenca tipike si paparashikueshmëria e dhuna.

Zhgënjimi më i freskët dhe i prekshëm me revolucionet është padyshim zhgënjimi me pranverën arabe apo të ashtuquajturin “revolucioni i jasemintë” që nisi në vitin 2010. Shpresa ose më saktë iluzioni që u krijua për një përmbysje të shpejtë të rregjimeve të kalbura arabe dhe zëvendësimi i tyre me demokraci funksionale shpejt u zbeh pasi shoqëritë që nisën protestat në botën arabe e gjetën vetën të binin nga shiu në breshër. Sot vazhdon të kemi luftë civile në Siri, Libi, Irak e Jemen, Egjipti vazhdon të ketë një regjim ushtarak e ndërkohë nuk pati ndonjë ndryshim thelbësor në shtetet e tjera që u prekën nga vala e “pranverës arabe” me përjashtim deri diku të Tunizisë. Mirëpo nuk ka nevojë për të shkuar shumë larg në hapësirë për ta kuptuar se sa i dëmshëm mund të jetë iluzioni i ndryshimeve radikale revolucionare. Mjafton të kthehemi  dy dekada prapa në historinë bashkohore të Republikës së Shqipërisë, në vitin e mbrapshtë 1997. Në atëbotë marrazi e agresiviteti i turmave çoi në një shkërmoqje të shtetit si me pas qenë kala rëre, dhe nuk zgjati shumë por vendin e kaploi anarkia totale. Të njëjtët njerëz që kishin goditur policinë me gurë e çkado të kapnin në dorë në fillim të vitit 1997 ishin të dëshpëruar që të rishikonin kthimin e uniformave blu pas terrorit që shkaktuan bandat e kriminelëve që vepronin pa iu hyrë gjemb në këmbë. Madje mund të hamendësohet se protesta jo-partiake po organizohen nga të rinj studentë sot pikërisht se ata nuk e kanë përjetuar e nuk iu ka ngordhur nervi i protestës prej viteve të turbullta 1997-98.

Pa dashur që të teprohet pa masë me histori, thelbi është që historia ka dëshmuar se rruga e duhur drejt progresit dhe mirëqënies nuk është rruga e rrugës, rruga e përmbysjes së dhunshme apo protestave por rruga e institucionalizmit, e procedurave demokratike dhe e ligjit. Nëse përmbysja ishte e kuptueshme  dhe e pritshme për Republikën e Shqipërisë në vitin 1997 pak vite pas rrënies së diktaturës më të egër e më të izoluar të Evropës, është e papranueshme që të shikohet si rrugëdalje apo mjeti i preferuar politik më shumë se dy dekada më pas. E njëjta gjë vlen edhe për Kosovën. Ne kemi nevojë të ndërtojmë institucione të qëndrueshme demokratike të bazuara mbi ligjin dhe kur flasim për institucione, nuk duhet patur parasysh ndërtesa madhështore por për jetën institucionale. Pra forcimi i institucioneve demokratike nënkupton një qasje të mirëfilltë institucionaliste dhe këtu bëhet fjalë për  zakonet, traditat, rutinat , përvojat e ripërsëritura, konstitucionalizëm dhe rrugë ligjore, rregullat e e qëndrueshme e të pandryshueshme, parimet themelore të palëkundura, praktikat standarde, proceset periodike si zgjedhjet e lira e të ndershme. Ka ardhur koha që shqiptarët kudo që janë ti thonë boll e mos të vënë më bast tek improvizimeve, agresivitetit , instabilitetit duke hequr dorë nga magjepsja për ndryshimet revolucionare radikale e përmbysjet e dhunshme e tek ndryshimet e shpejta fatlume, por të qëndrojnë me këmbë në tokë në kuadër të normalitetit, institucionalizmit e gradualizmi

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.