Vëmendja e mediave botërore dhe e atyre kosovare, me të drejtë këto javë është kthyer drejt SHBA-ve, ku ka hyrë në fazën e saj të fundit (tre mujore) fushata zgjedhore për president/e, si dhe për një pjesë të kongresit dhe senatit.
Zgjedhjet për president/e pa dyshim se janë më të rëndësishme për ne, meqë presidenca amerikane ka goxha dorë të lirë nga kongresi në politikën e jashtme.
Befasia kryesore e këtij viti pa dyshim është nominimi për president i Donald Trump nga ana e Partisë Republikane.
Rrallëkush do të mund të parashikonte hiç më larg se një vit më parë se kandidat i të ashtuquajturës Parti e Madhe dhe e Vjetër (Grand Old Party) të Linkolnit-it, e cila e bëri të paligjshme skllavërinë, do të bëhej kontroversi Trump, të cilin shumë komentues në shtypin amerikan e konsiderojnë një kloun popullist, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe vlerësimet për të si racist, narcisist, e sociopat.
Brenda vitit të fundit Trump ka thënë aq shumë gjëra ofenduese – ndaj meksikanëve, myslimanëve, zezakëve, grave, komunitetit LGBTI, heronjve të luftës, etj – dhe u ka fryrë aq shumë ndasive kulturore brenda SHBA-ve për të tërhequr vëmendje e për të fituar mbështetjen e të frustruarëve në mesin e votuesve republikanë, saqë për herë të parë pas një kohe të gjatë edhe “supremacistët e bardhë” (grupe që haptas promovojnë racizmin) janë hedhur në mbështetje publike të një kandidati nga dy partitë e mëdha.
Duke përfituar nga frustrimet e bazës elektorale republikane me ekonominë, elitën politike si dhe me ndryshimet demografike në SHBA (mbështetjen kryesore Trump e ka në mesin e meshkujve të bardhë të klasës punëtore dhe atyre të paarsimuar), kandidati kontrovers ka shkuar aq shumë në të djathtë të politikave të deritashme zyrtare të republikanëve, sa që shumë figura të njohura të establishmentit (përfshi ish-kandidatët Bush dhe Romney) refuzojnë ta mbështesin publikisht kandidaturën e tij.
Gjithandej në kancelaritë perëndimore me të drejtë janë ndezur kambanat e alarmit për mundësinë e fitores së Trump.
Mendimi konvencional i artikuluar nga analistët gjithsesi është se Hillary Clinton mbetet favorite për të fituar. Por viti i fundit dëshmoi se elektorati amerikan sivjet nuk është fare në disponim konvencional, dhe shumë i lëkundshëm nga ngjarjet ditore (për shembull sulmet terroriste).
Parashikuesi më i njohur i zgjedhjeve në SHBA Nate Silver, në bazë të modeleve të tija të sofistikuara statistikore, vlerëson se gjasat që Trump të fitojë janë 32% (kjo përqindje rifreskohet vazhdimisht nga prurjet e përditshme të anketave) – gjithsesi një mundësi e lartë dhe shqetësuese marrë parasysh natyrën skandaloze të kandidatit.
Sidoqoftë, në rrethet e analistëve të politikës së jashtme gjithnjë e më shumë po forcohet bindja se Trump-i është një kandidat tepër i rrezikshëm për paqen dhe sigurinë në botë, veçanërisht për interesat e botës demokratike.
Pasojat e fitores së tij mbi të gjitha do të rëndonin mbi një rajon si Ballkani, ku përveç konflikteve të shumta të ngrira etnike, institucioneve të brishta dhe tensioneve politike mes partive, ndërthuren edhe interesat hegjemonike dhe gjithnjë e më agresive të shteteve autoritare si Rusia, Turqia dhe të vendeve të tjera të Lindjes së Mesme. Një eksperiment i amerikanëve me presidentin Trump do të përbënte problem sidomos tani në këtë kohë, kur ndikimi i BE-së mbi Ballkanin po bie si rrjedhojë e krizës së saj të brendshme.
Rendi ndërkombëtar qysh prej fundit të Luftës së Dytë Botërore mbahet mbi supet e aleancës ushtarake të NATO-s, e cila përveç se shërben si mburojë e sigurisë e vendeve anëtare përmes parimit të mbrojtjes së ndërsjellë – siguri e cila prej shumëkujt sot merret si e mirëqenë – njëkohësisht është promovuese e projektit ideologjik për ta zgjeruar hapësirën e lirisë dhe për ndërtuar një rend ndërkombëtar të bazuar mbi vlerat demokratike të shoqërive themeluese të aleancës.
Projekt komplementar i këtij rendi liberal ishte integrimi i Europës përmes institucionit i cili evoluoi në BE-në e sotme – një treg i përbashkët me institucione politike pan-europiane.
Zgjerimi i NATO-s dhe i BE-së në ish-zonat e interesit të Bashkimit Sovjetik ka kohë që konsiderohet nga Vladimir Putin si kërcënimi kryesor për sigurinë dhe fuqinë e Rusisë (apo më saktë, si kërcënim për regjimin e tij, të cilin Putin e barazon me Rusinë).
Pikërisht për shkak të këtij kërcënimi, si dhe për shkak të krizës ekonomike të shkaktuar nga rënia e çmimeve të naftës dhe sanksionet e perëndimit, Putin ka hapur fronte të shumta konfliktesh me perëndimin (kryesisht në formën e luftërave proxy në vende të treta, për të cilat pata shkruar më herët).
Synimi strategjik i Putin-it është që ta trazojë stabilitetin e brendshëm të BE-së dhe të përçajë aleancën e NATO-s deri në pikën ku ato do të bëheshin joefektive për të vepruar kundër Rusisë.
Për këtë synim Putin po i përdorë me mjeshtëri përçarjet politike brenda shteteve dhe mes shteteve perëndimore.
Që disa vite ai është vënë në ofensivë përmes aparatit të shërbimeve sekrete dhe fuqisë financiare të oligarkëve të tij. Mediat raportojnë për financimet që u janë bërë lëvizjeve radikale të majta e të djathta gjithandej Europës të cilat shprehen kundër BE-së apo edhe NATO-s (përfshi, për shembull partinë e Marie Le Pen në Francë).
Zhvillimet dramatike të vitit të fundit në Europë – si kriza e refugjatëve sirianë që e forcoi të djathtën ekstreme në BE, dalja e Britanisë së Madhe nga BE dhe përpjekja për puç ushtarak në Turqi (e cila i rriti fërkimet mes këtij vendi tepër të rëndësishëm të NATO-s dhe SHBA-ve) – mendohet ta kenë lumturuar tej mase liderin rus.
Në këtë kontekst, qershia mbi tortë në strategjinë e Putinit për destabilizimin e perëndimit është pa dyshim fitorja e mundshme e Donald Trump.
Pas ndërhyrjes në serverët e Partisë Demokratike të SHBA dhe botimit të e-mailave komprometues, një aksion që dyshohet të jetë kryer nga shërbimi rus i zbulimit, javët e fundit ka pasur raportime të pareshtura për lidhjet e dyshimta të Trump dhe rrethit të tij me regjimin e Putin-it.
Ndërkohë, tashmë është fakt i njohur se Trump ka simpati për stilin autoritar të liderit rus, të cilin e ka vlerësuar edhe publikisht.
Kulmi i dyshimeve mbi afrinë ideologjike mes Trump dhe Putin u arrit javën që shkoi me dy deklarata të Trump të cilat pa dyshim se do ta nokautonin një kandidat presidencial të SHBA në çfarëdo cikli normal zgjedhor të mëparshëm.
Trump së pari i bëri thirrje Rusisë që t’i zbulojë e-mailat e Hillary Clinton, duke i bërë shumë njerëz të pyesin nëse kishte bazë të mjaftueshme ligjore për të ngre aktakuzë ndaj Trump për tradhti kombëtare!
Së dyti, Trump për herë të parë vuri në dyshim parimin e mbrojtjes së ndërsjellë të NATO-s, duke thënë se SHBA-të nuk do të garantonin mbrojtjen e aleatëve (atyre që nuk kontribuojnë mjaftueshëm në aleancë) nga një sulm i mundshëm. Madje nga kampi i tij u tha se SHBA-të edhe do të mund të njihnin okupimin e Krimesë nga ana e Rusisë, i cili edhe ishte shkas për sanksionet e sotme të perëndimit.
Rusia nuk shihet nga Trump si armik strategjik (për dallim nga kandidati paraprak republikan Romney, i cili e konsideronte si armikun kryesor gjeostrategjik). Fokusi i politikës së jashtme të Trump (nëse mund të konsiderohet se ka diçka të tillë) kufizohet te rreziku nga Shteti Islamik, sepse përqendrimi te terrorizmi tërheq më shumë vota.
Një fitore e Trump pa dyshim do ta krijonte një situatë krejt të paparashikueshme të sigurisë në Europë Lindore, sidomos në Ballkan e në Kosovë, ku arkitektura e sigurisë mbështetet mbi mburojën e aleancës së NATO-s.
Për herë të parë prej rënies së komunizmit, do t’i hapeshin dyert Moskës dhe satelitëve të saj, por edhe fuqive të tjera rajonale me ambicie hegjemonike, për të dominuar agjendën e rajonit.
Për këtë arsye zgjedhjet në SHBA me gjasë janë më të rëndësishme dhe me peshë më të madhe për rajonin tonë, që historikisht ka tendencë të merret nga dallgët tektonike të fuqive të mëdha, sesa vetë zgjedhjet brenda shteteve tona.
Mjafton ta kujtojmë periudhën pas Luftës së Dytë, kur ballistët e partizanët ziheshin për dominim, por hartat e rajonit vizatoheshin në Jaltë.