Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Iluzionet vrasëse

Tangled thoughts, information overload concept. Several lines from different directions that tangle in a person's head, flat illustration.

“Nuk mundem më!” – ishte fjala e fundit që shkroi Ardian Klosi. Pastaj e vrau veten [1]. Kemi kështu, një vdekje dhe një fjalë. Ose thënë më mirë, një vrasje dhe një shpjegim të shkurtë. Të cilat e rrjedhin një konceptim. Një konceptim të caktuar për jetën. I cili përplaset keq me konceptimin e shumicës. Dhe shumica bën fuqinë, projekton fantazma, ka pushtetin e jetës dhe vdekjes.

Jeta, parë me sytë e vetëvrasësit, cilitdo, nuk është diçka e bukur dhe magjepsëse por diçka e shëmtuar që ndjell dhimbje pafund. Çdo vetëvrasës, pas vetes e lë një klithmë të ngjashme me “s’munda më” – pas së cilës përfshihet një konceptim i tillë, realist për jetën. As Verteri i Gëtes, nuk arrin t’i durojë vuajtjet që i shkakton dashuria. Dhe, bën vetëvrasje.

“Nuk mundem më” shpreh një bindje jetëmohuese. Por, tekefundit jetëmohese është edhe vetë jeta, dhe natyra. Këtë n’a e mëson shkenca. Çdo send shkon kah kalbja dhe vdekja. Kjo është prirja e të gjithë trupave në natyrë. Jeta pra, s’është tjetërgjë veçse një shëtitje e shkurtë ciklike, nga pika a në pikën a. Nga hiçi në hiç. Dhe shëtitja, nuk është aspak e bukur e e padhimbshme. Krejt e kundërta. Jeta është tragjike për njeriun në thelbin e saj, për faktin që ky është i vetëdijshëm për vendin e vet në kozmos. Është i vetëdijshëm për përmasën e tij të vogël, për padijen, kufizimet. Çdo njeri do të përballet me vdekjen, sëmundjen e mërzinë. Nuk ka rëndësi pushteti, klasa, virtyti, mëkati, a diçka tjetër. Një ndër stoicistët më të rëndësishëm  (qëndrim filozofik që ka një konceptim të këtillë për jetën) ishte një njeri tepër i pushtetshëm si perandori romak, Mark Aureli.

E përmendëm shkarazi konceptimin tjetër për jetën që i vihet kundër këtij për të cilin sa folëm. Ky konceptim i shumicës, e sheh jetën si një gjë hyjnore, ose nëse jo hyjnore, të paktën si një gjë tepër të çmuar, të shtrenjtë e të madhe. Ia sajon një rëndësi që nuk dihet ku ia matë. Prandaj, të sëmurit me kancer ose tjera sëmundje vdekjeprurëse, kur marrin vesh se do të vdesin, hutohen dhe nuk kuptojnë se kah u tret rëndësia e tyre individuale. Mënyra sesi thyhet shpirtërisht një i sëmurë me kancer bëhet gjë më e keqe se vetë vdekja që e pret.

Midis dy konceptimeve përmbahet një tjetër përplasje: konceptimi i parë është vetëvrasës kurse ai i shumicës është tjetërlindës. Sërish, vetja dhe tjetri. Lindja dhe vdekja. Pra, është familja qendra ku ndodh përplasja. Familja kundër individëve. Familja lind individët, dhe i bën që ta shohin jetën pikërisht në atë mënyrë. Të qeshur, të dalldisur, të dashur. Njëkohshëm, duke iu dhënë bindjen e borxhlinjëve. Fëmijët e prindërve me koncepsion të këtillë, lindin me borxhin e ekzistencës të cilin duhet ta shlyejnë përgjatë jetës te prindërit dhe familja. Fëmijët e prindërve me koncepsionin e parë, ku jeta nuk ka një vlerë të mbivendosur iracionalisht, nuk kanë asnjëfarë borxhi. Përkundrazi, janë prindërit ata që ndihen borxhlinj. Ta sjellësh dikënd në një botë të tillë, e cila fare lehtë mund të bëhet ferr, pa e njohur dhe pa e pyetur, është më e pakta egoizëm i shfrenuar. Çdo krijues, bëhet pak më vonë vrasës sepse çdo krijese i del afati, shuhet e vdes. Prandaj, çdo prind duke qenë krijues është edhe vrasës meqenëse brenda jetës së fëmijës është edhe vdekja.

Ja përse, në shoqërinë tonë ende thellëprimitive, ‘të pamet’ iu përngjajnë dasmave dhe do lojërave fëminore që simulojnë veprimet e të rriturve. Ka ashiqare shtirje, dalldi e hare. Nëse ka lot, kjo s’është tjetër veçse llastim e poshtërsi. Këto zakone mësyjnë ta shpërfillin vdekjen. Të mos e lidhin me jetën, të mos e mendojnë. Për jetën të ruhet po i njëjti konceptim. Urdhëresa e thënë dashamirësisht “mos u mërzit” e ilustron më së miri, këtë mësymje.

Shihni sesi, ende familjeve iu vjen marre të pranojnë se një familjar i tyre ka kryer vetëvrasje. Vetëvrasja përbën kundërshtim me postultatin popullor “shpresa vdes e fundit”. Si mundet dikush të vdes para shpresës? Epo, vetëvrasësi e bën. Grupi Low, albumin e parë e ka të titulluar “I could live in hope”. Shpresa është në fakt gurthemeli i koncepsionit iluziv. Ajo vdes pas individit dhe lind para tij. Është e qartë, edhe ata që e shohin jetën si diçka tepër të bukur e të magjishme, përballen me plot dhimbje e vuajtje, ose mërzi. Dhe prandaj, që të mos fundosen iu duhet shpresa.

Në rast se vetëvrasësi ka pasur gjithçka që mendohet se e kushtetuton një ekzistencë të rehatshme, pra nëse ai ‘nuk ka pasur arsye’, atëherë ndodh që vdekja t’i fallsifikohet. Për arsyetim, t’i ngjitet ndonjë sëmundje vdekjeprurëse ose kështu diçka. Një vetëvrasje e paarsye, bën që individi të mbetet edhe post mortem individ, dmth i huaj dhe i papushtueshëm për familjen (e shoqërinë). Dhe njëkohshëm, ta përçojë po të njëjtin mesazh si Klosi për të jetuarit. Mesazh, që e ndesh tepër ashpër pushtetin e familjes dhe shoqërisë mbi individët.

Sipas statistikave, një masë njerëzish sa një komb i vogël, vdes çdo vit nga vetëvrasjet. 800 mijë vetë. Dhe, sipas një vlerësimi të fundit, rritja e depresionit në Evropë është 18%. Kjo përqindje në një shoqëri qindramilionëshe, është shumë. Tepër shumë. Prandaj, nuk do mend se me të duhet të merremi seriozisht edhe këtu. Në Kosovë, 90% e popullësisë mund të kenë kulturë islame, por vetëm pak prej tyre besojnë ende në shpjegimet fetare për ekzistencën e tyre.

Konceptimi iluziv për jetën që mësohet në familje, është larg më i dëmshëm për individët. I bën shumë më kërkues (dhe abstraktë në këto kërkesa) e depresivë, i bën shumë më të paaftë për përballje me jetën. Iu jep dhimbje të padurueshme. Ose i kufizon vetëm përbrenda ngrohtësisë familjare, brenda kënaqjeve të konsumerizmit dhe ‘gjërave të vogla’. Me një fjalë, nuk i bën t’i kenë sytë hapur, të mos presin asgjë, dhe t’i rreken formimit të vetvetes.

Shoqëritë në tranzicion kulturor, do ta kenë edhe më të zorshëm të përballen me jetën, shkaku i iluzioneve vrasëse për të cilat po flasim. Të gjithë e dimë se, depresivët e melankolikët janë de facto të përjashtuar nga shoqëria. Askush nuk dëshiron të merret me ta. Prandaj, njerëzit shtrëngohen të shtiren. Kollaj kuptohet se, kjo mënyrë e të parit të jetës çon në shtirje. Në një shtirje e cila më vonë bëhet pjesë e natyrës sonë. E bëjmë fytyrën të qeshur, pa e marrë vesh kur takohemi me tjetrin. Rrejmë, pa e kuptuar. Veç kur e shohim që u bëmë të korruptuar e të deformuar. Veç kur e shohim që po vdesim, duke e marrë me mend se do të harrohemi. Dhe harrohemi që ç’ke me të, siç thotë Mark Aureli.

Në mënyrë që, të marrim frymë më lirshëm, të jemi më autentikë, duhet të çlirohemi nga shtirja. Të mësohemi të jetojmë pa shpresën, me vuajtjen, dhe me faktin e sëmundjeve e vdekjes. “Nuk mundem më” e Klosit, mund të shihet edhe si një pamundësi për t’u shtirur më. Pamundësi për të qeshur më. Për të dëshiruar më.

Po, filozofia si lëndë shkollore ashtu siç mësohet, me atë tekst që mësohet, duhet hequr sa më shpejt nga planprogramet shkollore. Nuk i ndihmon askujt, asgjë. Në vend të saj duhet futur stoicizmin. Vetëm kështu, mendoj se të rinjtë do të bien me këmbë në tokë, dhe nuk do të befasohen kur të përballen me të këqijat e pashmangshme të jetës. Dhe, do të jenë më të aftë të mos bien në gropat utopike, të mos bien në dashuri (se dashuria gjithmonë ka qenë rënje e kurrë ngritje), e në gjëra tjera prej të cilave nuk ka dalje.

P.S. Ky shkrim u nis si një përkujtim e reflektim për një familjar të vetëvrarë, vdekja e të cilit u fallsifikua.

____________

[1] U tha se arsyet që e çuan Klosin në vetëvrasje ishin pezullimi nga puna, problemet familjare dhe vdekja e nënës pesë muaj më herët.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.